Nobeli është bërë një çmim feminist

Nga Silvi Bakiri 
Intervistë me Shqiptar Osekun, poet dhe aktivist për të drejtat e gruas

Një shqiptar që jeton jashtë dhe që emrin e ka shqiptarisht të tillë, një aktivist i feminizmit, diçka që burrat shqiptarë nuk do e bënin e as pranonin lehtë, jep një panoramë të feminizmit në letërsinë e huaj dhe shqipe. Duke folur edhe për një Nobel të feminizuar.
Çfarë preferon nga letërsia feministe? 
Natyrisht që feminizmi ka një kanon të vetin, Mary Wollstonecraft, Simone de Beauvoir, Virginia Wolf, Andrea Dworkin, Betty Friedan, Naomi Wolf, Audre Lord etj., janë ca nga esencialet për të kapur pasionin e feminizmit, ashtu si janë Anette Kolodny, Julia Kristeva e Hélène Cixous klasike, nëse do të sajosh një ide për kritikën letrare feministe. T’i lexosh të gjithë mund të jetë kërkuese, por diçka nga secila. Se – dhe këtu është puna – atëherë lexon ndryshe edhe autore e autorë të tjerë, në njëfarë mënyre këto ta kultivojnë shijen dhe në belle letres. Atëherë mbase e kupton edhe përzgjedhjen e nobelistëve në dekadat e fundit, Alice Munro, Tomas Tranströmer, Herta Müller, Doris Lesing, Orhan Pamuk, Elfride Jelinek, Harold Pinter. Nuk është që përzgjidhen autorë me axhendë të theksuar feministe, aspak, këtë e kupton kushdo që i ka lexuar këta nobelistë, ata nuk janë pamfletistë as propagandistë. Preokupimet e tyre janë të tjera. Puna është gjetkë, juritë letrare thjesht s’i lejon shija e kultivuar që të përzgjedhin autorë me klishe gjinore, vepra ku personazhet dehumanizohen në altarin e gjinive përkatëse, ku burrat luftojnë a punojnë e gratë kuptojnë, janë mbështetëse të kryepersonazheve me mendësi burrnore, apo edhe më keq, mungojnë krejt. Ai tip letërsie është tepër shek XX, do të thosha. Ky është ai çelësi sekret që u mungon shumë autorëve shqiptarë, që na mban jashtë rrjedhave bashkëkohore të letërsisë. Jo rastësisht mbase, meqë letërsia e një shoqërie e reflekton natyrën e saj, mbrujtjen shpirtërore të autorëve të saj. Albanologia Dr. Donika Dabishenvci, nga Prishtina, ka thënë diku me të drejtë se proza shqipe ndjen ende mungesë të personazhit universalist, humanist do të shtoja unë, dhe klishetë gjinore e theksi në vlerat patriarkale në letërsi them se janë ndër shkaqet e kësaj mungese. Patriarkati shqiptar, kjo do thënë hapur, ashtu si po e ngulfat shoqërinë, po e pengon edhe shkrimin e një letërsie shqipe me vlera universale.
Cilat janë sipas teje ata/ato feministe që kanë sjellë një erë të re në perceptimin e rolit të gruas në shoqëri? 
Në shqip, kam lexuar autore si Elvira Dones, Helena Kadare, Fakete Rexha, Shuki Gashi, Mimoza Ahmeti, Flutura Açka, Luljeta Lleshanaku, por edhe poezi nga emra si Donika Dabishevci, Eli Krasniqi, Enkeleda Ristani, Arlinda Brühl, Ardita Kaso, Entela Tabaku, Trina Gojani, Arjola Zadrima, të cilat i vënë në fokus konditat ekzistenciale të të qenit njeri, e grua. Shumë prej grave autore prekin tema më parë tabu, sensualitetin, seksualitetin, menstruacionet, në mënyra si s’janë prekur më parë në shqip. Kam lexuar edhe burra që shkruajnë mirë, gjithnjë me qëndrim eksplorativ ndaj gruas dhe vetes si burrë, si Klodjan Kojashi, Sueton Zhugri, Loer Kume. Me rëndësi është që shumica po eksplorojnë rrugë të tjera, tutje prej estetikës artificiale gjinore, himnizimit të roleve sociale, të nënës, bashkëshortes etj, e bukurisë sipërfaqësore, me sy të bukur, flokë të derdhura, e më the- e të thashë. E përbashkët për të gjithë këta autorë është se gruaja në shkrimet e tyre nuk është objekt pasiv, po subjekt autonom. Shumica e emrave të rinj janë ende të pabotuar, por kam përshtypjen se asnjë syresh s’kërkon falje për qëndrimet e veta, gjë që mendoj se është premtim shumë i mirë. Unë uroj t’i mbajë batica. Rebelimi i tyre në letërsi mund të ndikojë, pse jo, edhe në një lëkundje tektonike. Nuk do të ishte hera e parë që një brez rebelësh letrarë ia ndërron perceptimet komplet një shoqërie. Për një gjë s’kam dyshim, ky brez me këto preokupime i ofron letërsisë shqip diçka që i mungon.
Si qëndron raporti burrë/ grua në preferencën e kësaj letërsie? 
Mendoj se janë dy drejtime, që jashtë kanë patur kohët e veta përkatëse, por që – shkaku i shkëputjes së gjatë nga bota – te ne po ndihen njëkohësisht. Feminizmi i valës së dytë, nga vitet 1970 e deri në vitet 2000, u mor intensivisht me artikulimin e gruas. U mblodhën antologji grash, u shpluhurosën autore të harruara padrejtësisht, të qenit grua pa pardon ishte në qendër. Këtu ndodhet, me sa kuptoj unë, një pjesë e mirë e lëvizjes feministe te ne. Në vitet 2000 e këtej e kemi një valë të re, vala e tretë e feminizmit, ku spikasin edhe preokupime tjera, antiraciste, e anti-hierarkike në përgjithësi, meqë çlirimi i gjithanshëm shihet si mënyra për të zbërthyer patriarkatin. Por sa i përket letërsisë, thelbi i përbashkët i dy valëve është ai që e përmenda më lart. Personazhet e letërsisë bashkëkohore nuk u përmbahen roleve gjinore tradicionale, gruaja nuk është objekt pasiv po subjekt autonom.
Pse meshkujt mendohen si më indiferentë ndaj saj, apo që shpesh e ngatërrojnë me letërsinë “Chick lit”- që konsiderohet si “letërsi e lehtë”?
Mendoj që ka të bëjë me injorancën e thellë dhe tragjike që ekziston te shqiptarët. Ne jemi fis i vogël në një qoshk të vogël të Ballkanit, që për më tepër është i izoluar qëllimshëm – andej e këtej kufirit – nga perde të hekurta shtesë. Ky çerek shekull i tranzicionit është shumë për jetën e një individi. Edhe shoqëria është modernizuar deri diku, sidomos në lëmin teknologjik. Por modernizimi teknologjik nuk përkthehet dot krejtësisht në modernizim të normave e vlerave. E ndihmon atë, e përshpejtëson medoemos, por nuk korrespondojnë njëqind për qind. Te ne, deri dje “feminist” ishte sharje, meqë ishte sinonim për kodosh, ndjekës fustanesh. Në shqip mungojnë pothuaj të gjithë klasikët e feminizmit. Herën e fundit që shikova, fjala feminizëm madje mungonte në fjalor. Në aspektin e normave dhe vlerave, druaj se jemi mjerisht i izoluar, larg prej bashkëbanuesve tjerë të këtij kontinenti. Do kuptuar, sërish, që letërsia është pjesë e një shoqërie dhe i reflekton goxha shumë konditat e saj, sidomos normat dhe vlerat e saj. Ato shkojnë dorë për dore.
Për ty si poet por edhe si feminist, si qëndron gruaja në raport me burrin në art (poezi/ letërsi). Objekt joshjeje/ muzë, grua e emancipuar që kërkon barazi, apo një grua që tashmë është e pavarur dhe konkurron denjësisht në një shoqëri të lirë. Po në Shqipëri/ Kosovë, si është ky realitet (në art dhe në jetë)?
Për shoqërinë shqiptare, ashtu siç e shoh unë, fola më lart. Të flasësh për vete është gjithmonë punë e rrezikshme, nuk e di sa mundet njeriu të jetë objektiv. Por dua të besoj që perspektiva ime feministe më kondicionon mënyrën dhe gjuhën e poezisë. Unë jam burrë dhe do të eksploroj natyrisht brendësinë time shpirtërore, e aty gruaja nganjëherë është metaforë, mungesë, a largim. Por mundohem që t’i kap edhe motivet e saj, t’i jap zë botës së saj, ashtu siç e kam hasur unë. Ndryshimi i perspektivës është gjëja më e zorshme, por mundohem ta shoh veten me sytë e saj, e t’i flas vetes me gojën e saj. Edhe në gjuhë, mundohem ku do është e mundur të mos mbërthej e kurthoj poezinë time në gracka gjinore. Dua që edhe gruaja ta lexojë, e që uni poetik t’i tingëllojë si grua. Por edhe që lexuesi gay a transseksual të mund ta lexojë, e të identifikohet me të. Aty ku mundem, i ndërroj përemrat që të mos përcaktojnë gjininë, ta zëmë. Kritika letrare feministe flet goxha shumë për politikat gjuhësore të letërsisë dhe unë e gjykoj gjithnjë veten me atë. Sot ajo kritikë s’ekziston te ne, por do të ekzistojë një ditë. Dhe atë ditë, dua që vajzave të mia që po rriten në mërgim të mos u vijë tepër turp për ato që i shkruante i ati i tyre.

Google+ Followers