E zhveshura Justine

Nga Cezlav Milosh*


Eliza Orzeszkowa



Ndër brigje të Niemen u botua më 1888. Ky roman polak baritor është vepër e Eliza Orzeskowa, një
nga gratë më “të emancipuara” të aso kohe. Edhe pse deri më atëherë kish marrë thjesht një arsimim sipërfaqësor, të atillin që u jepej zakonisht zonjushave të Çifligjeve të mëdha, ndodhi që ngjarjet politike e katapultuan drejt një karriere të ndritur letrare. Për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen polake kundër Rusisë më 1863, i shoqi iu degdis në Siberi. Martesa, që rezultoi e pafat që nga fillimi, u shthur shpejt, por procedura e divorcit u zvarrit me vite të tëra. Ferma iu konfiskua dhe ajo vetë, konsideruar një demokrate e rrezikshme nga autoritetet cariste, u vendos nën mbikëqyrjen e policisë; ndërsa për pjesën e mbetur të jetës u detyrua të jetonte në qytetin provincial të Grodnos (sot në pjesën e Bjellorusisë). Ajo iu kthye shkrimit në mënyrë që të mbante veten. Gati e burgosur, siguroi (përmes leximit intensiv në shumë gjuhë) një formim të gjerë ndërsa tregimet dhe romanet e saj do mbronin çështjet e të pambrojturve, ku më së shumti do spikasin hebrenjtë dhe gratë. Personazhet e saj u morën nga populli i thjeshtë, që ajo i vëzhgoi vetë në provincën ku jetonte-fshatarë, artizanë hebrenj dhe njerëz të zakonshëm.
Fabula e Ndër brigje të Niemen ndodh në një fshat dhe pronat rreth tij. Në një çiflig jetonte një grua e re quajtur Justine, një kushërirë e varfër e pronarit. Në vend të hidhte sytë drejt një martese që do ta lironte nga kjo pozitë e ulët, na bie në dashuri me Jan, një djalosh nga fshati dhe madje edhe do na martohet me të. Por, duke vepruar në këtë mënyrë, thjesht pohoi gatishmërinë se do të punonte njësoj si të tjerët dhe madje edhe e pranoi statusin e fshatarit. Romani është plot me aluzione politike, kuptohet pak me tone të ulëta prej censurës. Ndërkohë, pak milje nga fshati, në pyll, gjendet varri masiv i rebelëve të 1863, ku gjenden të varrosur edhe shumë djem të fshatit. Vizitat e Jan dhe Justinë në këtë varr forcojnë lidhjen e tyre përmes vetëdijes së çështjes së përbashkët. Ata vetë, po ashtu, nderojnë dhe varrin e mirëruajtur të themeluesve të fshatit, Jan dhe Sesilia. Sipas një legjende, shumë kohë të shkuara, një vajzë me gjak mbretëror, u arratis me një njeri të zakonshëm dhe çifti erdhi të jetonte në pyllin e lashtë, duke e rregulluar vendin e ri të jetës ngadalë dhe pastaj pak nga pak duke e mbushur me pjellat e tyre. Kohë më vonë, të gjithë banorët e fshatit mbajnë të njëjtin emër, Bohatyrowicz, dhe ruajnë një stemë heraldike, blatuar atyre prej një mbreti, i cili ndërsa po gjuante u pengua rastësisht në një vend të lulëzuar në thellësi të pyllit. Këto dy varre mbajnë mesazhin e romanit rreth vlerës së traditës, të një vazhdimësie të pandërprerë, që përcillet nga brezi në brez, në lidhje me prekjen e tokës së paraardhësve.

Qirinjtë, dikur u dogjën krejt, Justine.
Njerëz të tjerë ecin udhëve të tua nga Niemen.
Ndërsa unë që futem në bashkësi me ty, krejt i dëshiruar.
Prek kaçurrelat e tua të errëta
që ti, mu tani, po i humb. I peshoj në timen pëllëmbë
e gjoksi yt, padyshim i stërmadh. Këqyr në pasqyrë
drejt syve të tu gri dhe në të kuqen e thellë të buzëve të tua.
Je e madhe, e fortë, shpatullgjerë.
Njëzetë e katër, s do të pëlqente të quheshe
vashë e re. Por ëndrrat e tua e rrëfejnë.
Ska arsye të turpërohesh përballë meje, ti që vjen
nga një epokë
e cila mund të quhet e pacipë. Znj. Orzeszkowa
do ndalojë penën e saj. Romanca jote me tët kushëri
lënë thjesht për hamendjet tona, shtjellën e gjakut,
njollat mbi të linjtat, e vdekur në qetësi.
Ende për mua bota jote, Justine,
është e rëndësishme, duhet të shfaqesh e tëra
kështuqë krenaria jote dhe integriteti i zemërimit
ndriçon habitshmërisht. Nga ku po vijnë vallë?
Çfarë dialogësh shkojnë në mes të trupit dhe shpirtit?
Në tokën tënde, e mira dhe djallëzorja peshohen
nga varri.
Kush do të mbesë besnik me të, dhe kush s do mbetet.
(me fjalë të tjera, një korrektues serioz
u paraqit drejt rrëmujës së motiveve dhe dëshirave.)
Që romani smund të përmblidhet për lexuesit e huaj.
Tek ty mund të gjejnë vetëm një grua tjetër
duke shpallur barazinë e klasave, si Zhorzh Sand.
Dhe tani, Justine, vjen mosha e vjetër, një kapitull i gatshëm.
Por jo për tu shkruar nga znj. Eliz.
Ti i dhe jetë bijve dhe bijave, dhe nipërit tu rritën,
ti i preh duart mbi stapin me gunga, nëna e
një fisi,
Të fundit e sojit tënd dhe bashkëkohësit.
Brenda flokëve të borës këqyr sajat, varganin e sajave.
Dëgjon britmat e ushtarëve, vajtimin e grave.
Dhe ti e di, njeh, sesi kjo do të duket, fundi
i një vendi të kësaj toke. Ska më një jehonë
të një kënge kënduar mbi Niemen, fluturimi i gllabërimi.
Kurrë më mbledhje frutash në kopshtet e fshatrave.
Hekurishtet e makinave të gjellëve do të rrapëllijnë, njëra pas tjetrës.
Ato të mbajnë ty që nga gjurmët antike drejt një vendi hijesh
dhe vrasësish.
Megjithëse ti kurrë sekzistove, na lër të ndezim qirinjtë,
këtu, në studion tonë, apo në kishën tonë.

Dhe dylli formon strehë dhe tregjet e kombeve dhe balenat kërcejnë afër Lahaina dhe një brez mosmirënjohës ngre ndërtesat e veta ndërsa policët frëngë marrin kapa të reja dhe dielli çohet dhe njëherë tjetër sërish dhe...

Unë gjithmonë mendoj për Orzeskow-ën me dashuri e respekt. Ajo mbetet për mua shembull më i mirë i shkrimtarit që i shërben të mirës. Ajo sigurisht që dinte shumë për anën e errët të ekzistencës humane, por preferoi, për arsye që ajo i konsideronte si eprore, të mos i përhapte këto njohuri. Ashtu si rrallë herë, e la të shprehur erudicionin e saj të madh. Ajo përshkroi njerëzit e vegjël të provincës ku jetoi, me simpatinë e një personi që vlerëson thjesht virtytet tradicionale.
Më ngjau një aventurë e çuditshme. Po lexoja-nuk e mbaj mënd se në çfarë kohe Ndër brigjet e Niemen dhe e kapa veten teksa po bija në dashuri me Justine. Kur këqyrte në pasqyrë, unë isha pranë saj dhe madje po më dukej sikur ajo edhe mund tarrinte tmi kundronte sytë soditës. Isha duke menduar për të dhe ndërkohë më erdhi një poemë “ E pazhveshura Justine”. Romani, me ngjarjet e vendosura në shekullin e nëntëmbëdhjetë, sishte i mjaftë për mua; imagjinata më sugjeronte një fat më të vonët për heroinën. Pos të gjithave, banorët e fshatit të Bohatyrowicse e kishin bërë këtë që para Luftës së Parë Botërore apo dhe me Poloninë e pavarur e viteve të mesluftrave, por gjithashtu edhe humnera që u hap më 1939 me hyrjen e Sovjetikëve. Për mua kjo sishte më një histori, mësuar nga librat e shkollës; ajo ishte një gjë torturuese ende me lotët e dhembshurisë së madhe. Numërova vitet. Më 1939, Justine do të mund të ishte një grua vërtetë shumë e vjetër, por arrestimi dhe deportimi i saj drejt Lindjes ishte në çfarëdo lloj kuptimi tejet kufijve të hamendësirave, që kur një milion e gjysmë njerëz ishin asgjësuar në këtë udhë.
Unë e pranoj se nuk e dija realisht që Orzeszkowa nuk e kish shpikur fshatin e Bohatyrowicze, apo legjendën për gjetjen e tij, përshirë aty edhe varrin e kolonëve të parë Jan dhe Sesilia. Apo edhe atë rrëfimin e Justine, sipas të cilit vajza që ishte nga çifligu dhe Jani, ky djalë fshati, ishte i bazuar në një histori krejt të vërtetë. Të gjithë këto i mësova nga një reportazh që rrëfente një vizitë në Bohatyrowicze e sotme. Për më tepër, mësova se ankthi im rreth fatit të Justine ishte i justifikuar dhe poema ime disi profetike.
Gazetari e kish dëgjuar historinë nga goja e një të moshuari të fisit, Stanislaw Bohatyrowicz, që jetonte në një nga shtëpitë e pakta të mbijetuara në fshat. Çdo gjë ishte ashtu si kish qenë në Orzeszkowa, madje edhe varri i Jan dhe Sesilias, i cili datonte vitin 1547 dhe madje edhe varreza e kryengritësve në pyll. “Ne shkonim atje shpesh nga lumi. Tashmë jam aq i vjetër dhe nuk shkoj më, por di nga njerëzit se At Lucian Radomski nga Lunna (që është famullitari ynë) e ka pastruar varrezën nga barërat e këqija me njerëzit e famullisë së tij dhe tashmë është kthyer në një vend të këndshëm. Kështuqë atje mbeten gjurmët e kujtesës sonë, ato që ishin varrosur atje më 1863. Ishin shumë syresh, dhe madje edhe djemtë tanë nga Bohatyrowicze dergjen gjithashtu atje. Çifligu në realitet mbante emrin e Miniewicze. Të gjithë ato që mbetën prej tij janë rrënoja”. A është i njëjti vend që i takon edhe Korczynskis në roman? “Po, znj. Orzeskowa thjesht ndryshoi emrat. Të gjithë të tjerat janë të njëjtat”. Ajo, vajza e Kamienski në roman, konsiderohej si lëneshë. Ajo na ra në dashuri me një djalë nga fshati, dhe ai po ashtu me të. Në roman ata janë Jan dhe Justine. Por, për të qenë ekzakt, ai sishte një Bohatyrowicz. Ai rridhte prej nesh nga ana tëmës së tij dhe ajo u martua me një farë Strzalkowski. Kështu, që siç e shihni, znj. Orzeskowa na e ndryshoi emrin. Ai Jani, me sa kujtoj, ishte një djalosh simpatik dhe na u martua me zonjën Kamienska nga çifligu. Më vonë kur Kamienski i vjetër vdiq atëherë ky Jani na u bë pronari i vetëm i pasurisë. Ata patën dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Sofia u fut në manastir. Ndoshta ku ta dish mund të jetë ende gjallë. Ajo na vizitonte dikur, madje edhe në kohën e luftës. Dhe djali, Kasimir, qëndroi këtu; ai menaxhonte kamjen dhe në kohën kur kish qenë për studime në Varshavë kish njohur dhe të shoqen.
“Jan dhe Justine nuk jetonin në çiflig, por shumë pranë tij. Jan ndërtoi një shtëpi ndërmjet fshatit dhe çifligut. Kjo ekziston ende dhe sot e kësaj dite. Por është krejt e shkatërruar. Dhe më 1939, kur forcat ruse erdhën dhe Polonia jonë ka vdekur, të gjithë çifligarët fqinjë, përfshirë Kasimirin dhe babanë e tij të vjetër, u morën dhe u ekzekutuan, këtu pranë, në një fshat të quajtur Kwasowka. Atëherë kur gjermanët e pushtuan rajonin tonë. Znj, Justine zhvarrosi fshehtas eshtrat e tyre dhe i varrosi në varrezën në Lunna”.
Kështu ndodhi në atë kohë, që disa të pathëna filluan e po qarkullonin në mes të punës letrare, lexuesit dhe jetës pas vdekjes të karaktereve të tij. Kishte ndodhur shumë kohë të shkruara. Romani u botua më 1888. Një kataklizëm i tillë rrokulliset mbi tokë dhe sërish realiteti i asaj kohe ngulmon për thashetheme, në një rrëfim të transmetuar oral për korrigjimin e një miti, që ekziston. Justine nuk përbënte në realitet ndonjë lidhje të dobët të fisit, pasi ajo ishte tamam e bija e pronarit të çifligut Kamienski( Korczynski) në roman, që kish shërbyer për shumë vjet në Siberi.
Znj. Orzeskowa e shpjegon atë në fshat thjesht si një njohje. Një nga gratë e brezit të ri të Bohatyrowicz i tha gazetarit se shkrimtarja i gjeti të gjyshit një grua nga fshati fqinj. “Kështuqë e mrekullueshmja Mary Obuchowicz në roman, është gjyshja ime. Ajo u martua me Adamin, gjyshin tim. Kur atyre u lindi një djalë, znj. Orzeszkowa dhe burri i saj Nahorski ishin nunë. Ata e ndihën madje edhe me arsimimin. Më vonë ai u zhduk në Katun1”.
Ndoshta një koment është i pamundur, pasi ashtu si deri më tani, asnjë gjuhë se ka shpikur dot kuptueshmërinë për të dy gjendjet, të jetuarit dhe të vdekurit.

Shënime
1-Vendi ku rusët kanë zhdukur shumë ushtarakë polakë, në një nga tragjeditë më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore

*Kjo pjesë është marrë prej “Përkundër LUMIT”- (Poezitë janë shkruar nga Milosz në anglisht. Ndërsa ato, që nuk janë shkruar në anglisht janë përkthyer nga vetë autori dhe Robert Hass).Përkthyer nga origjinali nga Ben Andoni

Google+ Followers