Një roman realisto-modern për VIRGJËRESHËN-BURRË

Nga Mexhit Prençi

Tema e gjakmarrjes ka provokuar shkrimtarin Petraq Risto i cili nga pyll i pafund i subjekteve, ngjarjeve, dramave e tragjedive të ndryshme të kësaj teme ka përzgjedhur atë që është e jashtëzakonshme:tjetërsimi i vajzës virgjëreshë në burrë. Kjo nuk është përrallë as legjendë, as diçka ekzotike, mitike a fantastike, por një realitet konkret edhe historik edhe aktual. Sipas kanunit vajza shndërrohej në burrë kur dikush vret njeriun më të dashur të shtëpisë dhe s’ka mashkull t’i marrë hakun që gjaku i vëllait apo babait të mos mbetet hup (i humbur, pa u marrë). Në këto rrethana ajo sfidon vetveten, braktis shtëpinë dhe jeton nëpër male e shpella gjersa të marrë gjakun tek vrasësi. Vishet si burrë, bën lëvizje psikofizike si të burrit, armatoset me armë si burrat, pi duhan e raki dhe bën luftë ekzistenciale për të mbijetuar, gjersa të realizojë misionin e saj gjakmarrës.
2
Kjo është tema kryesore e romanit “Një Grua me “Urdhrin e Ujkut” të Ristos. Autori është frymëzuar nga ngjarje reale ndodhur në Venriun e Shqipërisë dhe ka formësuar realitetin artistik duke aplikuar realisten dhe modernen në një integrim mjeshtëror ku ato shkrihen në njëra-tjetrën. Romani sjell risi si në trajtimi e temës së gjakmarrjes, gërshetuar edhe me tema të tjera nga realiteti i sotëm dhe, profesionalizëm në mënyrën si e ka shestuar dhe formësuar atë, si e ka realizuar integrimin e temave në funksion të njera-tjetrës ku përparësi i jepet linjës së gjakmarrjes. Ndërsa linjat e tjera janë vizatime me vija të holla të shkrira në temën kryesore ku protagonistë të romanit janë: Destan Logu, e shoqja Helena, Virgjëresha-Burrë dhe Fatmir Poligu (gjysmënjeri e gjysmëujk)
3
Subjekti i romanit NGUU është realist dhe i jashtëzakonshëm. Emigranti Destan Logu bashkë me gruan e tij Helena, nisen nga Patra e Greqisë për të festuar Krishtlindjet në Shqipëri. Do të vizitonin edhe fshatin ku kishte lindur e të vendosin lule mbi varret e prindërve të tij. Rrëfimtari që është vetë autori, përshkruan bukur këtë udhëtim të vështirë me peripeci, enigma, frikë dhe me një farë ankthi që nga nisja e gjer sa mbërrin në fshatin e tij braktisur nga banorët, dhe gjatë tërë zhvillimit të ngjarjeve të romanit. Në fshatin e tij tashmë banonte Virgjëresha-Burrë, (Bozhurja) ish e dashura e tij me të cilën kish këmbyer vetëm puthje adoleshente. Ajo bashkëjetonte me ujqërit të cilët i mori këlyshë të sapolindur, lënë jetim nga ulkonja ngaqë kish rënë në një qark dhe kishte ngordhur. I ushqeu dhe i rriti si “fëmijë”. Bashkë me ta jetonte te Mulliri i vjetër i këtij fshati, banorët e të cilit e kishin braktisur duke marrë udhët e migrimit. Ujqit kishin pushtuar fshatin. Në këtë zonë vepronin edhe personazhe të tjerë si: Martin Uka, pronari i lokalit-bujtinë (vendosur në një pikë kryqëzimi rrugësh larg fshatit), Fatmir Poligu gjysmënjeri-gjysmëujk, Agroni i Vratajve (sakat nga minat serbe mbjell ne tokën tonë kufitare) i cili jeton ankthin dhe frikën e pagesës së gjakut që ka për të dhënë; hetues dhe prokurorë të Hagës bashkë me deputetin e zonës që i shoqëron, të cilët rropaten të hetojnë halucinacionet apo pisllëqet e Karla Del Pontes për transplant organesh në këto anë me varfëri të skajshme. Në ketë zone veprojnë edhe një prostitutë dhe i arratisuri, si personazhe episodikë.
4
Ky realitet artistik si reflektim i realitetit jetësor, i pasur me tema e nëntema dhe me personazhe reale, unikalë, është strukturuar pa ndonjë rregull strikt. Romani është formësuar si një poemë prozaike sintetike. Ngjarjet, situatat, rrethanat, konfliktet dhe dramat e personazheve në raport me veten dhe me njeri-tjetrin janë sa të veçanta aq dramatike dhe enigmatike. Autori ka depërtuar në botën psikologjike të personazheve dhe ka aplikuar psikanalizën në rrëfimin e veprimet dhe bëmave psikofike të tyre, sidomos të protagonistëve Destan Logu, Helena dhe Virgjëresha-Burrë. Mënyra si elementet përbërës të romanit janë integruar dhe harmonizuar sipas vizionit të autorit, peshës së ideve dhe logjikës artistike është prej shkrimtari profesionist.
5
Kjo padyshim është vlerë e qenësishme ashtu si dhe rrëfimi e përshkrimi artistik dhe atmosfera e përgjithshme që e përshkojnë romanin në bashkëveprim me mjete të tjera si: enigma, dyshimi, monologu i brendshëm aplikuar me sukses pothuajse në të gjitha ngjarjet, situatat e rrethanat, sidomos në marrëdhëniet e Destan Logut me të shoqen Helenë dhe me Virgjëreshën-Burrë. Po, ndërsa te këto personazhe, mbizotëron ana dramatike dhe ndjenja e fuqishme e shpërthimeve emocionale, te personazhet e tjerë të cilët janë sa interesantë, enigmatikë dhe unikal, rrëfimi racional ka përparësi. Portreti i tyre psikofizik është realizuar mjeshtërisht, asnjeri nuk ngjet me tjetrin. Autori ka arritur të zbulojë dhe japë artistikisht atë të veçantë te secili, duke filluar që nga përcaktimi i emrave si shprehje e thelbit të tyre si tipa e karaktere, e gjer te mënyra si flasin, arsyetojnë dhe veprojnë.
6
Siç e ceka më sipër atmosfera është element përbërës substancial në harmoni me elementet tjerë të romanit. Përshkrimi dhe rrëfimi i fenomeneve të natyrës me kohë të keqe, me borë, furtunë e bllokime rrugësh si edhe ajo e gjendjeve psikologjike të personazheve është realizuar me art magjik. Atmosfera është e pranishme si element substancial në tërë romanin. Ja, një episod ku Destani dhe Helena pas peripecive të udhëtimit arrijnë te kulla e tij në fshat: “Muzgu sapo kish rënë. Borë, ftohtë. Heshtje e frikshme. Destani para portës u ndal, mbajti vesh… Papritur një ulërimë e zgjatur që vinte nga larg dha sinjalin; ulurima të tjera, në kor, mbuluan gjithë fshatin. Ujqit kishin dhënë alarmin. Me shpejtësi nxori kyçin e madh dhe hapi portën. Nuk pipëtinte asgjë. Futi makinën në oborr, morën valigjet dhe u ngjitën lart. Një ftohtësi e akullt. Guzhina binte erë ujku. “Kam frikë, -tha Helena, – i dëgjoj ulërimat e ujqërve përsëri… Uuu.. sa shumë… O Zot sa frikë kam!” Destani del në dritare rrufeshëm, shtang!…Në mes ujqve një siluetë njeriu. Silueta ua bërë me dorë ujqërve të largohen dhe i dha shenjë njohjeje Destanit… Ai fërkoi sytë mos është në ëndërr… ” Kjo atmosferë frike, ankthi, pasigurie dhe enigma, jepet bukur nëpërmjet rrëfimit dhe përshkrimit artistik.
7
Nga semantika e teksti dhe nëntekstit të romanit, del se Destani e do Helenën. Boshuren e deshte. E mashtron Helenën kur shkon natën fshehtas te Mulliri i vjetër ku jetonte Ajo me ujqërit. Prekja me dorë në sup të tij nga Virgjëresha-Burrë në oborrin e kullës, e çoi atë padashje tek ajo. (Është një kod i lashtë që ujku kur bie në tufë, prek me bisht delet dhe ato e ndjekin pas, venë si cjapi te kasapi siç thotë fjala e urtë). Ashtu edhe Destani i droguar nga kjo prekje, doli natën fshehtas dhe shkoi te Virgjëresha-Burrë, te Mulliri i vjetër e krejt në mënyrë të natyrshme dhe origjinale kryen marrëdhënie dashurore-epshore, përshkruar me hipërealizëm. Mirëpo akoma pa u larguar prej saj nis brerja e ndërgjegjes së Destanit i cili përjeton keq tradhtinë që i bën dashurisë me Helenën. Lufta psikologjike me veten që e torturon. Në skenat e marrëdhënieve Desatan Virgjëresha-Burrë, sidomos ato të seksit, po e dhe në situatat të tjera, përshkrimi dhe rrëfimi i botës së brendshme të personazhit dhe gjendjeve psikologjike komplekse në kërleshje me njëra-tjetrën, është me vlera të veçanta artistike dhe estetike.
8
Të tillë janë përshkrimi dhe rrëfimi edhe në skenën kur ujqërit e egër, iu sulën Agronit, që sapo kishte arritur te Lisit i Gjakut ku do të takohej me Virgjëreshën-Burrë. Disa metra larg tij klithmat ulëritëse të ujqve, e tmerruan. Me njërën dorë cung dhe pa njërin sy, nisi të kacavirrej e të ngjitej në degët e lisit, për të shpëtuar nga dhëmbët e ujqve të uritur të cilët hidheshin përpjetë ta kafshonin. Zgërmitjet dhe ulëritjet mishngrënëse të tyre nuk pushonin; e pasi dështuan në këtë hovëzim të uritur nisën të brenin trungun. Agroni nga degët e Lisit qëllon njërin prej tyre dhe e palos. Krismën e dëgjon Virgjëresha-Burrë te Mulliri i vjetër, po edhe Fatmir Poligu që duke çarë borën po vinte te Lisi i Gjakut. Si furtunë erdhi Virgjëresha-Burrë bashkë me ujqit. Qëlloi vetëtimthi trungun e Lisit. Agroni i tmerruar ju lut mos ta vriste. “Qëndro aty, mos lëviz, i tha ajo, kam punë me ujqërit, pastaj me ty”.
***
Përshkrimi artistik i kësaj situate dramatike është supërealist, ndërsa monologu i Agronit i cili ka ballëpërballë gjakmarrësin që mund t’i marrë jetën nga çasti në çast, nuk është e realizuar ashtu si do ta kërkonte momenti ku përjetimi i frikës ishte maksimal siç e thotë fraza e tekstit: “Ai qe zverdhur dhe ndjeu leqet e këmbëve t’i dridheshin nga frika”.
9
Vlerat e veçanta të rrëfimit dhe përshkrimit i shquaj edhe në tablonë e përleshjes së ujqërve të Virgjëreshës-Burrë, me ujqit e egër të uritur të malit, në situatën kur ajo qëlloi me armë mbi ujkun e plakur dhe ai si i tërbuar iu sul dhe e kafshoi në grykë. Në këtë situatë dramatike të tensionuar ardhja e Destanit dhe Helenës në ndihmë ishte e papritur, befasi. Destani qëlloi mbi ujqit, Helena heq shallin e saj dhe filloi t’i fshijë gjakun e t’i lidhë plagën Virgjëreshës së Maleve…Në këtë situatë Agron Vrataj dhe Fatmir Poligu bluanin mendime përbrenda vetes: Agroni të frikshme me ankthe e makthe. Fatmiri i kishte të turbullta e të ndryshme. Ky personazh enigmatik, me histori të jashtëzakonshme, zë vend të rëndësishëm në roman, bëmat e tij lidhen me ngjarjen kryesore dhe me ngjarje e bëma të tjera të personazheve. Rrëfimtari artikulon: “Ishte një gjysmënjeri fatkeq. Rolin e gjysmëujkut e kishte marrë rastësisht, i detyruar nga rrethanat e shoqërisë së vendit të tij, në një tranzicion tepër të gjatë, po jo më të gjatë së litari i të varurit apo litari i varrmihësit” .
10
Në romanin NGUU figura e Virgjëreshës-Burrë është jo vetëm kryesore, por edhe qendrore si bartëse e dramës së gjakmarrjes, formësuar dhe shprehur në një mënyrë të tillë ku rreth saj janë kompozuar ngjarje e situate, të lidhur drejtpërdrejtë dhe tërthortë, ku stili është elegant e racional, gjuha me kolor dhe teksti me shtresa e nënshtresa polisemantike. Citoj: “Katër njerëz u afruan: Agroni drejt gjakmarrëses. Fatmiri drejt gruas. Destani drejt ish të dashurës dhe Helena drejt një gruaje tjetër që mund të kish qenë dhe e dashura e të shoqit. Virgjëresha e Maleve e verdhë limon falënderon Helenën, shikon nga Destani dhe me fytyrë nga Fatmir Poligu artikulon: “Ky është im shoq, babai i djali tim…”
11
Autori e jep figurën e Virgjëreshës së Maleve në lëvizje, në luftë ekzistenciale për të mbijetuar si skllave e kanunit në ato kushte të vështira nga çdo pikëpamje, mes maleve dhe ujqve. Kishte refuzuar jetën me të mirat e saj dhe ish tjetërsuar ne kriminele duke vrarë vëllain e Agronit e tash e kishte radhën ky.
***
Në takimet dashurore me Dostan Logun, ajo përjetoi e provoi forcën e dashurisë dhe ndjeu erën e jetës. Ndërsa në rrethana të tjera në marrëdhënie rastësore e të jashtëzakonshme me Fatmir Poligun, promovoi kënaqësinë e mëmësisë kur fëmija lëvizi në barkun e saj dhe më pastaj lumturinë kur lindi djalin te Mulliri i vjetër ku bashkëjetonte me ujqërit. Brenda saj nisi të gëlojë mendimi për ta parë ndryshe realitetin e gjakmarrjes që sillte vdekjen absurde nëpërmjet sistemit zinxhir: më vrave, të vras; një herë ti, pastaj unë; pastaj unë, pastaj ti, gjer në shuarje të familjeve të gjakësit dhe gjakmarrësit.
***
Këto mendime zienin në vetëdijen e Virgjëreshës-Burrë, sa arritën pikën e vlimit në atë çast kur ajo kishte përballë Agron Vratajn, i cili tërë ankth e tmerr priste plumbin. Bozhurja me një qetësi olimpike, artikuloi fjalët lapidare: “Falë qoftë gjaku i vëllezërve të mi! … Ruaje veten!..“
12
Pas këtij togfjalëshi të autori artikulon: “Virgjëresha e Maleve dhe Gysmë-Ujku diçka folën me njeri-tjetrin, diçka të veçantë, tepër të veçantë… Fatmiri me një urdhër të padukshëm e mori në krah Bozhuren, e futi në thellësi të shpirtit të tij …dhe ikën të dy”. Ikën me lirinë e tyre, duke sfiduar vetveten dhe realitetin.
13
Nga shtresat e nënshtresat kuptimore buron mesazhi i faljes së gjakut si sfidë ndaj kanunit dhe ligjit që nuk vepron; mesazhi i kuptimit të jetës dhe i guximit për ta jetuar atë duke bërë edhe të pamundshmen të mundshme në çdo situatë a rrethanë dhe mesazhi i mosbraktisjes së vendlindjes prej keqqeverisjes, që ashtu si ujqit të cilët kishin pushtuar fshatin, të mos na pushtojnë veset, amoraliteti, korrupsioni të cilat jepen nëpërmjet linjave të dyta dhe të treta, që i detyrojnë njerëzit të braktisin atdheun.
14
Sipas meje, epilogu që shpjegon nëpërmjet detajeve rikthimin e Bozhures me djalin dhe burrin Fatmir Poligu dhe lajmet mediatike për gjyqet e personazheve, është i panevojshëm, madje jashtë stilit të kësaj proze. Ndoshta një mënyrë tjetër e përfundimit të romanit, që të lexohej nën mutaf perspektiva e personazheve ku të mos dilej jashtë stilit të romanit, do të ishte më e vlertë. Arratisjen e Bozhures me familjen e saj te vogël e konsideroj të vlertë, akuzë ndaj realitetit gjakatar të gjakmarrjes, ndaj mosveprimit të ligjit dhe ndaj dukurive të tjera negative të atyre majë fronit të lartë ligjvënës e zbatues të ligjit.
15
Si konkluzë: romani NGUU është realisto-modern me vlera artistike, estetike dhe mesazhore. Roman provokativ. Të vë në mendime për problematikën që shtjellon: për gjakmarrjen si plagë që kullon dhe për emigrimin si luftë për mbijetesë duke braktisur atdheun. Provokon debat dhe akuzon shtetin e ligjin të veprojë që të mos i lërë hapësirë kanunit të ngrejë krye dhe të rebelohet. Do ta mbyll këtë optikë kritike me kumtin e dramaturgut, poetit dhe personalitetit të shquar të letrave shqipe Martin Camaj: “Kur vepron kanuni hesht ligji, kur ligji sundon përulet kanuni, kur të dy veprojnë në një kohë e keqja fiton” (Nga drama “Loja e mbasdrekes”).

Google+ Followers