Mile: Epi i Gilgameshit, libri i totalitetit të jetës njerëzore


Çfarë dimë për profesorët, ose pedagogët, e marrim kryesisht prej asaj çka ata shkruajnë. Por Klementin Mile, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, na sugjeron një ide tjetër, kur ai vetë paraqet një shprehje të Hajdegerit në lidhje me librat e leximet: “Më thuaj si lexon dhe do të të them kush je”. Që mund të përshtatet gjithashtu në ‘më thuaj çfarë lexon, të të them kush je’.
-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…
Një libër me përmbledhje poezish nga Gëte, në gjermanisht, i botuar diku nga mesi i shekullit XIX. Krahasuar me të, librat e tjerë që kam më duken të gjithë të rinj.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Në adoleshencë i zgjidhja nga zhanri, ndërsa tani më shumë nga autori, edhe pse zhanri vazhdon të ndihmojë përzgjedhjen.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo. Sepse interesat ndryshojnë përgjatë kohës dhe fokusi zhvendoset te libra të tjerë. Përveç kësaj, një pjesë të librave e kam trashëguar nga prindërit, e kjo do të thotë që janë përzgjedhur në bazë të kritereve të vlefshme për ta dhe kohën e tyre, por jo më relevante për mua dhe këtë kohë. Megjithatë ku ta dish, ndoshta vite më vonë do të bëj një vizitë nostalgjike tek ajo pjesë e bibliotekës.
-Libri i parë që keni lexuar…
Nuk mbaj mend cili ka qenë libri i parë që kam lexuar, por mbaj mend shumë mirë cili ka qenë libri i parë për të rritur që kam lexuar. Dhe ky ishte një roman i shkurtër nga shkrimtari gjerman Herman Hese, “Nën rrotë”.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Më është dashur të kursej për të blerë një libër që kushtonte shumë, rreth 180 euro, në fushën e sociologjisë së të drejtës: Niklas Luman, “E drejta si sistem social”.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
Kisha disa shokë në gjimnaz me të cilët i ndaja, e kryesisht bëhet fjalë për librat letrarë. Si student pastaj fokusi u zhvendos te librat shkencorë dhe rrallëherë ndodhte të më duhej t’i ndaja me ndokënd.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Po, kam patur. Në Fier fillimisht, dhe pastaj në Tiranë.
-Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Shkoja çdo javë dhe gjithmonë gjeja diçka interesante. Sot nuk shkoj më. Jo sepse nuk lexoj, por ngaqë librat që jam i interesuar të lexoj nuk i gjej në bibliotekë. E kam fjalën për libra shkencorë specifikë të kohëve të fundit dhe për revista shkencore.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse? 
Po, romanin “Identiteti” të Milan Kunderës, në versionin frëngjisht. E mbajta gjatë atë libër, pasi më duhej për të përmirësuar frëngjishten. Nuk ia ktheva mikut tim, pasi gjatë kësaj kohe ai shkoi të jetonte jashtë Shqipërisë dhe mundësitë për t’u takuar u bënë gati zero. Megjithatë, një ditë do ia kthej, patjetër.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Kujtoj dy libra që më kanë humbur. I pari ishte një libër i shtrenjtë i fëmijërisë, “Bija e Montezumës”, tjetri një libër që më shërbente shumë profesionalisht, “Teoria politike në shtetin e mirëqenies sociale”. Kam arritur t’i rigjej të dy në fakt, por jo në versionin e printuar, siç i kisha më parë.
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Në periudhën e regjimit komunist kam qenë fëmijë dhe ndaj kam lexuar libra për fëmijë. Asgjë të ndaluar. Ardhja e demokracisë na ka dhënë mundësinë të lexojmë gjithçka që duam, pa ndalime. Mund të konsiderohet deri diku libër i ndaluar ndonjëri që sfidon moralitetin e shoqërisë, p.sh “Ditari sekret” i Pushkinit, ose “Lufta ime”, i Hitlerit. Këta libra megjithatë i gjen ngado, i vetmi problem është se nuk mund t’i diskutosh me këdo.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Dhurimi i librave nuk është ide e keqe dhe vetë u kam dhuruar shpesh libra të tjerëve. Por nga ana tjetër, librat që më kanë dhuruar nuk ka qëlluar të më intrigojnë shumë. Preferoj t’i zgjedh vetë për veten.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Në tryezën e punës nuk lexoj dot. Pozicioni i qëndrimit drejt, vetë “aroma” akademike që vjen nga tryeza, sikur më vendos brenda ca kornizave që ma pamundësojnë kënaqësinë e leximit. Po, lexoj shtrirë në kurriz, përmbys, dhe sidomos në ambiente kafeneje. Kam përshtypjen se zhurma përreth më ndihmon të fokusohem, mjafton të jetë zhurmë e padallueshme, thjesht një sfond.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Lexoj gjithashtu në anglisht, italisht, spanjisht, frëngjisht dhe, me vështirësi, në gjermanisht.
-Çfarë po lexoni këto ditë?
Këto ditë jam duke lexuar një artikull shkencor me titull “Pse shoqëria e përshkruan veten si postmoderne?”.
-Mbani shënime kur lexoni?
Po, mbaj shënime. E konsideroj gjë të nevojshme, pasi dikur do duhet ta përdorësh çka ke lexuar, dhe mbajtja e shënimeve ndihmon kujtesën, orientimin nëpër materialet e shumta, dhe mundëson aplikimin e një lloj perspektive si lexues.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?
Kjo ka ndryshuar përgjatë kohës. Më parë, kur kisha shumë kohë të lirë, preferoja prozën; ndërsa tani më shumë lexoj poezi. Nga autorët e preferuar lexoj gjithçka që arrij të gjej. Nuk ka ndodhur të zhgënjehem, pasi edhe në librat më pak të famshëm të tyre gjen diçka prej stilit tërheqës të autorit. Kështu kam bërë p.sh me Dostojevskin dhe zbulova një libër shumë interesant, që pak e njohin, “Për faj të dëborës që tretej”.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Në fushën e letërsisë janë shumë të tillë, duke nisur që nga “Fausti” i Gëtes, veprat e Kafkës, Dostojevskit, Tolstoit, Tomas Manit etj. Megjithatë, në fushën e shkencave sociale dhe filozofisë, mendoj se patjetër duhet lexuar libri “Sistemet sociale” nga studiuesi i njohur gjerman, Niklas Luhmann. Për mendimin tim ky libër ndan dy epoka: atë të mendimit tradicional europian të përfaqësuar nga Kanti, Hegeli, Marksi, ekzistencializmi etj, dhe epokën e re ku është futur shoqëria, por të cilën nuk arrin ta interpretojë dot si duhet me autorët e lartpërmendur.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Nëse libri total nuk do të ishte “Sistemet sociale” i Lumanit, atëherë duhet të jetë “Epi i Gilgameshit”. Totaliteti i jetës njerëzore është përfaqësuar në mënyrë të shkëlqyer te ky libër: e vërteta më e rëndësishme e jetës është pashmangshmëria e vdekjes. Një fakt që duhet të na bëjë të reflektojmë për të kuptuar si të jetojmë.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
Do të ishte “Sistemet sociale” i Lumanit, për arsyet që përmenda më lart, “Poeti në Nju Jork” i Lorkës, për vizionet profetike, dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” i Markesit, pasi është nga librat e rrallë që edhe pse e di që në fillim çfarë do të ndodhë, aq më shumë joshesh ta lexosh.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
Një shprehje nga Hajdegeri: “Më thuaj si lexon dhe do të të them kush je”.
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Gjithmonë kujtoj një varg të poetit spanjoll Antonio Maçado: “Udhëtar, nuk ka rrugë, rruga krijohet duke ecur”.
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Për mua vazhdon të mbetet Rashkolnikovi nga “Krim e ndëshkim” i Dostojevskit.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Është autografi nga ish-kampioni amerikan në shah, Jaser Seiravan, në një libër të tijin të blerë përmes internetit./mapo

Google+ Followers