Poetologjia e Kujtesës

Nga Shpëtim Doda



Mira Meksi, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë
1.Pas vellos së Afërditës
Qysh nga tregimet dhe novelat e para, të përmbledhura nën titullin Mali i shpirtrave, e deri tek romani i saj i fundit, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, që po i vjen sot në dorë lexuesit, krijimtaria letrare e Mira Meksit është shpalosur qartazi si një nga zërat e rëndësishëm të Letrave Shqipe në përgjithësi, dhe më të fuqishëm dhe përfaqësues të Letrave Shqipe të periudhës pas rënies së regjimit totalitar në veçanti, më së paku për dy arsye thelbësore. Së pari, për praninë e dashurisë, një tematikë që ishte lënë pothuajse në zonat periferike të letërsisë shqipe të periudhës së realizmit socialist, por që Mira Meksi e ngërthen fort, e shndërron në tematikë qendrore të tërë krijimtarisë së saj letrare, duke e trajtuar në të tërë format, pamjet dhe rrafshet e saj. Së dyti, për risitë në drejtim të perspektivës poetologjike të rrëfimit; në pjesën dërrmuese të krijimtarisë së saj, janë më së tepërmi personazhet ata që na flasin dhe na rrëfejnë rreth vetvetes dhe rreth mjedisit shumëplanësh brenda të cilit jetojnë – mjedisit historik, politik, ekonomik, sociologjik, psikologjik, kulturor, ndërnjerëzor etj. – dhe ngjarjeve në të cilat gjenden të përfshirë. Dhe një gjë të këtillë e kryejnë përmes një tonaliteti dhe stili rrëfimtar krejt të natyrshëm dhe qartësisht të dallueshëm nga tonaliteti dhe stili i vetë autorit objektiv.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është tërë sa më sipër, dhe përtej. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, kujtojmë. Është një vepër që ndjek me përpikmëri po të njëjtën dialektikë progresive të tërë veprave të mëparshme, është një sintetizim dhe zgjerim apo thellim i mëtejshëm i simotrave pararendëse, qoftë në rrafshin stilistik dhe poetologjik, qoftë në rrafshin tematik e përmbajtësor, duke shpalosur qartësisht dialektikën evolutive të shpirtit dhe personalitetit krijues të autorit.
Vështruar në dritën e kësaj dialektike, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë ngërthen në vetvete një histori në të cilën dashuria rrezaton fërgëlluese deri në atë kufi të epërm dhe mistik ku dikotomia, diafragma ndarëse mes shpirtit dhe trupit, apo mes psikës dhe mishit, zerohet paqësisht, duke jetësuar dhe përndezur një mori shqisash, ndjesish, përjetimesh, perceptimesh, njohjesh dhe frymëmarrjesh të reja, prej nga melodia solistike ia lë vendin rrufeshëm simfonisë orkestrale:
Eunika e Mitilenës ia mori dorën dhe ia drejtoi viseve aq shumë të njohura, por krejt të panjohura për faltaren. E bëri të përshkonte tërë trupin e saj, duke e mësuar të dëgjonte muzikën që shkaktonin ledhet e dorës dhe të gishtrinjve mbi lëkurë; prekje pas prekjeje, Teuta dëgjoi dhe shijoi tingujt prej harpe që lëshonte qafa e saj e gjatë dhe e drejtë, frufrunë e mëndafshtë të barbitosit që dilte prej supeve të bardha, fërfëllimën e kordave të kitharës që i shpërthenin nga gjoksi i lartë dhe i fuqishëm, muzikën e pipizanes që drithmonin thithkat rozake e të majëta të gjoksit, melodinë e ëmbël prej lire të vitheve të kërcyera dhe mrekullisht të lëmuara, lutin që luhej nga harku i mermertë i belit; mbajti vesh me dorën mbi kërthizë frymëmarrjen e përvëluar të flautit të Panit që frymëzonte barku i saj i njomë dhe i paprekur, ndërsa frymëmarrja i shpeshtohej, dëgjoi tingëllimin e sistrave të llërëve të mbushura dhe, kur shkoi pranë fundbarkut dhe vuri dorën poshtë tij, buçiti muzika e timpanit dhe cimbalit që u bashkua me klithmën e kënaqësisë së saj…
Dhe, vështruar në thelbësoren e vet, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është pikërisht kjo: një simfoni, e cila dikton dhe udhëheq bindshëm jo vetëm jetën e personazheve, por edhe gjuhën, ritmin, shqisat dhe stilin e autorit. Dhe si e këtillë lipset edhe lexuar: një simfoni tronditëse mbi dashurinë, një simfoni që dikton dhe udhëheq bindshëm jo vetëm gjuhën, ritmin, shqisat dhe stilin e autorit, porse edhe frymën, ritmin, shqisat dhe përjetimet e lexuesit. Në këtë drejtim, dashuria është ura që e ndërlidh këtë roman me të tërë krijimtarinë pararendëse të Mira Meksit.
Ndërkaq, sikundërse u shprehëm edhe më lart, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është shumë më tepër se kaq, duke u shpalosur mjaft bindshëm si një prurje krejt e veçantë në letërsinë shqipe bashkëkohore. Njëlloj siç ndodh tek e tërë krijimtaria pararendëse e Mira Meksit, edhe në këtë roman, dashuria luan një funksion poetologjik shumë më të ndërlikuar sesa thjesht një topoi letrar; është pikënisje, apo më saktë porta e një labirinti – një portë që e shpërhap lexuesin drejt skenarësh të tjerë, drejt përvojash, përjetimesh, problematikash dhe gjeografish të tjera të jetës dhe të psikës njerëzore. Kështu, për shembull, tek Zonja plakë e Parisit, dashuria është porta që na shpërhap drejt labirintit të vdekjes; tek Porfida – Ballo në Versailles, është porta që na shpërhap drejt labirintit të lirisë; tek E kuqja e demave, është porta që na shpërhap drejt labirintit të së padukshmes, e kështu me radhë. Vështruar në këtë drejtim, njëlloj si pjesa tjetër e krijimtarisë letrare të Mira Meksit, edheMallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk është një roman dashurie, letërsi rozë, si të thuash, që mund të lexohet – apo më saktë, të konsumohet – gjatë pushimeve në bregdet. Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është roman mbi dashurinë, dhe kurrsesi jo një roman dashurie; funksioni poetologjik i dashurisë është ai i një pikënisjeje, i një porte labirinthore, dhe asesi jo ai i përcaktuesit apo përcaktorit të zhanrit të rrëfimit. Vështruar nga kjo qasje, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është vepër mnemotike, rrëfim iKujtesës, është letërsi me ngjyrën arketipore të Kohës, dhe jo letërsi rozë. Dhe si i këtillë lipset lexuar, përjetuar dhe interpretuar.
2.Poetologjia e Kujtesës
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është simfoni, një simfoni e Kujtesës, një simfoni tronditëse e Kujtesës mbi dashurinë. Si e këtillë, është një roman që dallohet qartësisht nga tërë krijimet pararendëse, duke shenjuar një pikë më të lartë në dialektikën progresive të krijimtarisë letrare të Mira Meksit.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk është asesi e para vepër që mbështetet tek Kujtesa; përkundrazi, Kujtesa është po aq e pranishme edhe në krijimet pararendëse, qoftë tek tregimet, siç shfaqen Kukullat binjakeBuzë të panjohura gruaje etj., qoftë tek romanet, siç shfaqen Porfida – Ballo në Versailles dhe E kuqja e demave. Porse, në ndryshim nga krijimet pararendëse,Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk është roman mbi Kujtesën, por i Kujtesës; që shprehimisht do të thotë se, krejt ndryshe nga sa vërejmë në krijimet pararendëse, në këtë roman Kujtesa mbulon një funksion poetologjik shumë më të gjerë dhe shumë më të ndërlikuar; madje, shkrihet njështazi me vetë poetikën e romanit.
 a) Kujtesa si zëri rrëfimtar
Kujtesa, sikundërse u shprehëm edhe më lart, është e pranishme në një pjesë jo të vogël të krijimeve pararendëse të Mira Meksit. Tek krijimet në fjalë, Kujtesa na jepet qartësisht si pjesë e përmbajtjes poetike, në trajtën herë të një nevoje të domosdoshme, dhe herë të një përvoje të personazhit; shkurt, është objekt, prej nga krijimet në fjalë janë krijime mbi Kujtesën. Ndryshe nga krijimet pararendëse, tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, Kujtesa, më së pari, nuk na jepet si pjesë e përmbajtjes poetike, por e poetikës së përmbajtjes; më pas, nuk na jepet si objekt, por si subjekt, e hipostatizuar mistikisht, jo antropomorfikisht, si shqisa e një figure totemike ilire, Gjarpërit, duke na treguar në mënyrë të goditur se fjala nuk është kurrsesi për kujtesën individuale, siç e hasim tek krijimet pararendëse, por për Kujtesën kolektive, e ikonizuar më se një herë në roman si “e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja” e shpirtit të një populli. Krahas zgjerimit të saj, nga individuale, në kolektive, dhe hipostatizimit, e shndërrimit të saj nga një objekt, në një subjekt, Kujtesa, ndryshe nga sa vërejmë tek krijimet pararendëse, nuk është objekt i rrëfyer, por subjekt rrëfyes; është jo vetëm burim i parmë, por edhe rrëfimtar i parmë i vetë rrëfimit, brenda të cilit gjallojnë edhe personazhet që luajnë rolin e rrëfimtarit. Ndryshe nga sa vërejmë tek krijimet pararendëse, Mira Meksi nuk na shpërfaqet, përpos se në rolin e autorit objektiv, edhe si rrëfimtar i parmë; përkundrazi, tekMallkimi i priftëreshave të Ilirisë, është gjatë tërë rrëfimit “goja” e rrëfimtarit të parmë, e Kujtesës, duke u shpërfaqur në rolin e rrëfimtarit vetëm një çast të vetëm, në pikën përmbyllëse të romanit, i cili shtrihet pak më tepër sesa vetë rrëfimi. Kjo është arsyeja se përse rrëfimi i ngjarjeve ndalet pikërisht në atë pikë ku ndalet edhe vetë Kujtesa e Gjarpërit, e cila nuk shenjon fundin, por tërheqjen e saj nga shpalosja, zbulesa. Ndalesa e Kujtesës sjell vetveishëm fshirjen e objektit të Kujtesës dhe, për rrjedhojë, edhe fundin e vetë rrëfimit. Aty ku nuk ka Kujtesë, nuk ka as botë; dhe aty ku nuk ka botë, nuk ka as vend për rrëfimin.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është roman mnemotik, është një rrëfim i Kujtesës, e cila na e shpalos vetveten jo duke treguar domosdoshmërisht për apo rreth vetvetes, por thjesht dhe vetëm duke rrëfyer; të rrëfyerit, madje, është e vetmja formë e vetëshpalosjes së Kujtesës; aty ku nuk ka rrëfim, nuk ka as botë; dhe aty ku nuk ka botë, nuk ka as Kujtesë. Bota, Kujtesa dhe Rrëfimi janë sa thelbësisht, aq edhe qenësisht të ndërvarur, dhe Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është fryt dhe shpalosje e kësaj yjësie.
Ndërveshja e Kujtesës me një rol të këtillë poetologjik, me atë të rrëfimtarit të parmë, kryen edhe një funksion tjetër; atë të ndriçimit të marrëdhënieve mes Kujtesës dhe Historisë. Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë shtratëzohet brenda një konteksti të caktuar historik, shekulli III para Krishtit, i cili na jepet i rijetësuar me përpikmëri dhe në të tërë gjerësinë e vet, nga konteksti ekonomik, gjeopolitik dhe etik, tek ai shoqëror, shpirtëror dhe kulturor, – në kuptimin më të gjerë dhe gjithëpërfshirës të fjalës, pjesë e të cilit është edhe botëkuptimi, – duke shfrytëzuar një larmi burimesh, nga tekstet letrarë, filozofikë, politikë, historikë dhe shkencorë të kohës, deri tek studimet më të fundit të kohëve tona. E megjithatë, pavarësisht rijetësimit me përpikmëri të mjedisit dhe kontekstit historik të shekullit III para Krishtit, sërish Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk mund, dhe nuk duhet të vështrohet kurrsesi si një roman historik, në kuptimin romantik të fjalës, një zhanër ky i anashkaluar prej më se një shekulli tashmë. Tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, mjedisi, konteksti dhe, për më tepër, ngjarjet historike, ndonëse pasqyrohen me përpikmëri, nuk jepen asesi si një qëllim në vetvete, si prirje për të na i paraqitur dhe ofruar të shkuarën me vërtetësi objektive, “wie es eigentlich ist gewesen”, siç tingëllon edhe motoja e historicizmit; përkundrazi, i nënshtrohen ligjësive, qëllimeve dhe nevojave poetologjike të rrëfimit; më konkretisht, shërbejnë për t’i dhënë më tepër peshë personazheve, – sidomos personazheve historikë, të cilët vijojnë ende sot e gjithë ditën që të qëndrojnë të varrosur në zgafellat e saj të terrishta, – pikërisht atyre personazheve që na ofrojnë një pamësi dhe një këndvështrim krejt të ri rreth vetë ngjarjeve, krejt të ndryshëm nga ata që hasim nëpër manualet e Historisë si shkencës. Vendosja e ngjarjeve historike në funksion të personazheve, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ndërveshja e Kujtesës me petkat e rrëfimtarit të parmë, ofrojnë një pamësi krejt tjetër të Historisë. Vështruar nga ky drejtim, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është roman krejt i veçantë; është roman historik sipas kuptimësisë zanafillore të fjalës – një kuptimësi kjo e rimarrë dhe e lëvruar fillimisht nga Croce, dhe më pas nga historianët dhe filozofët e historisë që u shfaqën në kohët pasmoderne, kryesisht nga fenomenologët, mes të cilëve spikatin prurjet e Ricœur-it, Duby-së dhe Rochlitz-it, dhe dekonstruksionalistët, mes të cilëve spikatin prurjet e White-it, Jenkins-it, Musnlow-t etj., pa anashkaluar ndërkaq prurjet e Le Goff-it, sidomos tek Historia dhe Kujtesa (Histoire et mémoire).
Tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, mes Kujtesës dhe Historisë ekziston, së pari, një marrëdhënie jo dikotomike, porgjenetike dhe gjenealogjike: Historia është pjesë e Kujtesës, e cila, nga ana e saj, është shqisa e Shpirtit. Jo vetëm kaq: Historia buron nga Kujtesa, dhe jo Kujtesa nga Historia – një pamësi kjo e cila i brendashkruhet përpikmërisht kontekstit kulturor dhe botëkuptimor të kohës rrëfimtare, në të cilin Clio – Muza e Historisë – ishte bijë e Mnimosinës – hyjneshës së Kujtesës. Për rrjedhojë, historia që hasim tek ky roman i Mira Meksit, nuk është një përftesë dhe pamje historiografike, por mnemotike; s’është fryt dhe paraqitje e analizave shkencëristike të individit, – historianit, – por fryt dhe paraqitje e Kujtesës, e shqisës së Shpirtit; është fryt dhe paraqitje e jetës së Shpirtit. Në këtë drejtim, karakteri historik i nënshtrohet frymës, poetologjisë dhe poetikës mnemotike të romanit, dhe jo e anasjellta. Së dyti, marrëdhënia mes Historisë dhe Kujtesës s’është aspak kundërvënëse, por përplotësuese: Kujtesa përplotëson Historinë, jo Historia Kujtesën. Historia është e fundme, e përkohshme; ngjarjet lindin, zhvillohen dhe shuhen në mënyrë të pakthyeshme, duke u padukësuar paq; ajo çfarë mbetet prej tyre është vetëm lëndë mnemotike, është vetë Kujtesa si shqisa e Shpirtit, e cila është e pafundme. Parë nga kjo qasje, përmes poetologjizimit të Kujtesës, ndërveshjes së saj me petkat e rrëfimtarit të parmë, Mira Meksi e flak tej atë diafragmë ndarëse që Aristoteli pati vendosur mes shkrimtarit dhe historianit, në librin e dytë të Poetikës; duke qenë një rrëfim i Kujtesës,Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë synon të na ri-kthejë në jetësi, qenësi dhe dukësi atë që historiografia flaku në terrishtat e pajetësisë, e paqenësisë dhe padukësisë. Fjala është për një synim që Letërsia mund t’ia arrijë; edhe ajo, njëlloj si Historia, është bijë e Kujtesës. Për të qenë efikase dhe kohëgjatë në prurjet e tyre, qoftë Historia, qoftë Letërsia, nuk kanë rrugë tjetër përpos se të ruajnë lidhjet e tyre gjenetike dhe gjenealogjike me Kujtesën dhe me arketipet e saj të përjetshëm, të cilët janë të aftë që të ndriçojnë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli, vetë éthosin e tij. Mallkimi i priftëreshave të Ilirisëështë një shembull i qashtërt në këtë drejtim; në faqet e tij hasim jo historinë e Ilirisë, por të Shpirtit të Ilirisë. Pamësitë që Teuta ka për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, qoftë sa i përket fatit të saj, qoftë sa i përket fatit të vetë Ilirisë, burojnë drejtpërsëdrejti nga Kujtesa, nga vështrimi i gjithçkaje me shqisën e Gjarpërit, e “Shpirtit të Ilirisë”.
Me dritën e syve të ogurit të madh, në lëndën e kozmosit, Teuta arriti të shihte gjithçka që mbinte nga kohërat dhe arratisej drejt kohërave pa rend e pa kohë të përcaktuar, sikur të ndodhte atij çasti, në një vorbullirë marramendëse mjegullinash: në mugullinë e kaltër të krijimit pa të parët e dheut të saj me prejardhje hyjnish, pa Kadmin dhe Harmoninë dhe Ilyriosin dhe Rhizonin, pa mëpastaj Enkelejtë, Taulantët, Ardianët, Labeatët dhe të tjerët, pa të pesëmbëdhjetë mbretërit ilirë, pa urtarët pellazgë përpara tyre me mjekra të bardha të gjata gjer në brez dhe flokë që u arrinin gjer te thembrat e këmbëve, pa foshnjet e Ilirisë që shtrëngonin në dorën njomzake gjarpërthin prej bronxi [...], pa perëditë ilire, statujat dhe tempujt e tyre nëpër pyje dhe buzë krojeve [...], pa keltët trupmëdhenj e të zhveshur, dinakë e barbarë, me shpata vigane që sulmonin fshatrat ilire dhe u vinin zjarrin, pa beteja të shumta që s’u dukeshin motet dhe që shfaqeshin si pika të panumërta shiu përpara syve të saj [...], pa veten e saj me kurorën e një mbretëreshe të vrarë mbi flokë dhe vdekjen e një mbreti në krahët e saj, pa betejat e të tjerëve dhe betejat e saj [...], pa Afërditën në universin e pavdekshëm me lëndën e dashurisë që dilte nga zemra e saj dhe shndërrohej në pije për hyjnitë, pa kupën e mbushur buzë më buzë me atë pije ngjyrëgjaku që lagu buzët e saj sikur të ishte edhe ajo njësh me perënditë, pa tradhti dhe pabesi që prisnin jetë si tehu i kosares barin [...], pa në mbarim një labirint të errët, të koklavitur dhe të frikshëm si ai i Kretës së Minosit, në fund të të cilit nuk kishte dritë dhe që ishte Vdekja, dhe atëherë kuptoi se fati i saj diktuar nga Zotat e qiellit ishte Iliria, dashuria, dhe vdekja prej Ilirisë dhe dashurisë….
b) Kujtesa si strukturë dhe formë rrëfimtare
Në çdo krijim, jo vetëm artistik, është thuajse e pamundur që krijuesi lë mos lërë një gjurmë të vetën. E pashlyeshme. Tek opuset e tij, Beethoven-i la pashlyeshëm betejën dhe triumfin e tij ndaj shurdhësisë. Tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, e cila është një simfoni mbi dashurinë dhe lavdinë e Teutës dhe Ilirisë së shekullit III para Krishtit, Kujtesa ka lënë pashlyeshëm formën dhe frymën e vet, të gjurmëzuar tek struktura dhe forma rrëfimtare e romanit si një simfoni e kompozuar, e drejtuar dhe e luajtur prej saj, jo prej autorit objektiv, i cili qëndron i strukur alla Kafka brenda Kujtesës si shqisa e Shpirtit të Ilirisë.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë përbëhet nga tri pjesë, të cilat i përgjigjen tri regjioneve anatomike të gjarpërit: koka, trupi, bishti. Strukturimi i tri pjesëve, ndërkaq, ndjek anatominë e trupit të gjarpërit duke u nisur jo thjesht nga tiparet formale (shprehimisht: koka/fillimi, trupi/zhvillimi, bishti/fundi), por nga tiparet thelbësore, nga funksionet dhe nga rëndësia e pjesëve brenda organizmit si një i tërë. Në këtë drejtim, do të mjaftonte të sillnim në vëmendje se, njëlloj si tërë romanet pararendës, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë fillon me një anticlimaxtë qashtër, çka nën dritën e rendit formal të anatomisë së trupit të gjarpërit do të përkonte me bishtin, jo me kokën, ndërkohë që nën dritën e funksionit poetik dhe poetologjik, përkon vërtet me kokën, për aq sa paraqet personazhet kryesorë, figurën dhe gjendjen shpirtërore të protagonistes, Teutës, pozicionin e saj brenda mozaikut të ngjarjeve, por edhe jashtë tij, në rolin e dritëhedhëses mbi traumën qendrore të romanit, fatin e saj, i lidhur ngushtësisht me fatin e Ilirisë, duke na dhënë kësisoj fijëzimet e tij kryesore. Për nga vetë rëndësia që shpërfaq, pjesa e parë e romanit sundohet nga një rrëfim ikonografik, i mundësuar dhe diktuar paq nga prania e hyut të Ilirisë, i cili thadrohet me durim asketik në çdo luspë, në çdo lëvizje, në çdo frymëmarrje. Fjala është për një përmasë ikonografike pashmangshmërisht të domosdoshme, e kërkuar dhe kushtëzuar nga nevojat dhe ligjësitë e poetikës së personazhit, në veçanti, dhe romanit si një i tërë, në përgjithësi, njëlloj siç ndodh tek E kuqja e demave; dhe kjo për aq sa mes hyut të Ilirisë, Gjarpërit Ilyrios, dhe protagonistes, Teutës, jetësohet një marrëdhënie e ngushtë, në mos përnjësuese, më së paku mishëruese: “Je [viz. Teuta] mishërimi njerëzor i hyut Gjarpër, por s’je hyjni”, kumbon zëri i një prej faltareve. Falë, dhe nën dritën e kësaj marrëdhënieje, sikundërse ndodh me figurën e Gjarpërit, në pjesën e parë të romanit skulptura e Teutës thadrohet sipas të njëjtës përmasë ikonografike, duke u përshkruar dhe perceptuar jo vetëm në rrafshin individual, por edhe kolektiv, si pjesë thelbësore e ndërgjegjes dhe e psikozës kolektive ilire, si mishërimi i shpirtit të Ilirisë. Në këtë drejtim, figura e Teutës na shpaloset sipas një ikonografie të dyfishtë, nën dritën e jetës së gjarpërit dhe në atë të një vdektareje, të një gruaje, duke hedhur dritë të bollshme rreth formave dhe mekanizmave që ndërgjegjja dhe psikoza kolektive vendos në lëvizje gjatë transsubstancializimit, shndërrimit të heroit individual në hero kolektiv, në pjesë e identitetit dhe një gurthemel i tij; ndonëse aspak e farëhyjshme, porantropogjene, ndërgjegjja dhe psikoza kolektive ilire e teogjenizon mbretëreshën e vet, duke parë tek ajo pikën që i lidhte me hyun e tyre, me vetë shpirtin ilir.
Pjesa e dytë, ndërkaq, përkon vërtet me trupin dhe funksionet e tij, prej nga përshkrimi ikonografik ia lë vendin përshkrimit dinamik, lëvizjes zigzage, aksionit. Po ashtu, pjesa e tretë përkon vërtet me bishtin dhe me funksionet e tij. Shkimtazi si në rastin e gjarpërit, edhe në këtë roman, bishti është një “timor drejtues” jo vetëm i ngjarjeve të romanit, por edhe i të lexuarit, të kuptuarit dhe të interpretuarit të tij; vetëm në këtë pjesë, lexuesi mëson qartazi rrëfimtarin e vërtetë dhe thelbin, natyrën dhe përmasën mnemotike të rrëfimit: Kujtesa si Shpirti i Ilirisë.
Gjurmëzimi që autori lë në strukturën e rrëfimit, ndërkaq, nuk prek vetëm përmbajtjen e formës, por edhe formën e përmbajtjes. Në këtë drejtim, natyra gjarpërore e rrëfimit shpaloset qartazi tek kuadri i tij kohë-hapësinor; shprehimisht, tek vijimësia kohore dhe gjarpërimet mjaft të dendura hapësinore, jo vetëm të Teutës, e cila shpërfaqet si spirale mes dy botësh, asaj hyjnore dhe njerëzore, individuale dhe kolektive, trupore dhe shpirtërore, tokësore dhe qiellore (viz. “Jam Teuta e Ilirisë…”, fq. 316), por edhe të personazheve të tjerë, që gjarpërojnë nga një situatë në tjetrën, nga një gjeografi në tjetrën, nga një hapësirë përjetimesh në tjetrën, nga një hapësirë marrëdhëniesh në tjetrën, nga një kulturë në tjetrën, nga një luftë në tjetrën, apo nga një pakt në tjetrin, nga një dramë në tjetrën, duke na dhënë jo vetëm një mori gjarpërushash, por edhe një rrëfim gjarpëror, i cili herë zgjerohet dhe herë tkurret, herë tensionohet dhe herë shtensionohet, duke u shumëfishuar vazhdimisht në vetvete.
Së fundmi, natyrën gjarpërore të rrëfimit e hasim lehtësisht tek gjuha, tek stili, digresionet dhe sintaksa – e cila është fryma dhe frymëmarrja e një rrëfimi, ku spikasin fjalitë e gjera dhe labirinthore, me uljengritje dramatike dhe plot kthesa të befasishme, me ritmikën në lëvizje, herë e ngadaltë, dhe herë rrëmbyese, të cilat shpejt do të kthehen në pulsime, valë të rrahjezemrës së shqisës dhe kujtesës së lexuesit.
Dhe Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është pikërisht kjo: një rrëfim, një simfoni e Kujtesës drejtuar një kujtese, për të strehuar brenda saj kujtimin e dashurisë dhe lavdisë së një mbretëreshe që, përveçse shpirti, mbrojtja dhe përsëritëse e prejardhjes hyjnore të popullit të saj, zgjodhi të ishte njeri dhe grua. Pa kursyer as jetën.

Google+ Followers