Nëpër vargjet poetike të Edlira Dokos

Miho Gjini

Duke lexuar romanin e mikut tim të ri, të shkrimtarit Thanas Medi, i cili tërhoqi vëmendjen e një jurie kombëtare dhe të lexuesit të gjerë, do të më rrëmbente emocionet figura e një vajze të mëvetshme, që autori e vendos aty si një “lule të egër”, e cila mbinë nëpër gërxhe malesh të thepisur e buzë përrenjve e lumenjve të rrëmbyer: Katerinën! Ajo i ka të gjitha gjasat që i fal natyra: bukurinë, dlirësinë, krenarinë, mençurinë, ndjesinë e shpirtit, sensualitetin, por edhe diçka të kundërt me vetveten: është edhe kundra të gjithëve!
Nuk di sesi m’u përafrua me këtë personazh të Medit, një poete e panjohur, që jeton larg dhe që, duket e zhduket nga interneti, apo nga faqet e ndonjë gazete, me profilin e saj të bukur, me një trill femëror të mistershëm, me vargjet erotike që krijon e i lidhë kaq natyrshëm, si të bënte vargjelulefushe, apo si reflekse të një bote shpirtërore të pasur, të një qielli poetik të ylbertë, po aq edhe kundër rrymës e ritmikës së zakonshme…
E quajnë Edlira Doko! Dhe, për habinë time, e se njëjtës “rrënjë e degë” me Katerinën e Medit dhe me vet Medin: Arumune! Është pra një vllahe e bukur, një grua që lëshon dritë nga drita e saj dhe një poete që i burojnë vjershat. Nomade dje dhe nomade sot. E lindur në një fshat të improvizuar vllehësh të Vlorës (Mekat i dytë), jetuar më pas në ish-fermën e Llakatundit, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, e emigruar më vonë akoma në Greqi dhe prej andej në Itali, kjo vajzë, tashmë e bërë grua e me fëmijë, e mbylli ciklin e një “jete endacake”, në Verona, atje ku Shekspiri vendosi trillin e një dashurie të kulluar e të përgjakshme, si kurorë lavdie të Erosit. Dëshira për të shkruar poezi i erdhi vrullshëm Edlira Dokos, sikundër i erdhën në rinin e vet poetit të soneteve të famshme e të asaj tragjedie aq prekëse për njerëzit, kur armiqësia e veronezëve e kishte ndarë qytetin e rilindjes italiane në dy pjesë dhe ku urrejtja do ta vriste patjetër dashurinë.
Pikërisht në këtë qytet të dashurisë tragjike, Edlira Dokos, i zgjohet, i rritet e i forcohet ndjesia poetike, sensibiliteti ndaj së bukurës dhe një imazh që kërkon të shprehet në vargje. Nis të lexojë e të studiojë poetë të së shkuarës dhe të së sotmes. Me një etje të pashuar ajo shfleton Bodlerin e Bajronin, Pushkinin e Lermontovin, Gëten e Heinen, Aksakovin e Arversin, Livadhitisin, Lenaun, Lasgushin, Markon e Nolin. Në natyrën e saj të ndjeshme “u çel” perceptimi i së bukurës dhe etja e vrullshme për t’a shprehur atë, si një dhunti vetjake tashmë. Derisa arrin të botojë librin e saj të parë poetike “Nuk të dua, por puthmë…” dhe të përgatisë të dytin më të avancuar në vlera.
Në vargjet e saj buis dashuria, si një ndjenjë e fuqishme ripërtëritëse. E parë nga një vajzë e pastaj nga një grua… ”M’u shqye syri për jetë…”,-thotë ajo dhe shfaqet befas kundra të gjitha paragjykimeve. Hapet…Pa ndroje…”Unë jam/drita dhe errësira”,-shkruan zonja Doko, “engjëlli dhe demoni/…jam poete dhe grua/nënë dhe femër/flladi dhe era/zëri dhe heshtja./ Mos m’i gjykoni!”. Pra, nuk do t’ia dijë se mund ta përgojonin, ta gjykonin, ta anetemonin e ta linçonin, kur shprehet hapet, pa ndrojë, me të gjitha ndjesitë e brendshme që ka një grua, me “telat e shpirtit” që vibrojnë, me ofshamjet erotikës dhe me vrullet e papërmbajtura që merr një zemër. Duke qenë një poete-grua, Edlira Doko, s’ka si mos të hyjë e të perceptoje ëmbël botën e saj, përbrenda një shpirti të ndjeshëm që i pulson pareshtur, që regëtin nëpër rremba gjaku që, herë “lidhë sythe” në degëzime e herë shpërthen si llavë vullkanësh. E zjarrtë ajo, e papërmbajtur, sensuale, shfaqet në ditët e jetëve tona si një Safo Greke. Pa enigma, e thjeshtë, e vërtetë, dhe e bukur. Sa rrezatuese, aq edhe e mbyllur. Me të gjitha pamjet dhe daljet që ka Universi. Një botë e njerëzishme, me trazimet e veta të shpirtit, me feminilitetin e jashtëzakonshëm që fal ndjenja e saj si grua, pa e trazuar llogjiken. E quan veten “një grua prej flake!”, e cila “ka përpara/një thellësi Universi/ me jehonë të verbër/ pa zëra/ e fjalë..”. E pastaj shpërthen: ”Hapi dritaret,të hyjë era, siç ma ka ënda/të kujtoj ditën e atëhershme, kur të putha e ika!”.Pra, ajo është vet “era”, flladitëse, e tërbuar,e çoroditur, në vlagën e saj me të thellë të dashurisë njerëzore, gati e papërmbajtur….”Sa herë të thashë,-gati këlthet ajo,”një jetë do rrojmë,/Se në tjetrën shpresat janë të kota!”. Koha, me zhvillimin e saj emancipues, në trajtën me sugjestive pikon edhe në artin poetik, duke sjellur një të tillë feminilitet organik si ky i Edlira Dokos. ”Poezia që zjen brenda meje,-thotë ajo,/më bën të ndjehem femër/….Dhe me tej: ”Me puthjen tende do të ndez një zjarr!”…Sepse ka një “pasion çmendurak nëpër deje”, kjo “grua prej flake”…

Gjithçka lind e vdes nga natyra. Edhe tek poetja jone është natyra që e zgjon e i jep krahë të fluturojë. E intereson bota përreth saj, si qytetare aktive, pa e ndarë nga vetja; sheh “misteret trazuar me intriga (e) i duket sikur bota ndalon frymën në ajër/ (me) shpresat varur në gozhdën e fatit/ dhe muri i Berlinit u ringjall/. Poetja ka një të vetëndjerë romantik ndaj natyrës dhe kërkon që ajo, natyra, të jetë në funksion të dëshirave e të imazheve të saj. Metaforat që vijnë nga natyra rrethuese e nga njerëzit, janë të pranishëm ngado e kudo në vargjet e poetes Doko..(“Një stuhi yjesh/u mblodh grusht/, si vetëtima /qëlloi drejt e në zemër,/ më bëri për vehte, më bëri të tijën?”)…“E dëgjoni erën si pëshpërin,/dhe degët e gëzimit si/lulëzojnë?/”,- u thotë ajo të gjithëve që ka përball vetes, që ta dëgjojë edhe vetvetja. Dhe kërkon që “cdo zgjim/të vadis, si një trëndafil!”. Ajo do që ta shpjerë era “ku serish do të më djeg i njëjti zjarr/e (te) më shuaj e njëjta stuhi/…Sepse “kjo dashuri e vlagt, pa fund/mall mbjell në shpirtin tim/ dhe tokat e egra, djerrë…/marrin flakë çmendurisht./”. Si bijë e natyrës, ajo hap “petalet”, si lulja mbi të çarat e shkëmbinjve, apo si më e rrallë e më e heshtur, si lulja në shkretëtirë: “Unë jam/lule që jeton në shkretëtirë/ me ty e ndaj edhe një bulëz vese.” Metaforat e ndihmojnë poeten që të shndërrohet, nga një “bulëz vese” në një ëndërrim pranveror, me një sfond të gjerë dhe universal: “Ka ëndrra /që flen në stinën e vjeshtës/ dimërojnë duke ëndërruar pranverë..” Ndërsa ajo, poetja, me frymëzimin e saj “mbledh lule/nëpër retë e bardha.”, në një kohë kur, mbi syprinën e detit pulëbardhat “krehin flokët e ëndrrës”
Mirëpo, poetja Doko, sikundër thamë, përpiqet të krijoj “Universin “ e vet e të dalë prej intimitetit të saj. Leximet e saj e kanë pasuruar në shpirtin poetik, pa rënë në plagjiaturë, -sikundër bien amatorët e poezisë, që çuditërisht vitet e fundit janë shtuar ca si shumë dhe që “mbyten” nëpër libra, me kapaqe llustrafine kartolineske, të cilat nuk i blenë njeri as për 10 lekë nëpër trotuaret e Tiranës, nga bukinistët e rrugës! Intimiteti në poezi ka të bëjë me ato “fijëza të shpirtit” që të zgjojnë indet e zemrës, po nuk është e gjitha..Gjithsesi ka bukurin e vete kur poetja i thotë të dashurit:”sonte, i dashur,/dehu me mua/…kësaj nate/që digjet në flakë,/dua dëshmitar vetëm yjet/dhe perënditë”. Ky kalim, prej temës intime në temat e medha të kohës behët i pjesshëm në pjesën e dytë të librit, kur ajo rradhitë disa nga motivet e rëndësishme të realitetit tonë, sikundër është ajo e Atdheut, e lirisë dhe e varfërisë që nisi eksodin e madh dhe ku arumunia Doko do ta ndjej përsëri veten në lëvizje, po këtë herë, jo mbi mushkat e muhaxhirëve të fisit të vet, po në një nga qytetet më të bukur të Europës, në Verona, ku u luajt episodi më tragjik i dashurisë dhe urrejtjes. Duke kujtuar Atdheun e saj, i hapet plaga e dikurshme dhe thërret:“Lërmëni vetëm në dhimbjen time,/sonte dua të kthejë një gotë vere/” dhe “me zemër të copëtuar/me jep shpresë të kthehem tek ti.”..Befas asaj i kujtohet fëmijëria e saj dhe e merr malli për “lotët e ngrira”, e prek mjerimi i dikurshëm migjenian dhe e zë “një trill melankolie”; ndjen tallaze në heshtje në këtë qytet të dashurisë ku ka ardhur e ku e pushton pesimizmi, hera-herës..Në faqet e fundit të këtij libri modest, ku ka edhe shumë poezi të parealizuara, ndjehet rënia e gjetheve në vjeshtë dhe trishtimi i “stinës së dimërit”, si edhe afrimi i një “muzgu” shpirtëror. Po është e njerëzishme edhe kjo, një frymë realiste e mëvetshme, kundrejt letërsisë së “lulkave” te trotuareve të Lanës. Dhe Edlira jonë do të vijë përsëri pranë vargjeve “luleshqerra” të livadheve të vllehëve, për të shkruar edhe poezi burimore brilante, si ato të mikut tim Ymer Nurka. Kështu, edhe Edlira Doko, në një këngë me motiv popullor, me titullin “Për një puthje me sëmure”, do të sjellë një imazh baritor, ku dashuria është e virgjër, e çiltër dhe e flaktë, nëpërmjet vargjesh popullore brilante ( “A mban mënd, kur vije moj/ tek “Çezma e Fushës”?/ Mblidhja xixëllonja, moj/ dhe t’i hidhja gushës…”)
Poetja Edlira Doko, na imponohet tashmë me lirizmin e poezive të saj, që janë vërtetë te saj, të thjeshta, origjinale dhe eruptive…Këto vargje, të hedhura si kallëzat e grurit në lëmë e që i bëjnë kuajt të hazdisen, sugjestionojnë me ngrohtësinë e tyre, të japin ngazëllimin e verës dhe ngrohësin e Diellit, të prekin me sensibilitetin e feminilitetin e një gruaje të dashuruar me jetën.

Google+ Followers