Libra që i lexojnë vetëm gratë, por u duhen edhe burrave


Intervistë me Loreta Berhamin, botuese e “Pegi”
Botuesja e një letërsie që mund të konsiderohet feministe, jep një radhë titujsh dhe autorësh që kanë ardhur dhe do të vijnë në shqip, por edhe një këshillë për gratë: bëjini partnerët tuaj t’i lexojnë!
Cilat janë disa nga veprat më të spikatura që kanë ardhur në shqip e që i përkasin zhanrit feminist?
Nuk besoj se mund të flasim për një “zhanër” feminist në vetvete, pasi tema e emancipimit gjinor, që zakonisht e quajmë feminizëm, mund të jetë katalizatori kryesor i një historie, por mund edhe të preket në mënyrë pak a shumë sipërfaqësore në vepra nga më të ndryshmet. Sigurisht, ka vepra, romane, por kryesisht publicistikë, që përqendrohen te kjo temë dhe shumë nga këto kanë ardhur në shqip. E para që do të përmendja, është me siguri Simone de Beauvoir, nga e cila ne sapo kemi botuar titullin “Gruaja e thyer”, të përkthyer nga Amantia Kapo. Gjithmonë nga De Beauvoir, së shpejti do të vijë edhe romani “Mikesha”, i përkthyer nga Diana Çuli. Fay Qeldon (“Vajzat e rritura nuk qajnë”, përkthyer nga Ilir Baçi) është një shkrimtare bashkëkohore që ka shkruar shumë mbi këtë temë dhe konsiderohet si feministe. Në shqip është botuar edhe Virginia Woolf (“Një dhomë më vete”, “Zonja Dalloway”) apo Edith Wharton (“Mosha e pafajësisë”). Të gjitha këto shkrimtare, në një mënyrë a në një tjetër, kanë thënë diçka të rëndësishme mbi pozitën e femrës në shoqëri. Epokat mund të kenë qenë të ndryshme dhe intensiteti i paragjykimeve gjithashtu, por mësimet bazë, nevojat primare për një emancipim të femrës në shumë drejtime, mbeten gjithmonë të vlefshme.
Sa i kërkon publiku këto vepra? A ka një prurje më të madhe lexuesesh që i preferojnë, apo nuk ka një ndarje gjinore?
Në përgjithësi, janë vepra që lexohen nga një grup i vogël njerëzish, edhe ngaqë zakonisht nuk janë të lehta për t’u lexuar. Në Shqipëri, femrat janë ato që lexojnë më shumë dhe, fatkeqësisht mendoj se këto lloj veprash u interesojnë pothuajse vetëm atyre. Meshkujt shqiptarë, edhe ata me horizont më të hapur, emancipimin e femrës nuk e kanë prioritet, madje nuk e rendisin ndër problemet e shumta që ka shoqëria shqiptare. Natyrisht që në vetvete nuk janë vepra që u interesojnë vetëm grave. Përkundrazi. Për shembull, “Të bëjmë përpara”, një libër që vetëcilësohet si feminist, i shkruar nga Sheryl Sandberg, një nga gratë më të pushtetshme në botë, është i shkruar me qëllimin që të lexohet nga gratë dhe nga burrat. Unë mendoj se shumë gra që e kanë këtë mundësi, duhet t’ua kërkojnë me ngulm partnerëve të tyre meshkuj që ta lexojnë këtë libër.
Në një shoqëri në thelb patriarkale, sa edukon një letërsi e tillë? Sa i zgjeron ajo hapësirat e veprimit e të mendimit të gruas në Shqipëri?
Këto vepra, nëse mund të ndryshojnë diçka, mund ta bëjnë këtë pikërisht në një shoqëri patriarkale si e jona. Librat janë dritare të hapura jo vetëm mbi botën, brenda dhe jashtë kufijve tanë personalë, brenda dhe jashtë kufijve të qytetit, shtetit dhe universit tonë, por mbi një botë tjetër, që ndoshta nuk ekziston gjëkundi, por që mund të ekzistonte. Ka vepra të shkruara në shekullin XIX, ku shfaqen heroina, të cilat duhet të bëjnë zgjedhje që shumë gra janë të detyruara të bëjnë ende sot. Kur këto heroina bëhen pjesë e jetës sonë, ato mund të hedhin dritë mbi mundësi të reja, mbi mënyra të reja të të jetuarit, mbi forma të reja të të qenit. Ato mund të ndryshojnë hapësirat brenda nesh dhe rrjedhimisht edhe ato jashtë nesh.
Cilat janë disa prej autoreve-kult feministe që, sipas jush, kanë thyer “rregullat” dhe kanë sjellë një epokë të re për rolin e gruas? 
Nëse po flasim për “rregulla”, mendoj se po i referohemi letërsisë në mënyrë të veçantë. Janë vërtet të shumta autoret që mund dhe duhet të përmenden. Unë do të flas vetëm për parapëlqimet e mia personale. Në fund të fundit, leximi është një përvojë tërësisht intime.
Atëherë do të përmendja autoret klasike si Virginia Woolf, Charlotte Brontë, Edith Wharton, por edhe Jane Austen. E preferuara ime është Brontë me “Jane Eyre” (Xhejn Er), roman të cilin do ta botojmë së shpejti. Xhejn Er, heroina e librit, është sipas meje një nga personazhet më të kompletuara, më karizmatike dhe më frymëzuese që kanë ekzistuar ndonjëherë. Ajo paraqet një baraspeshim pothuajse të përkryer të kontradiktave njerëzore dhe femërore: njëkohësisht e ëmbël dhe agresive, e fortë dhe zemërbutë, naive dhe cinike, me një moral të palëkundur, por mbi moralin e kohës së saj.
Ndërsa ndër më bashkëkohoret do të më vinin ndër mend emra si Sylvia Plath, Margaret Atwood, Eve Ensler, Maya Angelou, Marjane Satrapi.
Të gjitha këto autore më kanë lënë gjurmë për shkak të stilit, nëntemës së trajtuar, kurajës e ndershmërisë. Secili nga këta zëra është unik dhe, pasi e keni dëgjuar për herë të parë, nuk mund të mos e dëgjoni sërish e sërish në kokën tuaj. Marjane Satrapi ka pasur kurajën të krijojë një heroinë feministe në gjirin e njërës prej shoqërive më maskiliste që ekzistojnë sot, në Iranin totalitar (Persepolis). Sylvia Plath përjeton një nga dhimbjet më tabu të femrave sot, frika dhe dëshira e të qenit nënë (The bell jar). Margaret Atwood ka ideuar një botë distopike ku janë kondensuar të gjitha paragjykimet gjinore (The handmaid’s tale).
Letërsia feministe tradicionalisht është një gjini e shkruar dhe e lexuar nga gratë. A ka ndonjë kundërshembull mashkullor që e hedh poshtë katërcipërisht këtë ide? 
Sigurisht që ka. I pari që më vjen ndër mend është Ibsen-i me “Shtëpia e kukullave”. Por edhe Hawthorne-i me librin “Damka e turpit” mbetet, sipas meje, një libër thellësisht feminist.

Google+ Followers