Jeronim de Rada dhe arbëreshët e Sicilisë

Nga Matteo Mandala*



Letërsia shqipe e romantizmit është e lidhur pazgjidhshëm me emrin e De Radës dhe veprën e tij Këngët e Millosaut, botuar në vitin 1836. Ky fakt është pranuar sot nga të gjithë studiuesit që i janë kushtuar analizës së ndikimeve që “romani lirik i dyfishtë” deradian ka ushtruar mbi të gjitha fazat e mëvonshme të letërsisë arbëreshe dhe veçanërisht asaj që u zhvillua në mjediset e arbëreshëve të Sicilisë. Në lidhje me këtë aspekt në historiografinë e letërsisë dhe kritikën letrare vihen re shumë mangësi dhe shtrembërime që ende presin të ndreqen. Këtu do të prek shkarazi disa nga këto probleme, që gjithsesi njihen dhe janë vënë në dukje nga studiuesit. Do të ndalem në veçanti në një çështje që sipas meje që një vend qendror në kritikën deradiane e që mund ta përmbledh në këtë mënyrë: a është e mundur të vlerësohet në një këndvështrim diakronik ndikimi i poetikës së De Radës? Në cilat aspekte vihet re ndikimi estetik i kësaj poetike?
Gjatë kërkimeve që i kam kushtuar historisë së letërsisë arbëreshe, duke ndeshur shpesh në vepra që rimarrin formën narrative që futi për të parën herë në vitin 1836 De Rada, më ka lindur natyrshëm ideja për ti ballafaquar këto tekste që u përkasin kohëve të ndryshme dhe autorëve që kanë jetuar e shkruar në epoka dhe kontekste të ndryshme historike. Kjo ide që më ka tërhequr edhe nga pikëpamja e teorisë së letërsisë erdhi duke u konkretizuar përmes krahasimit të strukturave, të stileve, të diskurseve narrative, duke dhënë kështu një kuadër të ri për studimin e historisë së letërsisë shqipe. I vetmi kufizim kishte të bënte me mungesën a pamjaftueshmërinë e të dhënave jashtëtekstore që do të mund të mbështetnin spekulimet hermeneutike që rridhnin nga dëshmitë ndërtekstore. Kjo mangësi ka filluar të mbushet në këto vitet e fundit, sidomos nga kremtimet me rastin e njëqindvjetorit të vdekjes së poetit në vitin 2003, falë hulumtimit të plotë të veprave të De Radës në funksion të botimeve kritike nën drejtimin e prof. Francesco Altimarit, por edhe falë materialeve të pabotuara arkivore që kam mundur të shqyrtoj gjatë punës për botimin kritik të veprave të autorëve të ndryshëm arbëreshë të Sicilisë, thuajse të gjithë bashkëkohës të De Radës. Këtej rrjedh shtysa për tiu përgjigjur pyetjeve të mësipërme duke nderuar kështu edhe figurën e De Radës përmes analizës së veprave të ithtarëve të tij në Sicili. Vijon nga faqja 15

Për lehtësi shtjellimi mendoj se është më e volitshme ta ndajmë historinë e marrëdhënieve që ka mbajtur De Rada me arbëreshët e Sicilisë në tri faza:
Faza e parë që mbulon periudhën nga 1834 deri në 1860, u zhvillua në Napoli, ku, për një sërë arsyesh historike dhe politike që nuk është vendi të trajtoj këtu, u mblodhën shumë intelektualë arbëreshë që vinin nga Kalabria dhe nga Sicilia. Në këtë kryeqendër De Rada hyri në kontakt me të tjerë intelektualë arbëreshë, disa prej të cilëve lozën një rol vendimtar në karrierën e ardhme të poetit dhe patriotit si edhe në peshën që ai zuri në lëvizjen e Rilindjes kombëtare. Vetë De Rada në autobiografinë e tij pranon se krizën e identitetit që e mbërtheu gjatë muajve të parë të qëndrimit në Napoli e kaloi falë ndihmës dhe përkrahjes morale që i dhanë dy arbëreshë të shquar, të dy të njohur dhe të vlerësuar në mjediset e rafinuara intelektuale të Napolit: njëri ishte Vincenzo Torelli nga fshati arbëresh Barile, i cili i vuri në dispozicion faqet e së përkohshmes që drejtonte Omnibus ku De Rada botoi disa rapsodi; tjetri ishte Emanuele Bidera, arbëresh nga fshati Palazzo Adriano në Sicili, figurë poliedrike që kujtohet edhe sot si libretisti i kompozitorit të shquar Donizetti (shkroi për të libretin e operës Gemma di Viergy), i cili e pranoi në shkollën e recitimit që drejtonte ku De Rada u njoh e u miqësua veç të tjerësh edhe me Francesco de Sanctis. De Rada i kaloi turbullimet e para rinore që e pengonin të botonte Këngët e Millosaut falë nxitjes dhe këmbënguljes së Biderës i cili i ngazëllyer prej atyre vargjeve, sikurse na thotë vetë poeti "nuk kurseu asnjë arsyetim […] për të më nxitur t'i nxirrja në dritë. E ma gjeti vetë ai shtypshkronjën, ndërkohë që unë prisja të më dërgonin nga shtëpia paratë për ta shtypur". Sapo u botua poema Këngët e Millosaut, të parin recension për të e shkroi një tjetër arbëresh nga Sicilia Francesco Crispi, që më vonë do të bëhej kryeministri i parë i Italisë së bashkuar, edhe ai sikurse Bidera, me origjinë nga Palazzo Adriano. Lidhja e ngushtë me Biderën krijoi kushtet për njohjen dhe shkëmbimin e të dhënave mes dy komuniteteve arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë. Bidera përfaqësonte hallkën lidhëse, që deri më sot është injoruar nga studiuesit e historisë së letërsisë dhe të kulturës të kësaj periudhe kyçe të Rilindjes kombëtare. Në fakt përmes kësaj ure të re komunikimi kaluan idetë e zhvilluara në mjediset arbëreshe të Sicilisë, fillimisht në veprën e De Radës, e përmes tij u bënë pronë ideologjike e mbarë lëvizjes së rilindjes. Mes këtyre ideve po kufizohem të përmend atë mbi prejardhjen e hershme të gjuhës shqipe, që Bidera dhe De Rada e lidhën me Pellazgët e lashtë, popullin paragrek ku Nikollë Keta kishte gjetur më parë paraardhësit e shqiptarëve.
Takimi i dytë i rëndësishëm i De Radës në Napoli ishte ai me Dhimitër Kamardën, gjuhëtarin arbëresh nga Hora e Sicilisë, që ishte syrgjynosur në Napoli për shkak të ideve të tij patriotike liberale. Ky takim shënoi një këmbim të mëtejshëm idesh që përforconim ato që De Rada kishte marrë nga mentori i tij Bidera. Për më tepër Kamarda i dha De Radës mundësinë të lexonte e të kopjonte tekstet e këngëve popullore që në vitin 1700 kishte mbledhur bashkëfshatari i tij Francesco Avati dhe ia kishte dërguar në shenjë nderimi at Gjergj Guxetës. Falë këtyre dëshmive të shkruara të traditës poetike gojore në mendjen e De Radës u përvijua projekti i asaj ndërmarrjeje madhështore që u botua në vitin 1866 me titullin Rapsodi të një poeme arbëreshe.
Nëse këto takime të fazës së parë dëshmohen nga vetë të dhënat autobiografike të De Radës, të tjera dokumente dëshmojnë marrëdhëniet me intelektualë arbëreshë të Sicilisë gjatë periudhës nga viti 1860 deri në vitin 1903, kur vdiq poeti. Kjo fazë e dytë është e pasur me një letërkëmbim që na lejon të rindërtojmë marrëdhëniet me shumë intelektualë dhe shkrimtarë arbëreshë të ishullit. Nga leximi i këtij burimi të rëndësishëm del jo vetëm roli qendror dhe ndikimi që De Rada ushtroi mbi bashkëbiseduesit e tij, por edhe forca e jashtëzakonshme me të cilën ai, edhe pse jetonte në një zonë periferike, ia doli të nxiste e të bashkërendiste veprimtaritë kulturore, letrare e patriotike të intelektualëve që, ndryshe prej tij, jetonin në kryeqendrat e mëdha të Jugut të Italisë. De Radës i shkruante arbëreshi nga Palazzo, Pietro Chiara, për t'i rrëfyer përshtypjet që pati gjatë vizitës në Shqipërinë që dergjej nën sundimin osman. De Radës i drejtohej edhe Gavril Dara i Riu për ta njoftuar se mbaroi së shkruari veprën e tij të famshme Kënga e spërasme e Ballës. Në fakt ishte pikërisht interesimi i De Radës që bëri të mundur botimin e veprës së Darës pas vdekjes së autorit në vitin 1906. Prapë De Radës i shkruante plot admirim Cristina Gentile Mandalà, Dora D'Istria e Horës së Arbëreshëve, e vetmja grua që iu kushtua mbledhjes së përrallave popullore e që ishte e para që bëri të njohur krijimet poetike të kushëririt të ri Zef Skiroit, që më pas u bë imituesi dhe trashëgimtari letrar i De Radës. Së fundi, De Radës i shkruante Francesco Crispi Glaviano, shkrimtari dhe poeti që na ka lënë një numër të madh veprash, shumë prej të cilave ruhen, ende të pabotuara, në fondin Albansk Sammling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës.
Faza e fundit është ajo që shkon nga vdekja e De Radës deri në ditët tona e që dallohet nga dy fazat e para prej faktit që perceptimi i poetikës deradiane nuk bëhet më me ndërmjetësinë e figurës së vetë autorit. Nuk do të ndalem në këtë fazë të fundit sepse konsideratat eventuale do të dukeshin të stisura në raport me vlerësimin kritik të receptimit të poetikës deradiane.
Prandaj po ia lë fjalën një poeti tjetër arbëresh nga Sicilia, Zef Skiro di Maxhos që të kujtojë borxhin që poetët dhe shkrimtarët e sotëm i kanë veprës poetike të De Radës, duke botuar disa poezi të shkruara me rastin e njëqindvjetorit të vdekjes së tij (2003) e të recituara me atë rast në oborrin e shtëpisë së lindjes së Poetit Tonë.
E dhëna ndërtekstore që dua të vë në dukje ka të bëjë me rrafshin horizontal të marrëdhënieve mes këngëve të Milosaos dhe veprave të Pushkinit, Lord Bajronit, Lamartinit, Ugo Foscolos që ku më pak e ku më shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë përbëjnë precedentin historik prej të cilit De Rada mora frymën e kohës së tij. Këngët e Millosaut që jo më kot Kadare i quan të denja të maten me veprat e autorëve të sapopërmendur, vihen në qendër të vëmendjes së ithtarëve të De Radës falë karakterit të tyre risor dhe frymës modernizuese që sollën në letërsinë shqipe, po të mbajmë parasysh këtu traditën e vakët të shekullit XVIII. I ashtuquajturi fragmentarizëm që nga klasicistët fanatikë konsiderohej si shenjë dobësie e impiantit stilistik, rivlerësohet në perspektivën e një konceptimi të ri të strukturimit të gjuhës poetike, asaj gjuhe që Kadare e ka quajtur "forca e tij [e De Radës] e madhe sintetizuese". Për të mos folur pastaj për arkitekturën e "romanit të dyfishtë lirik" mbi të cilën nuk po ndalem këtu sepse e kam trajtuar gjerësisht në një studim tjetër të botuar. Më të njohura e më të pranuara janë të tjera tipare, si p.sh. përdorimi e tetërrokëshit si varg më i përshtatshëm për të shprehur lirizmin që gjuhë të tjera e shprehin më mirë me vargun njëmbëdhjetërrokësh, atë celeberrimum carmen të Dantes që Leopardi në Itali e ngriti në nivelet më të larta të artit romantik. De Rada e bëri zgjedhjen e tij jo pa vështirësi. Ai u rrek t'i ndërthurte bashkë dy sistemet, atë sasior me atë cilësor, sikundër e dëshmojnë edhe tekstet e botimeve të ndryshme të veprave të tij, sidomos të Këngëve të Millosaut që Francesco Altimari po i përgatit në botim kritik. Në hullinë e ndikimit nga poezia popullore që De Rada e mblodhi me dashuri dhe pasion të veçantë, gjejnë shpjegim edhe vargje të tëra që u morën ashtu siç ishin dhe u ngërthyen në indin poetik të veprës të tij. Një tjetër vërejtje tipologjike: vëllimi i kufizuar poemës, që përbëhet nga disa dhjetëra vargje, si për të dëshmuar imitimin e rapsodive të shkurtra popullore. Poema e De Radës dallohet nga strukturat e gjata e të ndërlikuara neoklasike, përdor një figuracion tipik popullor, ekzalton lirikën e fluturimit pindarik, kërkon përfaqësimin jo-pasiv të metaforës së jetës. Të gjitha këto tipare përbëjnë thelbin e modelit letrar që do të ndiqet nga poetët e tjerë arbëreshë ithtarë të De Radës dhe poetikës së tij.
Në disa raste dëshmitë tekstore i kemi të qarta: kujtoj këtu, p.sh. poemthin Milo e Haidhe të Zef Skiroit, që deri edhe në emërtimin e personazheve vendos marrëdhënie dialogu bachtinian me Këngët e Millosaut. Po ç'të themi për veprën e Gavril Darës të Riut, që e deklaroi hapur varësinë nga poezia popullore, e që imitoi me vetëdije të plotë artistike të gjitha karakteristikat stilistike e strukturore të Këngëve të Millosaut? Përmendim këtu edhe vëllimin poetik të Francesco Crispi Glaviano-s, Mbi malin e trundafilevet, që po të lëmë mënjanë nivelin artistik modest, përbën edhe ai një provë të pakundërshtueshme të ndikimit të modelit deradian. Këto konsiderata që meritojnë të zgjerohen, të shtjellohen më hollësisht e të ilustrohen me shembuj konkretë, çka do ta bëjmë në versionin për shtyp të kësaj kumtese, besoj se mjaftojnë për të pohuar se analiza diakronike e intertekstorësisë është jo vetëm e mundur, por edhe e domosdoshme për të rishkruar historinë e letërsisë shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë, për të përdorur një figurë poetike të De Radës, kritika letrare do të mund të jetojë "net me fate të mëdha" dhe poetika deradiane do të arrijë ato kushte që për të kishte parashikuar Mistrali: "freski dhe paqe ungjillore".

*Studiues

Google+ Followers