Oj Zanë, t’këndojmë…

Në përpjekje për t’i kënduar flamurit e atdheut, si ndjesi dhe totem i fjalës së muzikuar himni shqiptar njeh jo pak peripeci, por dhe angazhim të frymëzimeve më të larta nga personalitete të letrave. Më poshtë janë disa shembuj. Për këtë tufë nga poezi dedikuar flamurit në rrekjen për t’ju afruar ndjesisë së atdheut në një himn, një përpjekje e vështruar nga libri “Simbolet kombëtare” nga Dr. Hysni Hoxha.



Oj Zanë, t’këndojmë…


Mi flamurin t’onë
Ioan Barsan

Mi flamurin t’onë është shkruar bashkim,
Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.
Në luftën e rëndë trembet ay,
Që vetë është mëndje – arratisur,
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.
E armatosmë dorën t’onë
Që të mpruajmë një vënd të shtrenjtë,
E drejta jonë është zotëronjëse,
Dhe qëllimi ynë i shenjtë.
Dhe në librën e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin,
Po Rumanija jonë e shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë.


Betimi mi Flamur
Asdreni

Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshirë-e një qëllim,
Të gjith’ atij duk’ ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t’i mbajmë,
Të mprojmë-atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat t’ona ne s’i ndajmë;
Ketu armiqtë s’kanë vënt.
Se Zoti vet tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipërija do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shënjë- e shenjtë
Tek ty betohemi këtu
Për Shqipërinë atdhen’ e shtrenjtë,
Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.
Trim burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet’ ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor.


Flamurit
Hilë Mosi

Në luftë, flamuri i Shqipërisë,

Se vdekjen s’e druam aspak!
Si etrit tonë t’Ilirisë,
Sot duam t’skuqnim Ty me gjak.
Flutro në luftë shpesh, i lirë,
Se mjaft ti hoqe robëri!
Sot kombi ka veç· një dëshirë;
Të t’shoh’t’valoç i lir’ n’ajri!
Përpara, ti në çdo përpjekje
Na shpje, se pas ti ne na ke!
Na shpje në më të nderçmen vdekje,
Ta bëjmë Shqipërin’e Re!
Në gjak ti, shqipe, je mësuar,
Të kuqen ngjyr’ andaj e do;
Kështu na duam për të ngjyrtuar
E mbi gjak ton’ lirisht valo!
E kur, moj shqip’e zezë ngjyer,
Atdheu me gjak të ketë larë
E turpin tënd ta ket’shpërblyer,
Hiq zin’e vishu ti në ar’!
Ahere mos harro dëshmorët!
Gëzoji për të fundmen her’!
Ahere do të vin’ arbrorët ,
Do të lartsojn’ plot lavd e nder,
(“Zani i atdheut”, 1913, “Rilindja”, Prishtinë, 1972)


Flamuri Kombtar
Aleksandër S. Drenova

(Fragment)
Ngjyr’ e kuqe si e zjarit
Dhe shqiponja me dy krerë,
I qendisur me fill t’arit,
Gjer’ e gjatë bukur prerë.
Qindra vjete kanë shkuar,
Dit’ të zeza e plot me zi,
Po ty fama s’t’është shuar,
M’gjith q’u-trete,·u bëre hi.
Ti je yll’ i mirësisë
Edhe engjëll’ i shpëtimit,
Se ti i dhe djelmurisë
Lulen bukur të Kujtimit.
Ndënë ty pra djelmuria,
Me dëshirë e me shpresë,
Do të luftonjë, që Shqipëria
Të rojë e të mos vdesë.

(“Vepra të zgjedhura”, Enti i botimeve
shkollore i RSS, Reparti – Prishtinë 1969)


Vlora, Vlora!
Ali Asllani

Rroka armët,·sheshit dola,
milion dyzetve u fola:
a do hiqeni si miq,
a na prisni si armiq!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
Rroka armët e u turra …
këtu burri vlen shtat’ burra!
Andej ishin mizë e lisit,
këtej ishte lulja e fisit!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
Jasht’! – i thashë, i thashë, i thashë,
nuk dëgjoi dhe unë i rashë.
Ai iku mori denë,
nami im po mori dhenë!
Ai kish dhe ish pajisur
që në fill e në gjëlpërë,
kurse unë – i plagosur -
gjakun s’kesh me se ta zërë!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
Jam vlonjat dhe kryelartë,
di të bëj luftë me të shtatë,
a me hir a me pahir
doemos do rroj i lirë!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
1920
(“Naim Frashëri”, Tiranë 1973)


Hymni i flamurit
Fan S. Noli

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.
Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani;
Flamur i math për Vegjëli
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Me Skënderben’ u-Iavdërove
Dhe në furtunë i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.
Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze, u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.
Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.
(“Albumi”, Prishtinë 1968)


Flamuri
Mihal Grameno

ç’të jetë vallë ç’të jetë vallë

Q’e ndezë kaqë Baba Tomorë
M’Adriatikun që i bën ballë
Dhe buçimë lëshoj në Vlorë?
As nga gjëmimet as shkreptimet
Nuku ish shkundur kaq shumë dheu
As nga lumenjtë me oshëtimat
Që kur se rronte vet Skënderbeu!…
Është flamuri, flamur·i vyer
Me shkab të zezë e dykrenar
se i ardh dita për t’u mbërthyer
Mbi tek të tij fodull trimnor!
…………………………………………………
Pesë qint vjet durove zgjedhjen
Me pranga lidhur hekur zinxhir .
Armiqtë gjithë kërkonin vdekjen
Për ty o flamur shpirt xhevahir!
Po Zoti kurrë nuk kish thënë
T’humbasë yll’i trimërisë
Po të kish rojtur e të kish lënë
T’i valosh prapë sot Shqipërisë!…
Se mbajmë emrin, emrin Shqiptar
Jemi me falur dyke betuar
Që do të mprojmë nga çdo barbar!
Rrofsh edhe rrofsh flamur i vyer
Më bijt’e tu gjith në gëzim
Rroft! Edhe PIaku që t’pat mbërthyer
Për-jetë mbete pasqyr’ kujtim!
(“Vepra”, “Rilindja”, Prishtinë 1979)


Poezi e shkruar nga Murat Toptani (1866-1917) dhe muzikuar nga Thanas Floqi, të dy firmëtarë të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Në jetëshkrimin e vet ky i fundit shprehet se asokohe “…e këndonin përditë në Vlorë” dhe më poshtë ka shprehur keqardhjen që “…s’e përdorën për himnin e flamurit tone”


O flamuri i Shqipërisë
Murat Toptani

O flamur i Shqipërisë
Ti je ndera e gjaku jonë,
Sot u ngrite në Vlorë
Udhërrëfyes i trimërisë.
Mbi ty Shqipja hapi fletët
U bashkue Shqipëria,
Qoft’ e lirë si ti përjetë,
E madhnoftë Perëndia.
Sytë e dielli të lëshojnë rreze,
Shqipnin’ anembanë shiqoje,
Prej Tivari e te Preveza,
Shpjet hap krahët edhe mbroje.
Shqipe ngreje djelmenine,
T’ipet zani e kushtrimi,
Se armiqtë e Shqipnis’
E shkelne, burra ku ini!
Merr, Flamurin ndër thoj, shqipe,
Gjith’ trimnija të vrullojë,
Përmbi male, brigje, hype
Kufinit jasht’ anmiqt’ dëbo!


Himni i Ernest Koliqit u shpall fitues me pseudonimin Le jeune Clarion, në konkursin e zhvilluar për një Himn të ri Kombëtar, më 1922

Hmni
Ernest Koliqi

Shkrepi në qiell rrezja e liris
Himë sot n’nji jetë të ré;
gzoni, ju dëshmorë nën dhé:
gjaku i juej nuk u derdh kot.
Çou, ti Ora e Shqipënis,
çou e prîj kombit përpara
n’a fal ti fate mâ të’ mara
ênd për né mâ të lumin mot.
S’na e tutë’ synin kurr né Deka;
shuehna të’ gjith për jet të Shqipnis:
vorri asht djepi i lumenis
për at qi des për dhé të vet.
Bini, djelm, me at shpejtin túej:
derdhet të tanë gjaku i Shqiptarvet;
por s’e shklet jo kamba e huej
dhén qi mblon eshnat e të Parvet.
Besën sot Shqiptarët përsrisin
qi s’i dán krahina as feja;
n’Lushnje e rrebtë u pertrî beja
djersë·e gjak me i fal Atdheut.
Ngrihnju të gjith t’a lartësojmë fisin
T’lulëzojë puna, të·shkëlxejë dija
plot me shpresa âsht ardhmenija
për nipnin e Skandërbeut.
T’mkamna, djelm, kah dita e gzimit
qi u premton Zoti Shqiptarvet:
për t’gjatë udhës s’përparimit
ne na prîn hijet e të Parvet.


Himni i Kristo Floqit u shpall fitues me pseudonimin Gjik Palla, në konkursin e zhvilluar për një Himn të ri Kombëtar më 1922

Himni i ri
Kristo Floqi

Qe, qe shkrepi Dielli
I flakt’ i Liris
Dhe Hylli te Qielli
Agoj i Shqypnis.
S i valë prej detit që· vjen me tallas,
Buçet an’ e mb ‘anë një z ê e një gas,
Gjëmojnë po malet e fushat e gjâna.
Prej zânit Lirisë q’ushton por si zâna,
E thret me vigame ç’do burrë Shqyptar,
Në fushën e nderit kush ësht’ atdhetar.
Qe, qe shkrepi Dielli etj., etj.
Valon krye-naltë flamûr’ i Arbnis.
Flamûr i shêjtë; flamûr i burrnis,
Dhe kodrat e zallet madhnin i dëshmojnë
Fatosat e parë’ as sot s ‘i harrojnë;
O burra nderoni flamûr e Atdheut,
Si bij t’atij trimi të math Skënderbeut.
Qe, qe shkrepi Dielli etj., etj.
Mjafton xgjedh’ e dobët, e poshtra robni
Mjaftojnë mjerimet, mjafton tyrani,
Në’ dhen’ e gjigandve fryn era gazmore,
Se sot ësht’ e lirë” kjo toka arbnore,
Do vdesim si burrat e jo me dhuni
Për votrat e shejta, për nanën Shqypni.
Qe, qe shkrepi Dielli
I flakt’ i Liris
Dhe Hylli te Qielli
Agoj i Shqypnis.
Dhe lithni një besë për dek’ a liri
Për dhen’ e të parve, për Komp e Shqypni.
Qe, qe shkrepi Dielli
I flakt’ i Liris
Dhe Hylli te Qielli
Agoj i Shqypnis.

Shënim: Himnet e Murat Toptanit, Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit janë nxjerrë nga libri i Valbona Karakaçit “Himni kombëtar i Shqiptarëve”, “Naimi”, Tiranë 2009.


Himni i flamurit kombëtar
At Gjergj Fishta

Porsi fleta e Ejllit t’Zotit
Po rreh Flamuri i Shqipnisë,
E thërret t’bijtë e Kastriotit
Me u mbledhë’ tok ndër çetë t’ushtrisë.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrufe, qe shkojnë tue djegë!
A ngadhnjyes a t’gjithë dëshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Përmbas Flamurit t’vet shqiptari,
Kur rrok armët për t’drejta t’veta,
Atje lufta ndizet zhari,
Atje anmiku vihet n’t'lehta

Bini, Toskë! etj.

Mbi atë Flamur Perëndia
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“Për shqiptarë do t’jetë Shqipnia:
Kush ua prek, ai qoftë mallkue!”

Bini, Toskë! etj.

Çka? A thue ‘imend se atë tokë t’bekueme,
Që vetë Zoti na ka dhanë,
Sot me e shkelë kamba e poshtnueme
E një t’hueji na kem m’ia lanë?

Bini, Toskë! etj.

Ah; jo, kurrë. Njëqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fëmi!
Kem’ me mbetë kortarë ndër ara,
Se me shkelë lamë t’huejin n’Shqipni.

Bini, Toskë! etj.

N’kambë, sokola të Shqipnisë!
Flamuri ynë, qe, n’ajër po shtillet
Si pol veshje e Perëndisë,
Kah na ban hije prej qielle.

Bini, Toskë! etj.

Ma mirë vdekë me u shue nën hije
T’Flamurit tonë, në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue një jetë robnie
Përnën sukuj t’huej t’Ballkanit,

Bini, Toskë! etj.

Armët e besën na i njeh bota;
Trima n’za kemi pasë t’Parët,
Luftën ne na mësoi Kastriota:
Kë, thue, frikë do t’kenë shqiptarët?!

Bini, Toskë! etj.

Urra! Djelm, eh ju u dhashtë e mbara!
Sot a kurrë, me vdekë për Atdhe!
Flamuri ynë, qe, u nis përpara:
Ndihmo, Zot, për Atme e Fe!

Bini, Toskë! etj.
1913


28 nanduer 1913

Oj Zanë, t’këndojmë… t’vajtojmë, desha me thanë;
Pse sot ditë kange s’asht për mue e ty.
Po ç’gëzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe, mbas një motmoti që iu pëlqye
Evropës shqiptarin zot n’shtëpi t’vet me lanë
E kujt, posë Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndamë prap me vetvete gjendet
E çka asht ma zi, prej vetit edhe s’bindet1?…

E ku kjo punë kisht’ ndodhë, posë se n’Shqipni,
Që ‘i popull, s’pari dalë prej robnimit,
Për një motmot të rrijë ai n’anarki
E t’bahet përralla e gazi i rruzullimit,
Ke i zoti s’asht ai sot m’u vu n’hulli,
Edhe me u thanë anmiqve e t’tanë njerëzimit:
“Unë këtu sundoj! N’këtë shkamb mue m’vuni Zoti,
E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

Ah! T’mjerët na t’mjerët! E sot, me ‘i pecë të kuqe
E me ‘i orrl duem që Shqiptaria e mjera
T’dalë vetit n’dritë, si vetit çel n’burbuqe
Një drandofille e njomë, kur kthen pranvera…
Jo, jo, shqiptarë! Por banie flamurin duqe
E zhyeni n’Drin, t’mos e zhvillojë kurrë era.
Flamuri kombëtar nuk ka çka ban ndër ne,
Po qe se dashuni nuk kemi për Atdhe!

E, drue, dashuni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan kryet shqiptari për komb t’vet,
As për atë gjuhë të ambël që i la i Pari,
As pse Shqipnia n’veti u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje, ku xixëllon ari,
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget:
Si Krishtin shiti Juda Iskariotë,
Drue, Atdheu ndër ne po shitet për një zallotë…

A thue mos fola keq?… Po lyp t’falun;
Përse këtu vetë me fye nuk due kurrkëndin.
E pse asht mirë fjalën n’zemër t’frytë m’e ndalë,
Por ai, që të liruem me e pasë s’do vendin,
A prej se s’mundet vetë n’shkamb t’naltë me dalë,
A prej se tjerëve s’do m’ua lëshue rendin
A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!
E pra, kësi nipash ka dhe shumë Kastriota…
E po për ata, që, zyrë e nder harrue,
Që, marre e turp kaherë flakrue mbas shpine,
N’visar t’Atdheut me t’huej shkojnë tue tregtue
(Kush ndytë mbas frangut rrejtë, kush mbas sterline
Kush pse dinari tepër i asht lakmue),
E Atdheun prej s’hujsh me e qitë duen bashtinet,
Thue edhe për ta ndokujt do t’i hijë çuda,
Kur them, se nuk janë tjetër, veçse Juda?…

Po, Juda janë, e gjinde janë tradhtare,
Porsi ata, që n’mend prej s’huejsh mahitë,
Vajzat e djemt’, – e para uzdajë shqiptare –
Me ndjesi t’hueja n’shkollë i çojnë me i rritë,
Tue lanë mbas dore t’amblën gjuhë amtare,
Pa t’cilën kombi s’mundet n’dritë me u qitë;
E me çakrria t’mbetuna shkret mbas tregut,
E lanë me u rritë nipninë e Skënderbeut.

***
Ah! Këtu, shqiptarë, po, këtu; e m’vorr t’Kastriotit
Përreth Flamurit tonë t’gjithë t’bahemi ‘i vëlla,
Edhe t’apim shoshojt besën e Zotit
Se për Atdhe na kemi m’u orvatë pa nda,
Tue shkri për të të gjitha ditët e motit:
Se para t’gjithë në vorr na kem’ me u qa,
Se e lamë Shqipninë me e shkelë prap thembra e huej.
Posë Zotit n’qiell, s’do t’i shërbejmë ma kujt.
1913


Himni i flamurit
Lasgush Poradeci

I
Ç’ësht’ ajo shënjë Perëndije,
Që skuq si yll vetëtimtar:
Flamur’i shentë po mban hije,
Po fryn me frymë Shqipërije
Mi qjell të kombit Shqipëtar!
Flamur, o! shënj’ e Perëndisë,
Me shkabën trime drejt në gji:
Való mi qjell të Shqipërisë,
Mburroje çerdhen e lirisë
Me bes’e nder e burrëri!
II
Ç’ësht’ ajo shënjë lavdurije,
Që fërfëllon gjith derdhur n’ar:
Flamur i shentë po mban hije,
Po fryn me frymë Shqipërije
Mi Fron të Mbretit Shqipëtar!
Flamur, o! shënj’e lavdurisë,
Me shkabën trime drejt në gji:
Való mi Fron të Shqipërisë,
Mburroje zemrën e lirisë
Me bes’e nder e burrrëri!
III
Ç’ësht’ ajo shënjë therrorije,
Që djeg me afsh si yll me zjarr:
Flamur i shentë po mban hije,
Po fryn me frymë Shqipërije
Mi Fat të kombit Shqipëtar!
Flamur, o! shënj’ e therrorisë,
Me shkabën trime drejt në gji;
Való mi Fat të Shqipërisë,
Mburroje shpirtin e lirisë
Me bes’ e nder e burrëri!
1937
(“Vepra” 1, Onufri, Tiranë 1999)


Hymni i Flamurit
Dhimitër Shuteriqi

Ndër fusha e male i shporri dielli
Robnln e randë e t’ zezën zI,
e gjëmoi toka e gjëmoi qielli :
Tomorri i dha lajmin e ri
Gjithë ‘Toskënis e Gegënls:
“N’ Vlonë valon Flamuri i Liris!”
- Valo, Flamur!
Ti je vetë Besa,
Trimnija, Jeta,
Nderi, Lirija!
- Valo Flamur!
Ti je Shqipnija!
Ismail Qemali n’ Vlonë e ngriti
Prisin e math të Skënderbeut:
Ja sbukuroi·nderin, ia rriti,
Flamurit trim, qi i çonte dheut,
Në dorë t’ fatosavet t’ Shqipnis,
Ditën e bardhë, dit’n e Liris.
- Valo,·Flamur!
Kush tha «Vdiq fisi i Kastriotit!»?
- Harroi Evropa at mburojë,
Qi i caktoi ‘Turkut kufit motit?
-Greku dhe Serbi e gaboi,
Se po vetë burrat e Shqipnis
Ngritën Flamurin e Liris.
- Valo Flamur!…
Atë Flamur, qi u-ngrit në Vlonë,
E kuqëluem na vetë me gjak;
Ajo Shqipojë âsht fisi i jonë,
Asht fisi i jonë kreshnik e plak
Qi nëpër male t’Iliris
E ndërtoi çerdhen e Liris.
-Valo Flamur!…
E sot, Shqiptarë, kush ka gjak burri
Të ndegjoj’ Shqipen me dy krenë
Për dituni na fton Flamuri;
Për qytetnim ta bajmë pra bén!
T’i vemë me hymne na Shqipnis
Kunor’n e ndriçme t’ ditunis.
- Valo Flamur!…
(“Përpjekja shqiptare”, 1937, nr. 14-15)
Shënim: Hymni i Flamurit hartuar prej poetit të ri Dhimitër Shutëriqit dhe kënduar me goditje të plotë në darkën madhështore që dha në Gjenevë z. Thoma Luarasi, konsull i ynë atje me rastin e XXV-vjetorit. Në këtë darkë, veç studentëve t të tjerë shqipëtarë, qe ftuar edhe auktori i këtij hymni, i cili ndjek Filosofi dhe Drejtësi, krah më krah, n’Universitetin e Grenoble-s. (redak.)

Simbol…
Hekuran Zhiti

Të ngrenë, të ngritën,
Në ëndrra, te bregu.
Të zbresin, të shitën,
Porsi plaçkë tregu.
Të mbrojnë, të mbrojtën,
Me shpirt e me dhëmbë.
Të ndjekin, të ndoqën,
Të shkelën me këmbë.
Të heqin, të hoqën,
Në male, harrime.
Të djegin, të dogjën
Me plumba, mallkime.
Në flakë si flakë
E shenjtë flak’rove.
U derdhe si gjak,
Përgjakur gjakove.
Vërvitu, valvitu,
Krahët mos i mbyll.
Ç’të dhëmbi, ç’të piku,
Një plagë a një yll?
(“Kryengritja shqiptare në parajsë”, OMSCA-1, Tiranë 2004)

Burri
(pyrrhus)
Filip Shiroka

Pius est patriae jacta rejerre labor*- Ovidius


-Unë Shqypja jam, por nalt me flaturue
Pa ju nuk. mundem, ju jeni flatrat t’mi!
Kështu i thotë’ Burri ushtris S’vet t’lumnue
Kur e mblidhte e bahej gati n’luftë me u pri
Kur ndieu se Roma, botën me mjerue,
Kand-e-kand shum lufta ishin tue përtri:
-Me Romanët – tha – t’shkojmë, o djelm, me luftue,
E t’merret vesht ç’burra lejnë te na n’Shqypni! -
Atje u nis edhe urysh ushtris s’Romës i ra,
Trimnisht n’at luftën qi kurr nuk harrohet,
‘Dhe u bind n’anmikun aq trimni tue pa.
Prap, n’tjera lufta, mbas ksaj luftës lëshohet,
Shqyptari i ndezun me nji guxim, qi sa
N’luftarët t’nderuemun Mbret Luftar emnohet.
1897

*I drejtë asht mundi i bamë në lidhje me atdheun
(“Vjersha të zgjedhura”, Enti për botimin e teksteve i Republikës Socialist të Serbisë”, Beograd 1963)


Standard

Google+ Followers