Intervista/ Jorgji Dhoksani: Si u censurua Dostojevski në Shqipëri

NGA DHURATA HAMZAI



Një nga përkthyesit më të mirë të letërsisë botërore, Jorgji Dhoksani, i nderuar së fundmi edhe me Medaljen e Artë “Lermontov” nga Rusia si përkthyes i Dostojevskit në shqip, rrëfen arsyet e censurimit që iu bë shkrimtarit të madh rus me famë botërore në Shqipëri. Paradoksalisht Rusia, vendlindja e Fjodor Dostojevksit, edhe pse shkrimtari nuk përfaqësonte asnjë ideologji komuniste, nuk e ndaloi kurrë veprën e tij. Në Shqipëri u ndalua.

Por, a ndalën shqipëtarët së lexuari Dostojkevskin, si u njohën ata me shkrimtarin e madh para dhe pas viteve ‘90. Kush është Dostojevski dhe cilat janë të panjohurat që na rrëfen për jetën e tij përkthyesi Jorgji Dhoksani. Jorgji Dhoksani është nderuar në fillim të marsit të këtij viti edhe me titullin “Mjeshtër i madh” nga presidenti i Repulikës.

Përkthyesi i 12 vperave të Dostojekvskit nga gjuha ruse në gjuhën shqipe rrëfen se historia e botimit të tij në gjuhën shqipe është një tregues i atyre ndryshimeve të mëdha kohore që ndodhën në Shqipëri pas çlirimit të vendit dhe sidomos mbas një kthese të mprehtë dhe të rëndësishme që mori politika e vendit pas viteve gjashtëdhjetë e sidomos pas viteve ‘70 e këtej, që kulmoi me ndalimin arbitrar të tij në programet universitare dhe zhdukjen e origjinalit nga bibliotekat tona.

Pas viteve ’70 Dostojevki as nuk duhej të zihej në gojë. Kjo ishte periudha që Shqipëria u prish edhe me kampin socialist e me perëndimin nuk kishte asnjë marrëdhënie. Ideologjia e vetme që preferohej të buronte nga letërsia ishte “të ecim përpara në gjurmët e Marksizëm –Leninizmit” dhe “të zhvillojmë në mënyrë të pandërprerë luftën e klasave”. Po a mund ta sillte dot vepra madhështore e Dostojevskit një mesazh të tillë.
 
Profesor Dhoksani, ju jeni përkthyes i kolanës me 12 vepra të shkrimtarit të madh rus Dostojkevskit. A mund të më kujtoni si dhe pse u cesurua Dostojevski në Shqipëri, ndërkohë që nën zë flitej mes intelektualëve për veprën e tij?


Dostojevski ka një veçori në veprat e tij, që përcjell mesazhin se duhet të heqim dorë nga dhuna, sepse sipas konceptit të Dostojevskit çdo dhunë shkakton zinxhirin e një dhune tjetër. Dhe duhet hequr dorë nga çdo lloj dhune, dhe asgjë nuk rregullohet, nuk përmirësohet me dhunë. Kjo është ideja e nënkuptuar në të gjitha veprat e Dostojevskit, por në fakt, kjo është edhe ideja e hershme e krishtërimit, e Biblës.

Dostojevski ka meritën e madhe se pasqyroi artistikisht këtë ide, duke na lënë në historinë e letërisë figura të mëdha të paarritshme që mbeten edhe sot një nga realizimet më të mëdha artistike të botës. Kuptohet me këtë “bagazh ideologjik” Dostojkevski nuk mund të përkthehej në gjuhën shqipe, dhe udhëheqësi i Partisë në atë kohë, Enver Hoxha, e quajti atë me një përkufizim shumë të shkurtër “është shkrimtar reaksionar”. Pas kësaj ai u hoq nga programet e shkollës e të universitetit, botimet e tij nuk u lejuan dhe ky ishte fati i veprës së tij, derisa erdhën vitet ‘90 që shqiptarët të mund të kishin në dorë Dostojevskin të përkthyer në gjuhën e tyre.
 
 
Megjithatë Dostojevski kishte hyrë në Shqipëri. Njihej në rininë tuaj, aty nga vitet ’60, i lexuar edhe në origjinal, apo jo. Çfarë ishtë ky shkrimtar për ju dhe brezin tuaj. Ç’vend zinte në kulturën tuaj letrare?


Unë kam një biografi specifike, sepse unë kam studiuar jashtë shtetit. Kam studiuar në Rusi dhe atje ishte në programet universitare. Në Rusi Dostojevski nuk ka qenë i ndaluar asnjëherë. Por unë nuk do flas për veten time se çfarë studiova atje. Unë do të flas për rininë shqiptare që ishte këtu, si e njihte ajo shkrimtarin e madh. I vetmi libër i Dostojevskit që u përkthye aty nga vitet ‘53 është “Njerëz të varfër”, një libër i vogël i tij.

Dhe pas kësaj asnjë gjë nuk pati në gjuhën shqipe, nuk u botua më asgjë. Ndërsa në Kosovë ka qenë botuar. Në Prishtinë janë botuar edhe “Idioti” i Dostojevskit edhe “Krimi e ndëshkimi”. Janë botuar në dialektin e tyre, kuptohet, por për hir të së vërtetës kosovarët nuk i bënë aq mirë ato përkthime, nuk ishin me nivel të lartë, por megjithatë ndonjëri i interesuar i mori ato vepra dhe i solli në Shqipëri. Sidoqoftë ishin në shqip.

Të mos harrojmë që Dostojevski ishte përkthyer në gjuhët e huaja. Në Itali, ai ishtë autori më i lexuar. Libraritë dhe bibliotekat e Italisë ishin plot e përplot me romanet e Dostojevskit. Natyrisht edhe në frëngjisht, edhe në gjermanisht, anglisht, etj, ai ishte një nga autorët më të lexuar. Edhe në Shqipëri lexohej, por në rusisht, sepse në atë kohë e dinin shumë vetë këtë gjuhë. Në rusisht Dostojevski ka qenë futur në Shqipëri deri në vitet ’60. Dhe mos harro se në atë kohë tek ne kishte shumë intelektualë që dinin rusisht, por ai i botuar në gjuhën shqipe nuk ka qenë.
 
Kur nisi të përkthehej në gjuhën shqipe?


Vetëm pas viteve ‘90 filloi botimi i Dostojevskit në gjuhën shqipe. Dhe unë isha i lirë vetëm pas viteve ‘90 ta përktheja. Kështu që nisa t’i përkushtohesha tërësisht Dostojevskit. Të them të drejtën, ideja e kësaj mungese më erdhi edhe për arsye ekonomike, sepse isha shumë ngushtë dhe iu përvesha punës që të përktheja. Me shtëpinë botuese me Xhevahir Lleshin ne bëmë planin ta përkthenim Dostojevskin të plotë.

E nisëm me kryeveprat. “Krim e ndëshkim” e botuam që në filim. Ka një kujtim vet Dostojevski nga “Shtëpia e të vdekurve”, të cilin e botuam më vonë. Pastaj vijuam me “Idiotin”, pak më vonë nga viti ‘95-‘96 me veprat e tjera. Fillimisht i kemi botuar veprat e tij me letër të keqe. Nuk kishte më letër gazete. I kemi botuar me ato letra që kishin mbetur që nga koha e monizmit në depo. Me ato janë botuar pas viteve ’90 edhe autorë të tjerë të ndalur si Kafka, Kamyja, etj.

Por ç’ndodhi. Rinia shqiptare me shumicë shumë të madhe doli jashtë shetit, pati emigrantë dhe ata kudo që ishin kërkonin libra në gjuhën shqipe. Kur shoh unë, për çudi emigrantët në Greqi kërkonin të blenin Dostojevskin, edhe ata në Gjermani e gjetkë prapë kërkonin Dostojevskin.

Nuk ishte parashikuar kurrë se librat e Dostojevksit do të blihehsin nga emigrantët shqiptarë. Me sa duket se ishte një autor që iu kishte munguar, që kishin dëgjuar për të, ose që u kishin treguar ata që e lexonin në gjuhë të huaja. Kjo ishte e paparashikueshme. Ngaqë emigrantët nuk i zotëronin shumë mirë gjuhët e vendeve përkatëse, vepra e Dostojevskit pati shitje kolosale. Botuesi zuri pasuri dhe duke qenë njeri me kulturë, që unë e vlerësoj këtë, më tha se do nisnim botimin me vëllime të plota dhe unë i pashë edhe njëherë nga e para.

Ai më krijoi kushtet e redaktimit dhe përkthimit. Erdhi dita dhe ne botuam edhe vëllimin e fundit fundit “Vëllezërit Karamozov” aty nga viti 2014. Mbaroi kjo gjë dhe botuesi tha që ta botojmë kolanën me 12 vëllime me lidhje speciale dhe ky mbeti formati më i mirë me letra cilësore, gërmë të kthjellët. Jo për mburrje, por është botimi më i mirë.
 
Si nisi konkretisht ndalimi i Dostojevskit. Si e kujton ti?


Nga ideologjia u nis ndalimi. Sepse si në Bibël që thuhet që në qoftë se njëri të bie nga njëra faqe, ti shtriji faqen tjetër”, edhe Dostojevski të lë të kuptosh se nëse dikush të bën një të keqe ti mos ia kthej me të keqe, por përkundrazi, ktheja me të mirë. Dostojevski është shkrimtari më i madh në botë që ka shkruar kundër terrorizmit. Nëse je i dhunshëm, sipas Dostojevskit, ti s’mund të jesh njeri me të ardhme të mirë, ti vetvetiu e ke dënuar veten.

Nuk e arriti brezi ynë momentin kur ai u ndalua, sepse realisht ai u ndalua të përkthehej në shqip që në vitet ’50, sepse Dostojevski ishte antimarksist. Dostojevski nuk i pranonte revolucionet si rrugën e zhvillimit, sepse pranon evolucionet, ndryshimet dhe sipas Dostojevskit ndryshimet nuk mund të vijnë nëpërmjet dhunës, por nga evolucionet, nga ndryshimet. Dhe e mira sjell të mirën. Kështu i ka konceptet, i ka në gjak këto ide dhe i ka realizuar artistikisht në mënyrë gjeniale.
 
Çfarë origjine kishte, cila ishte prejardhja shoqërore e Dostojevskit?


Dostojevski ishte aristokrat rus nga prejardhja, por i ati i tij ra nga vakti, aq keq ishte ai. Dostojevski ka qenë fisnik rus, por aq keq ka ngelur ai, sa thonë se ka lindur në një spital, sepse edhe shtëpi nuk kishte. Aty bënë një dhomë të spitalit si shtëpi dhe aty ka ndejtur nëna e tij kur lindi Dostojevski. E ëma e Dostojevskit ishte oborrtare dhe ishte njeri me kulturë. Të gjitha kujtimet e mira Dostojevski i ka për të ëmën.

Prindërit e tij vdiqën herët dhe ngeli vetëm me vëllanë. Kjo është me dy fjalë biografia e tij. Por ajo që duhet thënë është se çfarë ndodhi kur ishte në Petërburg. Ai mëson se ca të rinj mblidheshin në mënyrë fshehtë dhe flasin gjëra të ndaluara. Ky që ai mendonte ishte grupi i Petrashevskit një revolucionar anarkist. Ishte grupi që planifikonte vrasjen e carit se ata anarki synonin. Ishin për gjakderdhjen dhe mendonin se duke vrarë krerët, mund të hiqej e keqja.

Këta po bënin plane për vrasjen e carit. E mëson këtë policia dhe i bastisi. Dostojevski kishte vajtur atje thjesht për të dëgjuar nga kurioziteti. Nuk ishte anëtar i grupit, por e rrethuan dhe e kapën, pa pyetje fare se ç’bënete atje. E dënuan me internim, madje edhe me vdekje. Fati i tij që cari, Lartëmadhënia e Tij e mëshiroi dhe dha urdhër që Fjodor Dostojevski të mos vritet si tre anëtarët e grupit, por t’i kthehet nga vrasje në dënim me internim, me burgim në Siberi, në kampet e tmerrshme.

“Shtëpia e të vdekurve” e Dostojevskit flet për internimin që ka përjetuar ai. Ky ka qenë fati i Dostojevksit. Ai s’ka qenë i lidhur me dhunën. Në internim ai e kuptoi se çdo të thoshte dhunë e të të marrin shpirtin dhe shkroi për këto ide kundër dhunës. Pastaj u rehabilitua më vonë.

Doli nga burgu e vajti ushtar. U martua e jetoi në Petërburg. Jashtë shtetit udhëtoi shumë. U bë shkrimtar me famë. Të mos harrojmë edhe një gjë tjetër, Dostojevski që e dënuan me grupin që do të vriste carin, u bë më vonë mësuesi i fëmijëve të carit. Fëmijëve të carit nuk u jepte mësim një njeri dosido. Ai ishte shkrimtar i madh në atë kohë, me shumë emër. Vepra e tij është edhe pasqyrim i kësaj jete shumë të trazuar dhe të çuditshme.
 
Tashmë ju jeni një përkthyes që mbani Medaljen e Artë “Lermontov dhe “Mjeshtër i madh”, me respekt do të dëgjonin se çfarë problemesh hasni në përkthimet e sotme?


Përkthimi sot ka shumë probleme, të rinjtë nxitojnë. Përkthimi është nazeli,do lëmimin, duhet shumë vullnet dhe durim në përkthim, duhet të bësh një studim të larmishëm, sepse gjuha është oqean, se duhet para se të përkthesh të lexosh edhe shkrimtarët e tu, përkthyesit e vendit tënd. Tjetra, nuk depërtohet në thellësitë e  origjinalit dhe sidomos shkrimtarët e shekullit të ‘20 që përdorin abstraksionin japin sinjale dhe jo  të gjithë mesazhin.

Ka vështirësi këtu. Përkthimi i mirë arrihet duke ditur mirë origjinalin, nuk do marrë në sipërfaqe përkthimi. Po t’i biesh për shembull sipërfaqësisht Dostojevskit, ai mbaron si shkrimtar, ai nuk është më. Duhet të hysh në qelizën e jetës së shkrimtarit, të filozofisë së tij, stilit të shkrimit.

Duhet të dish të nxjerrësh sipër brendësinë e shkrimtarit. Kështu do bëhet edhe me Danten. Ne në sipërfaqe mund të themi; ja ky është Ferri kështu e ashtu, histori është; por jo, përkthyesi sjell madhështinë e Dantes si shkrimtar në gjuhën e tij. Prandaj nuk duhet të ngutemi në përkthimet letrare, sepse në gjuhën tënde do të sjellësh shkrimtarin, jo thjesht historinë e librit.
 
Po vijoni me përkthime të tjera nga rusishtja në shqip?


-Po kam një shkrimtar të dashur, Kuprinin. E ndjej shumë personalisht. Është i ngrohtë. Kam përkthyer romanin e famshëm të tij “Gropa”, që është bërë film në Rusi dhe është një nga filmat më të mirë që kanë rusët. Ka një vështrim humanist madhështor. Unë kam përkthyer tregime të zgjedhura të Ivan Kuprinit. Është shitur edhe ky autor. Kam në dorë edhe “Ana Kareninën” për ta përshtatur për shkollën.
 
“Ana Karenina” e Tolstoit ishte e përkthyer dhe pas viteve ’70 u censurua.


Po. Tolstoi ka thënë se Ana Karenina jam unë. Është roman i madh ai. Ana mbeti një nga figurat më të adhuruara në letërsinë botërore. Tolstoi ka tri romane të mëdhenjë në shqip: “Lufta dhe paqja”, “Historia e Familjes” dhe “Ana Karenina”. Tolstoi ra në dorë të përkthyesve të mirë, si Sotir Caci, Vedat Kokona dhe Petro Zheji. Vedat Kokona e ka përkthyer nga frëngjishtja “Ana Kareninën”, por më ka thënë se e ka konsultuar me rusishten, se e ka mësuar autodidakt. Edhe unë vet e kam përkthyer “Ana Kareninën” pas Vedat Kokonës nga origjinali në ‘99-n.  


Google+ Followers