Jo seksi mbret

Michel Foucault intervistuar nga Bernard-Henri Lévy

“Historia e seksualitetit”, më shumë se “Historia e marrëzisë” dhe “Survejim dhe ndëshkim”, është pritur me buhi. Sigurisht, vepra e Michel Foucault, profesor në Kolegjin e Francës dhe udhërrëfyes i një breznie filozofësh të rinj, fiton papra lexues. Por duhen kërkuar gjetkë arsyet e një pritjeje të tillë: Foucault, pasi ka çmontuar vidat e pushtetit dhe ka denoncuar kaq shtypje, kaplohet këtë herë nga idetë që i përkasin lirisë seksuale, të cilat ne i kemi fituar të parët. Shoqëritë tona, sipas tij, duke qenë larg mohimit të seksit, nuk kanë rreshtur së foluri për seksualitetin, duke e bërë të flasë, duke mëtuar ta përcaktojnë në të shkuarën, duke sjellë përmes tij më shumë kërshëri sesa ndalime… Nëse ka zoritje, ajo vjen nga kuptimi i “gjithnjë e më shumë seks”, sesa nga “antiseksi”. Këto i kishte dëftyer me Bernad-Henri Lévy-n në 1977 dhe sot që Michel Foucault sapo ka vdekur, i rraskapitur skajshmërisht duke redaktuar dy vëllimet për të cilat flet këtu, nuk mund t´i lexosh ato pa u rrëqethur.
Me “Vullneti i dijes” ju çelët një histori seksualiteti që gjason monumentale. Çfarë mund ta justifikojë sot, Michel Foucault, një kuturisje të një gjerësie të tillë?
Të një gjerësie të tillë? Jo, jo, më mirë të një ngushtësie të tillë. Nuk mëtoj të bëj kronikën e sjelljeve seksuale përmes historisë dhe qytetërimeve. Dua të ndjek një rrjedhë më imcake: atë që gjatë shekujve, në shoqëritë tona,  ka lidhur seksin me kërkimin e së vërtetetës.

Në çfarë kuptimi, mot-a-mot?
Në të vërtetë, problemi është ky: si i bëhet që në një shoqëri si e jona seksualiteti të mos jetë thjesht ai që lejon riprodhimin e llojit, familjes, individit? Jo vetëm si diçka që prodhon këndellje dhe gëzim. Si i bëhet që ai të vlerësohet si vendi i privilegjuar ku lexohet, ku thuhet “e vërteta” jonë e thellë? Sepse është e rëndësishme: qysh prej kristianizmit, Perëndimi nuk ka rreshtur së thëni: “Për ta ditur kush je, di kush është seksi yt”. Seksi, gjithmonë, ka qenë vatra ku ngjizet dhe formohet xhinsi njerëzor, “e vërteta”  e subjektit njerëzor. Besimi, kqyrja e ndërgjegjes, gjithë një këmbëngulje rreth sekreteve dhe rëndësisë së kurmit, nuk kanë qenë vetëm një mjet për ndalimin e seksit apo dhënien e dutkave sa më larg prej ndërgjegjes, por dhe një mënyrë për ta vendosur seksualitetin në kërthizë të ekzistencës dhe për ta lidhur shpëtimin e zotërimit të vetes përmes lëvizjeve të tij të errëta. Në shoqëritë kristane, seksi ka qenë ai që duhej të ajgëtohej, të survejohej, të pohohej, të tëhuajzohej në diskutime.
Prej nga edhe teza paradoksale që përmban vëllimi i parë: shoqëritë tona, duke qenë larg së bëri tabu, larg së bëri ndalim të madh, nuk kanë rreshtur së foluri për seksualitetin, për ta bërë atë të flasë…
Mund të flisnin bajagi bukur për seksualitetin, por vetëm për ta ndaluar. Por dua të shenjoj dy gjëra të rëndësishme: së pari që nxjerrja në dritë e seksualitetit, ashiqarllëku i tij, nuk është bërë vetëm në diskutime, por edhe në realitetin e institucioneve dhe të praktikës. Ndërkohë që ndalimet ekzistojnë, të shumta dhe të forta. Ato përbëjnë pjesën e një ekonomie komplekse, ku fqinjërojnë ndërsimet, demonstrimet, mbivlerësimet. Por, gjithmonë, janë ndalimet që nënvizohen. Unë do të mëtoja ta ndryshoja dekorin; të kapej në çdo rast tërësia e mekanizmit. Dhe pastaj ju e dini rrokshëm që më kanë bërë historianin e vrugët të ndalimeve dhe të pushtetit shtypës, dikë që i rrëfen historitë me dy fjalë: marrësia dhe çmendina, anomalia dhe përjashtimi, krimi dhe burgosja. Megjithatë, problemi im, me fjalë të tjera, ka qenë gjithmonë e vërteta. Si pushteti që ushtrohet mbi marrëzinë ka prodhuar diskuret “e vërteta” të psikiatrisë? E njëjta gjë për seksualitetin: rikapja e vullnetit për të ditur ku është angazhuar pushteti mbi seksin. S´dua të bëj historinë sociologjike të një ndalimi, por historinë politike të një prodhimi të  “së vërtetës”.

Një revolucion i ri në konceptin e historisë? Agsholi i një tjetre “historie të re”.
Ka vite që historianët kanë qenë shumë krenarë për zbulimet që kanë mundur t´u bëjnë historive të betejave, të mbretërve dhe të institucioneve, por edhe të ekonomisë. Dhe ja ku janë që të gjithë të shapllamosur, sepse më djallëzorët mes tyre kanë kuptuar që mund të bëhet edhe historia e ndjenjave, e sjelljeve, e kurmeve. Që historitë e Perëndimit nuk janë të shkëputura nga mënyra se si “e vërteta” është sajuar dhe se si janë përshkruar efektet e saj, këtë do ta kuptonin së shpejti. Mendja iu vlen shumë çupëlinave.Jetojmë në një shoqëri që, në pjesën më të madhe, ecën “me të vërtetën” – s´dua të them që prodhon dhe bën të qarkullojnë diskure, duke patur për funksion të vërtetën, duke i çuar andej dhe duke i kthyer këtej pushtetet përveçuese. Vendosja në vend e diskureve ”të vërteta” ( të cilat ndryshojnë pa pra) është një nga problemet themelore të Perëndimit. Historia e “të vërtetës” – të vetë pushtetit të diskureve të pranuara si të vërteta – është realizuar fundekrye. Cilët janë ata mekanizma pozitivë që, duke prodhuar seksualitetin në këtë, apo atë formë, zhargin efektet e mjerimit? Nga ana ime, për çdo gjasë, do të mëtoja të studioja atë që këto mekanizma në shoqërinë tonë ndërsejnë, cytin, dhe cikaprekin po të flasësh për seksin. Disa mund t´ju përgjigjeshin që, me gjithë këto diskure, ekziston përsëri shtypja dhe mjerimi seksual…
Po, kam patur kundërshtime. Ju keni të drejtë. Ne që të gjithë, kush më shumë e kush më pak, gjallojmë në këtë gjendje të mjerimit seksual. Kjo do të thotë që çështja e kësaj jetese nuk është problem i librit tim…

Përse? Mos është kjo një zgjidhje e menduar?
Kur do t´iu qasem studimeve konkrete në vëllimet e mëvonshme – në lidhje me femrat, fëmijët, perversitetet – do të mëtoj të analizoj format dhe kushtet e këtij mjerimi. Por, për këtë çast, bëhet fjalë për të përcaktuar metodën. Problemi është të dish nëse ky mjerim duhet të shpjegohet negativisht përmes një ndalimi themelor, apo përmes një moslejimi relativ në një situatë ekonomike (“Punëtorë, mos bëni dashuri”); apo nëse nuk është efekt e procedurave shumë më të koklavitura dhe shumë më pozitive.

Në këtë gjasë kush mund të jetë një shpjegim “pozitiv”?
Do të bëj një krahasim fodull. Çfarë ka bërë Marksi, kur, në analizën e kapitalit, ka ndeshur problemin e mjerimit të punëtorëve? Ka shkaguar shpjegimin e zakonshëm, i cili e bën këtë mjerim pasojë të një rallësie natyrale, apo të një vjedhjeje të ujdisur. Në thelb ka thënë: i dhënë ashtu siç është, prodhimi kapitalist, në ligjet më themelore, nuk mund të prodhojë mjerimin. Kapitalizmi nuk ka arsye t´i babëzitë për bukë punëtorët, por s´mund të mbrothësohet pa këtë babëzi. Marksi ka zëvendësuar denocimin ndaj vjedhjeve me analizën e prodhimit.Mutatis mutandis, kjo është njëfarësoj ajo çka kam mëtuar të bëj. S´bëhet fjalë për të mohuar mjerimin seksual, por, gjithashtu, s´bëhet fjalë për ta shpjeguar negativisht përmes shtypjes. Gjithë problemi është të kapësh cilat janë mekanizmat pozitivë, të cilët, duke krijuar seksualitetin në këtë, apo në atë formë, branisin efektet e mjerimit.  Një shembull, të cilin do ta trajtoj në vëllimin e afërt: në shekullin e XVIII i kanë kushtuar një rëndësi të buhishme masturbimit fëminor, masturbim që persekutonte kudo si një epidemi e beftë, e tmerrshme, e aftë që prekte gjithë specien njerëzore.
Duhet pranuar që befas masturbimi i fëmijëve ishte bërë i pahonepsshëm për një shoqëri kapitaliste që ishte në rrugën e zhvillimit. Kjo është teza e disa “reichienëve” tani së afërmi. Mua s´më duket aspak e kënaqëshme. Me fjalë të tjera, ajo që ishte e rëndësishme për epokën, ishte riorganizimi i marrëdhënieve midis fëmijëve dhe të rriturve, prindërve, edukatorëve, ishte një shpeshëri e marrëdhënieve ndërfamiljare, ishte fëminia e shndërruar në një lojë kolektive të prindërve, institucionet edukative, organet e higjienës publike, ishte fëminia si fidanishte për popullsinë që po vinte. Në kryqëzimin e trupit dhe të shpirtit, shëndetit dhe moralit, edukimit dhe stërvitjes, seksi i fëmijëve është bërë edhe nishan edhe instrument i pushtetit. U sajua një “seksualitet fëmijësh” përveçues, i pasigurt, i rrezikshëm, që duhej mbikqyrur vazhdimisht. Që prej këtej dhe një vobektësi seksuale e fëminisë dhe e adoleshencës që dhe breznitë tona nuk e kanë kapërcyer akoma, por qëllimi i kërkuar nuk ishte kjo vobektësi; objektivi nuk ishte ndalimi. Ai ishte që, përmes seksualitetit fëminor, duke e bërë befasisht të rëndësishëm dhe misterioz, të krijonte një rrjet pushteti mbi fëmininë.

Ideja që mjerimi seksual vjen prej shtypjes, ideja që për të qenë të lumtur duhet të çlirojmë seksualitetin tonë, është ideja e seksologëve, mjekëve dhe policëve të seksit…
Po, ja përse ata na kanë ngritur një kurth të dyshueshëm. Pak a shumë, na thonë: “Ju keni një seksualitet, i cili është i dhunuar dhe i belbët, hipokritët e namuzit e ndalojnë. Ejani, pra, tek ne, na rrëfeni dhe na besoni sekretet fatkeqe…” Ky tip diskuri, në të vërtetë, është një vegël e pataksshme e kontrollit dhe e pushtetit. Ai, si gjithmonë, i shërben asaj çka njerëzit thonë, asaj çka ndjejnë dhe asaj çka gjakojnë. Ai shfrytëzon mëtimin e njerëzve që, për të qenë të lumtur, mjafton të kapërcehet pragu i diskutimeve dhe të vendosen disa ndalime. Ai çon në zhgënjime  dhe në kuadratizimin e lëvizjeve të revoltës dhe të lirisë. Prej nga ku, keqkuptimi i disa komentuesve: “Sipas Foucault, ndrydhja dhe liria seksuale vjen nga vetë…”, apo akoma “M.L.A.C (Lëvizja e lirisë për abortin dhe moslindjen- shënim i përkthyesit) dhe Lërini të jetojnë, fundja ky është i njëjti diskutim…” Po! Sidoqoftë, në këtë pikë duhet të qartësohen gjërat. Më kanë bërë të them që s´ka ndryshime të vërteta midis gjuhës së çensurës dhe antiçensurës, midis baballarëve namzqarë dhe atyre që janë për lirinë seksuale. Më kanë këtilluar sikur i mbyll në të njëjtin thes për t´i mbytur si këlyshë macesh të vogla. Fund e krye gabim: s´është ajo që jam rrekur të them. Veç të tjerave, e rëndësishme është se s´i kam thënë fare.

Sidoqoftë, e pranoni që ka elementë, parashtrime të përbashkëta…
Po ka një gjë që është parashtruar, një diskur tjetër. Aty ka elementë taktikë të përbashkët dhe strategji të kundërta.

Për shembull?
Lëvizjet e këtilluara “liria seksuale”, besoj se janë kuptuar si lëvizje të pohimit “që nisen” nga seksualiteti. Kjo do të thotë dy gjëra: që janë lëvizje që nisen nga seksualiteti, nga mekanizmi i seksualitetit në brendësi të të cilit ne jemi ngjizur, i cili e bën të funksionojë gjer në skajshmëri; por, në të njëjtën kohë, në marrëdhëniet me të ato zbythen, duke u çliruar dhe shfryrë.

Me kë ngjasojnë këto shfryrje?
Merrni rastin e homoseksualitetit. Rreth viteve 1870 psikiatrët kanë filluar të bëjnë një analizë mjekësore: pika e nisjes, për gjithë një seri ndërhyrjesh dhe kontrollosh të reja, ishte e sigurt. Filluan qoftë duke i izoluar homoseksualët nëpër azile, qoftë duke ndërmarrë kujdesje ndaj tyre. I kundronin si zabërhanë dhe shpesh si keqbërës (prej nga dhe dënime që mund të ishin shumë të ashpra –ndonjëherë me zjarr në shekullin e XVIII – por që doemos ishin të rralla). Tash e tutje do t´i ajgëtonin si një farefisni globale me të marrët, si të sëmurë të instinkteve seksuale. Por, duke i kapur në kuptimin e ngushtë të fjalës ligjërata kësisoji, njëkohësisht duke i qerthullosur, shihen të shkridhen përgjigje në formë sfide: ashtu qoftë, ne, nga natyra, jemi ashtu siç thoni: të sëmurë, apo perversë, si t´ua ketë ënda. E kujt i plas në jemi të tillë; nëse jemi të tillë dhe nëse doni të dini atë çka jemi, na lini ta themi më mirë se ju. Një letërsi e gjithë homoseksualiteti, krejt e ndryshme nga tregimet e shthurura, u shfaq nga fundi i shekullit XIX: le të ndërmendim Wilde-n apo Gide-n. Është kthimi strategjik tek vetë dëshira për të vërtetën.

Kjo ka ndodhur për të gjitha minoritetet, femrat, të rinjtë, amerikanët e zinj…
Po, sigurisht. Për shumë kohë është mëtuar që femrat të citosen pas seksualitetit të tyre. “Ju s´jeni asgjë tjetër veç seksit”, iu thoshnin që prej motmotçmi. Dhe ky seks, shtonin mjekët, është i brishtë, pothuajse gjithmonë i sëmurë dhe kallës i sëmundjes. “Jeni sëmundja e burrit”. Dhe kjo lëvizje shumë e moçme ka ardhur rukukuku gjer në shekullin XVIII, duke çuar në një patologjizim të femrës: kurmi i saj u bë motamo diçkagjëja mjekësore. Më vonë, në kuptimin më të gjerë të fjalës, do të orvatem të bëj historinë e kësaj  “gjinekologjie” të hatashme. Megjithatë lëvizjet feministe janë bërë sfiduese. Seks qenkemi nga natyra? Epo mirë, le të jemi në përveçueshmërinë, në specifikën e tij të paepshme.  Prej kësaj do të nxjerrim rrjedhojat dhe do të risendërgjojmë tipin tonë të ekzistencës, politik, ekonomik, kulturor… gjithmonë e njëjta lëvizje: të nisesh nga ky seksualitet për të kolonizuar dhe kaluar drejt afirmimeve të tjera.

Kjo strategji që përshkruani, kjo strategji e detantës së dyfishtë, a është akoma një strategji e lirisë, në kuptimin klasik? Apo më mirë, që sot e tutje, mos nuk duhet thënë që çlirimi i seksit është urrejtje dhe tejkapërcim?
Sot ravijëzohet një lëvizje, e cila më duket se ngjitet nëpër monopatin “gjithnjë më shumë seks”, “gjithmonë më shumë të vërtetë në seks”, për të cilin na kanë përcaktuar shekujt: është fjala të mos “zbulosh”, por të fabrikosh forma të tjera çkëthjesh, marrëdhëniesh, bashkekzistencash, lidhjesh, dashurish, fuqishmërish. Kam përshtypjen se sot dëgjoj një hungërimë “antiseks” (unë s´jam profet, aq më tepër diagnostikues) si një orvatje që bëhet në thellësi për të shkundur këtë “seksografi” të hatashme, e cila na bën ta deshifrojmë seksin si një sekret universal.

Shenjat për këtë diagnostikim?
Vetëm një anektodë. Një shkrimtar i ri, Hervé Guibert, kishte shkruar tregime për fëmijë dhe asnjë botues s´i ishte qasur. Atëherë shkroi një tekst tjetër, shumë të famshëm dhe rrokshmërisht shumë “seks”. Ky ishte kushti për ta dëgjuar dhe për ta botuar. Dhe ja ku botohet (është fjala për Vdekja e propagandës). Lexojeni: më gjason e kundërta e shkrimit seksografik që ka qenë ligji i pornografisë dhe ndonjëherë i letërsisë së mirë: të shkojë progresivisht gjer aty sa ta këtillojë seksin si diçka që ka shumë fëlliqësira. Hervé  Guibert gjasmon një lojë të keqe dhe skajore – “Dashkeni që të flas, e po mirë, do të dëgjoni më shumë nga ç´keni dëgjuar tani” – dhe me materiale të ndyra ndërton trupa, imazhe, kështjella, bashkime, dashuri, raca, pijanecë; i gjithë ky koefiçent i pataksëm i seksit është i flurueshëm. Ky s´është veçse një shembull bejlegu i “antiseksit”, por mund të gjenden dhe shumë shenja të tjera. Ndofta ky është fundi i këtij yrti të vrugët të seksit, fundi i monarkisë së seksit.

Me kushtin që, ndaj seksit të mos jemi të lidhur dhe të jemi të kushtëzuar si një fatalitet, siç thuhet…
Saktësisht, kqyrni çka ndodh me fëmijët. Thonë: jeta e vërtetë e fëmijëve është jeta e tyre seksuale. Nga biberoni gjer në pubertet, s´ka problem tjetër veçse këtij. Mbrapa gjakimit për të mësuar që të lexojnë, apo vilarëve të vizatuar, ka gjithnjë dhe gjithmonë seksualitet. Mirë, pra, a jeni i sigurt se ky lloj diskuri është realisht çlirimtar? Jeni i sigurt që ai nuk i mbyll fëmijët në një lloj ishullimi seksual? Nëse kjo nuk i dogënis ata? Nëse liria për të mos qenë i rritur qëndron pikërisht në mosshërbimin ndaj ligjit, por ndaj diçkaje banale, dhe nëse, së fundi, s´mërziten nga seksualiteti? Nëse mund të ketë tek gjërat, tek njerëzit, tek trupat, marrëdhënie polimorfe, kjo s´do të ishte fëmini? Të rriturit, për t´u siguruar, këtë polimorfizëm e quajnë pervesitet, duke e ngjyrosur kësisoj me  bojanë monotone të seksit të tyre.

Pra,  fëmija shtypet nga ata që orvaten t´i shpëtojnë?
Lexoni librin e Schérer-it dhe Hocquenghem-it: aty dëftohet mirë që fëmija ka një regjim kënaqësish, për të cilin kangjelat e “seksit” përbëjnë një burg të vërtetë.

A është ky një paradoks?
Kjo rrjedh ngaqë seksualiteti nuk është rrënjësisht ai nga i cili pushteti ka frikë; por që, pa dyshim, është shumë më tepër se ajo për të cilën ushtrohet.

Ajgëtoni ndërkaq shtetet autoritare: a mund të thuhet që pushteti ushtrohet aty jo kundër seksualitetit, por përmes tij?
Dy fakte taze, rrokshmërisht cikaprekaz. Ka pothuajse tetëmbëdhjetë muaj që në Kinë  ka filluar një fushatë kundër masturbimit të fëmijëve, motamo në atë stil që kishte kundruar shekulli i XVIII europian (ai të pengon të punosh, të shurdhon, bën të degjenerojë specia njerëzore…). Nga ana tjetër, një kongres psikanalistësh do të përçikë B.R.S.S para fundit të vitit (është e sigurt që do të përçikë, sepse më parë s´ka patur asish.) Çlirimi? Shkrirja e akujve nga brigjet e pavetëdijes? Pranvera e libidos sovjetike kundër borgjezimit moral të kinezëve? Në currufjepsjen pleqërore të Pekinit dhe kuturisjen rioshe të sovjetikëve, unë shquaj njohjen e faktit të dyfishtë që seksualiteti, i formuluar dhe i paformuluar, i lejuar dhe i palejuar, është një stafetë që asnjë sistem modern nuk mund t´ia kalojë tjetrit. Frikësohemi, frikësohemi nga socializmi me fytyrë seksuale.

Me fjalë të tjera, pushteti a nuk është medoemosdo ai që censuron dhe izolon?
Në mënyrë të përgjithshme, do të thosha që ndalimi, kundërshtimi, censurimi, larg së qeni forma kryesore të pushtetit, nuk janë veçse kufij, forma të ndrydhura apo ekstreme. Para së gjithash, marrëdhëniet e pushtetit janë produktive.

Është një ide e re kjo në lidhje me librat tuaj të mëparshëm.
Po, nëse pozoj dhe mbështillem në një koherencë paksa fiktive, do t´ju thosha që gjithmonë ky ka qenë problemi im: efektet e pushtetit dhe prodhimi i “të vërtetës”. Ndihem jo në formë përpara këtij nocioni ideologjik që ka qenë shumë i përdorshëm këta vitet e fundit. Ai ka shërbyer për të shpjeguar gabimet, iluzionet, paraqitjet ekrenarore, shkurt, gjithçka që pengon të formohen diskure të vërteta. Ai ka shërbyer gjithashtu për të treguar raportet midis asaj çka ndodh në kokën e njerëzve dhe vendin e tyre në marrëdhëniet e prodhimit. Pra, ekonominë e të pavërtetës. Prej shumë kohësh i kam kërkuar hesap.

Përse?
Për shumë arsye. Së pari sepse pushteti në Perëndim është ai që tregohet më shumë, pra dhe ai që fshihet më mirë: ajo që këtillohet “jetë politike”, qysh prej shekullit XIX, është mënyra se si pushteti paraqitet (si në oborrin mbretëror në periudhën monarkike). S´bëhet fjalë se si funksionon. Marrëdhëniet e pushtetit janë midis gjërave më të fshehta në trupin shoqëror. Nga ana tjetër, qysh prej shekullit të XIX, kritika e shoqërisë është bërë kryesisht duke u nisur nga karakteri përcaktues i ekonomisë. Mpakje e shëndetshme e “politikës”, sigurisht, por orvatje për të shpërfillur marrëdhëniet e pushtetit elementar, i cili gjason të jetë edhe përbërës i marrëdhënieve ekonomike. Arsyeja e tretë: një prirje që është e përgjithshme në institucione, në parti, në gjithë një orvatje mendimi dhe veprimi revolucionar, e cila qëndron tek moskqyrja e pushtetit tjetërkund  veçse tek forma dhe aparatet shtetërore. Kjo çon që, kur kthehesh drejt individëve, të mos ta gjesh pushtetin veçse në kokën e tyre (nën pamjen e përfaqësimit, pranueshmërisë, brendshmërisë).

Dhe çfarë keni mëtuar të bëni ballaz kësaj?
Katër gjëra: të kërkoj atë që mund të jetë më e fshehtë në marrëdhëniet e pushtetit; t´i kap gjer në infrastrukturat ekonomike; t´i ndjek jo vetëm në format shtetërore, por edhe tejshtetërore dhe parashtetërore; t´i gjej në lojën e tyre materiale.

Nga cili çast jeni nisur për të bërë këtë lloj analize?
Nëse gjakoni një referim libror është tek Survejim dhe ndëshkim. Do të më pëlqente më shumë të nisesha nga një zogori ngjarjesh dhe mushtimesh që kanë mundur të bëhen qysh prej vitit 1968 në lidhje me psikiatrinë, krimin, shkollarinë, etj. Por besoj se vetë këto ngjarje nuk do të kishin marrë kurrë kuptim dhe intesitet, nëse nuk kishin prapa dy hije gjigadeske, siç janë fashizmi dhe stalinizmi. Nëse punëtori i kërbunjur – ky nënekzistencë – ka bërë që mendimi i shekullit XIX të vërtitet rreth ekonomisë, fashizmit dhe stalinizmit – këtyre mbipushteteve – duke shkaktuar zallamahi politike të shoqërive të sotme. Prej këtej edhe dy probleme: si funksionon pushteti? I mjafton të ndalojë rreptësisht për të funksionuar realisht? Dhe më tej: a lufton ai gjithmonë nga lart poshtë dhe nga qendra në periferi?

Dhe vërtet, tek Vullneti i dijes, kam shquar këtë zhvendosje, këtë rrëshqitje kryesore: këtë herë prisheni me një natyralizëm difuz, i cili nuk iu është shqitur librave tuaj të mëparshëm.
Ai që e quani “natyralizëm”, tregon dy gjëra. Një farë teorie, me idenë që poshtë pushtetit, dhunës dhe marifeteve të tij, duhen gjetur gjërat në freskinë primitive: mbrapa mureve të azilit, spontatiteti i marrëzisë; përmes sistemit penal, ethet fisnike të kriminelit; në ndalimin seksual gjallëria e dëshirës. Por edhe një farë zgjedhjeje estetiko-morale: pushteti është e keqja, shëmtimi, steriliteti, monotonia, vdekja; dhe ai mbi të cilin ushtrohet pushteti është i mirë, i gjendur, i pasur.

Po. Temë kolektive e vulgatës marksiste dhe neogoshiste: “Poshtë kalldrëmeve është plazhi”
Po, nëse ju pëlqen. Ka raste kur thjeshtëzimet janë të domosdoshme. Për të ndryshuar herë pas here dekorin dhe për të kaluar në të kundërtën, një dualizëm i tillë përkohësisht është i dobishëm.

Pastaj vjen koha e ndalimit, çasti i refleksionit dhe i riekuilibrimit?
Përkundrazi. Duhet të vijë çasti i lëvizshmërisë së re dhe i zhvendosjes së re. Mbasi këto përmbysje për të kundërtën bllokohen shpejt, nuk mund të bëjnë gjësend tjetër veçse të përsëriten dhe të formojnë atë që Jacques Ranciere e këtillon ”doxa goshiste”. Qysh prej atëhere përsëritet pafundësisht refreni toidhjo i kanconetave antishtypëse, gjërat mbeten në vend dhe akcili mund të këndojë të njëjtën avaz pa përfillur në e dëgjojnë, apo jo. Kjo çorovolisje e vlerave dhe e të vërtetave, për të cilat fola, ka qenë e rëndësishme në masën kur s´mbetej në  brohoritjet e thjeshta (rroftë marrëzia, rroftë krimineli, rroftë seksi), por kur lejon strategji të reja. Ajo që më bezdis sot –në kuptimin që më bën të vuaj- është se, qysh prej pesëmbëdhjetë vjetësh, e gjitha kjo punë që bëhet në vështirësi, dhe ndonjëherë në vetmi, për disa nuk fuksionon veçse si shenjë përkitshmërie: të jesh në “anën e mirë”, në anën e marrëzisë, të fëmijëve, të kriminelit, të seksit.

A nuk ka anë të mira?
Duhet kaluar nga ana tjetër e “anës së mirë”, për të mëtuar të varesh nga ato mekanizma që bëjnë të duken dy anë, për të shkokolepsur unitetin e rremë, “natyrën” iluzore të kësaj ane tjetër. Aty fillon puna e vërtetë, ajo e historianit të së tanishmes.

Shumë herë ju përcaktojnë si “historian”. Çfarë shënjon kjo? Pse “historian” dhe jo “filozof”?
Foucault: Në një formë po aq naive sa një fabul për fëmijë, për çështjen e filozofisë do të thosha: “E ç´nuk ndodh në këtë botë ku vdesin të gjithë? Çfarë jemi ne, ne që duhet të vdesim, në lidhje me atë që nuk vdes”. Qysh prej shekullit XIX, më gjason që filozofia nuk ka rreshtur së iu qasuri çështjes: “Çfarë po ndodh sot dhe kush jemi ne, ne që nuk jemi ndofta asgjë tjetër dhe asgjë më shumë se ajo që ndodh aktualisht?” Çështja e filozofisë është çështje e së tashmes që jemi ne vetë. Ja përse sot filozofia është fundekrye politike dhe historike. Ajo është politikë tharmuese për historinë dhe histori e nevojshme për politikën.

A nuk ka sot një kthim tek filozofitë më klasike dhe më metafizike?
Nuk besoj tek asnjë formë kthimi. Them vetëm kështu, një çikëz për lojë. Mendimi i shekujve të parë kristianë kishte si përgjigje pyetjen:”Ç´po ndodh sot? Çfarë është kjo kohë që quhet e jona? Si dhe kur do të bëhet kthimi i Zotit që na është premtuar? Ç´të bësh me këtë kohë që është si e tepërt? Kush jemi ne, ne që jemi kalimthi?” Mund të thuash që mbi këtë monopat të historisë, ku duhet të vinte revolucioni, por që akoma s´ka ardhur, ne bëjmë të njëjtën pyetje: “Kush jemi ne, ne që jemi me tepricë, në këtë kohë kur nuk ndodh ajo që duhej të kishte ndodhur.” I gjithë mendimi modern, si e gjithë politika, ka qenë i kapluar nga çështja e revolucionit.

Për ju, a vazhdon të shtrohet dhe të mendohet çështja e revolucionit? A mbetet për sytë tuaj një çështje përveçuese?
Nëse politika ekziston qysh prej shekullit XIX, kjo vjen ngaqë ka patur revolucion. Ai s´është një farë, një pjesë e saj. Është politika që gjithmonë përcaktohet nga raportet me revolucionin. Kur Napoleoni thoshte: “Forma moderne e fatit është politika”, s´bënte gjë tjetër veçse nxirrte rrjedhojat e kësaj të vërtete, mbasi ai vinte pas revolucionit dhe përpara kthimit të mundshëm të një tjetri. Kthimi i revolucionit është problemi ynë. Është e sigurt që, pa të, çështja e stalinizmit nuk do të ishte veçse një çështje shkolle –problem i thjeshtë i organizimit të shoqërive, ose i vlefshmërisë së skemës marksiste. E dini bukur mirë: është dëshirueshmëria e vetë revolucionit që e bën sot problemin…

E gjakoni ju revolucionin? Dëshironi diçka që e kapërcen detyrën etike për të luftuar, këtu dhe tani, në përkrahje të këtij, apo të atij, të të çmendurve dhe të burgosurve, të shtypurve dhe të kërbunjurve?
S´kam përgjigje. Por pandeh se, të bësh politikë ndryshe nga politikani, është të mëtosh të dish me një ndershmëri sa më të mundëshme, nëse revolucioni është i dëshirueshëm. Është si të eksplorosh atë urithëri të frikëshme, ku politika rrezikon të vithiset.

Nëse revolucioni nuk është i dëshirueshëm, a mbetet politika ajo që ju thoni?
Jo, nuk besoj. Duhet shestuar një tjetër ose diçka që zevëndësohet me të. Mbase jetojmë fundin e politikës. Sepse, nëse është e njëmendët që politika është një fushë ka qenë e hapur për ekzistencën e revolucionit dhe nëse çështja e revolucionit nuk mund të shtrohet më me ato terma, atëhere politika rrezikon të zhduket.

Vijmë tek politika juaj, tek ajo që e shenjoni tek Vullneti i dijes. Ju thoni: “Aty ku ka pushtet, ka dhe rezistencë”. A nuk e reduktoni këtë natyrë që e gjakoni në diçka që duhet përzënë?
S´mendoj kështu, sepse kjo rezistencë për të cilën flas nuk është një thelb. Nuk është më e përparshme se pushteti që kundërshton. Është bashkështrirëse dhe plotësisht bashkëkohore.

Imazhi anapolla i pushtetit? Kjo të ndërmendet menjëherë. Gjithmonë kalldrëmet nën plazh…
Nuk është vetëm kjo. Sepse po të qe vetëm kjo, nuk do të rezistonte. Për të rezistuar duhet të jetë si pushteti. Po aq sajuese, po aq lëvizëse dhe po aq produktive, sa dhe ai. Që po ashtu si ai, të organizohet, të mpikset dhe të çimentohet. Që po  ashtu si ai të vijë nga poshtë dhe dhe të hapërdahet strategjikisht.

“Aty ku ka pushtet, ka rezistencë”, është pothuajse një tautologji, për rrjedhojë…
Absolutisht. Unë nuk pozoj një thelb të rezistencës përpara thelbit të pushtetit. Sapo ka një marrëdhënie të pushtetit, ka dhe një gjasë të rezistencës. Ne s´jemi grackëzuar kurrë nga pushteti: gjithmonë mundemi ta zbutim ndikimin e tij, në kushte të përcaktuara dhe sipas një strategjie të përpiktë.

Pushtet dhe rezistencë… Taktikë dhe strategji… Përse ky sfond i metaforave të luftës? A mos mendoni që pushteti, që sot e mbrapa, të mendohet në formën e luftës?
S´di shumë gjëra për këtë çast. Por një gjë e cila më duket e sigurt është që, për të analizuar marrëdhëniet e pushtetit, ne tash për tash nuk zotërojmë veçse dy modele: atë që e quajmë drejtësi (pushtetin si ligj, ndalimin, institucionin) dhe modelin luftëtar, ose strategjik, në fund të marrëdhënieve të forcës. I pari ka qenë shumë i përdorshëm dhe besoj se ka treguar karakterin e papërshtatshëm. Dihet që e drejta nuk përshkruhet nga pushteti. Edhe për tjetrin flitet gjithashtu shumë. Por s´mbeten veçse tek fjalët: përdorin nocione të gatëshme, ose përdorin metafora ( “Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”, “Lufta për jetën”, ose skema formale (strategjitë janë shumë në modë tek disa sociologë dhe ekonomistë, veçanërisht amerikanë). Mendoj që kjo analizë duhet t´i ngërthejë më shumë marrëdhëniet e forcës.

Ky konceptim luftarak i pushtetit, a ekziston edhe tek marksistët?
Ajo që më trondit në analizat marksiste është se gjithmonë ka një problem të “luftës së klasave” dhe se tek kjo shprehje ka një fjalë, së cilës i kushtohet më pak vëmendje, “luftë”. Ajo duhet nuancuar më shumë. Më të mëdhenjtë e marksistëve (duke filluar nga Marksi) kanë këmbëngulur shumë tek problemet ushtarake (ushtria si aparat shtetëror, kryengritja e armatosur, lufta revolucionare). Por kur flasin për luftën e klasave si forcë lëvizëse e historisë, ata brengosen të dinë ç´është klasa, ku vendoset, çfarë përfshin, kurrë atë që është konkretisht lufta. Megjithatë ka një rezervë: tekstet jo teorike, por historike të Marksit, janë më finë.

Mendoni që libri juaj mund ta mbushë këtë zbrazëti?
S´e kam këtë mëtim. Në një mënyrë të përgjithëshme mendoj që intelektualët – nëse kjo kategori ekziston ose duhet të ekzistojë ende, gjë që s´është e sigurt, gjë që mbase s´është as e dëshirueshme – duhen të heqin dorë nga funksioni i vjetër profetik. Me këtë nuk kuptoj vetëm orvatjen e tyre për të thënë atë që do të ndodhë, por edhe funksionin e ligjvënësit, të cilin kanë shumë kohë që e gjakojnë: “Ja çfarë duhet bërë, ja çfarë është e mirë, ndiqmëni. Në zallamahinë ku ndodheni të gjithë, ja pika fikse, është ajo ku jam unë”. Urtaku grek, profeti çifut dhe ligjvënësi romak, janë modelet që s´u shqiten atyre që sot kanë si profesion të folurit dhe të shkruarit. Unë shestoj intelektualin shkatërrues të qashtërsisë dhe gjithanshmërisë, atë që tregon dhe kallzon pikat e dobëta të plogështisë dhe kontraditave të së tashmes, idetë, konturet e forcës, atë që zhvendoset papra dhe që nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, sepse është shumë i vëmendshëm ndaj të tashmes; Ai që, aty ku është shndërrimi, ndihmon për të shtruar çështjen e dijes nëse revolucioni ia vlen mundimin,  (unë do të thoshja cili revolucion dhe cili mundim) dhe që i vetëm mund t´u përgjigjet atyre që rrezikojnë jetën për ta bërë. Sa për të gjitha çështjet e renditjes ose të programit që na bëjnë: “Jeni marksist?”, “Çfarë do të bënit nëse do të kishit pushtetin?”, “Cilat janë aleancat dhe përkatësitë tuaja?”, këto janë çështje të dorës së dytë në ato që sapo tregova: sepse ajo është çështja e të sotmes.

E përktheu nga origjinali: Balil GJINI /fjalareview

Google+ Followers