E shtunë vjeshte me lule manjole

Nga Mehmet Elezi  

Në gjuhën tonë të bukur: shqip


Një të shtunë të tetorit që shkoi, në mjediset e Ministrisë së Kulturës u promovua përmbledhja poetike e një vajze të re, mësuese letërsie në Tiranë. Titulli paksa i çuditshëm erdhi si “sound bite”, thirrje me vlerësue ndryshe ftesën: “Na nuk jena t’ktuhit”. Autore: Manjola Brahaj (Shtëpia Botuese PA, Prishtinë, 2014). Përveç trajtave gege të përemrit dhe foljes, bie në sy emërzimi i ndajfoljes këtu. I kthyer në standard, ky titull mund të ishte: “Ne nuk jemi të këtushëm”. Kumti do të përcillej, por emocionalisht më zbehtë.
  1. Në librin e parë, “Vajtimi i Kalipsosë”, 2010, Manjola ka marrë çmimin kombëtar Migjeni.Libri i dytë spikat për guximin poetik.
Sapo e çel, ndien erën e poezisë. Siç ndien erën e jodit e të kripës në piklat e ajrit buzë detit. Poezia e saj nuk është thyezim me përndritje leximesh. Nuk është prodhim i ftohtë truri ose, siç cilësohet ndryshe, cerebrale.
Eshtë shkundulitje shpirti.
Manjola përbuz vetëçensurën. S’e përpunon frymëzimin sipas modës poetike. E le me u derdhë. E moderon, pa i rënë në qafë.
Shpalon botën vajzërore në thellësitë e saj, në larmi ngjyrash. Pa kurrfarë kompleksi. Pa ekzibicionizëm femëror, jo si qëllim në vetvete.  Fjalët e amështa ose me tingëllim të llamarintë për dashurinë, që popullojnë vargëzimet e shumë të shpallurve poetë, janë të rralla. Ndjenja, përkundrazi, mbush librin “rrast”, “cikërr e m’cikërr”. Sensuale, poezia e saj nuk piskat. I ndihen dejt kah rrahin “gjer në dhimbje, gjer në gjak”.
E due zhurmën e këmishës së shkyeme me ngut
Gjarpnimin e hijes mbi murin e marrë
Shpërthyese, energjia e dashurisë krijon vorbulla poetike që përthithin kohët dhe botët. Në dhjetë vargje të “Metamorphosis”, të ndara në pesë tubëza – siç i quan shqip strofat Koliqi – merr nëpër gishta pesë shtylla të mitologjisë.  Lehtësisht, gati luan me to, thua janë një grusht dredhëza në shpatet e Shkëlzenit.
Metafora të guximshme, të papritura.
Gjuha e gjarpnit tand/
 … /
Tempullin e perëndisë sime e bani copë e fije/
Tash i besoj  gjarpnit si i besohet nji hyjnie.
E brishtë një vajzë, për me u mahitë me vdekjen. I nxjerr gjuhën hijes së saj, e ngreh zhag dhe e ve në shërbim të dashurisë. Turbullues, madje tronditës, një eufemizëm përmbys, një “kundëreufemizëm” që pohon krejt të kundërtën e mizorisë që shqipton.
Para Kryqit, Kuranit e Diellit/
Po t’baj bé/
Të due/
He t’shtifsha n’dhé!
Delikatesë, apo jo? Dashuri me gjuhë epike! Bashkon kohët pagane me të rejat.
2.Manjola shkruan gegnisht. A thua paguan haraç për këtë zgjedhje, a tëhuajsohet një pjesë e lexuesit të edukuar me standardin e betonuar?
Aq i bën. I beson poezisë, artit, dhe s’ka pse me u mërzitë për ata që mund të zënë vang (të gjejnë pretekst) te gjuha, për t’u larguar. Kush largohet se nuk gjen standardin, i larguar ka qenë qysh në nisje. I larguar, se poezinë e kupton si standard. Arti është kundërstandard. Eshtë liri në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Poezia është botë elitare. I përket elitës kulturore. Kresë.
Poezitë e Manjolës bartin pasuri gjuhësore. Përngjitje frazeologjike (idioma), trajta morfologjike, fjalë të rralla, të cilat nuk “përkthehen” dot nga shqipja në shqip. Me rrehë benë. Me u mbytë ndërveti. Mënyra kushtore, formuar me paskajoren, edhe nëpër tituj. Me pa’ mujtë. Me t’pa’ harrue. Burojnë, janë lëkurë origjinale e vargjeve të saj.
3.Disa zëra pohojnë se gegnishtja s’ka standard. Nuk çuditin me guximin e zi në mohimin e  të vërtetave.
Çfarë bëri Komisia Letrare e Shkodrës, me përfaqësues të mëdhenj nga veriu e jugu shqiptar dhe me albanologë europianë me emër, vetëm tre vjet pas pavarësimit të Shqipërisë Londineze (siç e quan Konica)? Bazat e standardit që hodhi ishin gegnisht (e folmja e Elbasanit, e hapur në të dy krahët). Kjo gegnishte u përdor duke zënë rrënjë deri në fund të nëntorit 1944, kur me vendim partiak u shemb me rropamë brenda natës. Deri në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), në Kosovë e në krejt hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi është përdorur një gegnishte e normuar. Pashku, Mekuli e Din Mehmeti gegnisht shkruanin. Kështu botoheshin gazetat e librat shkollorë, flisnin radiot. Edhe në Tiranë deri më 1972 disa autorë shkruanin gegnisht. Gegnishte të përgjithshme, jo shkodranisht. Pena vezulluese të mërgatës, si Martin Camaj e Arshi Pipa, asnjëherë s’hoqën dorë prej saj. Bazat, në kuptimin e rregullave drejtshkrimore, qenë përpunuar në Prishtinë në fillim të viteve pesëdhjetë. Dorën përfundimtare e patën marrë po aty më 1964. Nuk është i përkryer standardizimi i gegnishtes. Por normimi i 1972-shit mos qenka i përkryer?
4.Në kundrojë gjuhësore, lulet e Manjolës çelin nëpër këtë tokë të lëvruar. Ajo mih aty, përpunohet edhe vetë. Mësohet me krehë, prapë me krehë,  gjuhën e poezive.
Rruga e artit është me përpjetëza. Arti s’e njeh thënien fillimi i mirë është gjysma e punës.  Në art fillimi i mirë është vetëm fillim i mirë, kaq. Mos ki mëshirë kur më redakton, thotë poezia. Në më lënsh me u tha ose me u hollue me ujë, (s)a më mbetet shije? Çajkovski e cilësonte frymëzimin mysafir që nuk viziton dembelët.
Gjuha, si dhe bota poetike që krijon, është zgjedhje në liri. Te Manjola gjuhën e ka gjedhur vetë poezia e saj. Ka dashtë me qenë ajo që është, pa pyetur Manjolën fare.
Ç’bijë plangprishëse, kjo poezia!

Google+ Followers