Një bisedë për Kosovën në shtëpinë e Dritëroit

Bedri Islami


Kur, më në fund, je përballë tij e ndjen se e gjitha ajo që i ke thënë vetes deri në pragun e portës, ka qenë e kotë. Aty, në dhomën e tij të pritjes së miqve gjërat rrjedhin ndryshe, krejt natyrshëm. Pas pak, e di se këtu, edhe pse ke munguar prej kohe, je si në shtëpinë tënde. Kjo është mrekullia e çastit dhe e vazhdimësisë që të krijon patriarku i letrave shqipe.
Pak ditë më parë, kur i dërguari i ambasadës së Kosovës në Tiranë, z.Ramiz Lladrovci, më ftoi të shkonim tek Dritëroi – (për më tepër që në emër të qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit të saj, Hashim Thaçi, për ta falenderuar për gjithë kontributin e tij dekadash për Kosovën) – ndjeva se ky ishte një ndër fatet e veçanta, të cilin njeriu nuk mund ta ketë kurdo.
Më Dritëro Agollin dhe Sadije Agollin, njeriun pa të cilën është e vështirë të kuptohet gjërësia e një jete, kam patur fatin të takohem edhe më parë. Kemi folur për poezinë, për njerëzit e njohur të përbashkët, por më shumë se gjithçka tjetër, kemi folur për Kosovën.
Nuk e di nëse ka një njeri tjetër i cili e meriton gjithësisht tërë mirënjohjen e shtetit të Kosovës, të të gjithëve, ashtu si Dritëroi.
E meriton nga njerëzit e zakonshëm, të cilët kanë gjetur aty një strehë të sigurtë, edhe në kohë të vështira. Një mik i imi i vjetër, pjesë e lëvizjes çlirimtare, Ekrem Jashari, së bashku me gjithë familjen e tij të madhe, prej më se 10 antarësh, e kishte aty shtëpinë e tij, ani pse dhomat mbusheshin plot me njerëz, me fëmijët e shumtë që lodronin nëpër studio dhe gërmonin nëpër letrat e vendosura në tryezën e shkrimit; aty kishin qendrën e tyre poetët e njohur , Azem Shkreli dhe Ali Podrimja, me të cilët, Dritëroi herë pas here ngacmohej duke i thënë: “Po ju ç’vini tek unë, unë jam socialist, pse nuk shkoni tek demokratët”, dhe qeshnin me shpirt; aty shkonin pjesë të rëndësishme të lëvizjes çlirimtare, ashtu si edhe liderë të lëvizjes paqësore, paçka se Dritëroi ishte më shumë mbështetës i luftës; aty, ndoshta pikërisht në atë dhomë ku ne po rrinim ishin shkruar reportazhet, ishin hedhur mendimet e analizat që do të botoheshin në shtypin e luftës dhe që ishin kushtrim.
I dërguari i ambasadës së Kosovës, Ramiz Lladrovci, i tregon Dritëroit se në Kosovë, njëri nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes çlirimtare, Afrim Zhitia, i cili do të vritej i rrethuar nga ushtria serbe me 2 nëntor 1989, pak para se të ndoshta rënia e tij, nipit të porsalindur, i kishte vënë emërin Dritëro. Pra, nuk ishte një lidhje e tanishme, ishte më e hershme, ndoshta njëkohësisht me ngjizjen e historisë së re të Kosovës.
Dritëroi flet ngadalë, Ngre lehtë gotën e vogël me raki të mirë, e troket me gotat tona, thotë “gëzuar për Kosovën dhe për njerëzit e mire” dhe sjell në vemendje gjithë ata që ishin pjesë e jetës poetike të Kosovës, që nuk janë më, por që kanë mbetur në memorjen e tij. Disa prej tyre, si Podrimja apo Shkreli, janë miq të përbashkët, disa të tjerë janë të njohurit e vjetër të tij, përmes së cilëve ai e ka pasur më lehtë të njohë Kosovën, sepse asgjë nuk njihet më saktë se sa nga shpirti i poetëve. Ai flet ngadalë për vuajtjen e Podrimes nga vdekja e të birit, Lumit, dhe ende është i trazuar nga largimi i tij në një vend të huaj, si duke dashur të thotë se të gjithë ne, kudo që jemi, kemi të njëjtën dëshirë, të vdesim në vendlindje.
Dritëroi e ndjen dhimbjen e Kosovës për atë që ndodh sot atje. E ka të vështirë të kuptojë se si pesë burra, që tashmë duhej të ishin të pjekur politikisht, të paktën aq sa populli i tyre, ende e lënë vendin në këtë gjendje, me qeveri dhe pa qeveri, me shtet dhe pa shtet, me punë të mbara dhe të pabukura.
Nuk e di se si një klasë e tërë politike është ende e marrosur pas pushtetit, sa që nuk e di se kështu humbet besimi i të gjithë atyre që i kanë ndihmuar për të ngritur shtetin e tyre.
“Këtu, shton ai, duke folur në atë mënyrën e tij të veçantë, në këtë shtëpi e në këtë sallon, kanë qenë edhe Rugova,edhe Qosja, poetë të shquar e më pak të shquar, njerëz që në rrugë nuk do të flisnin qetësisht me njëri tjetrin, por këtu e kanë ruajtur njëri tjetrin, nuk e kanë dhënë. Mirëpo sot është ndryshe, ndoshta atëherë nuk kishin pushtet, tani pushteti të ngjitet”.
Ai hesht pak dhe shton:
“Të ishte për mua Kosovës i duhej sot një qeveri e gjërë, i duhet një bashkim mes PDK-së dhe LDK-së, dy partitë e mëdha të saj. Do të kishin sëbashku më shumë se gjysmën e parlamentit, shto edhe disa nga pakicat e pastaj serbët nuk mund të bëjnë çfarë të duan. Në Gjermani qeverisin bashkë, të majtë e të djathtë. Nuk ka pse të kemi në Kosovë një qeveri që bie viktimë e një liste serbe. Serbët, kur humbin, bëhen radikalë të mëdhenj”.
Dritëroi kërkon të dijë deri në imtësi se çfarë ndodh atje, cilin vizion mbart Albin Kurti, ku qëndron e veçanta e Ramush Haredinajt, çfarë ndodh në PDK-në e Hashim Thaçit, pse ka pengesa mes tyre, cili shkak i çoi në ndarje nga trungu Fatmir Limën dhe Krasniqin… I kërkon ata me ngulmin e një njeriu që e ka lidhur një pjesë të rëndësishme të jetës së tij me Kosovën dhe me njerëzit e saj atje.
Pastaj, dalngadalë, vjen një temë tjetër, gjykata e pazakontë e luftës së Kosovës, çka ai nuk e percepton se si njerëzit që mbrojtën një vend, që mbrojtën jetën, tani do të jenë të gjykuar dhe ndoshta të dënuar. Habitet se nga dolën të gjithë këto dëshmues anonimë, të cilët tash nuk janë emra, por numra, pseudonime, shifra. Dhe tregon një ngjarje nga e shkuara.
“Kur austriakët erdhën në Shqipëri, në luftën e parë botërore, ata mblodhën armët, por nuk i gjetën të gjitha. Në Kavajë, një njeri shkon tek autoritetet austriake dhe u thotë se fqinji i tij, që kishin jetuar bashkë, paska fshehur armë në një vend të shtëpisë. Ushtarakët shkuan atje, tek komshiu, përmbysën gjithë shtëpinë, jo vetëm vendin ku i kishte thënë ai por nuk gjetën asgjë. Atëherë shkuan tek tjetri, e vunë pas murit dhe i thanë: ne sot do të pushkatonim njërin: ose atë që kishte fshehur armët, ose atë që kishte mashtruar. Prej asaj dite askush nuk spiunoi më…- shton ai, si duke dashur të thotë se në këtë botë jallane, janë shtuar ata që për të fiuar diçka për vete, nuk e kanë për gjë të hedhin në erë punën e ndershme të dikujt tjetër.
Ne heshtim dhe mendojmë për gjithë ato dëshmues të rremë që u përhapën anë e mbanë Kosovës, e kur nuk u mjaftoi ajo, shkuan edhe përtej saj. Por kjo është një histori tjetër.
Dritëroi na fton të mbushim gotat edhe një herë. Është një raki e mirë që sjell erën e vreshtave në vjeshtë, aq të shpeshta në poezinë agolliane.
Unë mendoj për dy gjëra të tjera: të paktë, shumë të paktë, janë ata në Shqipëri që në zemrën e tyre kishin bërë një vend kaq të madh për Kosovën sa bëri Dritëroi. Dy lirikët më të mëdhenj të letrave shqipe, Lazgushi dhe Dritëroi, janë ndër ata që gotat e para të dollive i ngritnin për Kosovën.
Është njëra ndër veçantitë e pazakonta të poetëve që ndjellin erën e së mirës, njekohësisht edhe erën e së ardhmes. Dritëroit i takon kjo veçori në përmasat më të mëdha të saj. Në vitet e para të përgatitjes së luftës së Kosovës, këtu, ku atëherë gjithçka dukej e largët, një plejadë e jashtëzakonshme e krijuesve, Shaban Sinani, Xhevair Spahiu, Moikom Zeqo, duke pasur idhullin e tyre, Dritëroin, u përfshinë rëndshëm në përkrahjen e lëvizjes çlirimtare, duke u bërë në një farë mënyrë zëdhënësit e parë të saj, njëkohësisht, me të besuarit.
Dhe vij kështu tek gjëja e dytë e mendimit tim: ata nuk bënë asgjë për mirënjohje. E bënë nga shpirti. Por Kosova, njerëzit e saj, edhe më tej, duhet ta dëshmojnë mirënjohjen e saj. Ajo që bëri i ngarkuari me punë e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci, ndoshta është një fillesë e mbarë. Por, jo e gjitha.
Në ditët e qeverisjes së shkurtër të Ramush Haredinajt, duke qenë mjaft i afërt me të, si njëri ndër këshilltarët politikë të qeverisë së Kosovës, u propozova që këto njerëz të majave të shkencës dhe të artit, bashkë me të tjerë që janë bërë njësh me historinë e re të saj, Gjokë Beci, Edmond Zhulali, Agim Doçi, Arif Vladi, Manjola Nallbani, Kastriot Tusha,Rovena Dilo, të ftoheshin nga ai në Prishtinë, sepse kishin hisen e tyre në atë që kishte ndodhur. Haredinaj ishte i një mendje, për më tepër mendonte se ishin të vonuar. Njëri nga ministrat e tij, që ndodhej në bisedën tonë, ashtu trapatrupshëm, tha se njëherë të ftojmë këto tonët, pastaj ata nga Shqipëria. E pashë me përbuzje, më është dukur se i vëllai i tij dëshmor nuk e kishte dhënë jetën për këtë mendësi mburravece.
Tek Dritëroi është gjithçka ndryshe. Edhe qëndrimi, edhe biseda, edhe heshtja, edhe largimi. Nga të gjitha, ajo që të bën të keqardhur është pikërisht momenti i largimit. Në dhomën e pritjes, muret e së cilës janë tej e mbanë me piktura të jashtëzakonshme, mes të cilave një portret i Dritëroit, mos qofsha i gabuar nga artisti i shquar Ismail Lulani, të bën të mos ngrihesh, të qëndrosh edhe më tej, qoftë edhe kundër mirësjelljes.
Nuk e di se kur do të mund të kem fatin të jem përsëri pranë tij. Do të doja që një ditë të jem i ftuar , jo vetëm aty, por larg nga ajo dhomë, kur një gjimnaz a një shkollë e re në Kosovë, të ketë emrin e Dritëroit.
Sepse ai, ashtu si e deshi Menkulasin e lindjes, ashtu e do edhe Drenicën e Adem Jasharit. Ndaj, kur ngre gotën para largimit tonë, ai thotë ngazëllueshëm, “Bacë, po kryhet”.

Google+ Followers