“Qyqet” e Nasho Jorgaqit kanë qenë në Tiranë e jo në diasporë

Mbi ribotimin e “Mërgatës së qyqeve”

 Nga Janaq Sinoimeri 
Shërbestari i qyqeve të regjimit komunist përsërit trillimin e historisë së dështimit agjenturor të bariut Isuf Mullajt, i cili u nis me detyra “zbuluese” kundër amerikanëve e përfundoi në detyra që kurrë nuk i kuptoi


Është njoftuar sëfundmi se është ribotuar një nga romanet e realizimit socialist i autorit Nasho Jorgaqi me titull “Mërgata e qyqeve”. Në këtë kohë “rilindje”, mund të rekomandohet edhe ribotimi i romanit “Këneta” i një autori tjetër në të cilin flitet për përpjekjet e “imperialistëve amerikanë” për të na sabotuar për kënetën e Maliqit. Mund të nisë po ashtu ribotimi i kolonës “Heronj të heshtur”, e kështu me radhë si fluks i realizimit të ri socialist tashmë të rilindur nën erën e re të qelbësirave. Lloji i këtyre shkrimtarëve, jetojnë në një regjim kapitalist, por duan gjithnjë të krenohen me regjimin që shkoi, atë komunist. Shqipëria sot është në një regjim të ri, nga ai që deshën ata të “mërgatës së qyqeve” së Nasho Jorgaqit. Situatë më qesharake nuk ka ku të shkojë. Asnjë presje nuk i heq Nasho “veprës” së tij, ndërsa e boton me mjetet e një regjimi tjetër. Për brezin e ri që as ia ka idenë se për çfarë “qyqesh” bëhet fjalë, po e përmbledhim me dy fjalë këtë histori. Në qendër të romanit si “hero pozitiv” është një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me profesion bari, i cili dërgohet me detyra nga eprorët e tij të depërtojë pranë “armikut” e të sjellë të dhëna rreth tij. Për Nasho Jorgaqin “armiqtë” në libër janë shqiptarët jokomunistë, antikomunistë ose jo, të cilët të “lidhur” me agjentura të huaja (për ironi sot partnerë të shtetit shqiptar) po thurnin plane për të shembur regjimin stalinist të Tiranës, përndryshe një regjim gangsterësh, injorantësh, imoralësh e hajdutësh. Çdo veprim për ta paraqitur armën kriminale të Partisë së Punës si “atdhetare”, apo “profesionale” nuk është gjë tjetër veçse himnizim për krimin dhe rivrasje e viktimave që kjo armë shkaktoi, por në vetvete edhe tradhti kombëtare. Romani bazohet gjoja në historinë e agjentit “Dushku” (njohur edhe si “Luftëtari”), por në fakt është një trillim pasi e ka shmangur tërësisht të vërtetën. Këto pseudonime i ka mbajtur një njeri që quhej Isuf (shkurt Cufe) Mullai. Gjoja “Dushku” që jetonte në Belgjikë kishte “depërtuar”në oborrin e Mbretit Zog që jetonte në Francë. Se si mund të fluturosh me mijëra kilometra, për “punë agjenturore”, këtë vetëm komunistët e romanet e Nashos mund ta shpjegojnë. Historia e Mullait ka qenë një nga dështimet e shumta që Sigurimi i Shtetit kishte në aktivitetin e tij. Por historia e tij, e treguar drejtpërdrejt apo në formën e veprës letrare të Nasho Jorgaqit që e dashuron pa masë Sigurimin për shkaqe që ai i di mirë, nuk është gjë tjetër veçse një informacion i rremë, një legjendim letrar i vlefshëm për kohën që adhuron Jorgaqi. Heroi i heshtur i Jorgaqit ka pasur tjetër mision dhe dështoi në realizimin e tij. Pavarësisht faktit se një vepër letrare nuk gjykohet për vërtetësi historike, propaganda e madhe rreth saj në vitet e regjimit të shkuar, e ka vlerësuar si një ngjarje të vërtetë dhe personazhi kryesor i saj është popullarizuar me emër e mbiemër. Për këtë arsye, të thuash të vërtetën në radhë të parë është detyrë kombëtare.
Urrejtje ndaj diasporës
Nasho Jorgaqi në këtë libër shpreh urrejtjen e tij ndaj emigracionit politik, për të cilën si duket ka dashur një fund vdekjeprurës. Shqiptarët e larguar nga Shqipëria në vitin 1944 si pasojë e terrorit komunist ishin nga njerëzit më të mirë që kishte vendi. Ata shkuan në Perëndim për të gjetur atë liri që komunizmi jugosllav e sovjetik u mohoi në vendin e tyre. Nasho ka dashur t’i shohë të vdekur nisur nga parimet e luftës së klasave dhe urrejtjes vijuese ndaj “armikut të klasës”. Nëse do quajmë gjithë shqiptarët që kanë qenë jashtë vendit si “qyqe”, p.sh. i tillë mund të ishte Fan Noli, atëherë standardi i Jorgaqit shkon më shumë se kaq.
“Qyqet” ishin në “Bllokun” e Tiranë
Jorgaqi ka qenë gjithnjë një shërbëtor letrar e propagandistik i qyqeve komuniste të Tiranës. I atyre që e kthyen Shqipërinë një vend të varfër e pa asnjë lloj shprese e lidhje me botën e qytetëruar. Mjafton të lexosh komentet e të huajve për gjendjen e vendit e do kuptosh se në çfarë derexheje e kishte degdisur vendin udhëheqja komuniste e vendit. Shqiptarët nën regjimin e qyqeve të “Bllokut” portretizohen si njerëz të rreckosur, të uritur, etj, që krahasoheshin vetëm me vendet afrikane. Zaten një regjim i tillë, me triska e nisi e me triska e bitisi. Shqipëria ishte një vend i mbyllur ku jetonin qyqet e “Bllokut”. Ishin këto qyqe, kriminelë lufte, njerëz ordinerë që vranë e prenë shqiptarët, që i vodhën çdo gjë, që burgosën, që i larguan nga shtëpitë e tyre, etj. Ndërsa “qyqet” e diasporës shijonin lirinë e Perëndimit dhe kërkonin që kjo liri të vinte edhe në Shqipëri. Ajo që kërkonte “mërgata e qyqeve” u realizua në fakt në vitin 1990, pasi regjimi i qyqeve të “Bllokut” u shemb.
Isuf Mullai, bariu që do merrej me spiunazh
Materiali i mëposhtëm është i bazuar në dokumente autentike të kohës të cilat e nxjerrin lakuriq dështimin agjenturor të bariut Mullai. E vërteta është se regjimit i duheshin figura revolucionarësh e heronjsh të heshtur në mënyrë që të nxiste spiunllëkun e lejfenizmin te njerëzit e dobët. Me romanin e tij Nasho jo vetëm që ka dashur të denigrojë diasporën, por edhe të shërbejë se model frymëzimi për armatën e spiunëve të rinj. E vërteta është krejt ndryshe pra. Kush dëshiron të dijë të vërtetën, le të mos harxhojë kohë me fantazitë dhe lëvdatat e Nasho Jorgaqit. Në një përmbledhja informative përpiluar më 4.9.1961 nga punëtori operativ që mbante në lidhje atë moment nga Parisi, H.L, bëhet një përshkrim i jetës së Mullait deri kohën kur shkruhej. Më parë “Dushku” lidhje me Llambi Peçinin, i dënuar më pas si “armik i partisë dhe i popullit”.
Isuf Mullai “do ia kallte amerikanëve”
Isuf Tefik Mullaj, lindur më 1925 në Fushë Bardhë të Gjirokastrës, me profesion bari. Është qesharake t’u thuash sot p.sh. zbulimeve të huaja që një bari i pashëtitur e kultivuar paska marrë vesh menjëherë punët e agjenturizmit. Deri në vitin 1937 ai kishte mbaruar arsimin fillor. Më 1939 kishte ndërprerë mësimet e mëtejshme. Deri në vitin 1944 ishte marrë me kultivimin e blegtorisë duke ruajtur dele e dhi. Familja e tij vjen në Tiranë me mbarimin e luftës. Menjëherë në vitin 1945 mobilizohet ushtar. Në vitet 1946 – 1947 kryen një kurs specializimi në Jugosllavi dhe pas kthimit shërben si radist kapter në marinë. Po këtë kohë është pranuar anëtar i Partisë Komuniste për t’u përjashtuar në vitin 1949 për “fshehje biografie”. Gjatë shërbimit në ushtri kishte mbajtur qëndrim të mirë politik. Në vitet 1950 – 1954 Mullai punon në stacionin meteorologjik të Gjirokastrës. Prej këtu rekrutohet si hero i heshtur. Në raport propozimin e kohës thuhej se drejtimi i punës së tij do të ishte baza amerikane në Munih të RFGJ-së. Pastaj në planin tjetër shtoheshin edhe bazat e emigracionit shqiptar në Greqi. Propozimi i datës 10.7.1954 fillonte me fjalët: “Me qëllim që të penetrojmë në bazën e spiunazhit amerikan në Munih të Gjermanisë Perëndimore, propozojmë të rekrutojmë informator kandidatin e mësipërm”. D.m.th. ky u përzgjedhur do ia hidhte shtetit amerikan dhe do “zbulonte” çfarë bëhej në Munih. Akoma Sigurimi nuk e dinte se kjo kompani praktikisht ishte mbyllur dhe nuk funksiononte. Kaq i “informuar” ishte Sigurimi ynë. “Kështu në baza patriotike rekrutohet më 5.9.1954. Lëshoi deklaratë bashkëpunimi. Që nga kjo kohë e deri sa u largua nuk ka dhënë ndonjë të dhënë me rëndësi” – thuhej në raportin e vitit 1961. Më 6.8.1955 ishte hedhur në arrati nëpërmjet Greqisë. Kishin dijeni për arratisjen e tij, babai dhe kunati. Por në vitin 1957 në Shqipëri ishin hapur lajme se Isufi ishte arratisur për hesap të Sigurimit.
Kishte përfunduar në kampin e Llavrosit në Greqi. Aje edhe kishte punuar. Përpara organeve greke kërkoi të emigronte në SHBA, por kërkesa nuk ishte pranuar pasi kishte qenë komunist dhe amerikanët nuk i pranonin këto. Gjatë kohës që ishte në Greqi u kishte dërguar dy letra familjes e dy informacione pa rëndësi Në janar 1957 largohet për në Belgjikë. Këtu fillon punë si minator qymyrguri. Nga sigurimi ishte marrë në lidhje në Bruksel më 22.9.1957. Vlerësohej se kishte dhënë informacion të mirë për emigrantët Resul Bizhga, H.Merolli dhe përgjithësisht për gjithë emigracionin në Belgjikë. I frikësuar nga kjo punë, pa mbushur vitin në mars 1958 kërkon kthimin në Shqipëri.
Shënime për “Dushkun”
Në një raport të datës 7.3.1958 për pas takimit të punëtorit operativ me “Dushkun” thuhej: “Një gjë u konstatua në takimin me të, ai kërkon të kthehet. E paraqiti jetën në mesin e reaksionarëve si shumë të mërzitshme dhe se do ishte më mirë të kishte marrë edhe familjen me vete…Tha se nuk i ishte thënë se do qëndronte kaq gjatë”. Në një relacion të datës 15.5.1959 të punëtorit operativ Myslim Sinoimeri, relatohej mbi takimin që ai kishte bërë me Dilaver Pinderin në Bruksel më 2 – 4 maj 1959. “Dushku” ishte pa punë dhe jetonte me asistencën e shtetit belg. Ai punonte si sekretar privat i Ibrahim Bamit dhe në komisionin shqiptaro – belg kishte zëvendësuar Rexhep Kumbarçen. Përveç këtyre dy të fundit, “Dushku” kishte detyrë të përpunonte Muharrem Bajraktarin e Fiqri Dinen. Pjesa më qesharake pastaj është takimi i qershorit 1959 te Mbreti Zog, kur “Dushku” do shkonte me disa të tjerë. Sigurimi i vë aq detyra saqë një vizitë nuk mund të konsumojë asgjë. Kërkohen të dhëna “të hollësishme për Zogun, familjen dhe rrethin e tij, jetën dhe aktivitetin e secilit, pse Zogu dhe e shoqja kishin nxjerrë në shitje kurorën mbretërore dhe sende të tjera të çmueshme”, etj. kërkohej të pyetej pse “kishte rënë ngushtë Zogu”. Naiviteti komunist shkon aq gjatë saqë aludohet se me kurorën që do shesë Zogu do subvencionohen aktivitete kundër Shqipërisë komuniste. Nuk mund të bënte absolutisht asgjë. Shërbimi sekret belg e merr në pyetje dhe i kërkon hollësi biografike. Më e bukura është se nuk ka raportuar asgjë se çfarë ka parë aty, gjë që vë në dyshim a ka ndodhur ajo jo kjo vizitë. Në vitet 1959 – 1961 “Luftëtari” ka ardhur vetëm dy herë në Paris për të dhënë informacion pranë rezidenturës sonë atje. Ndërlidhjen “Luftëtari” e bënte me laps blu. Ai shkruante nga Belgjika në adresën “M.Skuka. Belgjikë”. Letrat i dërgoheshin “Gani Skukës. Shëngjergj Tiranë”. Në rast se do vinte si “diversant” duhej të komunikonte me kryetarin e degës së punëve të brendshme të rrethit përkatës me fjalët “Jam “Dushku”, lajmëro ku duhet”. Ai dinte radiotransmetuesin, por e kishte harruar. Takimet duhej t’i bënte një herë në muaj në Bruksel, por në të shumtën e rasteve, ndërlidhësi nuk paraqitej. Parulla ishte: “Cili ujë është më i ftohtë, i kroit të Mollës apo i Thethit”. Ndërsa kundërparulla: “Ujin e Thethit nuk e kam provuar, por di se ujët e kroit të Panjës është më i ftohtë”. Pas kësaj vazhdonte komunikimi në formën:
-Operativi: Nikoliçi jeni ju?
-“Dushku”: Po unë jam Nikoliçi
-Operativi: Unë jam Piksi?
Mullaj mendohej të bëhej rezident grupi.
Në vitin 1964, (tashmë) “Luftëtari” sulmohej nga të arratisurit e tillë si Rexhep Aliu, Ramadan Ismaili, Gjon Mala të cilët e thoshin hapur se ai ishte i Sigurimit. Për këtë arsye në fund të vitit 1964 jepet urdhri që ai të kthehet në atdhe nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris. Më 7 dhjetor 1964, agjenti kthehet në atdhe, ndërsa me anë të një raporti sekret, ministri Kadri Hazbiu kërkoi nga zëvendëskryeministri Beqir Balluku që ai të dekorohej me “Urdhrin e trimërisë”, dekoratë e cila iu dha më 30 qershor 1965 në zyrat e Zbulimit Politik nga Zoi Themeli. Ndryshe nga shumë të tjerë, Mullai u legalizua, d.m.th. u bë i njohur për popullin. Dështimin që kishte pasur si agjent duke mos hyrë dot në Kompaninë 4000 në Munih si dhe duke mos depërtuar në SHBA, propaganda e mbuloi duke thënë se misioni i tij kishte qenë pranë Mbretit Zog. E njëjta propagandë serviret nëpërmjet ribotimit të romaneve objekt i këtij shkrimi, si zgjatim i agjitacionit komunist.

Google+ Followers