Përse ne vuajmë!

“Mëso të jetosh” janë letrat për Lucilin, të padiskutuara si kryevepra të Senekës duke nxjerrë prej tyre thelbin e të gjitha mësimeve. Montenji, në Esetë e tij që u ngjajnë aq shumë Letrave për Lucilin, i përmend këto mbi 280 herë. Janë letra që citohen por nuk lexohen. Ky libër, përzgjedhur e përkthyera nga latinishtja prej Alain Golomb, në shqip janë përkthyer prej frëngjishtes nga Eliana Sotiri, Natasha Sotiri. Letrat më të mira për Lucilin janë përmbledhur në këtë libër, si kronikë e vërtetë e shpirtit, një dritë për urtësi dhe lumturi


LETRA XXII
Ti tani e kupton që duhet t’i përvidhesh sa më shpejt shkëlqimit të rremë dhe të mjerueshëm të funksioneve që ke. Kërkon të dish se si mund t’ia dalësh mbanë? Disa gjëra bëhen vetëm në terren. Një mjek nuk mund të diagnostikojë me korrespondencë. Fillimisht, atij i duhet të masë pulsin e të sëmurit. Sipas një proverbi të lashtë, fitorja e gladiatorit vendoset në arenën e ndeshjes. Një shprehje në fytyrën e kundërshtarit, një lëvizje e dorës, ose një përkulje e vogël e trupit të tij, e informojnë gjerësisht shikuesin. Ajo që na mëson përvoja e përditshme përbën një tërësi këshillimesh të përgjithshme gojore ose të shkruara, që kanë vlejtur për paraardhësit njëlloj siç do të vlejnë edhe për pasardhësit. Por problemi është të gjesh çastin më të përshtatshëm në të cilin duhet vepruar për t’i vënë në jetë këto mësime dhe të jesh në brendësi të situatës që të mund të marrësh një vendim, sepse asnjë këshillë nuk mund te jepet nga larg.
Përfundimisht, nuk mjafton vetëm të jesh i pranishëm, por edhe syçelë, në mënyrë që të mund ta pikasësh çastin e përshtatshëm. Përgjo dhe mbërtheje rastin sapo të të paraqitet. Vër gjithë vrullin dhe forcat e tua për t’u çliruar nga “detyra ” që ke. Unë do të shkoja deri aty sa të të këshilloja: jeta që po bën është shumë e shkurtër, prandaj duhet ta braktisësh sa më shpejt. Por mendoj gjithashtu se këtë gjë duhet ta bësh dalëngadalë. Këtë lëmsh, ku për fat të keq je ngatërruar, është më mirë ta shpleksësh se sa ta këputësh. Mund ta këputësh vetëm kur nuk arrin ta zgjidhësh, por edhe atëherë me kujdes. Asnjë nuk është aq frikacak sa të parapëlqejë te jetojë gjithmonë i varur në fijen e perit, kur mund të bjerë e të shpëtojë njëherë e mirë.
E para gjë që duhet bërë është të mos pengosh vetveten. Mjaftohu me plotësimin e nevojave të domosdoshme për të cilat Fati të detyron. Nuk duhet të ngatërrohesh edhe më tepër, përndryshe nuk do të ketë shpëtim për ty, dhe jo vetëm kaq, por do të bëhet e qartë se rënia jote nuk qe e papritur. Në të vërtetë, arsyetimet që ndeshen zakonisht në jetë, si “Nuk munda të bëj ndryshe”, ose ” Edhe në qoftë se nuk do të doja, s’kisha ç’të bëja”, janë gënjeshtra. Asnjë nuk është i detyruar të vrapojë pas fitores. Përkundrazi, është më mirë të ndalesh në vend se sa ta nxitësh Fatin që na shtyn.
A do të të vinte keq në qoftë se, në vend që të të këshilloj vetë, do t’u drejtohem njerëzve të tjerë, gjykimi i të cilëve është pa dyshim më i matur se i imi, dhe të cilëve unë u referohem zakonisht kur dua të marr ndonjë vendim? Lexo letrën e Epikurit, që trajton problemin që na shqetëson edhe neve. Ajo i drejtohet Idomenës. Epikuri i kërkon asaj të bëjë ç’është e mundur për të ikur menjëherë para se një forcë tepër e fuqishme të hyjë në lojë dhe t’i heqë mundësinë për t’u larguar.
Ai shton gjithashtu se çdo përpjekje duhet bërë në çastin e duhur. Por, sqaron ai, kur ky çast i pritur kaq gjatë mbërrin, duhet ta mbërthesh menjëherë. Ai që ka ëndërruar të largohet, nuk duhet të gjunjëzohet, sepse do ta gjejë një rrugëzgjidhje të lumtur, pa dyshim pasi të ketë kaluar vështirësi tepër të mëdha. E për këtë nuk duhet te nxitohet e të veprojë para çastit të duhur, por as të vonohet kur ky çast mbërrin.
Unë kujtoj se ti do të dish edhe mendimin e Stoikëve. Asnjë nuk ka të drejtë t’i akuzojë ata përpara teje për guxim të tepruar. Ata karakterizohen më shumë nga kujdesi se sa nga guximi. Ndoshta ti pret të të thonë: “Është turp të përkulesh nga pesha në kurriz. Duhet të luftosh me të sapo ta kesh ngarkuar mbi vete. Ai që i bën bisht mundimit, është një njeri pa energji dhe pa nismë, sepse vështirësia e situatës nuk ia rrit guximin”.
Ja se ç’do të të thonë, kur do të të duhen shumë përpjekje për të provuar durimin, kur njeriu i ndershëm nuk denjon të merret me punë të ulta e poshtëruese, kur në këtë rast nuk bën as atë që mund të quhet më e -pakta. Me të hyrë në rrethin e lartë të politikës, ky njeri nuk bie në vorbullën e pandalshme; me të kuptuar se situata është e dyshimtë dhe e rrezikshme, ai bën hapa pas, dhe, pa u kthyer prapa, tërhiqet në majë të gishtave për të zënë një vend të sigurt.
I dashur Lucil, kur përbuz përfitimin, është e lehtë t’u shpëtosh telasheve. Dëgjoji zvarritjet e kundërshtimet që na bëhen: “Si të heqësh dorë nga shpresa kaq të mëdha? Të mos shkosh në mes të korrjeve?” Asnjë nuk e mbështet mospërfilljen për të cilën po të flas. Në këtë’ pikë jam i vetëm. Njerëzit e braktisin përfitimin vetëm të detyruar. Ndërsa e kujtojnë me dhembshuri këtë fitore të mjerimit të tyre, vetë mjerimin ata e mallkojnë.
Ambicia është si një mësuese për të cilën njerëzit ankohen vazhdimisht. Por, po të analizojmë ndjenjat e tyre të vërteta, do të vëmë re se ata i vërsulen ashpër asaj që nuk e arrijnë dot. Zbuloji këta njerëz që qahen për atë që kanë arritur dhe që flasin për t’u larguar nga ajo që nuk e arrijnë dot. Zbuloji pra njerëzit që kënaqen me një gjendje të mundimshme, që është për të ardhur keq.
E vërteta është, Lucil, se rrallë skllevërit janë viktima të skllavërisë, shumica janë skllevër vullnetarë. Ti p.sh., në qoftë se me të vërtetë e dëshiron lirinë dhe je i vendosur ta fitosh atë, në qoftë se ti përcakton një afat të domosdoshëm për ta realizuar sa më mirë këtë shkëputje, duke i dhënë fund kështu një shqetësimi të vazhdueshëm, as që duhet të dyshosh se trupa stoike nuk do ta miratojë këtë! Të gjithë Zenonët, të gjithë Krisipët do të të japin këshilla miratuese në përputhje me arsyen e moralin e tyre.
Por, në se ti kërkon të fitosh kohë që të vendosësh se ç’do të marrësh me vete dhe ç’sasi parash të duhen për të përgatitur tërheqjen tënde, ti nuk do të dalësh kurrë prej andej. Asnjë nuk shpëton nga përmbytja së bashku me armët dhe bagazhin. Dil nga uji për të filluar një jetë më të mirë me ndihmën e perëndive (favor ky krejt i ndryshëm nga ai që u bëhet me një fytyrë plot mirësi dhe kujdes njerëzve, të cilëve u është paracaktuar një varfëri e tmerrshme e përligjur me arsyetimin që të mirat që djegin e torturojnë, janë dhënë vetëm për të plotësuar urime e dëshira).
Isha duke e mbyllur letrën, por duhet ta hap përsëri që të fus në të dhuratën time të zakonshme, e cila është një përkushtim i mrekullueshëm, një përkufizim që më duket sa i vërtetë aq edhe shprehës. I kujt? i Epikurit. Po të shes mallin e tjetërkujt: “Gjithkush del nga jeta ashtu siç ka hyrë”. Merr kë të duash, një të ri, një plak ose një të rritur të moshës së mesme, i cili edhe trembet nga vdekja edhe s’di të jetojë. Nuk ka njeri që t’i ketë të gjitha të përfunduara, sepse të gjithë ne i lëmë punët për më vonë.
Ajo që unë vlerësoj më shumë në këtë sentencë është qortimi që u bëhet pleqve, të cilët, megjithëse e kanë kapërcyer fëmininë, vazhdojnë të jenë fëmijë. Epikuri thotë: “Çdokush del nga jeta ashtu siç ka hyrë në të”. Kjo nuk është e saktë, sepse ne vdesim më të liq seç kemi lindur. Për këtë, faji është i yni dhe jo i Natyrës. Natyra do të ankohej me të drejtë: “Si? Unë ju solla në këtë botë të zhveshur nga frika, nga besëtytnitë, nga pabesia dhe vese të tjera; dilni prej saj me cilësitë që ju dhashë!”
Ai që vdes po aq i qetë sa ka lindur, ka ditur t’i vjelë të gjitha frutet e urtësisë. Kurse ne, ne që dridhemi kur na afrohet rreziku, ne që nuk kemi fare guxim, ne ndërrojmë ngjyrën dhe derdhim lot pa dobi. Sa turp! Të jesh i shqetësuar në prag të prehjes! Arsyeja është kjo: ne vuajmë se na ka shkuar jeta kot, atëherë kur interesat e rëndomta vetjake kanë marrë fund. Ne vuajmë se nuk na ka mbetur asgjë prej saj, se ajo na ka vajtur dëm. Të gjithë njerëzit mundohen e përpiqen, jo që të jetojnë mirë, por që të jetojnë gjatë, kurse në të vërtetë, të gjithë njerëzve u është caktuar detyra që të jetojnë mirë, por asnjërit prej tyre që të jetojë sa më gjatë.

Google+ Followers