Ymeri: Botimet e mia; Librat që më gëzojnë dhe ata që më trishtojnë


Petrit Ymeri është një botues i vjetër, bashkëkohës me hapjen demokratike të Shqipërisë. Enti i tij ‘Dituria’, është nga më emërmirët dhe seriozët, duke i siguruar lexuesit dhe tregut një radhë të gjatë titujsh të shkëlqyer. Në këtë intervistë ai shpjegon pengjet dhe gëzimet e tij dhe pse tregu i librit është i deformuar.
Cili është libri ose librat që ka në proces ose prag botimi “Dituria”?
Vjeshta është stina më e ngarkuar zakonisht për botuesit, edhe për arsye se vjen pas pauzës së pushimeve verore, por edhe për arsye se fundi i vjeshtës përkon me Panairin Kombëtar të Librit.
Përveç titujve që kemi nxjerrë gjatë shtatorit dhe tetorit, kemi shumë titujt që dora-dorës do t’i jepen lexuesit brenda këtij viti. Pas suksesit të veçantë që patën dy romanet e Iréne Némirovsky-t Suita franceze  dhe David Golderi (që ka dalë para pak ditësh), po përmend për shembull që brenda këtij viti ne do t’i japim lexuesit edhe tri romane të tjera: Keqkuptimi, Balloja dhe Afshi i gjakut, që së bashku me dy të sipërpërmendurit përbëjnë dhe kryeveprat e Iréne Némirovsky-t. Mund të përmend një autore tjetër shumë të shquar Ketrin Rowling, autorja e sagës së njohur Harry Potter, së cilës në fund të vitit të kaluar i botuam romanin Rastësisht një vend bosh. Ky roman i cili u mirëprit shumë nga lexuesi shqiptar si kudo në botë, në Panairin e Librit do të pasohet nga vëllimi i parë i një serie të re, triller, që ka si personazh kryesor Cormoran Strike. Edhe kjo seri do të jetë me shtatë vëllime dhe DITURIA do t’i japë lexuesit në nëntor librin e parë të kësaj serie, titulluar Kënga e qyqes, përkthyer nga Virgjil Muçi. Një autor shumë i njohur që vjen me premiera në Panairin e 17 të Librit është Carlos Ruiz Zafon me tri romane; Princi i mjegullës, Pallati i mesnatës, Dritat e shtatorit, të cilat do t’i përmbledhim në një vëllim të vetëm të quajtur Trilogjia e Mjegullës. Mund të përmend gjithashtu Milan Kunderën që do të vijë me dy romane. Shakaja vjen me një përkthim të përmirësuar dhe romani Mosdija (Injoranca) që do të jetë premierë. Të dyja këto romane janë nën përkthimin e Mirela Kumbaros. Mund të përmend gjithashtu një roman të Leonardo Shashës Secilit hakun, një roman të një shkrimtari të shquar brazilian Machado de Assis Kujtime nga bota e përtejme. Besoj që më vonë do të kemi një libër për estetikën e artit, një autor finlandez Juha Varto, me Arti dhe krafti i bukurisë. Në Panairin e Librit do të botojmë librin e dytë të Julia Navarros Më thuaj kush jam që pason romanin e saj shumë të suksesshëm në shqipVëllazëria e pëlhurës së shenjtë. Po kështu nga kolana e historisë besoj se do të kemi Historinë e Norvegjisë (shënoj që në muajin tetor, më datat 7 dhe 22 tetor respektivisht do të prezantojmë për lexuesin Historinë e Belgjikës dhe Historinë e Polonisë).
A ka “Dituria” politikat e saj të botimit, në kuptimin e prirjeve për këtë apo atë lloj literature, dhe cilat janë ato?
Padyshim që pas 23 vjet veprimtarie, kemi politika të përcaktuara, ide të qarta dhe kolana afatgjata botimi. Ne përgjithësisht kemi synuar që nga fillimi i veprimtarisë sonë botimin e autorëve dhe librave të njohur, sidomos nga letërsia e huaj, duke u mbështetur në përkthyes nga më të mirët e tregut të librit në Shqipëri, por duke inkurajuar me shumë sukses edhe përkthyes të rinj. Kjo ka qenë një nga prirjet tona. Përveç letërsisë artistike të huaj, botimet historike kanë një vend të veçantë në planet, kolanat në programet tona. Ne kemi tri kolana të botimeve historike. Një janë botimet e nivelit akademik, universitar, që kërkojnë një lexues të vëmendshëm; kemi një kolanë të botimeve divulgative, që janë për një masë më të gjerë lexuesish, dhe kemi kolanën më të re, që e kemi nisur ta botojmë para dy vjetësh: Historia e popujve dhe shteteve nga e cila kemi botuar deri tani 15 tituj dhe në vazhdim do kemi me siguri po aq të tjerë për 2-3 vitet që vijnë. Vëmendje u kemi kushtuar natyrisht edhe botimeve teorike, të historisë së letërsisë, të gjuhësisë, të studimeve për artin, ku mund të përmend që nga Italo Kalvino e deri tek Umberto Eco, dhe më pas më pëlqen të përmend edhe një grup të vogël librash për arkitekturën dhe urbanistikën; gjithashtu kemi një grup jo të vogël botimesh të filozofisë, sociologjisë, mjaft libra për fëmijë, publicistikë e kështu me radhë. Pra, këto janë shtyllat tona në të cilat ne pasqyrojmë fashat tona të botimit, i zgjerojmë, i përmirësojmë. Dhe mund të them me krenari që kemi sjellë ashtu sikurse dhe shumë kolegë të shtëpive të tjera botuese profesioniste, autorë të mirë dhe shpresoj se i kemi sjellë me shumë dinjitet.
Cili është ai libër apo ai lloj libri që si lexues ju fal kënaqësi, por si botues ju mërzit shumë?
Librat që më japin kënaqësi janë pa fund, autorët e mirë, titujt e bukur, përkthimet e mira. Nuk është fjala nisur thjesht nga kriteri i shitjes. Pa dyshim kemi shumë. Po them që kam një kënaqësi të veçantë kur një kolanë e re pritet mirë dhe vlerësohet nga lexuesi, pavarësisht që mund të shitet ngadalë apo nxitimthi. Për shembull, vlerësimet që kam nga lexuesit apo miqtë për kolanat e historisë, apo pritja e mirë që u është bërë librave Historia e arkitekturës moderne (në 2 vëll.) të Bruno Zevit, Fuqia e imazheve e Freedbergut, që janë libra të rëndësishëm, por që nuk shiten me ritmet që do të dëshironim, nuk ma heq kënaqësinë e punës. Por, pa dashur të marr poza iluministi, po them që sigurisht shitjet e mëdha e gëzojnë çdo botues, se në fund të fundit është një veprimtari ekonomike që duhet të ketë edhe arritjet nga kjo pikëpamje. Për shembull, në qoftë se Harry Potteri është shitur shumë, apo romanet e Ecos Emri i trëndafilit apo Varreza e Pragës janë shitur shumë, apo librat e Sophie Kinsellës janë shitur pa fund, sikurse Federico Moca me Tre metra mbi qiell etj, dhe shumë e shumë libra të tjerë që kërkohen e pëlqehen shumë nga lexuesi, domethënë është vlerësim dhe kënaqësi, por edhe mbështetje ekonomike që në të ardhmen të japim tituj të rinj për lexuesit.
Ajo që më mërzit është kur një investim i madh, një libër i rëndësishëm për të cilin është investuar pasion, kohë dhe mjete financiare, për një arsye apo një tjetër nuk ecën, pra nuk është gjë e mirëpritur. Për shembull libri i shkëlqyer i Umberto EcosHistoria e Bukurisë shitet veçanërisht ngadalë dhe kjo nuk më kënaq, apo Fuqia e imazhit apo libra të tjerë që nga çdo pikëpamje janë të shkëlqyer, po kanë ecuri të ngadaltë, kjo nuk më pëlqen. Por këto gjëra lidhen edhe me faktin e tregut të vogël dhe të varfër, apo me pavëmendjen dhe mungesën e mbështetjes nga institucionet kulturore dhe arsimore.
A ka një treg të librit në Shqipëri dhe sa i deformuar është ai?
Pa dyshim që ka një treg dhe është një treg veçanërisht i deformuar dhe i dobët. Është i dobët së pari se nuk kemi rrjet të vërtetë librarish, nuk kemi librari të mëdha, përjashto Tiranën që ka nja dy librari relativisht të mëdha, por kemi edhe qytete që nuk kanë librari, ose kanë librari me sipërfaqe minimale. Nuk po flas për qytete periferike që kanë ndonjë kioskë dhe sigurisht që nuk do të ketë lexues. Është i deformuar sepse tregu i librit është i pakontrolluar, futen që nga titujt piratë dhe shtypjet vjedhacake të shtypshkronjave apo të mashtruesve të ndryshëm, punohet shpeshherë pa fatura, pa sisteme dhe nuk kanë personel të kualifikuar.
Cili është libri më i suksesshëm që ka botuar “Dituria”?
Nuk mund të them dot një libër sepse kam 24 vjet veprimtari, por dua të përmend veçanërisht sagën e Harry Potterit apo sigurisht romanet Harku i Triumfit dhe Tre shokë të Remarkut, Emri i trëndafilit i Umberto Ecos, Hija e erës i C. R. Zafonit, Tre metra mbi qiell i Federico Mocias, Suitë franceze i Némirovsky-t, Muri i Sartrit, etj. Po e mbyll me kaq.
Cili është libri për të cilin jeni penduar që e keni botuar?
Janë dy, dhe më vjen keq që e them, por janë libra të shkëlqyer. Njëri është Neurologjia një libër universitar i botuar njëkohësisht në 14 vende në vitin 2012, i përkthyer dhe i botuar nga ne një vit më pas, më 2013, me gati 700 faqe, një libër shumë cilësor, përkthyer nga një grup mjekësh të rinj e të talentuar, redaktuar nga dy titullarë të lëndës në Universitetin e Tiranës dhe ky libër nuk shitet. Libri tjetër është Sintaksa e Giorgo Graffit. Pra këta dy tituj janë dy nga shembujt e qartë, që për fat të keq në universitetet tona ende punojnë me tekste të vjetruara që u ka kaluar koha. Punojnë akoma me shënime. Janë institucionet që duhet të shohin me vëmendje se çfarë bëhet rrotull nesh edhe me tekstet universitare.
Cili është ai libër që nuk mund të rrini pa e botuar, jeni matur, por për njëmijë arsye (ndoshta financiare) nuk e keni bërë ende?
Ka shumë tituj të tillë, për të cilët çdo botues do të ëndërronte t’i botonte, por tregu ynë nuk i pranon dot, nga çdo pikëpamje, duke filluar që nga kostot shumë të larta. Kjo ëndërr dhe zhgjëndërr njëkohësisht, me të cilën ne përballemi sidomos kur shkojmë në aktivitete të mëdha librore “na tregon vendin”. Por unë do të përmend dy-tre libra, si Lavjerrësi i Fukoit i Umberto Ecos, që besoj se do ta botoj, dhe po ashtu disa romane të Hilary Mantel me të cilët ende nuk kam  filluar punë si duhet, por i kam në planet e mia dhe do t’i bëj.
Gara letërsi e huaj/letërsi shqipe duket se është fituar nga e para. Pse shqiptarët vazhdojnë të parapëlqejnë autorët e huaj? Apo autorët shqiptarë janë një peizazh i cunguar?
Mund të them me siguri që ky nuk është thjesht fenomen shqiptar, vetëm se neve na bën përshtypje. Në Europë të paktën, në tregun e librit dominojnë autorët e huaj krahasuar me vendasit, gjë që pothuajse të gjithëve u duket një gjë normale, por aty dikton tregu, puna profesionale e shtëpive botuese, marketingu dhe publiciteti i jashtëzakonshëm që bëhet natyrisht. Në rastin tonë do të thosha se duhet të kuptojmë qartazi që letërsia jonë, ajo që shkruhet e botohet në Shqipëri nga autorë shqiptarë në të gjitha fushat dhe jo vetëm artistike, është akoma në nivele provinciale, shpesh naive (pa dyshim ka dhe autorë shqiptarë dhe libra shumë të mirë) të cilat nuk e përballojnë dot peshën e madhe të kulturave të huaja letrare apo historike apo filozofike, shkencore etj. Mendoj që lexuesi ynë ka shumë nevojë të lexojë dhe përsëri të lexojë, ashtu si kanë shumë nevojë autorët, ata që shkruajnë, që të mos kompilojnë e të bëjnë plagjiatura, hapur e fshehurazi. Mendoj se duhet të heqim dorë nga ky kompleks që kjo është e huaj, kjo shqiptare, ballkanase e kështu me radhë. Rëndësi ka që ky është një libër në gjuhën shqipe që i jepet lexuesit shqiptar, pra është e rëndësishme që të jetë libër i vlefshëm.
Panairi i Librit është në prag. Ç’të reja të presim këtë vit?
Jemi pesë javë larg nga Panairi i Librit (12-16 nëntor 2014). Të gjithë botuesit, autorët etj, janë në ethet e pragfestës, ta quajmë. Për fat të keq, këtë vit ka shumë më pak tituj të rinj se një vit më parë apo dy vjet më parë. Megjithatë me informacionet që kam, janë të shumtë autorët, librat e mirë të cilët do të jenë një gëzim për lexuesit. Po kështu siç përmenda edhe DITURIA po përgatitet për panairin. Ndërsa si një prej organizatorëve kryesorë të Panairit të Librit mund të them që ne jemi shumë të angazhuar, të tensionuar, edhe nganjëherë të shqetësuar për po-të dhe jo-të që kemi përpara, për planet e mëdha dhe planet e vogla, të cilat nuk bëhen dot të gjitha për fat të keq, por mund të them me kënaqësi që gjërat kryesore janë shumë mirë. Panairi i 17 i Librit do të zhvillohet në shenjën e De Radës, i cili ka 200-vjetorin e lindjes, dhe që nga hyrja e Pallatit të Kongreseve dhe deri te aktivitetet, çmimet, kanë lidhje të ngushtë me De Radën. Kështu po them që në hyrje të Pallatit të Kongreseve do të jetë një portret gjigant i De Radës. Gjatë ditëve të panairit do të kemi një konferencë shkencore për veprimtarinë e De Radës dhe do të ketë mjaft libra të De Radës, promovime dhe aktivitete për librat e tij. Përmend botimin e veprës së plotë të De Radës nga Shtëpia Botuese ‘Rubbettino’ në Itali, përgatitur nga profesor Altimari dhe profesor Mandala. Prej andej na vijnë njoftime që diçka po bëhet për botimin në shqip të veprave të plota të De Radës, por më tej nuk dimë se çfarë po bëhet konkretisht. Dhe kurorëzimi i veprimtarive për De Radën dhe përkujtimi i tij do të jetë Çmimi i madh Jeronim de Rada, që do të jetë veç dhe tokme çmimet e tjera të Panairit të 17 të Librit Tirana 2014.

Google+ Followers