Këndo ose vdis pa klithmë


Dy poetë të sjellë në këtë numër të Logos & Art, me një tufë poezish të pakrahasueshme për nga lirizmi; të jetuar në dy treva të ndryshme, karakteri epik thyen çdo varg për t’iu bashkuar frymës e ndjesive që shpesh poetët në arealin e tyre imagjinar i kthejnë në shenja të forta të ekzistencës, si në këtë rast: Din Mehmetit dhe Ndoc Gjetjes

Din Mehmeti

Bëhu i blertë si unë
Më tha bari një natë
Këndo derisa të vallëzojnë yjet
Rreth diellit
Si fëmijët rreth zjarrit në tokë
E pastaj dëgjo oshëtimën
Pa fjalë nëpër botë
Lart do të mbesin kodrat duarthatë
E gurët breg rrugëve në mendime çarë

Këndo derisa të pëlcasësh
Si kripa në flakë vajto po të duash
Kosave të egra s’do të mund t’iu ikësh kurrë
Kur çmenden kohërat në furtunë…
Bari ma tregoi ëndrrën e vet:
-Majat më të larta e hëngrën qiellin e zjarrtë
E shtegu i rrezeve e kërkon veten në breg…
I bukur është vetëm zogu në fluturim
Që me puhinë e krahëve të rreshk
Këndo ose vdis pa klithmë…
1978

                Të të pyes diçka

Ndalu bre Din
të të pyes diçka…

po ç’dreq paska ndodhur me ty
që vetëm gjysmën e dorës ma jep
e s’më shikon në sy
që dashuri pikojnë për ty?

në këngët e mbrëmjeve
emrin ta rris
në ligjërimet e fyellit
gazin ta ruaj
që mos të bëhemi të huaj

ndalu
rrugën të ma t’fillosh
se tym i zi më ka hyrë në fjalë
se shi i zi në mendime m’pikon
e një re kuçedre
eshtrat e të parëve m’i shpon
e mbi kullë më tall
në agim e muzg


prandaj misrin e lash pa vadë
barin pa kosë
tufën duke blegëruar në vathë
e erdha të të pyes ç’kam bërë
se edhe qeni im në mua po leh
e nisem dikund
e s’arrij kurrkund
ndalu bre Din…
1984

        Zogëza e Dukagjinit
I
Bukuria jote i djeg kufinjtë
E urrejtjeve të moteve,
Bukuria jote i kurorëzon agimet
E kuqrremta gjatë lindjeve,
Bukuria jote i bleron rrudhat e tokës
Së gjyshërve me shpresa të pavdekura
Sepse ke lindur në dasmën e madhe të punës

II
Ëndërrat e fshatit i ruan në çerdhet
E lejlekëve që shkruajnë emrin e kullave,
Lumenjtë e humbasin oshëtirën
Nëpër shtigjet e zemrës sate të pafund,
Këngët për ty janë fjalë që digjen në rrezet e tua
Sepse ke lindur për t’i zgjuar horizontet
E lindjeve tona të vona

III
Bukuria jote gjendet në thjeshtësinë
E lëvizjeve të shfrenuara rreth diellit,
Bukuria jote gjendet në harenë
E syve të rreshkurndër rreze,
Bukuria jote gjendet në turret
E përjetimeve të përditshme,
Sepse ke lindur të qëndisësh
Zemrat e plasura prej flakës.

IV
Prej syve të tu përvidhet rrezja
Që hap buzët e luleve të pranverës,
Prej duarve të tua përvidhet
Lindja e vdekja ime e nesërme,
Prej gjuhës sate përvidhet kënga
Që ruan porositë e tokës sime,
Sepse ke lindur të na rreshkësh
Në flakën e rrufeve.

V
Për ty djali i fshatit tim
Plagët e veta i ka quajtur lule,
Për ty janë kallë shtatë fshatra
E janë hapur shumë varre,
Për ty gjithmonë na ka rrudhur terri
E na ka shkrumuar dielli me lot për faqe
Sepse ke lindur për të zgjatur jetën
Mbi mordjet e paemra!…
1969

      Kur rrjedh ti

Kur rrjedh ti
Përflaken kremtet e shpirtit
Një zog bart emrin tim në qiell

Kur rrjedh ti
Yjet heqin valle të pavdekësisë

Një zog ndërton çerdhe pa frikë në plisin tim
Kur rrjedh ti
Ylberët bashkojnë kodrat e përdjegura nga malli

Një zog shkruan në shuplakën time
Lavdinë e ujit dhe zjarrit
2001

                     Unë e vetmia
Drita e agimit të njohu se je ti
Vetmia ime në fund të territ

Ta njohu zërin e stërkequr
Brigjeve të djegura nga malli
E u zverdh
E u bë akull
Tani erdhi koha të dalësh nga unë
Ku i kafshoje shpresat tua
Vetmia ime krahdjegur
Po tha vetmia
Duke i shikuar retë e korbëta
Erdhi koha
Po ç’t’u bëj plagëve të thella
Që rrjedhnin gjak përbrenda?…

Koha më paska dashur jashtë vetes
Të jetosh do të thotë
të përzjarresh,
të përujesh
gjersa të bëhesh i bukur nga vuajtja
për t’i pranuar toka eshtrat

Athua çka do të bëhet me dimrat tanë
çka me pranverat?
Si më lart,
Si më poshtë,
Koha më paska dashur jashtë vetes-
Koha e nxjerrë nga gjaku.
1972

    Mjegull është
Semaforët symacash nervoze
Rrugëve të shlyera
Si shiritat e filmave mesjetarë
Asgjë nuk shihet

Athua ç’bëjnë, majat e plepave atje lart?
Plepave të mbetur pa qiell pa tokë?

Mjegull është
Dhe s’është çudi

Që njerëzit nuk njihen më
Sipas dritave të syve
Sipas fytyrave

Njerëzit koka pa trupa
Trupa pa këmbë
Trotuareve të pëlcitur nga mërzia

S’është çudi që të vdekurit
Kërkojnë ndihmë nga të vdekurit
E të gjallët nga të vdekurit
Për t’i ndërruar emrat
Kohët idealet

E kështu ik jeta
Si një frymë degëve të thara nga rrufeja…

                      Mos vdis kur vdiset
Mos vdis kur vdiset
I shtrirë në shtrat
Nga dhimbjet

Nuk të ka hije

Kur të burrëron dashuria
Kur të bën tufan zemërimi

Kur qesh nga gëzimi i befasishëm
Kur të këndon qan shpirti

Kur të njollosin
Kur të gjuajnë me gurë
Kur pas teje qentë lehin

Kur të stërkeqet drita terri
Kur të pëlcet durimi

Mos vdis
Kur ndërton rrënon
Kur shpirtëzon natyrën
Të egrën të pamëshirshmen

Kur lufton
Kur të zihesh rob

Kur sprovohen mbi ty
Të gjitha trupet

Mos vdis kur vdiset
Kur jetohet
(Marrë nga Fjala Review)


Ndoc Gjetja

Sikur

Ç’mrekulli do të kishte qenë
sikur të jepnin që sot dorëheqjen
presidenti dhe çdo lloji ministri!
Dhe ta merrte pushtetin
Shpirti.

   Njëshit

Në rendin e pafund të numrave të plotë
matematikisht, ti je më i vogli
por, ti papritur u bëre i madh
në sajë të zerove që të shkojnë pas.

Ah!
Ah, të kisha gëzime sa ç’kemi partira
Të kisha dhoma sa ç’kemi ministrira
Të kisha shokë sa ç’kemi shefa
Të kisha miq sa ç’kemi gazeta
Të kisha mikesha sa ç’kemi vetura
Ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
Të kishim njerëz sa ç’kemi banorë
Veç diellin lart të kishim epror.

       Governatorit Ponc Pilati

Zoti Ponc Pilati unë kam përshtypjen
Se vitet e fundit në governën tonë të varfër
Është shtuar përqindja e të sëmurëve psiqikë
Dhe parashikoj një kataklizëm kombëtar
Prandaj me të ardhurat që vilen nga taksat
Shpenzoni pakëz për qetësimin e turmës.
Meqenëse Krishti nuk dihet kur kthehet
Hapni të paktën shtëpira publike.

  Epitaf për veten

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompjuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
…Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

    Buburreca e fatit

Në çastin kur unë linda
Buburreca e fatit
Është nisur nga Himalaja
Që të arrijë një ditë
Tek shtëpia ime.

Është nisur, e di
E di, që është nisur
Dhe po ecën, e di
E di, gjithashtu e di
Që do të vijë një ditë
Pas 7000 vitesh.

        Enciklikë
Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizma e ndarjes.

Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq.

O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?

E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?

Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.

Google+ Followers