Kumt

Nga Mehmet Elezi
Në gjuhën tonë të bukur: shqip

Pse mesazh, a mund të zëvendësohet me një fjalë shqip?, pyet një dashamir i gjuhës. Një tjetër mendon se mund të zëvendësohet me porosi.
Nisur nga shqetësimi – pastërtia e gjuhës – pyetja është e bukur.
Dihet se jo çdo fjalë e huaj duhet parë si e huaj. Ato që quhen ndërkombëtarizma i gjen edhe në gjuhët më të lëvruara. Feisbukut do t’i themi feisbuk, inxhinjerit inxhinjer dhe krizës krizë. Por ka shumë fjalë të tjera që s’kanë hyrë si nevojë. Janë “imigrante klandestine” në hapësirat e gjuhës shqipe, “punojnë në të zezë”.
Shqipja mund
Gjuha shqipe është e pasur. Shumicën dërmuese të fjalëve të huaja mund t’i zëvendësojë me fjalë që ka. Në mos i pastë, i gatuan me brumin e vet.
Rast i thjeshtë është kur për fjalën e huaj kemi një të barazvlefshme. Në vend të pastiçeri -ëmbëltore, në vend të maltretim – keqtrajtim, në vend të eksperiencë – përvojë, në vend të fast food – ushqim ose shujtë e shpejtë. Diku në Tiranë kam parë një zgjidhje origjinale me fjalë tingullore (onomatopeike). Në vend të fast food shkruhej thjesht tak-fap.
Kur mungon një fjalë e mirëfilltë shqip, e huaja shmanget me fjalë të ndryshme, sipas kontekstit. Në vend të performancë mund të përdoren shfaqje, lojë, paraqitje etj. Përformancë e denjë e kombëtares sonë në Beograd – përfaqësim i denjë i kombëtares sonë në Beograd. Përformancëe shkëlqyeshme e Ansamblit Dardania shfaqje e shkëlqyeshme e Ansamblit Dardania.Përformanca e aktorit x në film – loja e aktorit x në film. Në ekonomi: performanca e dobët e ekonomisë – ecuria e dobët e ekonomisë; në mos qoftë recession, përparimi i dobët i ekonomisë. Në muzikë: (këngëtarja x) performoi natën e dytë të festivalit – (këngëtarja x) këndoi natën e dytë të festivalit.
Kthehemi te mesazh.
Kumti i…
Duket se fjala shqipe më e afërt me mesazh është kumt. Për një ngjarje politike, lëvizje diplomatike etj., thuhet: kumti (mesazhi) është ky.
Presidenti Nikoliç dhe kryeministri Vuçiç nuk dënuan thirrjet në kor vrisni shqiptarët!, nuk njohën pikë përgjegjësie për sa ndodhi në shtëpi të tyre, në prani të tyre. Ç’kumt përcjell te turmat që thërrisnin si nazistë një qëndrim i tillë? Sado dashamirës i serbëve me qenë, kumti nuk mund të lexohet ndryshe veçse si pajtim i qeveritarëve serbë me to: vijoni, prapa keni shtetin!
Edhe kumti i UEFA-s është trishtues. Shprehjen ka ligj, por ka edhe Maliq, s’e keni shpikur ju shqiptarët, thonë platinistët.
Cili do të jetë kumti i vizitës së Edi Ramës në Beograd?
I dëshiruar do të ishte një kumt europian: shenja të besueshme për çlirimin e Beogradit nga albanofobia e racizmi dhe për shkundjen e mendësisë kolonialiste mbi Kosovën, siç pati bërë Parisi me Algjerinë; shenja të besueshme të vullnetit me bashkëpunue me projekte konkrete për të ardhmen e përbashkët, sipas shembullit të Gjermanisë me Francën. Në ndodhtë kështu, kryeministri i Shqipërisë do të hyjë në histori si nxitës i kësaj kthese historike.
I dhimbshëm do të ishte një kumt bizantin: shtrëngim i rrejshëm duarsh, buzëqeshje para kamerave, deklarata me slogane “europiane”, kurrgjë e re e prekshme. Në ndodhtë kështu, kryeministri i Shqipërisë do të hyjë në histori si bashkëpunëtor në alibinë politike të Beogradit, si njeriu që shkoi me i ba fresk kryeministrit të Serbisë.
Prej kumt është krijuar një familje fjalësh. Me (u) kumtue, kumtesë, kumtim, kumtues, i kumtuar, kumtar. Krejt ndryshe nga mesazh, i cili ka mbetur shterpë, fillikat. S’ka krijuar fjalë të reja.
Kostumi i tribunave të dikurshme
Si e shtjellojnë fjalën kumt fjalorët e akademisë?
FGJSSH (Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe), 1980: KUMT, – i m. Lajm (zakonisht i keq). Kumt i zi. Dha kumtin. FSHS (Fjalor i Shqipes së Sotme), botimi dytë i ripunuar, 2002: KUMT, – i m. Lajm (zakonisht i keq). Dha kumtin.
Nga botimi i 1980-s te botimi i 2002-shit “ripunimi” qëndron te heqja e një shembulli (Kumt i zi).Fjalia e vetme që është ruajtur, “Dha kumtin”, nuk është ilustrim profesional, është pa koncept. Nuk ndihmon me përkapë kuptimin e fjalës.
Nuk dihet pse kumt në këta fjalorë është quajtur “lajm zakonisht i keq”. Kumti është thjesht lajm ose mesazh. Mund të jetë i mirë, i keq ose asnjanës. Lajm çfarëdo, thotë Gazulli. Fjalët e krijuara prej kumt (me kumtue, kumtesë, kumtues…), nuk janë “zakonisht të këqija”. Përgatiti një kumtesë për autoktoninë e e shqiptarëve. Ç’ngarkesë “zakonisht të keqe” ka në këtë fjali? Kumt Kadare e përdor në vend të mesazh, i mirë ose jo i mirë. “… në hotel gjeta një kumt prej saj”, shkruan te romani Hija.
Nuk dihet po ashtu pse kumt në këta fjalorë jepet vetëm në njëjës. Fjala përdoret natyrshëm edhe në shumës. Kumtet e herëpashershme nga Brukseli nxitin vazhdimin e reformave.
Edhe mesazh për fjalorët e akademisë ka mbetur larg, diku në qindvjetëshin e shkuar. Veshur me kostumin e tribunave të kuqe.
FGJSSH, 1980:
MESÁZH, – I m. sh. – E, – ET. Letër që një udhëheqës shteti i dërgon udhëheqësit të një shteti tjetër si përshëndetje ose me ndonjë rast të veçantë; letër e posaçme a përmbajtja e asaj që i transmetohet dikujt për t’i shprehur ndjenjat e veta, zotimet etj.; letër a ligjëratë, me të cilën një udhëheqës i drejtohet popullit të vet. Mesazh urimi (përshëndetjeje). Vijojnë edhe pesë shembuj të ngjashëm ilustrues, njëri veçanërisht i politizuar.
FSHS, botimi dytë i ripunuar, 2002:
MESÁZH, – I m. sh. – E, – ET. Letër që një udhëheqës shteti i dërgon…
I njëjti shtjellim i 1980-s, fjalë për fjalë, marrë me copy paste. Janë zvogëluar vetëm shembujt ilustrues, nga pesë është lënë vetëm një. Siç shihet, për hartuesit e nderuar të Fjalorit, nga 1980-a te 2002-shi asgjë s’ka ndryshuar në kuptimin e mesazh. Ani pse me 2002, kur është botuar Fjalori “i ripunuar”, sigurisht kanë pasur edhe vetë telefona dore (celularë), këmbenin mesazhe me ta.
Familjar
Përveç kumt, për mesazh në disa raste mund të përdoret lajm ose thjesht fjalë. Morën lajm për…= morën mesazh për… I çova fjalë për… = i dërgova mesazh për… Herë-herë edhe porosi, por kjo nuk sjell diçka të re. Vetë porosi është me prejardhje të huaj (sllave).
Me përhapjen e telefonit të dorës, sidomos të telefonave të quajtur smart, mesazh është bërë familjar në të folurën e përditshme, me disa kuptime të reja. Mund të nënkuptojë sms, uotsap, vaiber a kumt zanor.
Me gjasë nuk do të jetë lehtë me e përzanë. A mund të përfytyrohet një ditë e gjimnazistëve, për shembull, pa pafundësinë e mesazheve me shoqi-shoqin?
“Një çikë magazinier” dhe të rinjtë e kulturuar
Për të zëvendësuar fjalë, shprehje e struktura të huaja gramatikore, s’ka pse me pritë vendime të institucioneve akademike. Secili prej nesh mund të bëjë diçka vetë. U tha për zgjidhjen origjinaletak-fap të një pronari në Tiranë. Në pikën turistike të Bogës, në grykë të Rugovës, te pishinat lexon një fjalë “të re”: zhveshtore. Quhen kabinat ose dhomat e zhveshjes. Siç e quajnë kampinpushimore.
Në shoqërinë shqiptare ka shumë bjerraditës, që vdesin me u ba “një çikë magazinier”, siç thoshte i ndjeri aktor i mirënjohur Roland Trebicka. Domethënë që “vdesin” me përdorë fjalë të huaja edhe kur s’duhen. Le pastaj kur kanë zënë vend.
Brezat e sotshëm të rinj shkollohen në universitete perëndimore, mësojnë me themel gjuhë të huaja, udhëtojnë. Me pak tharm atdhetar, mund të bëjnë për pastërtinë e pasurimin e gjuhës shumë më tepër se ç’bënë rilindasit dhe intelektualë të shquar ndërmjet dy luftave botërore.

Google+ Followers