Nasi Lera: Për librat jam bërë edhe “hajdut”

Nasi Lera është një burrë, paqen e të cilit nuk e lexon më në asnjë portret. Shkrimtar dhe përkthyes, ai e përcjell këtë urti dhe mungesë pretencioziteti edhe në këto përgjigje për MapoLibrin.

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…
Libri më i vjetër që kam në bibliotekën time është romani Kasollja i shkrimtarit spanjoll Vasko Ibanez, përkthyer nga Fan S. Noli dhe botuar para 80 vitesh. Libraria ku e kam blerë në qytetin tim, në Korçë, ka vite që është prishur, porKasollja e ka ruajtur të freskët dhe të dhimbshme në kujtesën time. Sepse libri është vetëm kujtesë.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Vetëm nga autori, sepse suksesi i një libri nuk varet nga zhanri, por nga forca e krijuesit.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Kam një bibliotekë, për mendimin tim, të pasur, por ajo do të më dukej e varfër sikur të mos më intrigonte me librat që presin për t’u lexuar. Unë nuk mund të shkruaj po të mos kem mbi tryezën e punës disa libra që ma bëjnë të lehtë dhe të bukur procesin krijues.
-Libri i parë që keni lexuar…
Për fat të mirë ka qenë Aventurat e Tom Sojerit, Aventurat e Çipolinos. Dhe që nga ajo kohë, isha vetëm tetë apo nëntë vjeç, Mark Tueni dhe Xhani Rodari më kthejnë në fëmijërinë time për të harruar të tashmen.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Babai im ishte shofer dhe nuk kishte lexuar ndonjë libër, por paret për të blerë libra nuk m’i kurseu asnjëherë. Unë blija çdo libër të ri, falë dashurisë që kishte për librin babai im.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
Me shokët e klasës dhe të mëhallës kur isha në gjimnaz, ndërsa kur isha student, me shokët e kursit dhe të konviktit.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Jo vetëm kartë anëtarësimi por edhe distinktivin “Miku i vogël i librit”. Është dekorata më e bukur që kam marrë në jetën time.
-Sa shpesh shkonit në bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Dikur, kur isha nxënës në fillore dhe në shtatëvjeçare, por që herët më pushtoi dëshira për ta pasur librin tim, për të pasur bibliotekën time. Nga kujtimet më të bukura që kam nga qyteti im, nga Korça dhe nga prindërit e mi, janë ato që lidhen me librin. Dëshira për të pasur bibliotekën time, më çoi një pasdite te një marangoz i vjetër, i cili njihej me babanë. Ai më bëri një bibliotekë të vogël, pranë së cilës kaloja dhe kohën më të madhe.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse? 
Jo vetëm një libër, dhe sa më shumë që merrja, aq më i lumtur isha. Mua më mjaftonte kënaqësia ime dhe nuk doja t’ia dija për mërzinë apo trishtimin që u shkaktoja të tjerëve, atyre që nuk ua ktheja librin. Kështu në bibliotekë kam një botim voluminoz të Heminguejt në rusisht, romanin Idioti të Dostojevskit po në rusisht, një vëllim me tregime dhe novela të shkrimtarit amerikan Irvin Shou dhe…Kur i shoh në bibliotekë janë shumë. Përmenda vetëm hapat e mi të parë si “hajdut” që kishte për parim: “Vjedhja e librit nuk quhet vjedhje”. Ajo vërtet nuk quhet vjedhje, por një emër duhet ta ketë.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Kam humbur shumë. Kur erdha student në Tiranë, ata që ishin më të vegjël se unë dhe që e dinin se në shtëpi kisha libra, shkonin dhe i luteshin (ose shtireshin sikur luteshin) nënës që t’iu jepte librat që “u duheshin për në shkollë dhe që do t’i kthenin sapo t’i lexonin”. Nëna ua jepte duke mos e ditur se libri që merret për t’u lexuar harrohet për t’u kthyer.
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Më kujtohet që ne i quanim “Libra të verdhë”. Ata quheshin kështu ngaqë koha kishte vepruar mbi letrën, kurse ne mendonim se ata ishin zverdhur ngaqë i kishin ndaluar. Mendimi se ishin libra të ndaluar ngjallte më shumë se po të mos quheshin të tillë, kureshtjen. Disa tituj që tani kur i sjell në mendje nuk mund të mos vë buzën në gaz: Kompania e bretkosave, Rrethi i kuq, Alen Pinkertoni, Bija e mallkuar, Ura e psherëtimave, por çuditërisht, mes tyre fusnim edhe fashikujt e romaneve Tre musketierët, Konti i Monte Kristos. Duke lexuar ato, ne ndjeheshim më të rritur, sepse po sfidonim një rrezik, një kërcënim, të cilin e përfytyronim krejt ndryshe nga sa ishte në realitet.
-Dhurimi i librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
E vlerësoj shumë si rit, megjithëse nuk e di sa i përhapur është tani, kur dhurimi nënkupton jo një libër, kur mund të ketë dhe njerëz publikë apo “të fuqishëm” që ta shohin me përbuzje apo si tallje dhurimin e një libri.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Gjithmonë kam lexuar në tryezën e kuzhinës, kur isha fëmijë, pastaj në një tryezë të vogël te këndi im i leximit dhe tani, më pëlqen që të lexoj edhe shtrirë, para se të fle.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Lexoj në rusisht, italisht dhe frëngjisht.
-Çfarë po lexoni këto ditë?
Po lexoj romanet, dhjetë të tillë, të botuar në një libër të vetëm, të Patrik Modianos.
-Mbani shënime kur lexoni?
Jo, nuk mbaj.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?
Gjithmonë më ka pëlqyer letërsia e mirë, e shpalosur në prozë apo në poezi. Kur ndodh që të jem i mërzitur, kap një libër me poezi dhe e lexoj. Poezia i jep një lloj muzikaliteti jetës sime, është njëlloj si të dëgjosh Nocturn-et e Shopenit. Proza shpesh më shton edhe më tepër brengën apo trishtimin. Ka autorë që më pëlqen të lexoj edhe veprën që ai nuk e ka përfunduar dot (Heminguej, Kamy, Sartri), ndërsa ka autorë që mbetem te vepra më përfaqësuese e secilit prej tyre.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Lista është e gjatë, shumë e gjatë, fillon me Homerin dhe mbaron me…Modianon, meqenëse jam duke e lexuar. Dikur, nuk e mbaj mend sa vjeç isha, kam lexuar një thënie të Pushkinit: “Nuk ka libra të këqij, ka lexues të këqij.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Më duket një pyetje që është përtej dashurisë dhe nderimit që kam për librin.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
Po të ndodhesha edhe vetë në Arkën e Noes, do hidhja në det Noen për të shpëtuar sa më shumë libra.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
Po më bëni një pyetje që zbulon kujtesën time të zbehtë, të dobët. Në vend të një maksime, po sikur të jap një këshillë: Duaje librin, se mund të të tradhtojnë dhe të të lënë në baltë të gjithë, libri nuk të braktis kurrë…
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Ka ndonjë të keqe sikur të them dy? Jo? Atëherë:
Vargu i parë: Ca pika shiu ranë mbi qelq… (Ismail Kadare).
Vargu i dytë: Mos harro Barbara,
Atë ditë binte shi pareshtur në Brest… (Zhak Prever)
A nuk i ka thënë me vete secili prej nesh këto vargje, pa e ditur se ato janë vargjet e para të një poezie?
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Knjaz Mishkini i romanit Idioti dhe Nik Adamsi i tregimeve të Heminguejt.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Kam shumë libra me autografe, të gjithë më duken të natyrshëm.

Google+ Followers