…je po aq e bukur, sa petali që skuqet nga droja


Onur Caymaz një nga emrat e njohur të brezit më të ri të shkrimtarëve turq, poezinë e të cilit e përshkon ndjeshmëria delikate dhe e brishtë. Fëmijëria, dashuria dhe dhimbja e vetmisë janë disa nga temat e narrativës së Caymazit. Edhe kur shkruan prozë ai shkruan në një gjuhë fluide, gati-gati poetike. Rrëfenjat e tij ngrihen mbi humbjen e kohës apo të një marrëdhënieje… më poshtë kemi shkëputur disa poezi, të botuar në revistën “Poeteka”

Onur Caymaz

                        Motër dhimbjeje
motra ime – qiell vrenjtur
me luledele ndër flokë
letra që pa bujë i vijnë
pulovër të thurur, filxhanin deri në buzë me çaj

fëmijëria ime – dordolec
ngulur në kopshtin e zhuritur të dashurive të humbura
friguar mos mbetet gjithherë aty
motra ime, më zë për dore
dhe shkon në kinema të shtunën
aty ku vështrimin me ushtarët kryqëzon

mëngjeseve dimrit, si acari i qelqtë
si të dehurit,
i vetëm në shtëpi kur kthehem
e rrekem rrugën e humbur ta gjej
ajo në dritare që prêt

u rritëm, ja ku i erdh’fundi
kohës që kalonin bashkë
duke pirë duhan fshehtas nga babai
e duke e shkundur hirin në dorën tënde
në pëllëmbën tënde të trëndafiltë
kam një motër, një motër dhimbjeje

                       Pastaj
vizatova një anije për ndarjet
e letra u la me lot
vaj medet…pastaj

shkrova për ndarjen, si i nemitur
si i vdekur, i pajetë
përkufizim i qenies së saj me mungesë
vaj medet…pastaj

e nëpërmend, kur s’është
kurdo, në gëzim
në mbrëmje, rrugës së malit, në borë
këngëzuar çdo çast si tingull violin
gjethja e fundit që bie, kujtim i vjeshtës
vaj medet…pa fjalë

                      Dyzet rreshta kafeneje
mos harro
kujtimet shkëlqimplotë janë më të errëtat
dashuritë në dhoma akulli të ftohta janë më të zjarrtat

a të kujtohet
netëve fundi yt bëhet i mëndafshtë
kur i putha, flutura u ngritën nga shpatullat e tua

kujtimi yt
shenjë thike nga një lavire plakë
në një dyqan që shet tyl për bonbon dasmash

të kujtohet
ngeshur pas murit të dehur të një birrarie
fytyra ime në pëllëmbën tënde si vjeshtë

në të kujtohet
si ngrin në dritaret e autobuzave kur i sheh nga jashtë
t’i putha duart ato ditë lufte

apo nëse kujton
librin me poezi në dorën time,
e deshëm botën, e ajo s’na deshi.

Shih, ti je ende e bukur
besomë, ti je
si një lule që lulëzon sërish pas vyshkjes
kur ha thonjtë
punim çaj në filxhanë asnjëherë të mbushur
ishim zemëruar, s’flisnim për ditë të tëra

netëve pa yje kur dallgët përplasen
mbase je ti fanari majë shkëmbit
besomë, je
nga jetët e zakonshme ti krijove për mua një të shkuar ndryshe

s’më mësove thjesht të buzëqesh
por edhe si t’i qëndroj mjerimit
të ditëve
shihu në pasqyra, do të të rrëfejnë
se je po aq e bukur sa petali që skuqet nga droja
emri yt rri mes emrit tim
i bukur si stinët e panjohura
nga qiejt e mi, avionët rrëzohen në tokat e tua
ti gogësin, dhe zogjtë ngrihen fluturim nga buzët e tua
vitet, cipa të hejshme dritaresh të thyera, përplasur
si monedhë t’artë në thellësinë e detit
janë poezi të shkruara mbi gurë varresh

shihu në pasqyra, do të të tregojnë…
pas një kohe të gjatë, që ende janë të bukura
Ashtu si ti

                      Dikush
kështu, dikush
nga vijëzimet e ftohta të fytyrës së saj, nga shtegu i pjerrët i supeve
shkon në det
gjen një biçikletë të kaltër
harruar në rërën e lagur të bregut
dikush edhe vejushë dhe virgjëreshë
shallin rreth qafës prej lagjeje të varfër

kështu dikush
kurrë s’ndryshoi, dhe për ty, mbrëmjeve,
mbi lule të thara, letra cigaresh
zogj të shkalafitur, zogj pa krahë
nga pasqyrat, nga drita që ther lavanderinë
del jashtë në rrugë qorre
dikush
edhe i urtë edhe i çartur
plagë thikë në ballin e gjerë të rrugës

kështu, dikush
nga një flutur, me zë të tëhuajtur
mjekrat e tij, penat e thyera, një mori dënimesh me vdekje
nënshtrati i jastekut ku ai vë dorën, mardhet teksa fle
frika ngrin, dimri ngrin, atje tutje
del e vdes teksa të gjithë vazhdojnë jetën
dikush
edhe pullë edhe zarf
gadishull lagështie në mur të dhomës

kështu dikush
kurrë si përdori ditët, punën e zemrës
përsa kohë jetoi në net të gjalla jetë – lira
jastëku i qëndisur, të shkruarit cërritë
si psherëtima e një të sëmuri
(dikush) mban mbi vete renë që s’ësht e tija

i vetëm: çjerrje violin, pupël zogu dhe degë me myshk
i vetëm: dita e larjes së rrobave, e pushimeve, e pranverës vjen
i vetëm: hëna me dritën që përhap, libri me përralla dhe ballerina e ndyt
i çon ushtarët drejt vdekjes në zjarrin e betejës

Dhe ti, dhe unë…

                  Pylli i kujtimeve
shkruaj poezi qysh nga kohërat e përrallave
dhe është për ty
ta kesh kujtim
nga një pyll i shkrumbuar

mendoj për sirenat e vrara në cirk
kuajt e karuselit me këmbët e copëtuara
yotin që u mërzit me qiellin e tij
vetmia ka kuptimin e zisë, gjithmonë

i shkruaj letrat me bojë të gjelbër
kur era fryn në mua e më puth si një selanikas
fle nën hijen e portokalleve
ja, kjo më përvëlon në gji, gjithmonë

kur dikush në Shkup nden rrobat mastic, erëmonjëse
psherëtima trokëllin deri këtu një dëshirim të ethshëm
kënga ime del nga shpirti, por askush s’e dëgjon
një lule e pashfaqur fshihet pas shenjës së vaksinës në krahun tim
shkruaj poezi sepse nuk jetova
dhe është për ty
në mundesh digj një pyll
ta kesh kujtim nga unë
Përktheu nga anglishtja: Albana Kozeli
Poeteka, nr. 15, vjeshtë, 2009  

Google+ Followers