Virgjil Muçi: Me libra, dikur, u afroheshim vajzave


Virgjil Muçi është ai emër dhe portret tek i cili do të mund të shkonte mendja nëse do doje një këshillë për librin. Jo nga modeli i flokëve ala oscar wilde, por se me firmën e tij, që në mesvitet ’90, të paktën për studentët e asokohe, shoqëroheshin recensat hollake të librit në faqet e fundit të revistës Klan. Virgjili i shtonte autoritet mendimeve të tij edhe emri romak, na shërbente ne djelmoshave të asokohe si udhërrëfyes për te libraritë e qytetit. Të shumtën e herëve nuk na ka zhgënjyer, dhe në emër të atyre leximeve të mira, i falemi nderës.
-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…
«Paradiso» nga Komedia Hyjnore e Dante Alighierit. Editore Oreste Garroni, Romë, Botues dhe Librashitës. Viti 1907. Çmimi 20 cent. Përmasa 8 x 11 cm.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Autori. Zhanri nuk më thotë ndonjë gjë. Madje, ngandonjëherë, përzgjedhjen e bëj, duke u nisur edhe nga botuesi. Por në këtë rast bëhet fjalë për një shtëpi botuese mjaft sqimatare në Itali të quajtur «Adelphi». Kur më bie rruga andej pari, blej çka më mban xhepi nga ajo që ata botojnë. Në bibliotekën e shtëpisë sime librat e saj zënë një raft më vete.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo! Dhe nuk besoj se kam për t’i lexuar ndonjëherë, duke qenë se numri i prurjeve është shumë herë më i lartë se i asaj çka ia del të lexosh. Në njëfarë mënyre kjo është dhe mbetet brenga e çdo lexuesi profesionist: duke këqyrur oqeanin e botimeve rreth e qark vetes, mendon me keqardhje se ke për t’u larguar i panginjur nga kjo botë. Gjithmonë, duke presupozuar që në Ferr ose në Parajsë nuk ka bibliotekë ose libra për të lexuar.
-Libri i parë që keni lexuar…
Nuk e mbaj mend. Ashtu siç, ma do mendja, s’kam për të mbajtur mend as të fundit.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Një vëllim me poezi i Viktor Hygosë që nuk e gjej më në bibliotekën time.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
Sigurisht që me vajzat. Ishte mënyra më perfide për të zënë shoqëri e për t’u lidhur me to. Nuk e di nëse ky truk funksionon edhe sot e gjithë ditën, por në kohën tonë, kur mungonte shumëçka nga ajo që kanë të rinjtë e sotëm, ishte një mënyrë për t’iu qasur gjërave që doje. Në një mënyrë ose një tjetër, shndërroheshim në Sirano dë Berzherak të kohës së socializmit.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Jo. Por, kam pasur dhe kam kartë anëtarësimi të Bibliotekës Kombëtare, ashtu siç kam një kartë anëtarësimi të bibliotekës publike në Ottawa dhe asaj të Bibliotekës së Kongresit në SHBA, si dhe të bibliotekës komunale në San Sepolcro, Toscana, Itali. Nuk është pasion koleksionisti, siç mund të pandehë shumëkush, por një lidhje e natyrshme me librin në të gjithë vendet ku më ka hedhur puna.
-Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Marrëdhënia me bibliotekën është diçka e qëndrueshme dhe e patjetërsueshme. Edhe pse vajtjet janë më të rralla sot, për shkak të andrallave të përditshme, i kthehem shpesh për të gjetur libra ose materiale të tjera që zor se mund t’i gjesh tjetërkund. Nga kjo pikëpamje, biblioteka është një farë shpelle e Ali Babait, ku mjafton të thuash formulën magjike, pra të njohësh kodet e depërtimit në të, për të shijuar pasuritë e saj të pafundme.
Me  një farë nostalgjie, kujtoj dy biblioteka të mrekullueshme që nuk ekzistojnë më sot e kësaj dite: ajo e ish-Shtëpisë Botuese «Naim Frashëri» dhe ajo e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse? 
Kam marrë e kam dhënë libra, një proces i pashmangshëm, sipas parimit të enëve komunikuese, duke qenë se kurdoherë ngjet të pikasësh te tjetri një gjë që e ke kërkuar për një kohë të gjatë dhe nuk e ke gjetur tjetërkund, por, kam përshtypjen, që s’i kam mbajtur kujt gjëkafshë, aq më tepër enkas. Në qoftë se kjo gjë mund të ketë ndodhur, për një arsye ose një tjetër, miqtë e mi që do t’i lexojnë këto radhë, kanë një rast të mirë për të më kujtuar librat që u detyrohem.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Ashtu si në dashuri edhe në libra ke humbur diçka që e ke pasur për zemër. Të humbësh diçka është po aq e natyrshme sa edhe të fitosh një gjë. Dua të them që nuk është fundi i botës. Ndryshimi qëndron në atë që, në qoftë se në dashuri melhemi është koha që rrjedh e kalon, te librat pengu është i ngahershëm, madje ndoshta vjen e rritet me kalimin e viteve.
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Oh, patjetër. Shumë. Mund të them se ishte gjuetia ime, por edhe e shokëve të mi, më e preferuar. Në fëmijëri më kujtohen tituj si “Kompania e bretkosave”, “Aventurat e Alen Pinkertonit” etj., që, më së  shumti, qarkullonin edhe me shkrim dore, ngase riprodhoheshin me dorë prej njërit ose tjetrit, krejt si murgjit në mesjetë që kopjonin e riprodhonin veprat e antikitetit.
Por në qoftë se në fëmijëri ishte një sport zbavitës, më pas u kthye në një lojë me spec. Bëhej fjalë për libra dhe autorë që kishin përfunduar në Indeksin e librave të ndaluar të diktaturës dhe çmimi që mund të paguaje dihej. Më kujtohet që takoj një shok në rrugë, i cili kishte “1984” të Orwell-it ; mbasi iu luta të ma jepte për ta lexuar, ai pranoi të ma linte vetëm katër orë, gati-gati një mission impossible. Sot i kujtojmë me andje ngjarje të tilla.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhni vetë?
Edhe pse nuk e refuzoj kurrë një libër që më dhurohet – ndonëse në këtë rast nuk shkon edhe aq shprehja popullore «Kali i falur nuk shihet nga dhëmbët» – parapëlqej t’i përzgjedh vetë librat e mi. Shkurt e shkoqur, jam mjaft nazik e buzëhollë.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Shtrirë dhe vetëm shtrirë në shpinë. Është një ritual gati-gati i pandryshueshëm. S’do mend, me përjashtime të rralla.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Gjuha e leximit përkon dhe, s’ka si të jetë ndryshe, me atë të përkthimit, duke qenë se për mua është një farë zanati. Kështu që, për të mos tingëlluar pretencioz, mund të them në ato gjuhë nga të cilat kam përkthyer një aradhë shkrimtarësh dhe mendimtarësh.
-Çfarë po lexoni këto ditë?
Duke qenë se koha sa vjen e bëhet më e çmuar, jam shndërruar në nepsqar të madh dhe, shpesh më qëllon ta kap gafil veten, me dy ose tre libra në duar njëherëshi. Në këtë çast që po hedh këto radhë, kam në duar, një libër që shumëkush e konsideron si ikonën e mendimit të majtë në ekonominë politike bashkëkohore «Kapitali në shekullin e njëzetë» të Thomas Piketty, një ekonomist dhe, do të shtoja unë, mendimtar francez bashkëkohor. Ndërsa në darkë, te kryet e shtratit, më pret Mo Yan-i me një roman që nuk e kemi në shqip «Big Breasts and Wide Hips».
-Mbani shënime kur lexoni?
Jo gjithmonë. Kur rilexoj mjeshtërit e shqipes – duke qenë se lista është relativisht e gjatë nuk po zë ngoje emra – mbaj shënim fjalë dhe shprehje për t’i përdorur më pas në punën time si përkthyes.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?
Edhe pse këtu e vite të shkuara kam botuar një libër me poezi, i cili erdhi në jetë gati-gati si një fëmijë jashtë martese, jam i prirur më fort nga proza. Edhe për faktin se, ndoshta e ekzagjeroj kur them, sot nuk shkruhet më ndonjë poezi e mirë.
Me përjashtim të klasikëve si Homeri, tragjikët e mëdhenj të antikitetit grek, Shekspirit, Tolstojit, Kadaresë dhe ndonjë tjetri, të cilëve u kam përpirë gjithçka, ose pothuajse gjithçka, kur vjen puna te të tjerët, lexoj vetëm crème de la crème.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Kam përshtypjen pak a shumë ata që përmenda pak më lart. Në fund të fundit, pa lexuar dhe, sidomos, rilexuar klasikët – e theksoj këtë të fundit – nuk ke lexuar asgjë.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Tundimi për të shkruar Librin Total ka qenë dhe mbetet një sfidë e hapur dhe e pashtershme për shkrimtarët e të gjitha kohërave. Mendoj që ky Superlibër – në qoftë se mund ta quajmë kështu – nuk ka për t’u shkruar ndonjë herë dhe, kësodore, vij te pyetja juaj, as nuk është shkruar, as ka për t’u shkruar. Ka për të qenë kurdoherë diçka si Guri filozofal i filozofëve në mesjetë. Në qoftë se do të ekzistonte ky libër, atëherë pas tij nuk kishte çfarë të shkruhej më.
- Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
Nisur nga rregulli i artë i Noesë, librat, ashtu si të gjitha speciet e tjera në atë varkë – ose anije kozmike -, duhet të jenë dy, dhe vetëm dy; pra, duke e qortuar paksa pyetjen tuaj vijmë te thelbi i çështjes; në qoftë se do t’i përgjigjesha, duke perifrazuar Bertold Brehtin, do të thosha se njëri syresh kishte për të qenë “Ushtari i mirë Shvejk” i Jarosllav Hashekut, ndërsa i dyti… “Ana Karenina”. Përfytyroni se çfarë çifti i mrekullueshëm!
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
Siç jeni edhe vetë i ndërgjegjshëm, për librat dhe rreth librave ka një numër të jashtëzakonshëm proverbash, do të thosha sa gjuhë ka aq edhe proverba. Ndaj për të qenë i sinqertë me ju dhe lexuesin e këtyre radhëve, edhe pse kjo intervistë është me shkrim, nuk po shkoj të rrëmih për të gjetur gjëkafshë, por i përgjigjem flakë për flakë pyetjes suaj: “Shtëpia pa libra është si trupi pa shpirt”. Është një proverb egjiptian.
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
“And the stars will be your eyes/And the wind will be my hands”. Nga Hansom Family.
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Janë shumë. Ndoshta Sherlok Holmsi dhe, a propos, është një mëkat që s’e kemi ende në shqip këtë detektiv të madh dhe babanë e tij Arthur Conan Doyle-n.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Nuk është se rend fort pas autografeve, por krenohem dhe e mbaj për diçka të çmuar një shënim nga të Kadaresë dhe një fragment nga Lumo Skëndoja që bën një porosi për libra në Itali, i cili, padyshim, është bibliofili më i madh i yni dhe njeri me një kulturë të rrallë. Një specie në zhdukje e sipër.

Google+ Followers