Fati i Sizifit, ky është fati i femrës


Nga Femie Mazreku
(Aleksandër S. Pushkin, “Eugjen Onjegini”)
Personazhi femër në letërsi është trajtuar në mënyra të ndryshme, varësisht prej vendit dhe kohës. Në mesin e shumë shkrimtarëve botërorë të cilët shkruan për personazhin femër, një vend të veçantë në letërsi, personazhit femër ia ofroi edhe Aleksandër Pushkini. Autori në romanin “Eugjen Onjegini” ngriti lart figurën e femrës, gjë që ishte e pazakonshme për kohën dhe sistemin shoqëror-politikë, sepse në atë kohë fare pak autorë mund ta ngritnin figurën e femrës në piedestalin në të cilin e ngriti Pushkini. Ai bëri hapin e parë dhe kështu krijoi një figurë femër madhështore,e cila u bë model për autorë tjerë të mëvonshëm vendas dhe botërorë. Këtë personazh femër Pushkini ia dhuroi letërsisë botërore një nga personazhet më të bukura, jo vetëm nga ana fizike por edhe ajo shpirtërore.
Aleksandër Pushkini (1799-1837) është njëri ndër autorët më të shquar romantikë, njihet edhe si themelues i realizmit rus. Koha kur filloi veprimtarinë si shkrimtar ishte kohë e trazirave, kohë e revolucioneve. Ngjarjet e Revolucionit francez (1789) ndikuan shumë në krijimtarinë e tij. Ai qysh herët filloi të shkruajë për lirinë, dashurinë, por edhe për problemet sociale që e preokuponin shoqërinë. Ishte përkrahës i lëvizjes dekabriste (ishte kohë kur fisnikët përparimtarë donin të rrëzonin carin).
Autori në jetën e tij të shkurtër arriti të shkruajë disa vepra, të cilat ishin të rëndësishme për kohën. Vepra e cila e bëri emrin e autorit të pavdekshëm është romani në vargje “Eugjen Onjegini”. Kjo vepër i tejkaloi kufijtë nacionalë dhe hyri në kopshtin e letërsisë botërore përjetësisht. I botuar në vitin 1831, është roman i shkruar në vargje dhe njëherësh edhe romani i parë realist rus. Ky roman përmban të gjitha ngjyrat e jetës ruse, me të drejtë e quajnë enciklopedi e jetës ruse e viteve 20 të shek XIX. Autori shfrytëzoi gjuhën popullore për të krijuar një roman ku mbizotëron elementi lirik por i ndërthurur edhe në atë epik, një vepër e bukur poetike me plot monologë, dialogë e meditime lirike.
Vepra ndahet në 9 kapituj, është shkruar në strofa 14 vargëshe, ruan sistemin e ritmit tetërrokësh të vargut, kjo lloj strofe është quajtur strofa onjeginiane, brenda strofës ka një mendim të mbaruar. Përdorë stilin lakonik sidomos kur tentonte të prekte zonat e ndaluara, (çështjen e bujkrobërisë, lëvizjen dekabriste etj.). Te kjo vepër kemi një kompozicion të arrirë, mjeshtëri në dhënien e karaktereve. Fabula e tërë kësaj vepre është e ndërtuar rreth Onjeginit. Onjegini është bartës kryesor i fabulës po edhe i konfliktit.
Onjegini është njëherësh heroi dhe narratori i veprës, të cilin autori e ngarkon të rrëfejë për mentalitetin, kulturën por edhe kotësinë e një shtrese shoqërore, në këtë rast të rinisë ruse. Tatjana, personazhi kryesor, është kundërpesha e Onjeginit. Autori Onjeginin e ka paraqitur si një hero të deziluzionuar, një aristokrat peterburgas i mërzitur nga jeta mondane dhe një jetë e cila atë e bën pasiv, ai s’di ç‘është puna dhe t’u shërbesh të tjerëve. Ai e kupton shumë mirë amullinë, nuk pajtohet dot me hipokrizinë e asaj shtrese edhe pse ishte anëtar i saj. Por edhe pse ishte i pakënaqur me situatën dhe jetën që bën, ai nuk ndërmerr ndonjë hap për të ndryshuar. Për këtë duhej vullnet dhe guxim, dhe ai nuk e kishte këtë, kështu që prapë mbetet skllav i jetës aristokrate.
Autori Onjeginin e paraqet me vetit më të ulëta të një fisniku, ndërsa Tatjana është paraqitur me vetitë e gruas më fisnike të Rusisë së asaj kohe. Tatjana Larina është një vajzë provinciale, por e edukuar mire dhe e ndershme. Një vajzë që e respekton traditën, kulturën e vendit, e dashur për të gjithë. Autori me mjeshtri i ballafaqon këto dy personazhe që dallojnë shumë për nga karakteri i tyre. I tërë subjekti i romanit sillet rreth ketyre dy personazheve kryesorë, Onjeginit dhe Tatjanës. Ne roman mbizotëron tema e dashurisë, por autori prek edhe tema tjera të cilat e preokupojnë shoqërinë e asaj kohe. Onjegini, si trashëgimtar i pasurisë së xhaxhait i takon të shkojë në fshat të udhëheqë çifligun e tij, këtu është edhe nyja e subjektit. Këtu ai takohet me Tatjanën. Ky fillimisht është entuziast me veten, se po fillon të bëjë ndryshime , mundohet të bëjë reforma në dobi të fshatarëve të atij vendi, por që fatkeqësisht dështon.
Vetë titulli i veprës na lë të kuptojmë se strumbullari i kësaj vepre është Onjegini, por thellë në brendësin e saj qëndron Tatjana. Tatjana si mbretëreshë e bukurisë, dashurisë por edhe e vuajtjes dhe krenarisë. E frymëzuar nga veprat romantike që kishte lexuar, Tatjana u dashurua në Onjeginin, ajo e kishte pritur një dashuri të tillë, por jo edhe zhgënjimin prej saj. Ajo duke i shprehur dashurinë Onjeginit i theu një nga ato zakonet e ashpra të shoqërisë ruse.
Pjesa më e veçantë e kësaj vepre është letra e Tatjanës dërguar Onjeginit. Pushkini këtu shkrin tërë artin e vet. Tatjana me sinqeritetin më të madh ia shpreh dashurinë Onjegini, por ai pa u menduar fare refuzon këtë dashuri, me pretekstin se nuk është i gatshëm të përballet me përgjegjësitë e martesës, gjë që do të pendohet më vonë. Tatjana e zhgënjyer nga dashuria për Onjeginin, martohet me një oficer dhe jeton ne Moske. Pas tri vitesh fati bën që këta të dy të takohen prapë. Ajo tashme ishte bërë një nga zonjat e salloneve mondane. Ishte bërë një princeshë që tamam me bukurinë e saj u përshtatej salloneve . Kjo bukuri vërehej nga të gjithë aristokratet. Tashme ishte edhe Onjegini ai i cili ushqente dashuri për të, por fatkeqësisht tani ishte shume vonë, ajo ishte martuar. Një martesë sa për të respektuar rendin familjar,ajo nuk e dashuronte burrin e saj,por megjithatë nuk e tradhtonte. Ketu autori më së miri paraqet karakterin e fortë të femrës, ku ajo ndrydh ndjenjat e saj për t’ju përshtatur rendit shoqëror.
Femra kur dashuron, nuk paragjykon… Tatjana, edhe pse që nga fillimi dyshonte për ndjenjat e Onjeginit për të, ajo prapëseprapë i shkruan një letër, ku ia shpreh dashurinë e saj dhe ndjenjat të cilat i ushqen për të, megjithatë priste diçka me mirë se sa nga ajo përgjigje histerike qe ia ktheu Onjegini. Për të Onjegini ishte ai i duhuri, edhe pse nuk e njihte shumë, dhe ishte shume e vetëdijshme për hapin të cilin do e merrte, porse ajo dashuron nuk paragjykon, dhe kjo shprehet më së bukuri në vargjet të cilët po i citojmë:
E di, se është e drejta juaj,/Të më dënoni me përçmim.
Ishte e vetëdijshme për hapin që po ndërmerrte, por forca e dashurisë mbizotëronte dhe nuk ishte me vetvetja. Ajo po luftonte me ndjenjat që e kishin kapluar. Ajo ishte e pastër dhe e padjallëzuar. Po ç’faj kishte që e dashuronte aq shumë?!. Me ç’forcë mund t’i bëjë ballë dashurisë së pare?!. Ajo besonte në mirëkuptimin e tij, por ndodh e kundërta, refuzohet nga njeriu më i dashur i saj . Ëndrra për një dashuri të madhe i fiket.
Atë e kishte verbuar dashuria saqë kishte harruar pozicionin e vet në shoqëri. Fati i saj ishte në duart e të tjerëve. Ajo ishte viktimë e kohës, viktimë e mentalitetit dhe e ndarjeve klasore. Ajo nuk ishte e denje për një aristokrat siç ishte Onjegini.
Autori personazhit e tij i kritikon, siç vepron me Onjeginin, duke e paraqitur si njeri pa ndjenja, pa ambicie, njeri që e kalon kohën kot, por edhe i lavdëron siç ndodh me Tatjanën. Atë e krahason edhe me Helenen, gruan më të bukur trojane:
Po Tanja ime hir-e-nur, /Ia shkon Helenes zemër-gur.
Vetëm një autor i madh siç është Pushkini arrin që me bukurinë e artit të tij, të futet në brendësinë e shpirtit të personazheve të tij, të bashkëbisedojë me lexuesin, gjë që e bën lexuesin të ndihet bashkudhëtar në rrëfimin e tij, dhe së bashku të shtegtojnë ndër fushat ku shkonte kohën Tatjana duke vuajtur për dashuri, ndër qytete e sallone ku kalonte kohën pa ndonjë synim Onjegini.
Tatjana tani i takon shtresës së lartë, bëhet edhe kjo pjesë e salloneve mondane. Në një mbrëmje të tillë takohet rastësisht me Onjeginin. Gjatë këtyre tri viteve ajo kishte vuajtur shumë, por vuajtja sikur e kishte bërë më të fortë, më të bukur, më elegante, gjë që e bënte të admirohej nga të gjithë aristokratet. Për ta shpalosur edhe më tutje ndershmerin dhe krenarin e kesaj figure femer, autori i takon personazhet e tij. Nje takim i papritur pas tri vjetesh. Këtu vë në pah personalitetin e Tatjanes. Në sytë e saj nuk kishte urrejtje as neveri por vetëm nostalgji për dashurinë e humbur. Ajo tashme ishte bërë një nga ato princeshat dhelpërore siç e quan autori:
Ajo rrinte kokëlartë, /Ajo asgjë s’pat tradhtuar *3
Dashuria e saj ishte refuzuar, duke marrë edhe këshilla moralizuese nga dikush që në të vërtetë nuk ishte i denje për këtë. Ai me këtë gjest ul nivelin e saj njerëzor.
Ne sa me pak dashurojmë
Femra aq më fort na bje në leq
E aq me leht e shkatërrojmë
Me mbrapsjen tonë që e tërheq.

Autori bën një pasqyrim të përgjithshëm në mes karaktereve, mashkull-femër dhe raportet e tyre në dashuri dhe jetë. Ku në këto raporte ka dashuri, respekt, shkelje, trysni, përbuzje, tradhti, por prapë lidhjen e tyre e tërheq një forcë e mistershme, si diçka e domosdoshme që e mundëson jetën njerëzore.
Dy palët luajnë me fatin,vajza rrezikon pse magjepset pas një djali të pasur, ndërsa djali rrezikon pse refuzon dashurinë e saj, për çka do të pendohet shumë më vonë. Që të dy karakterizohen si të dështuar në dashuri, në ndjenjën me sublime që posedon njeriu.
Autori ngre lart vlerën shpirtërore të Tatjanës, për të hedhur poshtë vlerën materiale që posedonte Onjegini. Autori mundohet të nxjerrë nga moçali rininë e asaj kohë, të ketë barazi shoqërore, të vetëdijesohet shoqëria se nuk është e rëndësishme vetëm pasuria, shtresës së cilës i takon, por ka edhe gjëra të tjera të bukura të cilat e ngrenë njeriun siç është: dashuria, besnikëria, ndershmëria etj.
Përveç Tatjanës në vepër kemi edhe personazhe tjera femra me karaktere të ndryshme si: Olga, nëna e Tatjanës, dadoja etj.
Olga si personazh është e kundërta e Tatjanes. Një vajzë mendjelehtë dhe e pavendosur. Përmes saj autori paraqet një pjesë të shtresës së ulët të popullsisë. Të paqëndrueshëm si nga ana sociale ashtu edhe morale. Po ashtu edhe nëna e Tatjanes paraqitet si një grua me karakter të ulët, e vrazhdë, grykëse, e pamëshirshme, e dhënë vetëm pas parasë
Mendohet se karakteri i njeriut më mirë se kudo zbulohet në dashuri, në ndjenjën e njeriut ndaj njeriut. Autori në këtë vepër paraqet të gjitha ngjyrat e jetës ruse, paraqet lloje të ndryshme karakteresh, personalitetesh. Ai nuk e paraqet jetën vetëm bardh e zi, por bën një përzierje ngjyrash ashtu siç ishte jeta ruse edhe në realitet.
Mirëpo e tërë bukuria artistike e kësaj vepre mbetet Tatjana. Një personazh femër të cilën autori e pajis me të gjitha cilësitë e një femre të dëshiruar për ne lexuesit, femër e qëndrueshme në vendimet dhe mendimet e saj. E çiltër në dashuri, besnike në bashkëshortësi, fisnike dhe humane në shoqëri. Të gjitha virtytet njerëzore autori i skaliti në këtë personazh femër e cila bëhet model për kohën, por jo vetëm për kohën kur është shkruar, një personazh i tillë mbetet i dashur edhe në kohën tonë.

Google+ Followers