Me të gjitha ndjesitë

Fernando Dias Antunes

Pëlqen muzikën dhe heshtjen, dritën dhe hijen, dashurinë dhe bukurinë, të gjitha ngjyrat e spektrit kromatik në natyrë dhe në lëkurën e njeriut, veten e tij, kujtimet dhe miqtë, gjuhën portugeze dhe magjinë e saj. I pëlqen të hajë e të pijë. Edhe pse nuk ka ndonjë besim të ngulitur, feja e tij është vetëm një: MIQËSIA. Fernando Dias Antunes erdhi për herë të parë në Shqipëri me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, Poeteka
Në krahët e Afërditës
Ngazëllyer nga joshjet
në ëndjen e kopshtit tënd
ndërsa Hëna sundon
dëshirën tonë të fshehtë
Rojtar zemërçiltër
unjem në fronin
në kulm të Malit tënd
Prijësja Hyjneshë
krateri
në vlim.
Dhe ti pëshpësh në veshin tim
Në një gjuhë të çudët barbare:
“Të dashuroj!”
Lulezambaku
Mbretëresha e Zezë përulet
ballë hatasë së hapit tënd.
Dhe lulja farfuritëse në kërthizën tënde
është drita që buzëqesh
përmes magjisë së pasqyrës sate.
Maubere*
Heshtja fsheharake e dënesjes sate
vërvitur në antipodin e largësisë
e në gjumë rënë prej kësaj zemërate
druri i sandalit erëmon.
Vajzë mali, oriz i pazhveshur,
plagët e tua neverisin lëndimet e vjetra.
Plazhet e tua ndyrë nga nafta e fëlliqur
duke derdhur gjakun e jetëve të tjera.
Krokodili po zgjohet nga përgjumi
edhe djali i vogël**. Në agun e drituar
përndezur nga vesa, urtia jote dhe besimi,
rrahja e zemrës tënde të fortë,
shpirt nga vendi i nxehtë i gjallëruar
botës t’i falet në një përqafim të plotë.
*Maubere është një fjalë në gjuhën tetum, gjuha kombëtare në Timorin Lindor, që do të thotë njeri i thjeshtë. Kjo fjalë përdoret edhe si simbol i rezistencës ndaj gjenocidit kundër popullit të Timorit. Për 25 vjet, ata panë si u shfaros një e treta e popullsisë së tyre, tejet e varfër, por e thjeshtë deri në heroizëm. Gjithsesi, ata fituan vetëvendosjen pas pesëqind vitesh (jo gjithmonë të paqtë) kolonizimi. Timori Lindor, tanimë kombi më i ri në botë, do të mbetet ngaherë në histori si një shembull fisnikërie dhe këmbënguljeje për liri dhe pavarësi.
Dëshirë ***
Bëj një urim
Mos truaj nëse ai kundron tërë gjithësinë
Por ti të kundrohesh të paktën nga e tërë gjithësia
Dhe unë të kundrohem nga ti
Bëj një urim
Nëse gjithçka nuk të mbush në përjetësi
Lëre përjetësinë të të mbushë ty në gjithçka
Dhe le të mbushem unë nga ti
Bëj një urim
Mos ngurro midis gjithçkaje dhe hiçgjëje
Duke uruar
Më pak se hiçgjë
Pak më tepër se hiçgjë është
Pambarimi
Pa dëshirë të pambarimtë
Nga hiçgjë varet të urosh gjithçka
Dhe hiçgjë
Më duket gjithsesi
Nga gjithçka varet
Të bësh një urim.
Edipi onirik
Po, tani e di
përse kaq shpesh kur shkoj në shtrat
jastëku im është i ngrohtë
dhe ndihet një aromë e freskët jasemini dhe dru sandali në çarçafë.
E di se po më pret
në buzë të ëndrrave
bukur dhe ngrohtë
të më çosh në lojërat tona inçestuoze
në majën më të thikët
prej nga unë kërcej
…/…
i patrandur
në krahët e tu prej engjëlli mbrojtës.
Kaq qejf bëjmë kur ti më flet
dhe së bashku përshkojmë atë hapësirë të vetme vërtetësie
ku unë të njoh ngrohtë dhe përjetë.

Kolibri
Në atë gjergjef ku endet
mistershëm
ajrin tënd përthith
në brymën që feks
trajtat e tua
dhe heshtja përvëlon
nga shija e dritës që zbulohet
shoshitja e ëndrrave të shpërndara
në shkartisjen e hijeve të tua.
Me të gjitha ndjesitë
Në detin e ëmbël të lëkurës sate
duke hurbur vesën që pikëlon
nga afshi yt i ëmbël e i nxehtë
pore më pore shuaj etjen
në myshkun e burimit tënd me kripë e mjaltë.
Flor-de-lírio****
Ti ngula sytë thellë pasqyrës
dhe pashë vetveten
në ujerën e qenies tënde si lule e egër
ti të bëhesh
një diamant i palatuar
dhe si kristali më i kulluar
një strehë qelqi dashnorësh që flakërojnë
në mish të gjallë të gdhendur.
Tek unë ti skalite thellësinë e pasqyrës sate.

Në errësinë e botës…
Dhjetë mijë engj kërcejnë në shfrenim
në ëndjen lakuriqse të një kënge të kotë
në dheun tënd të shenjtë gjiri frytplot
të mbjellat le të vuajnë me hare e gëzim
ndën të hipokrizisë mjegullim,
dhe themjani i fesë sot
vjen brumi i tharmtë ku buka plot
me urrejtje mbruhet çdo agim.
Kishë, sinagogë, minare xhamije,
tempull, faltore, katedrale,
çerdhe ku frika është ngjiz
madje kërkon e shenjta padije
të diktojë rregulla morale
dhe rren… pjella të fshehtësisë.

Shënim: Fernando Dias Antunes lindi në Goa (Indi) më 1955 në çastin kur në qiell sapo ishin shfaqur dy ylbere. Është rritur dhe jeton në Lisbonë (Portugali), kryeqytet nostalgjik dhe plot me “saudade”. Ka studiuar në Universitetin e Lisbonës për Gjuhë dhe Letërsi Moderne. Ka përkthyer nga anglishtja, spanjishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja në gjuhën portugeze vepra nga autorë të ndryshëm klasikë dhe bashkëkohorë si Kafka, Erasmus, Dostoievsky, Huxley, Burgess. Nga viti 1984 deri në vitin 1998 ka drejtuar galerinë e artit O Qouto Lado de Espelho / Nga ana tjetër e pasqyrës, e cila ka qenë qendër e takimeve kulturore. Vitet e fundit Fernando Dias Antunes ka botuar dy libra me poezi: Estihaços de Espelho de Alice / Thyezat e pasqyrës së Alisës, Lisbona 2000 dhe El Canto del Mar-No Canto do Mar / Duke i kënduar detit ( botim dygjuhësh spanjisht-portugalisht), Cordoba 2003. Poezitë e tij janë përkthyer në spanjisht, frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht, kroatisht dhe janë botuar në shumë revista dhe antologji të këtyre gjuhëve.
Ka marrë pjesë si i ftuar në festivale të ndryshme poezie. Në vitin 2004 ai përshtati në këngë një nga poemat e tij Desejo / Dëshirë e cila u publikua në një CD me titullin O Mundo ao contrário / Bota përmbys për grupin Xutos & Pontapés dhe u këndua për herë të parë në Festivalin e Parë të Rokut në Rio.
Pëlqen muzikën dhe heshtjen, dritën dhe hijen, dashurinë dhe bukurinë, të gjitha ngjyrat e spektrit kromatik në natyrë dhe në lëkurën e njeriut, veten e tij, kujtimet dhe miqtë, gjuhën portugeze dhe magjinë e saj. I pëlqen të hajë e të pijë. Edhe pse nuk ka ndonjë besim të ngulitur, feja e tij është vetëm një: MIQËSIA. Fernando Dias Antunes erdhi për herë të parë në Shqipëri me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, POETEKA. (Marrë nga “Fjala review”)
Përktheu: Erion Kristo

Google+ Followers