Poezia vdiq! Rrofshin…poetët!

Nuk është se poezia shqipe ka pasur ndonjë periudhë shkëlqimi të dukshme, por sidoqoftë, pas bejtexhinjve me frymë otomane e deri në fillim të viteve nëntëdhjetë ajo, edhe ashtu modeste siç ishte, e ka ruajtur një lloj vetëpërmbajtjeje, e ndoshta edhe dinjiteti. Në një kohë të largët, turma pafund bejtexhinjsh eunukë, krijuan një tallava vjershërimi, e cila u quajt me zhargonin,”bejte”. Ky model me origjinë nga bokërimat aziatike, edhe pse nuk kishte asgjë të përbashkët me temperamentin dhe botën shpirtërore të një populli mesdhetar, pak nga pak, për fatin e keq, u bë sundues, ashtu si feja apo kultura otomane.
Kjo ndodhi, veç tjerash edhe për faktin se poezia shqipe, nuk kishte traditë të spikatur, dhe me vërshimin e “hordhive” të bejtexhinjve, ajo u gjend në diktatin e një vjershërimi që nuk rrezatonte vlera, por një mënyrë të të kuptuarit të botës krejt të gabuar, e cila deformonte shijet estetike ndaj artit poetik. Pas kaq shumë kohësh, kjo traditë e kaluar do kishte vetëm vlera historike, por në fakt nuk është tamam kështu. Mund të duket paradoksale, por ajo që po ndodh me poezinë shqipe të pas viteve nëntëdhjetë, të kujton po atë kohë. Poezia shqipe në Shqipëri, Kosovë Maqedoni, Mal të Zi e kudo në diasporë, nëpër rrjetet sociale, apo dhe botimeve, është duke përjetuar një “zhvillim” të çartur, jo thjesht me vlera të dyshimta, por absolutisht pa asnjë vlerë.
Duke anashkaluar lirshmërinë dhe shpejtësinë që mundësojnë rrjetet sociale, mund të themi se nëse do të duhej që turmës së pafund të bejtexhinjve të shekullit XXI, t’u kërkohej që vargjet e tyre t’i shkruanin, le të themi me laps dhe letër, pa asnjë dyshim ne do kishim shpëtuar nga gjysma e tyre. Duke anashkaluar koston zero të rrjeteve virtuale, nëse do të duhej të mendonim një çast se për të shkruar vargëzimet e tyre, do të duhej, le të themi një kitarë, piano apo violinë, ne do të kishim shpëtuar nga 99 përqind e kësaj turme.
Absolutisht askush nuk mund të qortohet, nëse e kap dalldia që të bëjë “art”, tek faqja e tij virtuale, por mëkati është se tej një forme të shkruari absolutisht jo poetike, ajo nuk është as e shkruar shqip. Këta zhgarravitës të gjuhës shqipe, nuk dinë të shkruajnë asnjë fjalë saktë, madje nuk dinë as sa gërma ka gjuha ku vargëzojnë. Sidoqoftë, nëse kjo dukuri do të mbetej brenda kuadrit virtual, do të ishte e keqja më e vogël.
Do ishte e keqja më e vogël, nëse dikush do ju thoshte, vazhdoni e llomotisni aty, duke krijuar një barrierë të pakalueshme që ky produkt të mos gjente shtigje të tjera për të shkuar më tej. Ne jetojmë në një shoqëri të lirë, ku gjithkush ka të drejtë të nxjerrë në treg gjithçka, po askund nuk ndodhë që dikush të kapë një cep për të shitur domate, qepë, a kunguj të kalbur, siç bëjnë sot e gjithë ditën turma e bejtexhinjve të poezisë shqipe. Më tej, duke mos pasur asnjë pengesë, asnjë lloj kërkese, jo ndaj cilësisë, se ky është një luks po ta kërkosh, por edhe ndaj normave më elementare, bejtexhinjtë e ardhur nga bota virtuale, e cila nuk ka asnjë ndryshim nga bokërimat e perandorisë osmane, vërshojnë nëpër shtëpitë botuese, dhe këtu ndodh vrasja përfundimtare, e dokumentuar dhe zyrtare e poezisë.
Ndërsa ke ndjekur lloj-lloj lajthitjesh të vargëzuara në rrjetet virtuale, të cilat natyrisht që nuk i ke marrë seriozisht, tani e në vijim do të duhet që nëpër stenda të shikosh ata pra, vargëzuesit e rrjeteve sociale që kanë dalë në treg me librin e parë poetik, të dytë a të tretë. Nga ky moment, poezia jo thjesht ka vdekur, por ajo është kthyer në versionin e vet më qesharak. Ndërsa në hapin e reklamimit të vargëzimit mes rrjeteve sociale, të gjithë janë të lirë të masturbojnë pafundësisht me “artin” e tyre, në hapin e dytë, kur ata hidhen në treg mes “vëllimeve poetike”, ata përdhunësisht masturbojnë dhe me shijet e të tjerëve.
Ndërsa në hapin e parë, ata janë të vetëm në ndërmarrjen e tyre, pra janë dhe të vetmit fajtorë, në hapin e mëvonshëm, nuk janë më fajtorët e vetëm. Dalldinë e tyre për t’u bërë poetë, shtëpitë botuese e kthejnë në letër e libër, thjesht për arsye financiare. Po nëse hapi i parë, pra hedhja në rrjetet sociale, mund të anashkalohet, botimi i vargëzimit virtual pa asnjë vlerë është e patolerueshme në një shoqëri që kërkon të ecë drejt vlerave të vërteta. Askush nuk e di se ku gjendet kjo kurajë botimi prej tyre, por ajo që dihet me saktësi është se lexuesi në stenda librash mund të zgjedhë mes Nerudës apo Migjenit, mes Gëtes apo Lasgushit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, turmës së pafundme “të poetëve”, dalë nga zgëqet shterpe të rrjeteve sociale. Po e keqja nuk mbaron këtu.
Pas dy etapave, vjen faza e tretë, ku kjo turmë vargëzuesish bëhen agresivë, trimërohen nga librat që botojnë. Si në asnjë stinë më shterpe për poezinë e vërtetë se kjo stinë, sot janë krijuar sa e sa shoqata me ca emra të çuditshëm, të cilat organizojnë pafundësisht takime me “poetë nga e gjithë bota”, pra edhe nga katundet tona, ku jepen ca çmime po kaq qesharake, për ca vargëzues që nuk i ka lexuar askush. Në pamje të parë, duket se ky është triumfi i këtyre vargëzuesve, por e vërteta është se takimet poetike, janë dhe kurthi ku ata bien padashur. Dhe kjo jo thjesht se në këto “takime poetike”, absolutisht nuk marrin pjesë poetë, jo vetëm se aty nuk flitet për vlera, jo vetëm aty gjithçka i ngjan ritit të një konkursi bostani që zhvillohet diku në një katund të Shqipërisë së Mesme, por në këto takime absolutisht jo poetike, ata e kuptojnë se gjithçka e krijuar prej tyre, rikthehet komikisht tek vetë ata. Ata e kuptojnë se askush nuk mund t’i lexojë ata. Ata e kuptojnë se gjithçka që kanë vargëzuar, nuk ka asnjë vlerë për askënd. Në kushtet e një ndrydhjeje të artit poetik, do të ndodhte që të paktën poezinë ta lexonin vetë poetët. Po nuk ndodh as kjo, por ndodh më e keqja.
Poezinë nuk e lexojnë as vetë vargëzuesit, ata pra që mbushin sallat e tubimeve në takime “ndërkombëtare poetësh”, sepse sapo kthejnë krahët, tufat me vëllime vargëzimesh flaken tej. Ky është çasti që kjo mënyrë e të bërit poezi, hakmerret pa mëshirë ndaj autorëve të këtij tipi, duke u treguar atyre se ajo që kanë shkruar deri tani, jo vetëm që nuk vlen për të tjerët, jo vetëm që nuk vlen as për vetë ata, por duket se ajo i bën edhe me turp. Si përfundim mund të themi se, pasi kanë vargëzuar pa fund vargje në rrjetet sociale, pasi kanë përdhunuar shijen e lexuesit për poezinë me botimet e tyre, pasi kanë tubuar nëpër takime poetike pa poetë, e pra pasi i kanë bërë të gjitha këto, është koha ta kuptojnë se ajo që kanë shkruar, në fund të fundit gjithçka mund të ishte, por jo poezi.
Vërtet që askush nuk ka të drejtë t’i thotë dikujt tjetër nëse ai duhet ose jo, të mendojë e të flasë poetikisht, madje dhe në rrjetin e tij social ku gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë. Por kur është fjala për të marrë guximin e të ofrosh broçkulla mes botimeve, është koha që të thuhet ndal. Llomotisni çfarë të doni nëpër rrjetet tuaja sociale, por mos dhunoni shijet e të tjerëve me librat tuaj që nxirrni nëpër tezga, sepse kështu ju e vrisni poezinë e vërtetë!

Google+ Followers