Dashuria ime, shkurtim i jetës sime….

Teodor KEKO

Është bërë e udhës që në rrjetet sociale ridimensionohen shkrimtarë e personalitete të ndarë nga jeta, përmes poezive dhe krijimtarisë së hedhur; kujtesë që kthen herë pas here vëmendjen virtuale, si në rastin e publikimit të poezive të Teodor Kekos. Klikimet përfund poezive janë dëshmia e leximit, lexuesit të vazhdueshëm e ndjekës, si një receptues që përcjell poezinë, në ndjesi, emocione dhe shqisë estetike. Tufa e poezive të përzgjedhura më poshtë përmbush këtë “kërkesë” të krijimit

               Dashuria ime
Dashuria ime, pronë e të tjerëve,
tek unë vjedhurazi vjen, hajdutshe shkon
u trembesh syve si qelizave kanceroze,
nga dimri i syve prej meje shtegëton.
Dashuria ime e dashuruar përdhunshëm
pas vijave të bardha të kësaj bote.
Sipas urdhërit të semaforëve vjen tek unë
prish puthjen dhe s’paguan kuitancë gjobe.
Dashuria ime, shkurtimi i jetës sime,
më gjatë e më lumturisht pa ty do rroja,
frika jote absurd kafshon ditët e mia,
kështjellat e gëzimit kthen në rrënoja.
Dashuria ime, pronë e të tjerëve,
puthja me orar, takimi me orar unik…
çdo thyerje në majë të gishtërinjve, tinës botës,
sikur të isha më i tmerrshmi armik.
Dashuria ime, shkurtim i jetës sime….

                 Intime
Sado të mundohem që t’i të mos hysh
në vargjet e mia je gjithmonë.
Ti ngrite një varg të madh në zemër
me ndjenjën që mbet prej jehonës.

E di, s’mund ta hap zemrën dhe ti
mos dalësh si lulja e parë e pranverës.
Ti je në çdo gulç të shpirtit tim,
gjithmonë një afsh i madh dehës.

Pse mbete vallë? As vetë se di!
Unë kurrë s’të thashë: të dua!
Kurrë vetes s’i thashë me besim:
Jam i sigurtë, ajo më do mua!

Këtë se mora vesh kurrë.
Ti ike e qetë pa bërë jehonë.
Megjithëse kurrë s’të thashë: të dua,
në zemër më mbete përgjithmonë.

Kënga e naivit
Mjerisht e varfër kjo njohja ime,
fare pak gjëra paskam ditur.
Nëpër dekada, në kodra librash,
kam mbetur prapë djalë i mitur.
Shikoj tradhëtinë dhe kujtoj:
Kam mbetur një kokëtrashë i ngratë!
Gjithmonë më shfaqet me një fytyrë,
gjithmonë them: ” E hëngra prapë”.
Dhe bash atëhere më vjen ninulla
e nënës ime dikur mbi kokë:
Mbyll sytë, shpirt, mos mendo,
se je i pastër, s’je për këtë kohë!

Dikush do thinjet nga dashuria
Gjuetari ngurosej tek shihte një fazan
si karafil të madh në degë.
Lepuj, dhelpra i vareshin në gjerdan,
po bukuria e mpinte dhe s’shtinte asnjëherë.
Muzg ishte kur më the” Dua një fazan!”
Unë nuk guxoja të belbëzoja : ‘ Të dua”.
S’ish cudi të vrisja edhe një luan,
vetëm ta kuptoje c’më mundonte mua.
I thashë gjuetarit.Dhe ai u thinj.
Asnjë fjalë. S’premtoi. I kërrusur shkoi.
Në një pritë u ngrys, në një pritë u gdhi.
Dhe fazani erdhi. Erdhi. Ai shtiu.
Merre këtë fazan, dashuria ime!
Unë të dua! Për dashurinë sakrifikohet, Ja, kaq!
Vetëm dikush u thinj, dashuria shkakton dhe dhimbje,
të lutem, sërish plagë mos hap!

                     Dikush do thinjet nga dashuria
Gjuetari ngurosej tek shihte një fazan
si karafil të madh në degë.
Lepuj, dhelpra i vareshin në gjerdan,
po bukuria e mpinte dhe s’shtinte asnjëherë.
Muzg ishte kur më the” Dua një fazan!”
Unë nuk guxoja të belbëzoja : ‘Të dua”.
S’ish çudi të vrisja edhe një luan,
vetëm ta kuptoje ç’më mundonte mua.
I thashë gjuetarit. Dhe ai u thinj.
Asnjë fjalë. S’premtoi. I kërrusur shkoi.
Në një pritë u ngrys, në një pritë u gdhi.
Dhe fazani erdhi. Erdhi. Ai shtiu.
Merre këtë fazan, dashuria ime!
Unë të dua! Për dashurinë sakrifikohet, Ja, kaq!
Vetëm dikush u thinj, dashuria shkakton dhe dhimbje,
të lutem, sërish plagë mos hap!

                   Të dashuruar
Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg t’i shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve -karficë e bardhë.
Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrrash galop kish marrë.
Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.
Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetsisht të bukur thotë.
Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna-karficë e bardhë.
1983

Google+ Followers