POEZI NGA ZAI FUNDO

EUROPIANI I VRARË

Nga Visar Zhiti


Llazër (Zai) Fundo (1899-1944)

E pushkatuan në shtator të vitit 1944, s'dihet në ç'ditë, në kulmin e burrërisë, 45 vjeçar... pasi e kishin torturuar egërsisht... ia thyen eshtrat me porosi të diktatorit të ardhshëm, Enver Hoxha. Nëse 7 dekada më parë e nxorrën nga jeta, është detyrë ta sjellim në kujtesën tonë kolektive. Ndërkaq gjallërojmë një aspiratë, një porosi të hershme. Shqipëria është në Europë jo vetëm prej hartës, sado të vjetra qofshin ato, por prej qytetarëve të saj, të luftëtarëve dhe martirëve.
Po kush ishte ai që vranë në atë shtator të hershëm? Zai Fundo. Dhe ja ç'tregojnë bashkëvuajtësit e tij.
1- "Të dëgjojmë" prof. Safet Butkën: Në Ventotene ishte i internuar edhe një profesor korçar me emrin Llazar Fundo, pra ortodoks. Në fillim ky ishte komunist, sepse e quante komunizmin shpëtim të njerëzimit dhe model të barazisë e të humanizmit. Mirëpo, kur vajti në Rusi dhe e pa me sytë e tij se ç'ishte në praktikë komunizmi, i shkroi një letër Fan Nolit: 'Pandeha se komunizmi ishte si Krishti, por ai qënka më i keq se djalli'. Qysh prej asaj kohe ai u bë një antikomunist i vendosur, po aq sa ç'ishte dhe antifashist i betuar. Në Ventotene u bëmë miq.
2- Një portret të Zai Fundos, dëshmi të shkëlqyer dhe të dhëmbshme, copëza jete, na jep një tjetër mik i tij, ideatori i Europës së Bashkuar, federalisti italian Altiero Spinelli, në autobiografinë "Si provova të bëhesha i urtë": E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, po edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte krijuar lidhje me jo pak kundërshtarë të Stalinit...
Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Ndërkaq shëtiste i qetë, i bukur e i drejtë, me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi... Pas 8 shtatorit kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Lazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s'ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton?

3 - Të kujtojmë Llazar Fundon... Shkurt, Ai i përkiste një familje tregtare, me origjinë nga Voskopoja, lindi në Goricë të Korçës më 20 mars 1899. Studio në Liceun Francez në Selanik dhe pastaj për drejtësi në Sorbonë, në Paris. Kthehet në atdhe si jurist, futet në shoqërinë "Bashkimi" dhe pas vrasjes së Avni Rustemit, zgjidhet kryetar i saj dhe drejton gazetën me të njëjtin emër të shoqërisë. Kur ra qeveria e Nolit më 1924, Fundoja - 25 vjeçari që gëzonte respekt të madh, bashkëpunëtor aktiv me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin, etj, mërgoi në Itali, Austri, Gjermani, Francë, Rusi. Në Vjenë u lidh me Federatën Komuniste Ballkanike, ku bënte pjesë dhe KONARE-ja dhe Komiteti për Kosovën. Më pas shkoi në Bashkimin Sovjetik, diplomohet për filozofi në Moskë, jep leksione në Leningrad dhe anëtaroset në Komintern. Interesohet për krijimin e një partie komuniste në Shqipëri dhe punon për grupin komunist të Korçës.


Më 1933 shkon në Gjermani, shok me Dimitrovin dhe... pas akuzës, largohen për në Bashkimin Sovjetik ai gruaja me të cilën bashkëjetonte, znj. Maria Margaretha Stemmer. Ndikon shumë në vullnetarët që do të shkonin në Luftén e Spanjës. Pasi del kundër Stalinit, Kominterni e dënon me vdekje. Kthehet në atdheun e sapo pushtuar nga Italia. Zai Fundo i ndërpret marrëdhëniet me Partinë Komuniste dhe Kominternin, afrohet dhe bashkëpunon me nacionalistët shqiptarë. Nis punën si mësues gjimnazi, por pas një viti hiqet për shkak të veprimtarisë së tij antifashiste dhe internohet në ishullin famëkeq Ventotene. Atje do të jetë me bashkatdhetarët e tij, me intelektualët e njohur Safet Butka, Muzafer Pipa, Isuf Luzaj, me Kryezinjtë e Kosovës, etj, por dhe me ideologët italianë të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, Ernesto Rossi, me të cilët Zai, bashkë me mikun tjetër të tyre Stavri Skëndo, hartuan Manifestin e njohur të Ventotenes, "Për një Evropë të lirë dhe të bashkuar...", që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës.
Pas rënies së fashizmit Sandro Pertini e mbështeti vëllazërisht Zai Fundon që të rrinte në Romë, ta vazhdonin së bashku luftën, por ai vendosi të shkonte në një tjetër shesh-beteje, në atdhe, u bashkua me vëllezërit Kryeziu dhe me misionin britanik në Malësinë e Gjakovës. Por aty, në Bytyç, në shtator të 1944 kapet nga partizanë jugosllavë dhe i dorëzohet komunistëve shqiptarë, që e dinin për trockisht. Në Kolesian të Kukësit e pushkatojnë menjëherë, me panik të madh. Kishte shpëtuar nga kthetrat e Stalinit, të Duçes dhe të Hitlerit, por nuk mundi dot t'u shpëtonte atyre mes të cilëve erdhi të vashdonte luftën për atdhe, bashkatdhetarëve.
Duke vrarë Fundon, ata vranë qysh në fillim filozofinë për një Europë të Bashkuar, mëndësinë, atë ndjesi ku paska patur dhe shqiptarë që paskan lënë një gjurmëz drite. Por po të shtyhemi më thellë, në Rilindjen europiane, do té gjejmë dhe beteja për Europën...
Në nderim të Zai Fundos, të asaj çka ai përfaqëson, përkthyem këto poezi të tij nga italishtja, të gjetura nga profesori italian Giovanni Falceta, hulumtues pasionant i jetës së Zai Fundos. Në këto poezi ka mall atdheu dhe hapësirë euroaziatike, shpesh autori nuk përdor shenja pikësimi si surealistët...



NGA MËNGJEZI 
NË MESNATË 

Nga mëngjezi në mesnatë 
kur dremit i tërë qyteti 
për tokën mëmë mendoj 
Më trallis ajo... të gjithin... 

Zëmrat tona patriote 
shpata u bënë për Shqipërinë 

Prandaj larg atdheut, 
ndjej një angushti të madhe 
Dhe ja pse shkruaj 
për të nxjerrë nostalgjinë 
që dallëndyshen e Shirokës 
ma sjell kaq të zjarrtë... 
larg në Korçë, ma dërgon 
në shtëpi tek të afërmit 

sepse zëmrën e kam Korçë 
vetëm trupin - Paris. 

PER VDEKJEN E 
TIM ETI 

Mëngjes mbytës më duket 
dhe zemra më ther 
dihat 
Nga Korça mbërrin lajmi 
babai im i dashur nuk jeton 
babai im kaq i mirë 
tani s'do të jetë më me ne 

dhe unë që shumë të desha 
nuk kam mundësi të të hedh një grusht dhé 

Eci nëpër rrugën e gjërë 
në këmbë, pa një drejtim, 
atje sipër, kujtohem, im atë është zhdukur 
nga sytë dhe zemra më rrëshqasin lotë 
përzihen njerëz karroca makina 
por unë asgjë s'dalloj përreth 
babanë tim e mbështjell toka sot 
ky shpirt në heshtje vuan, 
nuk të kam parë prej vitesh baba 
larg andej-këtej në mërgim 

dhe nëse ballin nuk munda të ta puth 
përulem me nderim nga këtej. 

PËR TY E... 

Bionde elegante 
trupi i drejtë qiparis 
sytë lëshojnë shkëndija 
sytë e tu të mëdhenj. 
Më sheh në bebëz 
ndërsa pi gotën me liker 
s'të dalin fjalë nga goja 
veçse sheqer e mjaltë. 
Sa ndjellës manikyri 
në ato gishta kaq fine. 
Me asgjë nuk do t'i këmbeja 
edhe mbret po të më bënin. 
Teksa flasim orë dhe orë 
s'e ndjej kohën që rrjedh 
vetveten brenda teje 
aty e gjej gjithmonë 
dhe bredh nëpër botë 
nga një vënd në tjetrin 
me vete mbaj si suvenir 
diamantët sytë e tu. 

FALEMINDERIT 
ZARATHUSTRA 

Ndjehem i këputur 
si ariu që shtriq putrat 
Në mëndje më vijnë fjalët 
"Kështu foli Zarathustra" 
Shkoi ai andej lart në mal 
mbi shkëmbinj e troje guri 
Po përse e le kënetën 
o i madh Zarathustra 
po përse e lëmë atdheun 
zgjohemi e flemë si hajdutë? 
Sa më pik ky zë misterioz! 
Kështu foli Zarathustra 
Të mos zvarritemi si lypsa 
në llum dhe në vënde përulëse 
duke u ngushëlluar me fjalët 
"Kështu foli Zarathustra" 
dhe një dorë e fortë 
më ngre lart me forcë 
Tungjatjeta Zarathustra 
mirësevjen Mbinjeri. 

AVNI RUSTEMI 

Ti ngrihesh kaq superb 
dhe përballë na shfaqesh 
më i lartë për ne 
se kjo kulla Eiffel. 
Dhjetë vjet, Avni, kaluan 
që kur s'je, por ti jeton 
ato fjalë mbi varr 
më janë gdhëndur në zemër... 
Mbi ty ne u betuam 
s'do qëndrojmë pa u hakmarrë, 
Dhjetë vjet në mërgim, 
jo, Avni, nuk janë pak 
Dhjetë vjet në mërgim 
Dhjetë vjet që ti s'jeton… 
Ëndrra e madhe për atdhenë 
na mban në jetë na lumturon 
U betuam mbi varrin tënd 
u betua Shqipëria, derdhëm lotë 
Bashkë me ne dhe Shkëlqesia* 
Nuk harrojmë premtimet 
që bëmë të gjithë 
mbi Tokën Mëmë fuqi do të mbetesh 
fli i qetë, mik i dashur. 
___________ 
* Fan Noli 

DIMËR NË MOSKË 

Bora me flokë të dëndur mbulon 
kupolat e Kremlinit 
ky peizash i bardhë, i kristaltë 
më çon në Korçë larg 

fëmijë, atëhere, 
luanim me topa bore 
nuk e dinim që matanë, përtej 
kishte ditë si këto, dimërore, 
dhe ulërin e shfryn Veriu 
fyelli i bariut meket, 
gjithandej në mbretërinë e stepës 
zbardhëllon nata e dimrit. 

Oh, e largët, sa e largët Shqipëria 
zemra më derdh gjithë atë mall 
kur rrëshqas mbi borën e ngrirë 
befas arrij në Korçën e kujtimeve. 

Moskë 1930 

KUJTOJ TOKËN MËMË 

Vetëm stepë, syri sheh 
qiellin tej, lejla. 
Larg nga atdheu 
S'e di ç'dua në Mongoli. 
Kuajt duke galopuar 
hingëllijnë vazhdimisht 
dielli si një furrë 
përflaket humnerave të reve... 
Syri sheh 
lopë, dele, dhi 
Kujtoj atdheun 
larg në Mongoli 
Me një krrabë të gjatë 
vrapon një bari 
kullot kopetë 
si në Shqipëri. 

Përktheu nga italishtja A. V. Zhiti

Google+ Followers