…me gra që ndjellin shpresë

Sylvia Plath (1932 – 1963)
Silvia Plath ka qenë konsideruar vogëlushe vunderkinde; Për shumë arsye, Silvia Plath përfaqësonte kulmin e gruas së shtresës së nesme: e bukur, me një inteligjencë të pashembullt, me një talent të madh; Plath në poezitë që shkroi për këtë jetë familjare, tregon në të vërtetë një pamje krejt të kundërt; të zymtë, plot ankthe dhe panik, rraskapitje dhe velje

KUSH

Kaloi muaji i lulimit. Frutat në shtëpi
Janë ngrënë ose kalbur. Jam e gjitha gojë.
Tetori është muaji i grumbullimit.

Ufmë në kasolle, si në bark të nënës:
Veglat e vjetra, bishtat, grabuja të ndryshkura.
Këtu, midis kokash të vdekura, jam në shtëpi.

Lermëni të prehem në saksinë e luleve,
Merimangat nuk do të më pikasin..
Zemra ime – një elbarozë e mpirë.

Ja sikur era të dilte prej mushkërive.
Një surrat qeni u merr erë luleve.
Petalet rriten këmbëpërpjetë.
Ata kërcasin, si shkurre hortensie.
Mua që kam ardhur mbrëmë tek trarët,
Më ngushëllojnë kokat që kalben,
Që s’flenë dimrit.

Kokat e lakrave: të purpurta, si krimba, të sermta,
të veshura me veshë mushkash dhe flatra fluturash,
Por me zemra të blerta.
Venat i kanë të bardha, si dhjamë derri.

O bukuri e konsumit!
Kunguj portokalli të pasy.
Këto salla janë plot me gra që ndjellin shpesë.
Ja se ç’shkollë e mërzitshme. Jam rrënja, guri, klithma e hutit.
Asnjë ëndërr nuk më shtiret.

Mama, ti je mu njajo gojë,
në të cilën do të kisha qenë gjuhë.
O nënë pangjashmërie, hamë!
Hije e derës së tremesë,
Që përthithet në koshin e plehrave.

Unë thashë se ndoshta, e kujtoj këtë nga fëminia.
Atje rriteshin të tilla lule gjigande,
gojë të purpurta e të kuqe, thjesht të magjishme.

Rrathët prej kërcejve të manaferrave m’i ndillnin lotët në grykë.
Tani ato më ndezin si një llampë.
Herëdokur me javë të tëra nuk ndërmend asgjë.

SHTËPIA E ERRËT

Ja shtëpia e errët, shumë e madhe.
E kam ndërtuar vetë.
Katror pas katrori ç’prej një qoshku të qetë,
Duke u mbllaçitur mbi letrën e irnosur,
Duke hedhur pika zamke,
Duke fërshëllyer, duke luajtur veshët,
Duke menduar për diç tjetër:

Këtu ka kaq shumë bodrume,
Kaq shumë transhe-ngjala rrëshqitëse!
Jam e rrumbullt, si kukuvajkë,
Vetë e ndriçoj veten.
Mund t’i flak lodrat kur të më teket
Apo të bëj bijë në shpirt një kalë. Barku im llokoçitet.
Duhet të skicoj më shumë harta.

Tunele-kungullesha!
Kam kthetrat e urithit, e brej rrugën time.
Goja gjithëgëlltitëse lëpin shkurret
Dhe vegshat me mish.
Ai banon në bunarin e vjetër,
Në gropën e gurtë. Ai është fajtor.
Ai është prej race të majmurish.

Kundërmim stërqokash, dhoma-repa. Stërfryhen flegrat dromcake.
Dashuri të vocrra, të shkordhura!
Budallushe dhe pa skelete, si hundët.
Këtu, brenda kësaj rrënje,
Është ngrohtë dhe aspak keq.
Ja dhe përqafjet e ëmbla të mamkës.

E HËNA E PËRJETSHME

Ti do të jetosh në të hënën e përjetshme
Dhe do të rrish në dritën hënore.

Njeriu hënor rri në moluskun e tij,
I mbëltucur përnën thurjen
E thuprave. Bie drita – ftohërimë dhe tebeshir –
Ndër çarçafët tanë.
Dhëmbët e tij kërcëllijnë midis lebrozëve
Heshtave dhe kratereve të atyre vullkaneve t’fikur.

Ai gjithaq është kundër thëllimit të zi
Thupra mund të kishte mbledhë, s’do kishte pushuar,
Gjerkur dhoma e tij e ndritshme t’eklipsonte
Fantazmën e ringjallur të diellit;
E tash veprat e hadit të tij të së hënës në lëmshin hënor,
Privuar zjarrit, shtatë detëra t’pashpirt farkëtonin syrin e tij të këmbës.

Përkthyen nga origjinali: Agron TUFA dhe Elvana ZAIMI


Shënim: Silvia Plath ka qenë konsideruar vogëlushe vunderkinde. Poezitë e parë i publikoi në moshën 8 vjeç. Ka qenë presidente e kolegjit. Revista “Mademuazel” bëri për të një reportazh si për një studente-model dhe shpresën e letërsisë amerikane. Fitoi bursën Fullbrajt për studime në Kembrixh dhe atje u njoh dhe u martua me poetin e famshëm Ted Hjuz. Më vonë qe lektore në universitet, mandej jetoi në Angli. Tentativa e parë të vetëvrasjes dhe që i parapriu depresionit të saj nervor, është përshkruar në romanin e madh “Kolba” (botuar në 1971). Dhjetë vjet më vonë pasoi tentativa e dytë – Silvia Plath provoi të përplaset me makinë, por shpëtoi për një fije. Ndaj të gdhirë ajo u gatoi fëmijëve mëngjesin, mbylli dyert dhe dritaret puthitshëm dhe futi kokën në furrën me gaz. Ndoshta Plath shpresonte se atë mund ta shpëtonin – gjithsesi, ajo la një pusullë me porosinë t’i telefonin mjekut të saj.
Për shumë arsye, Silvia Plath përfaqësonte kulmin e gruas së shtresës së nesme: e bukur, me një inteligjencë të pashembullt, me një talent të madh. Gjatë kohës së studimeve të saj në Kembrixh, ajo takoi njeriun e jetës Ted Hughesin, një tjetër poet brilant. Nga kjo martesë ata patën dy fëmijë Frieda dhe Nicholas (ky i fundit do t’i jepte fund jetës me vetëvrasje dyzet vite me vonë) dhe jetuan në Devon, në very të Anglisë ku iu përkushtuan karrierës letrare që përfshinte botime, lexime, çmime, vlerësime që ndërkohë shkaktonin zili përreth çiftit më të famshëm letra të botës anglishtfolëse dhe madje dhe mes vetë protagonistëve. Por përkundër kësaj jete ideale në dukje, Plath në poezitë që shkroi për këtë jetë familjare, tregon në të vërtetë një pamje krejt të kundërt; të zymtë, plot ankthe dhe panik, rraskapitje dhe velje, pikërisht sikundër e kishte zbuluar këtë lloj poetike mësuesi dhe më vonë miku i saj, poeti Robert Lowell. “Shkruani për tema vetjake dhe që janë tabu” ishte porosia e tij për studentët-poetë.
Sidoqoftë martesa e saj me Tedin u prish më 1962 dhe ajo e pa veten të braktisur, ekonomikisht të pafuqishme dhe me dy fëmijët e saj në Londrën e zymtë dhe aspak miqësore në sytë e kësaj gruaje. Dhe pikërisht në mesin e dimrit më të ashpër që kishte parë Anglia në afro 100 vitet e fundit, Plath-in e lëshoi dëshira për jetën: ajo u mbyt me vullnetin e saj me gaz, ndërsa fëmijët flinin në dhomën tjetër. Muaji i fundit i jetës së saj, ka qenë më prodhimtari jo vetëm për të, por për gjithë historinë e letërsisë në anglisht të asaj dekade. Zemërimi ndaj burrit dhe babait ushqejnë këto poezi të errëta, neurotike, të fuqishme, të cilat megjithëse u shkruan në zgrip të jetës, përmbajnë një spektër të gjerë e të thellë të ndjenjës njerëzore. Në këto krijime ne gjejmë poezi për fëmijët e saj, për natyrën, fëmijërinë. Në pamatshmërinë e procesin natyror egoja romantike gjen diçka po aq të madhe sa edhe vetja dhe reagimi i Plath-it ndaj natyrës është i ngjeshur, i palatuar. Këto poezi afrojnë një vizion ekcentrik ku për vëzhguesin jeta natyrore nuk është kurrë e ndarë nga jeta e ndërgjegjes. Por megjithkëtë liri të jashtëzakonshme shprehjeje, Plath është një mjeshtre e vërtetë, një poete me zotërim të shkëlqyer të arsenaleve poetike, me diksion të qartë, me strofa plot shkëlqim dhe me alternime të spikatura të muzikës së fjalëve dhe vargjeve. Dendësia imagjinative e poezive është në të vërtetë vetja e saj, ai krijim triumfues ndaj rrethanave të vështira të një jetë të brishtë njerëzore që ajo kreu.
Dikur Sylvia Plath shkroi: “Unë nuk mund t’u bashkohem atyre thirrjeve të zemrës që nuk ushqehen nga asgjë tjetër përveçse majës së një gjilpëre apo thike… Unë besoj se poeti duhet t’i manipulojë përvojat e veta t’i kontollojë, qoftë dhe ato më të tmerrshmet…me anë të një mendje. Ndikimi i saj në stil dhe personazhet që ajo krijoi në poezitë e veta, vijojnë ende edhe sot pas pesëdhjetë vitesh të ndikojnë dukshëm në krijimtarinë e dhjetëra e dhjetëra poetëve jo vetëm në Angli dhe Amerikë, por kudo në botë./standard

Google+ Followers