“Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”

Libri më i ri publicistit të njohur Ylli Polovina
Nga Zylyftar Hoxha

Megjithëse nuk e përmend në asnjë vend, por shprehja gjysmë shaka, gjysmë e vërtetë, vulgare në pamje të parë, por që hollë-hollë të bën të mendosh thellë, se nuk bëhet Shqipëria nga shqiptarët, duket se e ka shqetësuar autorin e mbi 20 librave, shkrimtarin dhe publicistin e njohur dhe shumë produktiv, Ylli Polovinën, që t’i futet një pune sa të vështirë aq edhe serioze për të shpjeguar natyrën dhe karakterin e shqiptarit në planin historik, shoqëror, por edhe individual. Kjo përpjekje, që autori e quan sprovë personale, është siç thotë ai në hyrje të librit, “më tepër se temë e natyrshme shkëmbimi opinionesh me bashkëkombësit apo lëndë për kuriozët që duan të zbulojnë se çfarë mendësie kanë shqiptarët, cilat karakteristika kryesore të identitetit shfaqin, natyre psikologjike, temperamenti apo të dhënash antropologjike, ky libër dëshiron të ofrojë ndihmën e vet në njohjen e tij edhe për të gjithë ata të huaj që merren me popullin tonë, shtete qofshin apo bashkësi të tyre, parlamentarë apo drejtues të Bashkimit Evropian, të dhjetëra institucioneve të tjera të kontinentit dhe të botës, organizata joqeveritare, fondacione ose firma biznesi, sipërmarrës të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë, artistë apo studiues, nëpunës ose udhëtarë, turistë për pak kohë apo prej atyre që duan të vendosen në Shqipëri, shkrues të historisë tonë, të mbarë në qëllime apo të mbrapsht.
Që të kërkojnë prej nesh atë që dimë, që duam dhe ka gjasë e shpresë ta bëjmë, jo çfarë për shqiptarët është një model standard zyrash larg tyre dhe për pasojë gjë e pamundur.
Në qoftë se për kaq do të isha i dobishëm, përveç kënaqësisë se shkrova për popullin të cilit i përkas, në këtë gjashtëdhjetë e gjashtë vjetor të jetës time do të zotëroja një arsye më shumë për të qenë i gëzuar në shërbimin që kreva”, e mbyll fjalën hyrëse autori, duke e filluar librin me një portretizim të shqiptarit sa fizik aq edhe psikologjik, sa nga “nga jashtë në përbrendësi, aq nga brenda në përjashtësi”, siç thoshte Lasgush Poradeci, pjesë të cilën po e japim më poshtë:

“Homo Albanicus”, pamja jonë nga brenda
Një identikit i shpejtë i shqiptarit prej një shqiptari, siç autori i këtyre radhëve po nis tani një sprovë, mund të përmblidhet pak a shumë në këtë skedë modeste: Trupmezatar në jug të trojeve të tij e shtatlartë në veri, sidomos në Kosovë, i fortë fizikisht po ashtu. Tradicionalisht i bardhë, ai është plot vitalitet. Tipari i tij i parë që i bie në sy është energjia. Ajo i buron si një lumë i madh, ku dallgët ndjekin e mbulojnë njëra-tjetrën. Vërshojnë. Jo vetëm nuk duan të ndalen, por as të qetësohen për një çast.
Energjimadh shqiptari këtë fuqi të bekuar, me të cilën mund të transformonte jo vetëm veten, por edhe tërë siujdhesën e Ballkanit, më shpesh e ka të humbur, të harxhuar kot. Kjo i ndodh jo vetëm se këtë pasuri ndryshimi dhe zhvillimi rrethanat ia kanë dhënë pa ia shoqëruar me inteligjencën e duhur për ta përdorur, por edhe sepse i ka konfuze, të shpërndara e të pakontrolluara plotësisht.
Jo rrallë, duhet theksuar: edhe vetëshkatërruese.
Në raste të tilla dëmi është aq i madh sa të shkon nëpër mendje ideja mos shqiptarit, për të qenë më mirë se tani, i mjaftonin të paktën dy herë më pak energji. Mjaft i shkathët për t’iu përshtatur mjedisit gjeografik, por po aq edhe atij historik. Aftësi e shkëlqyer e manovrimit të tij është fakti tepër i rrallë: qe e vetmja bashkësi ilire, nga dhjetëra simotra në gadishull, që mbijetoi. Pas dymijë e pesëqind viteve rezistencë solli dhe i paraqiti Evropës një nga etnitë e gjuhët më të vjetra të saj.
Nuk e ka zakon e madje nuk di të bëjë kompromise për të gjitha çështjet e jetës, por për kryesoren, mbijetimin fizik, është gjenial.
Ndoshta si një shenjë e kësaj dhuntie zhdërvjelltësia e shqiptarit manifestohet edhe në dhënien e përgjigjeve të shpejta, të zgjuara dhe therëse. Aq i vetëtimtë është sa ngjan sikur pothuaj nuk mendohet. Duket sikur këtë arsenal e ka gati, ia kanë bërë gati njëqind brezat e paraardhësve.
Aspak fjalëshumë në kuvend, në arë apo në zyrë, në kafe është thashethemexhi.
Ka kultin e mikut dhe e nderon atë përtej mase. Ky është virtyti, prej të cilit e ka pësuar më shumë, por megjithatë nuk i bën asnjë revizionim këtij kodi të vjetër.
Shqiptari kërkon miqësi, madje edhe kur nuk duan t’ia japin. Ai e do tjetrin, ndihet mirë në praninë e tij. Po qe se shfaq ndonjë mëri do të thotë se tjetri e ka tepruar në keqveprimin e vet.
Duke qenë tolerant ndaj të ndryshmes dhe i hapur përkundrejt të huajës, shqiptari është shumë përthithës për të renë, të përparuarën, modernen, deri edhe krijimin më të fundit të njerëzimit. Veç këtë dhunti e zotëron jo në fushën e mendimit, të ideve, të teorive, të filozofimit. Këto janë rrugë të gjata për natyrën e tij që rezultatet, frytet, të mirat, i kërkon shpejt. Shqiptari vrapon pas markës më të fundit të celularit, zhytet të notojë thellë edhe në internet, por librin e shfleton fare pak. Po qe se ai e zbavit, edhe mundet ta kapërcejë këtë klon kufiri, por në ndodhtë që e vë në mendime, minutazhi për t’u marrë me të tkurret edhe më.
Është natyrë intuitive.
Joselektive, sigurisht.
Temperament i zhurmshëm, shqiptari është emotiv. Heshtur nuk di të bëjë asgjë, madje mos ia kërko këtë sakrificë. Atij i ngjan vetja sikur është krijuar nga Zoti që ta dinë të gjithë në faqe të botës që ekziston. Atij i duhet vëmendje, ndryshe, në harrim, fiket si xixëllonja kur nuk ka më përreth oksigjen të mjaftueshëm për të ndezur fosforin e fundbarkut të saj.
Përgjithësisht natyrë e drejtpërdrejtë, që fjalën e fundit e thotë të parën, ai lë përshtypjen se është edhe i vrazhdë. Shqiptari e anashkalon si të tepërt etikën.
Mirënjohës i vërtetë, ai pothuaj kurrë nuk thotë “faleminderit”. Çuditërisht shprehjen e butë “më fal” e përdor më shumë nga masa kritike e tij e shpërfilljes për etikën, por jo për gjëra të rëndësishme. Shqiptari nuk ka nevojë për kaq shumë rafinim të gjuhës e të sjelljes, sepse i merr për dobësi karakteri, paaftësi qëndrese.
Prandaj është edhe kryeneç.
Natyrë vetëmburrëse, po ashtu. Ky tipar karakteristik i shqiptarëve, mbase një prej veseve që i dha energji të mbijetonte përmes rreziqeve të më shumë se dy duzinave shekuj, në krahina të ndryshme të trojeve të tij është kaq i larmishëm, sa edhe shtatë notat muzikore. Mund t’i biesh tasteve të tyre dhe të krijohen qindra melodi.
Individualist shembullor.
Është njëkohësisht edhe egoist, veç jo aq fort për veten se sa për familjen e tij. Pa komb të pranuar nga të tjerët, pa shtet gjatë gjithë historisë së tij tepër të lashtë, me vetëm një shekull qeveri të vetat, por edhe ato zhgënjyese, shqiptari ka kështjellë mbijetimi e qëndrese të tij vetëm familjen. Ajo është tempulli i tij. Vetëm atje bie në gjunjë e falet.
Rruga e gjatë e lodh dhe e shkurajon shpejt, të shkurtrën e ndjek me qejf sepse i jep shpresë.
Shqiptari ëndërron pak. Jo sepse nuk ka kohë. Kjo i tepron me bollëk, por i ndodh sepse është materialist.
Jo pragmatist.
Qenie e durueshme para mundimit fizik e shpirtëror, ecës i palodhur në këmbë dhe shtegtues, shqiptari ka pasion të veçantë për armën, por jo për dhunën. Arma i është dashur për t’u mbrojtur. Më shumë se shtetit i duhej familjes së tij. Kombin e racën, fisin dhe mbiemrin, derën dhe famën, ia përcillte historisë ajo dhe aspak qeveria, e kujtdo që të ishte, nga brenda dhe jashtë.
Ka adhurim për bindjen e tjetrit, po vetë është ndër individët dhe popujt më të pabindur.
Përdorimi i forcës i duhet aq sa të mundë tjetrin e llojit të vet. Fjalën e përdor mirë, kultin e saj e adhuron, por garën dhe rivalitetin nuk e kryen me anën e përdorimit të saj. Pëlqen dhe beson imponimin, jo marrëveshjen. Për pasojë, kur rrethanat e shtrëngojnë të bëjë kompromis, ai në thelb i del një pazar.
Nuk refuzon të luftojë për llogari të të tjerëve. Veç në këtë rast duhet t’i mbushësh kokën se po sakrifikon për atdheun e vet. Manipulimet më të mëdha të mendjes së tij janë realizuar në emër të kryedashurisë së tij për trojet e veta. Shqiptarit, si në një paradoks brilant, i mjafton nacionalizmi i vet i spikatur për t’u trullosur edhe nga vetë pushtuesit e atdheut.
I lidhur shumë me familjen e vet ai nuk ndahet lehtë nga fisi. Bota në globalizim të shpejtë ende nuk po e thërrmon këtë botë atavike të tij. Pasardhësi i vetëm i fiseve ilire shqiptari nuk kishte rrugë tjetër rezistence përveç bashkimit dhe organizimit në këtë lloj të veçantë parashteti.
Natyrë kryelarte më shpesh këtë cilësi nuk e ka shenjë të temperamentit, siç duket rëndom. I vjen së brendshmi. Ai ndihet krenar që është shqiptar, çfarë nuk është patjetër një gjykim i arsyeshëm. Përkatësia apo lloji etnik nuk mbart asnjë dhunti dhe të drejtë për të qenë special. Je ndryshe nga tjetri, por jo më i mirë. As më i keq, sigurisht.
Me familjen dhe fisin të lidhur fort shqiptari është shpërfillës ndaj shtetit tradicional, harmonizuesit të jetës publike. Këtë qëndrim nuk e mban sepse nuk e dëshiron një të tretë që i lehtëson jetën në bashkësi, por sepse ky, i përbërë prej shqiptarësh si ai, luan më të fortin, jo më rregulluesin, bën më imponuesin. Është tamam ajo që ai nuk do. Më i forti është vetë, si individ.
Ja pse, në këtë mosmarrëveshje të gjatë me shtetin e tij, bashkëkombësi ynë nuk ka qejf shumë ta mbajë në këmbë e ca më tepër ta përsosë. E lë aq sa mezi qëndron në këmbë. Po e bezdisi, është gati ta rrënojë.
Ky është edhe agresivitet më problematik i shqiptarit.
Nuk është përtac. Nuk krijon shumë punë, por për aq sa di i përvesh mëngët. Paranë e kërkon dhe e do me bollëk. Nuk mësohet dot me pak, veç rasteve kur nuk ja del dot. Gjysmëshekulli i modelit shoqëror komunist, pasi e mëkëmbi në fillim, e varfëroi rëndë më pas. Pas rënies së tij, në vetëm pesë vite, grumbulloi aq shumë para sa mund ta ribënte dhjetë herë një Shqipëri të mëparshme. Pas vjedhjes kolosale nëpërmjet të quajturave fondacione huamarrëse, sërish në fare pak mote, rigrumbulloi para të shumtë, edhe më tepër se më parë.
Për paranë shqiptari, në jo pak raste, jep edhe moralin e tij.
Dëshiron jetë të mirë, por jo të shthurur. Në dy kryeqytetet e veta, në Tiranë dhe në Prishtinë, bëhet shumë jetë nate, por kjo nuk e ka prishur rininë. Hedonistë jo sa grekët, shqiptarët në përmasën e saj janë më të afërt me italianët. Për ta jeta e mirë nuk lidhet aq shumë me qejfin se sa me të qenit rehat.
E ka të dukshëm gëzimin e të grenit bollshëm, madje, po ia pati mundësinë, e bën gjer në tejngopje. E shijon të veshurin me rroba të mira, edhe pse jo përherë të shtrenjta. Shpesh këtë e bën për të rënë në sy e për t’u dalluar që larg.
Natyrë shumë optimiste, vështirësitë e jetës shqiptari i përballon me një heroizëm të vërtetë. Për këtë dhunti mbijetuese ai, ndryshe prej virtyteve të tjera, nuk mburret.
Kurajoz dhe i papërkulshëm shqiptari këto cilësi nuk i ruan dhe as e përdor për hir të ndonjë projekti apo kauze të ardhshme shoqërore. Thjesht i ka për vete. Nuk dëshiron t’i nënshtrohet askujt, edhe vetë jetës.
Zakonisht jeton me të shkuarën, e rrëmben ajo, ia merr mendjen. Por nuk rron aq shumë me kujtimet e saj se sa me bëmat. E shkuara i lypet shqiptarit për të thënë se nga çfarë rrënjë të spikatura vjen. Ja pse e pëlqen biografinë, e cila kurrë nuk është ajo që në vendet e zhvilluara të Perëndimit quhet CV (Curriculum Vite).
Bashkëkombësi ynë nuk rreshton vlerat profesionale, por ato atdhetare e politike.
Në gjysmëshekullin realkomunist, sepse ekzistonte prej qindra vjeçarësh një traditë e këtij lloj jetëshkrimi, doktrina lenin-staliniste e luftës së klasave mbi të gjitha gjeti mishërim tek biografitë.
Shqiptari e shijon shpejt e cekët të tashmen. I përkushton shumë kohë, por pak “flori” nxjerr prej saj.
Ndërkohë nuk sheh shumë larg.
Me një mosbarapeshim të dukshëm mes të kaluarës, të tashmes dhe asaj që do të vijë, ai kalon një jetë me më shumë pak produkt familjar se social nga sa e ka realisht mundësinë e tij si qenie mjaft vitale. Për pasojë të prishjes së këtij baraspeshimi shqiptari i ka përherë të gjallëruara e në kapacitet të plotë aftësitë konservuese, por fare të mpira ato reformuese.
Ka paaftësi alarmante për dialog.
Kjo më së pari i ndodh sepse nuk ka asnjë dëshirë të ndihet i barabartë. Barazia për të është pengim, frenim, ndalim.
Me komunizmin u dëshmua indiferent, sepse dalloi tek barazitizmi i tij rrezikun për t’u bërë njësh me të tjerët. Ishte gjëja që ai dëshironte më pak. Kur regjimi ra dhe sistemi shoqëror u hap, deri këto çaste që po shkruajmë, pra për gati një çerek shekulli, shqiptari nuk dha ndonjë shenjë që e ka aspiratë barazinë.
Për pasojë as meritokracinë: Kjo e bezdis sepse rrjedh prej të drejtës për të konkurruar dhe gëzuar një post në mënyrë të barabartë me çdo tjetër.
Përgjithësisht shqiptari mbetet tip i vështirë për të komunikuar si partner. I pëlqen të jetë numri një. Protagonist gjer në fyt, jep gjithçka për t’u bërë i pari i një territori, hapësire, institucioni apo vendi.
Pretendon gjithnjë për të hyrë në histori, por nuk është i pashpirt ta bëjë këtë me çdo mjet të mundshëm. Nuk pëlqen aspak ta realizojë nëpërmjet krimit.
Shqiptari e synon hyrjen patjetër në histori, por me dashurinë për atdheun e tij në zemër. Janë shumë të paktë ata që kanë shkuar përtej këtij caku.
Ai shfaq prirje primitive dominimi. Prej natyre qeveris pak dhe sundon shumë. Nuk e bën dot të kundërtën, sepse është pa vizion. Shqiptari nuk është fare dritëshkurtër, por nuk është as shumë largpamës.
Preferon respektimin, mbajtjen e fjalës, por më tepër ndëshkon dhe neverit mosmbajtjen e saj. Jo vetëm diktatura por edhe nga klasa politike paskomuniste trashëgoi shpërdorimin e kuptimit dhe të misionit të fjalës.
Përgjithësisht natyrë besnike, i konvertueshëm vetëm për arsye mbijetimi, traditën e dhënies së besës ende e ruan. Ajo thjesht po i përpunohet, po i përshtatet kohës, po bëhet më elastike, por nuk po i rrënohet. Shqiptari, megjithatë, ende nuk e ka kuptuar se fjala e dhënë nuk mund të shndërrohet në pamundësi për të ndryshuar. Ajo kurrë nuk mund të jetë lak për veten apo tjetrin.
E vlerëson mjaft nderin dhe ka kultin e ruajtjes së tij. Morali shqiptar, i cenuar rëndë nga psikologjia e pranimit të një korrupsioni të përhapur në mënyrë kapilare, në të gjithë damarët e shoqërisë dhe të institucioneve të saj, tek njollosja e nderit përmbahet, frenohet.
Në më të shumtën e rasteve nderi dhe besa për shqiptarin janë një, të pamundura të jetojnë pa njëra-tjetrën. Edhe pse në këto parime ka pak atavizëm kohësh të vjetra, gjithsesi mbetet një antikitet i vyer.
Shqiptari ka pak sedër sociale, por çfarë i ka mbetur prej saj i është derdhur tek sedra personale. Këtë e ka shumë të lëndueshme, plas si të jetë kapsollë. Në mbrojtje të saj kryen kundërveprim mjaft të beftë dhe të paparashikueshëm.
Me sa mundet, fizikisht, shqiptari mbahet pastër. E adhuron ujin, por jo kaq shumë natyrën.
Shtëpinë e tij e dëshiron të re, të veçuar po të jetë e mundur, të madhe patjetër dhe të rehatshme. Nëpër pallate futet sepse qytetet, ku vrapon të shkojë për të gjetur punë dhe çdo fat tjetër, nuk i afrojnë mundësi tjetër, veç këto fjetina shumëkatëshe. Po të ishte për të ai do të pëlqente banesë më vete, pra shtëpi private, patjetër me oborr, edhe pse me pak lule. Shqiptari mban qen për t’i shërbyer, jo aq shumë për ta përkëdhelur.

Libra të autorit
Në italisht:
“Homo Albanicus”, “RAI&Albania”, “Intrigo sull’ Adriatico”
Në shqip:
“Shteti kundër”, “Nano dhe Berisha”, “Natalja”, “Ditari i Romës”, “Mig’19-97”, “Kur u vra Azem Hajdari”, “I treti”, “Skafistët në top sekret”, “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, “Ngjarje me të shkuarën”, “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, “Një kolonel mes Tiranës dhe Prishtinës”, “lamtumirë Kallashnikov”, “Zog pse ike”, “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur” dhe i fundit “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”

Google+ Followers