Pereira dëshmon

Antonio Tabucchi
Përkthyeses Mimoza Hysa nesër i jepet në Itali çmimi kombëtar për përkthimin, në një ceremoni që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare Qendrore të Romës. Mes përkthyesve nga gjuhët e tjera, në italisht, Hysa është nderuar me motivacionin si një përkthyese elegante të një numri të madh të autorëve italianë në shqip. Më poshtë sjellim një fragment të një prej emblemave të letërsisë italiane, romanin e Antonio Tabucchi-t, ndarë nga jeta pak kohë më parë

Pereira dëshmon se e njohu një ditë vere. Një ditë të mrekullueshme vere, gjithë diell dhe ajër, në Lisbonën që vezullonte. Pereira do të ketë qenë në redaksi, duke shtyrë kohën, drejtori ishte me pushime, kurse ai po mëdyshej në ta niste faqen kulturore apo jo, sepse “Lisboa” tashmë e kishte një faqe kulturore dhe ia kishin besuar atij. Dhe ai, Pereira pra, po meditonte mbi vdekjen. Atë ditë të bukur vere, me atë puhizë atlantike që përkëdhelte majat e pemëve dhe me diellin që shkëlqente, me atë qytet që shndriste pastër nën dritaren e tij, dhe me një kaltërsi, një kaltërsi të paparë, dëshmon Pereira, me një qashtërsi që të therte sytë, ai zuri të mendonte për vdekjen. Përse? Këtë Pereira nuk mund ta shpjegojë. Ndoshta ngaqë, kur ai ishte i vogël, babai i tij kishte pasur një agjenci funeralesh që quhej Pereira La Dolorosa, ndoshta ngaqë gruaja e tij kishte vdekur nga veremi para pak vitesh, ndoshta ngaqë ai ishte i shëndoshë dhe vuante nga zemra dhe nga tensioni i lartë i gjakut dhe mjeku i kishte thënë se po të vazhdonte në këtë gjendje nuk do të jetonte gjatë, po gjithsesi e vërteta është që Pereira zuri të mendonte për vdekjen, siç dëshmon. Dhe rastësisht, krejt rastësisht, mori të shfletonte një revistë. Ishte një revistë letrare, por që kishte dhe një rubrikë filozofike. Një revistë avanguardiste, ndoshta, për këtë Pereira nuk është i sigurtë, por që kishte shumë bashkëpunëtorë katolikë. Dhe Pereira ishte katolik, apo më’ mirë të themi se në atë periudhë ndjehej katolik, një katolik i mirë, por vetëm në një gjë nuk arrinte dot të besonte, në ringjalljen e trupit. Të shpirtit po, sigurisht, sepse ishte i sigurtë që kishte një shpirt; po gjithë ai trup i tiji, gjithë ai tul që i pështillte shpirtin, e pra, ai jo, ai s’kishte se si të ringjallej, pastaj përse duhej/, pyeste veten Pereira. Gjithë ai dhjamë që kishte në trup, djersa, mundimi për të ngjitur shkallët, përse u dashka të ringjallej? Jo, Pereira nuk e dëshironte më gjithë këtë gjë në jetën tjetër, në përjetësi, dhe kësisoj s’donte të besonte në ringjalljen e trupit. Kështu zuri të shfletonte atë revistë, si pa vëmendje, sepse i sillte mërzi, siç thotë, dhe gjeti një artikull ku thuhej: “Nga një tezë e mbrojtur muajin e kaluar në Universitetin e Lisbonës po botojmë një ese mbi vdekjen. Autori është Françesko Monteiro Rosi, i diplomuar në Filozofi me rezultate të shkëlqyera, dhe kjo është vetëm një pjesë e esesë së tij, sepse ndoshta në të ardhmen ai do të bashkëpunojë sërish me ne”.
Pereira tregon se në fillim zuri ta lexojë i shkujdesur artikullin, i cili nuk kishte titull, pastaj mekanikisht u kthye pas dhe kopjoi një pjesë. Përse e bëri? Këtë Pereira nuk është në gjendje ta thotë. Ndoshta ngaqë ajo revistë avanguardiste katolike ia shpifte, ndoshta ngaqë atë ditë ishte i tejngopur me avanguardë e katolicizëm, edhe pse ai ishte thellësisht katolik, apo ndoshta ngaqë pikërisht atë çast, me atë verë vezulluese mbi Lisbonë, me gjithë atë peshë që mbante në trup, e urrente idenë e ringjalljes, por e vërteta është që zuri ta kopjonte artikullin, ndoshta që të mund ta flakte revistën në kosh. Dëshmon se nuk e kopjoi të gjithin, kopjoi vetëm rreshtat e mëposhtme që mund t’i dokumentojë: “Raporti që karakterizon më thellë dhe më në përgjithësi kuptimin e ekzistencës sonë është ai mes jetës dhe vdekjes, sepse kufizimi i ekzistencës sonë me vdekjen është vendimtar për të kuptuar dhe për të vlerësuar jetën.” Pastaj mori numëratorin telefonik dhe tha vete me vete: Rosi, ç’mbiemër i çuditshëm, s’mund të ketë më shumë se një Rosi në numëratorin telefonik, thotë se formoi numrin, sepse atë numër e kujtonte niirë, dhe nga ana tjetër dëgjoi një zë që tha: alo. Alo, u përgjigj Pereira, ju flas nga “Lisboa”. Dhe zëri ia ktheu: po? Dëgjoni, kujton të ketë thënë Pereira, “Lisboa” është një gazetë e Lisbonës, ka pak muaj që ka dalë, nuk di nëse ju e keni parë, jeni apolitike’ dhe të pavarur, por besojmë te shpirti, dua të them se kemi prirje katolike, dhe do të doja të flisja me zotin Monteiro Rosi. Pereira dëshmon se nga ana tjetër për pak çaste ra heshtje, pastaj zëri tha se Monteiro Rosi ishte ai vetë dhe se nuk e vriste shumë mendjen për shpirtin. E pati radhën Pereira të mos fliste për pak sekonda, sepse nuk e priti, siç tregon, që një njeri i cili kishte shkruar meditime kaq të thella mbi vdekjen të mos mendonte për shpirtin. Pra mendoi se mos ishte ndonjë keqkuptim, dhe menjëherë i shkoi mendja tek ringjallja e trupit, të cilën e kishte gozhdë në tru, dhe i tha se kishte lexuar një artikull të Monteiro Rosit mbi vdekjen dhe pastaj shtoi se edhe ai, Pereira, nuk besonte në ringjalljen e trupit, e mos ndoshta zoti Monteiro Rosi kishte dashur të shprehte pikërisht këtë gjë. Kështu pra, Pereira dëshmon se u bë lëmsh dhe e mori inat veten që i hyri telashit t’i telefononte një të panjohuri dhe t’i (liste për gjëra të tilla delikate, madje shumë intime, siç janë shpirti dhe ringjallja e trupit. Pereira u pendua, siç dëshmon, dhe aty për aty mendoi një herë ta ulte receptorin, por pastaj, kushedi përse, gjeti forca të vazhdonte dhe kështu i tha se ai quhej Pereira, doktor Pereira, që drejtonte faqen kulturore të “Lisboa”-s, që sot për sot “Lisboa” ishte një gazetë e pasdites, pra një gazetë që sigurisht as mund të krahasohej me gazetat e tjera të kryeqytetit, por që ai kishte bindjen se, herët a vonë, do të bënte përpara, se vërtet sot për sot “Lisboa” i linte shumë vend kronikës rozë mbi të gjitha, por më në fund tani kishin vendosur të botonin një faqe kulturore që dilte të shtunën dhe se redaksia nuk ishte plotësuar ende e për këtë arsye kishte nevojë për punonjës, për një bashkëpunëtor të jashtëm që të bënte një rubrikë të përhershme.
Pereira dëshmon se zoti Monteiro Rosi u përgjigj rrëmbyeshëm se do të paraqitej që sot në redaksi, i tha edhe se puna i interesonte, që i interesonte çdo punë, sepse, ah ç’t’i bësh, kishte vërtet nevojë për punë, tani që kishte mbaruar universitetin dhe duhej të mbante veten, por Pereira u tregua i përmbajtur e i tha në redaksi jo, nuk ishte momenti i përshtatshëm, se mund të ishin jashtë, në qytet, dhe se do të ishte më mirë të linte takim. Kështu i tha, dëshmon, sepse nuk donte të ftonte një njeri të panjohur në atë dhomëz të pështirë në Rua Rodrigo da Fonseka, ku zhurmonte një ventilator astmatik dhe ku të qelbte era e të skuqurave për shkak të portieres, një shtrige që shihte gjithkënd me dyshim dhe s’bënte gjë tjetër veçse skuqte. Pastaj nuk donte që një i huaj ta kuptonte se redaksia kulturore e “Lisboa”-s ishte vetëm ai, Pereira, një burrë që djersinte nga vapa dhe sikleti në atë birucë, kështu prandaj, dëshmon Pereira, e pyeti nëse mund të takoheshin në qytet, dhe ai, Monteiro Rosi, iu përgjigj: sonte, në Praca da Alegria, bëhet një koncert popullor me këngë e serenata, ku jam ftuar për të kënduar një romancë napoletane, se unë jam si gjysmë italian, por napoletançen nuk e di, megjithatë pronari i lokalit më ka rezervuar një tavolinë jashtë, me një biletë ku shkruhet Monteiro Rosi, si të duket të takohemi atje? Pereira tregon se i tha po, uli receptorin, fshiu djersët, dhe pastaj i erdhi një ide e shkëlqyer, që të bënte një rubrikë të shkurtër të titulluar “Përkujtimore” dhe mendoi ta botonte menjëherë te shtunën Pereira dëshmon se atë pasdite moti ndryshoi. Papritmas puhiza atlantike u platit, nga oqeani u dynd një perde e dendur mjegulle dhe qyteti u gjend i mbështjellë në një perçe zagushie. Përpara se të dilte nga zyra e tij Pereira i hodhi një sy termometrit që e kishte blerë me paratë e veta dhe e kishte varur pas dere. Tregonte tridhjetë e tetë gradë. Pereira fiku ventilatorin, hasi portieren te shkallët që i tha mirupafshim doktor Pereira, nuhati sërish erën e të skuqurave që përsillej nëpër shkallë dhe më në fund doli jashtë. Përpara derës së jashtme ndodhej tregu fshatar dhe Guarda Nacional Republicana ishte ngulur aty me dy furgona. Pereira e dinte që tregu ishte i trazuar, sepse një ditë më parë, në Alentejo, policia kishte vrarë një karrocier socialist që furnizonte tregun, por “Lisboa” nuk kishte guxuar ta jepte lajmin ose më mirë të themi nëndrejtori, sepse drejtori ishte me pushime në Buçako, duke u kënaqur me freskun dhe ujrat e llixhave, e kujt ia mbante të jepte një lajni të tillë, që një karrocier socialist ishte masakruar në Alentejo mbi karrocën e tij dhe kishte spërkatur me gjak gjithë shalqinjtë? Askujt, sepse i gjithë vendi heshtte, ishte i shtrënguar të heshtte, ndërkohë që njerëzit vdisnin dhe policia sillej si zot shtëpie. Pereirën e mbuluan djersët sepse iu kujtua përsëri vdekja dhe mendoi: ky qytet qelbet erë vdekje, e gjithë Evropa qelbet erë vdekje.
Shkoi në Kale Orkidea, që ishte dy hapa larg, pas dyqanit të mishit të çifutëve, dhe u ul në një tavolinë, po brenda barit, sepse aty të paktën kishte ventilatorë, kurse jashtë nuk rrihej dot nga zagushia. Porositi një limonadë, shkoi në banjë, freskoi duart dhe fytyrën, kërkoi një puro, porositi gazetën e pasdites dhe Manueli, kamerieri, i solli pikërisht “Lisboa”-n. Nuk e kishte parë në boca atë ditë, prandaj e shfletoi si të ishte një gazetë e panjohur. Në faqen e parë shkruhej: “Sot nga Nju-Jorku u nis jahti më luksoz i botës”. Pereira e pa gjatë titullin, pastaj pa fotografinë. Ishte një pamje që paraqiste një grup njerëzish me kapele kashte e këmisha që po hapnin shishe shampanje. Pereirës i shkuan djersë përsëri, dëshmon, dhe mendoi prapë për ringjalljen e trupit. Si i bëhet, sikur, po të ngjallem, të gjendem mes këtyre njerëzve me kapele kashte? Parafytyroi me të vërtetë sikur gjendej me ata njerëz të jahtit në një port të papërcaktuar të përjetësisë. Dhe përjetësia iu duk një vend i padurueshëm, shtypur nga një perçe e mjegullt zagushie, me njerëz që flisnin anglisht dhe që ngrinin dolli duke klithur: oh oh! Pereira kërkoi një limonadë tjetër. Mendoi mos ishte më mirë të shkonte në shtëpi të bënte një banjë freskuese apo mos ishte më mirë të shkonte të takonte mikun e tij famullitar, at Antonio të Kishës së Merces, tek i cili ishte rrëfyer vite më parë, kur i kishte vdekur e shoqja dhe shkonte ta takonte një herë në muaj. Mendoi se ishte më mirë të shkonte të takonte at Antonion, ndoshta do t’i bënte mirë.
Dhe ashtu bëri. Pereira dëshmon se atë radhë harroi dhe të paguante. U ngrit i shkujdesur, madje, pa u menduar fare, dhe thjesht iku, mbi tavolinë la gazetën e tij dhe kapelen, ndoshta me gjithë atë zagushi nuk donte ta vinte në kokë, a sepse ashtu ishte gatuar ai, që i harronte gjërat.
At Antonioja ishte i dërrmuar, dëshmon Pereira. I kishte qeskat e syve të varura deri në mollëza dhe kishte një pamje të vrarë, si një njëri që s’ka fjetur. Pereira e pyeti se çfarë i kishte ndodhur dhe at Antonioja i tha: si kështu, nuk e paske marrë vesh?, kanë masakruar një alentejan mbi karrocën e tij, në qytet dhe diku tjetër ka grevë, po në ç’botë jeton ti që punon dhe në gazetë?, më dëgjo Pereira, shko e informohu.
Pereira dëshmon se doli i trullosur nga ajo bisedë e shkurtër dhe nga mënyra se si u nda. Tha me vete: në ç’botë jeton? Dhe i shkrepi një ide e marrë që ndoshta ai nuk jetonte, po ishte sikur të kishte vdekur me kohë. Që kur i kishte vdekur e shoqja, ai jetonte sikur të kishte vdekur. Ose thënë më mirë: nuk bënte gjë tjetër veçse mendonte për vdekjen, për ringjalljen e trupit, ide që nuk e besonte, mendonte për marrëzira të këtij lloji, kjo që bënte ishte vetëm një mbijetesë, një imitim i jetës. Dhe e ndjeu veten të rrënuar, dëshmon Pereira. Arriti të tërhiqej zvarrë deri te stacioni më i afërt dhe i hipi një tramit për në Terreiro do Paço. Sakaq, nga dritarja, shikonte tek rrëshqiste ngadalë Lisbona e tij, shikonte Avenida da Liberdaden me pallatet e saj të bukura, e pastaj Praça do Rosion, me stil anglez; në Terreiro do Paço zbriti dhe mori tramin që ngjitej deri në Kështjellë. Zbriti nga lartësia e Katedrales, sepse ai banonte aty pranë, te Rua da Saudade. Ngjiti me mundim të tatëpjetën e rrugës që të çonte deri te shtëpia e tij. I ra ziles së portieres, sepse nuk ia kishte ënda të kërkonte çelsat e derës së jashtme, dhe portierja, që i shërbente dhe në shtëpi, vrapoi t’ia hapte. Doktor Pereira, i tha portierja, ju kam përgatitur një bërxollë të skuqur për darkë. Pereira e falënderoi dhe ngjiti ngadalë shkallët, mori çelësat e shtëpisë poshtë ishirëses së këmbëve, ku i mbante gjithmonë, dhe hyri. Në korridor u ndal para bibliotekës, ku ndodhej portreti i së shoqes. Atë fotografi e kishte bërë ai vetë, në njëmijë e nëntëqind e njëzet e shtatën, gjatë një shëtitjeje në Madrid, dhe në sfond shihej silueta e rëndë e Eskorialit. Më fal që u vonova pak, i tha Pereira.
Pereira dëshmon se kishte ca kohë që i ishte bërë zakon të fliste me portretin e së shoqes. I tregonte çka kishte bërë gjatë ditës, i rrëfente mendimet e tij, i lypte këshilla. Nuk di se në ç’bote jetoj, i tha Pereira portretit, ma tha edhe at Antonioja, puna është se mendoj gjithë kohën për vdekjen, më duket sikur e gjithë bota ka vdekur ose është në prag të vdekjes. Pastaj Peivira mendoi për fëmijët që s’pati kurrë. Ai po, kishte dashur, por nuk mund t’ia kërkonte asaj gruaje të brishtë e të vuajtur që kalonte netë pa gjumë dhe periudha të gjata në sanatorium. Dhe i erdhi keq. Sepse po të kishte pasur një fëmijë, një fëmijë të rritur me të cilin te ulej në tavolinë për të biseduar, nuk do të kishte nevojë të fliste me atë portret që i përkiste një udhëtimi të largët, i cili as që i kujtohej më. Dhe tha: eh, durim, që ishte dhe formula e ndarjes nga portreti i së shoqes. Pastaj shkoi në kuzhinë, u ul në tavolinë dhe hoqi kapakun që mbulonte tiganin me bërxollën e skuqur. Ishte ftohur, po nuk kishte qejf ta ngrohte. E hante gjithmonë ashtu, siç ia linte portierja: të ftohtë. Hëngri nxitimthi, shkoi në banjë, lau sqetullat, ndërroi këmishën, vuri një kollare të zezë dhe hodhi pak parfum spanjoll që kishte mbetur në një shishkë të blerë më njëmijë e nëntëqind e njëzet e shtatën në Madrid. Pastaj veshi një xhaketë gri dhe doli në Praça da Alegria, sepse kishte shkuar ora nëntë e mbrëmjes, dëshmon Pereira.
3.
Pereira dëshmon se qyteti atë mbrëmje dukej që ishte në dorë të policisë. I shihje gjithandej. Mori një taksi deri në Tereiro do Paço dhe nën portikë pa kamionçina dhe agjentë policie me mushketa. Si duket ia kishin frikën ndonjë manifestimi apo tubimi në shesh dhe prandaj kishin përforcuar pikat më strategjike të qytetit. Ai do të kishte dashur të ecte në këmbë, sepse kardiologu i kishte thënë se duhej të lëvizte, por nuk ia mbajti të kalonte përpara gjithë atyre ‘policëve të majtë, ndaj mori tramin që përshkonte Rua dos Fankueiros dhe përfundonte në Praça da Figueira. Aty zbriti, dëshmon, dhe hasi po prapë policë. Kësaj here iu desh të kalonte përballë patrullave dhe kjo e bëri të ndjehej keq. Duke kaluar dëgjoi një oficer që po u thoshte ushtarëve: dhe kini parasysh djema që armiqtë janë gjithmonë në pritë, është mirë t’i bëni sytë katër.
Pereira pa përreth, sikur ajo këshillë të kishte qenë edhe për të, dhe nuk iu duk se ishte e nevojshme t’i bënte sytë katër. Avenida da Liberdadeja ishte e qetë, kjoska e akulloreve ishte hapur dhe nëpër tavolina kishte njerëz që i gëzoheshin freskut.
Ai zuri të shëtiste qetësisht në trotuarin kryesor dhe në atë çast, dëshmon, u dëgjua muzika. Ishte një muzikë e ëmbël dhe mallëngjyese kitarash të Koimbras, dhe iu duk e pazakontë lidhja muzikë e polici. Mendoi që vinte nga Praça da Alegria dhe në të vërtetë ashtu ishte, sepse sa më shumë i afrohej, aq më tepër dëgjohej muzika.
Nuk dukej si shesh qyteti në gjendje shtetrrethimi, dëshmon Pereira, sepse nuk pa policë, përkundrazi, pa vetëm një roje nate që iu duk i dehur dhe po dremiste në një stol. Sheshi ishte zbukuruar me shirita letre, me llamba me ngjyra të verdha e jeshile që vareshin me tela nga një dritare në tjetrën. Kishte tavolina jashtë dhe ca çifte që vallëzonin. Pastaj pa një parullë prej cope të varur nga njëra pemë e sheshit te tjetra, ku ishte shkruar me shkronja të stërmëdha: Nderim për Françisko Frankon dhe poshtë, me shkronja më të vogla: Nderim për ushtarët portugezë në Spanjë.
Pereira dëshmon se vetëm atë çast e kuptoi qe ajo ishte një festë salazariste1 dhe prandaj nuk ishte e nevojshme të rrethohej nga policia. Dhe vetëm atëherë vuri re që shumë njerëz mbanin këmisha jeshile dhe shall në qafë. U ndal i tmerruar dhe për një hop i kaluan në mendje shumë gjëra njëherësh. Mendoi se mos ndoshta Monteiro Rosi ishte një prej tyre, mendoi për karrocierin alentejan që kishte njollosur me gjak shalqinjtë e tij, mendoi çfarë do thoshte at Antonioja po ta shihte në atë vend. Mendoi për të gjitha këto dhe u ul në stolin ku dremiste roja i natës dhe u përhumb në mendime. Ose më mirë të themi u përhumb në muzikë, sepse muzika, sidoqoftë, i pëlqente. Ishin nja dy pleq që luanin njëri në violinë dbe tjetri në kitarë dhe i binin një melodie të trishtueshme të Koimbras së rinisë së tij, të kohës kur ai ishte student universiteti dhe e mendonte jetën me një të ardhme gjithë dritë. Edhe ai në atë kohë i binte violinës në festat studentore, e ishte i dobët dhe i zhdërvjellët, dhe vajzat binin në dashuri me të. Kaq e kaq vajza që linin
mendjen për të. Kurse ai ishte rrëmbyer i tëri pas një vajze të brishtë dhe të zbehtë, që shkruante poezi dhe shpesh kishte dhimbje koke. Pastaj mendoi për gjëra të tjera të jetës së tij, po këto Pereira nuk dëshiron t’i thotë, sepse mendon që janë të tijat dhe vetëm të tijat e që nuk i shtojnë asgjë asaj mbrëmjeje dhe asaj feste në të cilën u ndodh krejt padashur. Dhe pastaj, dëshmon Pereira, pa të ngrihej nga një tavolinë, pas një grime,
një djalosh i gjatë e i zhdërvjellët me një këmishë të çelur që u fut mes dy muzikantëve të vjetër. Dhe, kushedi përse, ndjeu një të therur në zemër, ndoshta ngaqë tek ai djalosh iu duk se njohu veten, iu duk se njohu veten e kohëve të Koimbras, sepse i ngjasonte disi, jo në tipare, por në mënyrën se si lëvizte dhe paksa nga flokët që i binin me cullufe mbi ballë. Dhe djaloshi zuri të këndonte një këngë italiane, “O sole mio”, së cilës Pereira nuk ia kuptonte fjalët, por ishte një këngë gjithë vrull e jetë, e bukur dhe e pastër, ku ai kuptonte vetëm fjalët “o sole mio” dhe asgjë tjetër, e ndërsa djaloshi këndonte, ishte çuar sërish pakëz puhizë atlantike dhe mbrëmja ishte e freskët, e gjithçka iu duk e bukur, jeta e tij e shkuar për të cilën nuk i pëlqen të flasë, Lisbona, copëza e qiellit që dukej nën llambëzat me ngjyra, dhe ndjeu një mall të madh, por Pereira nuk dëshiron ta thotë se për çfarë. Gjithsesi e kuptoi se djaloshi që po këndonte ishte njeriu me të cilin kishte folur në telefon atë pasdite, kështu që, kur ai mbaroi këngën, Pereira u ngrit nga stoli, sepse kureshtja qe më e madhe se vetëpërmbajtja, shkoi drejt tavolinës dhe i tha djaloshit: zoti Monteiro Rosi, besoj. Monteiro Rosi bëri të ngrihej, u pengua te tavolina, kriklla e birrës që kishte përpara u derdh dhe ai njollosi krejt pantallonat e bardha. Ju kërkoj ndjesë, tha ngatërrueshëm Pereira. Jo, jam unë i pakujdesshëm, tha djaloshi, më ndodh shpesh, ju jeni doktor Pereira i “Lisboa”-s, besoj, ju lutem urdhëroni. Dhe i zgjati dorën.
Pereira dëshmon që zuri vend në tavolinë si me ngurrim. Tha me vete se vendi i tij nuk ishte aty dhe se ishte pa kuptim të takonte një të panjohur në një festë të tillë nacionaliste, e se at Antonioja nuk do ta kishte miratuar sjelljen e tij; dhe që do të dëshironte me gjithë zemër të ishte kthyer në shtëpi dhe t’i fliste portretit të së shoqes për t’i kërkuar ndjesë. Kjo gjë që po mendonte i tha zemër për t’i bërë një pyetje të drejtpërdrejtë, sa për të hapur bisedën, dhe pa u menduar gjatë e pyeti Monteiro Rosi: kjo është një festë e rinisë salazariste, ju jeni salazarist?
Monteiro Rosi rregulloi cullufen e flokëve që i binte mbi ballë dhe u përgjigj: unë jam diplomuar në filozofi, më intereson filozofia dhe letërsia, po kjo ç’punë ka me “Lisboa”-n? Ka, sepse ne bëjmë një gazetë të lirë dhe të pavarur, e nuk duam të përzihemi me politikë, dëshmon t’i jetë përgjigjur Pereira.
Ndërkohë dy pleqtë zunë t’u bien veglave, nga kordat e tyre qaramane buroi një këngë frankiste, por Pereira, edhe pse e pa veten keq, e kuptoi që i kishte hyrë asaj valleje dhe duhej ta çonte deri në fund. Dhe çuditërisht kuptoi që ishte në gjendje ta bënte, që e kishte situatën në dorë, sepse ai ishte doktor Pereira i “Lisboa”-s dhe djaloshi që i rrinte përballë varej prej fjalëve të tij. Kështu që tha: lexova artikullin tuaj për vdekjen, m’u duk shumë interesant. Kam mbrojtur tezën mbi vdekjen, iu përgjigj Monteiro Rosi, por që të jem i sinqertë nuk është e gjitha pjellë e mendjes sime, pjesën që u botua në revistë e kam kopjuar, po jua them hapur, një copë nga Fojerbahu dhe një copë nga spiritualistët francezë, por edhe profesori im e ka ngrënë, e di, profesorët janë më injorantë nga sa duken. Pereira dëshmon se u mendua gjatë për t’i bërë pyetjen që kishte përgatitur gjatë gjithë mbrëmjes e më në fund vendosi, por më parë porositi kamerierin me këmishë jeshile që po u shërbente të sillte një limonadë. Më fal, i tha Monteiro Rosit, unë nuk pi pije alkoolike, pi vetëm limonada, prandaj po marr një limonadë. Dhe duke gjerbur limonadën, pyeti me zë të ulët, sikur të druhej se mos e dëgjonte kush dhe ta dënonte: po ju vetë, më falni, si t’ju them, doja t’ju pyesja nëse juve ju intereson vdekja?
Përktheu nga origjinali: Mimoza Hysi
(fragment nga romani “Dëshmon Pereira”)

Google+ Followers