Dueto i dy trupave

Paul Chaul*

                 Poemë
Vajza : – Si mund të më shohësh kështu pa më vështruar. Më ke parë?
Djali : – Po!
Vajza : – Si mund të më kuptosh kështu pa më dëgjuar. Më ke dëgjuar?
Djali : – Po!
Vajza : – Si mund të më ndiesh kështu pa më njohur. Më ke…
Djali : – Po!
Vajza : – Si mund të bësh kështu sa herë dashuri me mua pa më shtrënguar. Më ke shtrënguar?
Djali : – Po!
Vajza : – Po, si ndodh që gjërat vijnë e shkojnë kështu pa u kuptuar, i shpjegon dot?
Djali : – Po!
Vajza : – Ky shpjegim për ty a është i qartë?
Djali : – Po!
Vajza : – Kjo qartësi a është bindëse ?
Djali :- Po!
Vajza : – Por, a beson ti që një natë e pashpjegueshme na bashkon?
Djali : – Po!
Vajza : – Dhe na ndan?
Djali : – Po!
Vajza : – Dhe këtë natë që na ndan e na bashkon, ti a e njeh ?
Djali : – Po!
Vajza : – E ke parë?
Djali : – Po!
Vajza : – A mund ta përshkruash?
Djali : – Po!
Vajza : – Ta vizatosh!
Djali : – Po!
Vajza : – Dhe pra!
Djali : – Kush nuk arrin të bëjë me dy pemë, një pemë të vetme?
Vajza : – Ajri?
Djali : – Jo!
Vajza : – Pluhuri?
Djali : – Jo!
Vajza : – Të vdekurit?
Djali : – Jo!
Vajza : – Të gjallët?
Djali : – Jo!
Vajza : – Fjalët?
Djali : – Jo!
Vajza : – Frutat!
Djali : – Jo!
Vajza : – Gjethet?
Djali : – Jo!
Vajza : – Dielli?
Djali : – Jo!
Vajza : – Hëna?
Djali : – Jo!
Vajza : – Bari?
Djali : – Jo!
Vajza : – Mungesa?
Djali : – Jo!
Vajza : – Rrënjët?
Djali : – Jo!
Vajza : – Vitet?
Djali : – Jo!
Vajza : – Çfarë pra?
Djali : – Mbase dëshpërimi?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase metafizika?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase kaosi universal?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase dhimbja?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase lirishtat?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase diçka që rrëzohet parreshtur?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase diçka që ikën pa lënë gjurmë?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase dëshirat e pashprehura?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Mbase mallkimi që bie mbi mekanizmin e qenieve dhe sendeve?
Vajza : – Mbase!
Djali : – Atëherë, unë, ndërsa të takova mes kallamave, mes barit e ujit, t’i përzjeva rropullitë e ti nuk lëvize.
Vajza : – Po!
Djali : – Pastaj kur të takova në rrugë, mbështjellë midis çarçafëve qefinë, pështymës, cigareve dhe verës, të shkunda prej hidhërimit e ti nuk lëvize.
Vajza : – Po!
Djali : – Më pas të takova në lagjen tënde, në tempull, dhe në çastin e lutjes të lehtësova nga sëkëllditë e çmendura, ti nuk lëvize.
Vajza : – Po!
Djali : – Pastaj kur të takova pa frymë prapa mendimeve e të fshehtave të mëdha, pas hajmalive të trupit, pas hartave të mëdha të botës, të shkunda nga bari dhe qimet, nga mbeturinat e trupit tënd prej vaji, prej temjani dhe ajri që s’ekziston, e ti nuk lëvize.
Vajza : – Po!
Djali : – Unë, atë ditë dhe ditët e tjera ia behja me libra që parathoshin kohën por nuk e praktikonin. E vure re këtë?
Vajza : – Po!
Djali : – Unë, atë ditë dhe ditët e tjera u drejtohesha fjalëve të potershme që ngrenë trupat, pastaj i shkatërrojnë. Që kremtojnë dëshirat, pastaj i braktisin. E vure re këtë?
Vajza :  – Po!
Djali : – Unë, atë ditë i gëzohesha asaj që nuk do të më tejkalonte dhe që më tejkaloi. E vure re këtë?
Vajza : – Po!
Djali : – Pastaj ngrita flamujt, vura kaskën dhe armët që më kanë mbetur nga luftërat e humbura e të vdekura. E vure re këtë? Pastaj zura rob gra, fëmijë, shpendë dhe kafshë, i vrava dhe zbulova që ishin lëkurë kufomash. E vure re këtë?
Vajza : – Po!
Djali : – Si e vure re?
Vajza : – Të kam parë si turreshe pa të fshehta. Me një trup të mahnitshëm? Makinë e mprehur. Pastaj pashë atë që të dilte përpara e ti nuk e vështroje. Pastaj ti e pe kur ta kaloi, shumë larg kufijve.
Djali : – Dhe çfarë tjetër?
Vajza : – Kur të takova për herë të parë, preka diçka metalike. Pastaj ti u përplase tek unë. Dhe më gazmove e më plagose në zhgënjimet e mia më të thella.
Djali : – Dhe çfarë tjetër?
Vajza : – Kur ti më mahnite me mrekullimin tënd për gjirin tim, për trupin,, për valët e mia të shumta, të ngrohta e të papërmbajtura, për majat e freskëta të barit tim, me fjalë ti ma mbushe mendjen dhe me hije mbi gurin dhe rërën.
Djali : – Dhe çfarë tjetër?
Vajza : – Unë isha pemë.
Djali : – Dhe çfarë tjetër!
Vajza : – Po ti!
Djali : – Edhe çfarë!
Vajza : – Duke shkuar në kufijtë e gjërave të dikurshme.
Djali : – Edhe çfarë!
Vajza : – Në kufijtë e dëlirësisë së humbur.
Djali : – Edhe çfarë.
Vajza : – Por unë të ndoqa pas. Dhe thashë me vete, do ta zë nga rrobat, nga kapela, nga fjalët dhe nga gjërat e tij.
Djali : – Edhe çfarë?
Vajza : – E ngjashme me diçka që lëshon pluhur mbi dritë…
Djali : – Ku…?
Vajza : – E ngjashme me jargavanët që valëviten mbi një hije të ngrirë.
Djali : – Ku…?
Vajza : – Si diçka që futet midis çarçafëve dhe valëve.
Djali : – Pra?
Vajza : – Ti më ike për ditë të tëra dhe u ktheve.
Djali : – Pastaj?
Vajza : – Ti u ktheve dhe ike pastaj për vite me radhë.
Djali : – Dhe më pas?
Vajza : – Ti fjete gjatë ndenjur.
Djali : – Pastaj?
Vajza : – Si një që fle mbi një dërrasë metafizike të ftohtë.
Djali : – Ku…?
Vajza : – Në një natë pa trajta.
Djali : – Ose në trajta pa natë?
Vajza : – Ose në trajta nate.
Djali : – Pra është natë.
Vajza : – Fillikate.
Djali : – E zbrazët.
Vajza : – Pra është natë.
Djali : – E shpifur.
Vajza : – Pra është natë.
Djali : – Midis nesh?
Vajza : – Ndoshta!
Djali : – Po pema?
Vajza : – Po pema tjetër?
Djali : – Eshtë një natë midis të dyve?
Vajza : – Eshtë një natë midis të dyve!
Djali : – Pra unë të shoh dhe ti nuk mundesh.
Vajza : – Pra unë të dëgjoj dhe ti aspak.
Djali : – Ti më ndjen dhe nuk më prek.
Vajza : – Ti bën dashuri me mua dhe s’më shtrëngon asfare.
Djali : – A gjen dot shpjegim për këtë?
Vajza : – Jo! Po ti ?
Djali : -Jo.
Vajza : – Hape pra natën në këtë zgavër të errët dhe pa ngjyrë dhe bëj dashuri me mua pa u menduar, pa imagjinatë, pa dëshirë, pa qejf, pa njohuri, pa intuitë…pa ndjenjë.
Djali : -Dhe pa trup?
Vajza : – Pa trup!

Shënim
* I lindur në Liban më 1944, Paul Chaoul është një nga figurat emblematike të poezisë moderniste arabe. Autor i gjashtë librave poetikë: Ti që zhytesh në vdekje (1974), Busulla e gjakut (1975), Fytyrë që lufton por nuk ia del mbanë (1981), Ajri pa zot (1985), Vdekja e Narsisit (1990), Fletët e mungesës (1993), ai dallohet sidomos për përkthimet e poezisë franceze (një antologji u botua më 1979 dhe u ribotua më 1985), dhe të pjesëve për teatër (Beckett), si edhe për kritikën e dramës bashkëkohore arabe (1990). Universi i tij poetik lidhet me një lloj angazhimi politik, që nuk shprehet haptas. Lufta civile libaneze dhe plagët që ka hapur ajo, lexohen aty në filigran.
E përndjekur nga variacionet e pafunda mbi temat e mungesës, të vdekjes, të trupit, të dashurisë, të qorrsokakut,… poezia e Paul Chaoul-it mbushet pak nga pak plot me ajër, dritësohet apo bëhet e errët gjer në përmbytjen e faqes. Poezi dhe prozë përzihen kështu tek pena e tij, duke përsosur ndarjet gjinisore formale në lidhje me atë që poeti dëshiron ta quajë tekst të hapur, përtej edhe polemikës së poemës në prozë në të cilën vazhdon të zhytet peizazhi poetik arab qysh prej viteve 1960.
Përktheu Feride Papleka (Marrë nga “Fjala review”)

Google+ Followers