Dashuria si imitim i religjionit


Herët a vonë, gjatë shkollimit të tyre, fëmijët marrin njohuritë e nevojshme mbi format imituese të religjioneve.  Kjo u ndihmon atyre jo vetëm për ta kuptuar më mirë botën dhe fuqitë e padukshme që veprojnë në të, por edhe për ta forcuar rezistencën e tyre ndaj doktrinave të rrezikshme të shpëtimit. Fëmijët mësojnë se “yjet” televizivë e mediatikë nuk duhen hyjnizuar, aq më pak udhëheqësit politikë, mësojnë se tifozllëku për futbollin mund të fitojë cilësi religjioze e po kaq religjioze mund të bëhet edhe dëshira maniakale për parà, karrierë e stërvitje fizike. Sa keq, që forma më e fuqishme imituese e religjionit, me pasoja, eventualisht, katastrofike në jetën e mëvonshme të fëmijëve, nuk përmendet aspak: DASHURIA. Më saktë: ajo lloj dashurie, pa të cilën nuk ka asnjë këngë pop e asnjë film, dashuria e madhe romantike, të cilën dy njerëz ia premtojnë njëri tjetrit deri në vdekje, ajo dashuri që i bën njerëzit t’u “ikë truri”, ajo dashuri, e cila i bën njerëzit të besojnë se me të do jenë përjetësisht të lumtur.
Asgjë dhe askush, as Qiell e as Zot, nuk rrezaton aq fort në epokën tonë sa miti i dashurisë. Është Ylli ndriçues i epokës sonë. Përballë atij individualizmit të pretenduar kohë pas kohe, përballë asaj larmisë së medemekshme të stileve të jetesës, qëndron një projekt global jetik: rruga drejt lumturisë është bashkimi pasionant i dy njerëzve. Qëllimi i vetëm i jetës është të gjesh zotin ose zonjën E Duhur dhe pastaj gjithçka është në rregull (e nëse jo, atëherë mund të fillohet dhe një herë nga e para).
Tek miti i dashurisë imitohen të gjitha kriteret e një religjioni
Nuk është aspak e ekzagjeruar të pohosh se dashuria është një imituese perfekte e religjionit. Përkundrazi, ky konstatim është rezultat i një vëzhgimi të esëllt. Miti i dashurisë i përmbush pa përjashtim të gjitha kriteret e një pseudoreligjioni: kjo fuqi e lartë kërkon përkushtim e përulje dhe,në shkëmbim, premton shpëtim dhe çlirim. Ajo nuk toleron Zota të tjerë, premton Qiellin (e shtatë) dhe të ndëshkon me Ferrin e vetmisë. Ditët e saj më të çmueshme festive janë Shën Valentini, Dita e Martesës, Ditëlindja. Kush nuk i nderon sa duhet këto Ditë të Shenjta, ndëshkohet me refuzim dashurie e afeksioni. Lutjet e saj bazë: Të dua, të dëshiroj, je unik, je gjithçka për mua, çmendem pas teje. Ritualet e sa të shenjta: puthjet me gjuhë, seksi. Shenja sakrale: zemra e kuqe. Ikonat: fotot të ne dyve. Altari, vendi i çlirimit: krevati. Himnet: këngët tona. Shkrimi i shenjtë: letërkëmbimi ynë dashuror dhe çdo citat që hyjnizon dashurinë, që nga Elton John e deri tek Apostull Pali.
E pamundur ta injorosh karakterin religjioz të kultit “dashuri”. Zemra si simbol i dashurisë në botën perëndimore është më prezente se kryqi. Në shumicën e banesave, pikërisht atje ku dikur vareshin simbolet fetare, kryqi, Madona etj, sot varen foto të lidhjes dashurore në variacione të panumërta, foto të NE TE DYVE, foto të LUMTURISE SONE, foto që ulërijnë mesazhin: “Ne duhemi, jemi të lumtur, ia kemi dalë!”. Dhe pranë fotove, të adhuruara si relike, qëndrojnë suveniret e udhëtimit tonë të parë në muajin e mjaltit, dhurata e parë që ai i bleu asaj dhe anasjelltas. Shumë dhoma gjumi ngjajnë me oda të shenjta, të mbushura cep më cep me foto intime, po aq dominante sa ikonat e një kishe ortodokse. Dhe kur kjo dashuri finalizohet më në fund si një martesë e bardhë, fotot e mëdha të dasmës kthehen në objekte kulti, të cilat vendosen të parat në atë listën imagjinare të gjërave për t’u shpëtuar në rast të një zjarri të mundshëm në banesë.
Sot, shumë njerëz  e përjetojnë transhendencën vetëm kur ndjehen të dashuruar. Jo rastësisht kjo ndjenjë përshkruhet prej atyre që e provojnë si gjendje transi: “ndjehem si mbi re”, “si në ëndërr” dhe si reinkarnacion: “ndjehem si i rilindur”. E kush mund ta kundërshtojë seriozisht faktin se aktualisht dashuria romantike është ajo forcë e mbinatyrshme që premton çlirimin e shpirtit? Mbetet kundërpyetja: e çë pastaj? A nuk është bukur, kur në altarin e epokës moderne nuk qëndrojnë kombe apo udhëheqës, nuk qëndrojnë doktrina absurde e qesharake shpëtimi, por thjesht dashuria? Ç’të keqe ka nëse njerëzit e kërkojnë lumturinë tek partneriteti? A nuk na ndihmon ëndrra e dashurisë për ta kapërcyer egocentrizmin e përjetshëm, a nuk na ndihmon të themi TI, në vend që të themi si gjithmonë UNE? Më mirë DASHURI TOTALE se LUFTE TOTALE, apo jo?
Zhgënjim, konfuzion, kiç
Çdo psikolog apo terapist me përvojë e di krejt mirë se çfarë shkretimit shpirtëror lë nga pas dashuria idhujtare. Shpresa e shpëtimit nuk mund të përmbushet përmes dashurisë. Shpëtimi, d.m.th. çlirimi i njeriut nga prangat e conditio humana, nuk mund të realizohet përmes një njeriu tjetër. Kush premton përmes dashurisë qiellin në tokë, ka gjasë t’ia bëjë jetën ferr, vetes dhe tjetrit. Pritshmëritë e shumta, të ngritura në rang religjioz, i lodhin të dashuruarit dhe u kthehen në zhgënjime të hidhura. Fluturimi i ndjenjave pasohet nga një rrëzim i sertë zhurmëmadh. Atë, që deri dje e shihnim me adhurim dhe e ngrinim në qiell si të pakrahasueshëm, na rezulton, me kalimin e kohës, si një person tekanjoz. Ditët e kaluara me të kthehen në një ushtrim durimi me ulje-ngritje emocionale. Është thjesht çështje kohe derisa arrin të njohësh anët acaruese e dëshpëruese të partnerit. Dashuria nuk pranon asgjë njerëzore dhe, me kohë, ajo humbet së qeni ndjenjë dhe kthehet në detyrë.
“Dashuria romantike është një gënjeshtër e keqe”
“Miti i dashurisë romantike është një gënjeshtër e keqe”, shkruan psikiatri amerikan M. Scott Peck. “Si psikiatër më dhemb zemra, kur shoh çdo ditë, se ç’shkatërrim e vuajtje sjell ky mit”. Shumë pacientë, thotë Peck, nuk arrijnë ta përballojnë dot zhgënjimin që u jep fakti se ajo dashuria e madhe e filmave të Hollivudit, nuk ekziston në jetën e tyre: “Miliona njerëz shpenzojnë energji pafund në përpjekjet e kota për ta harmonizuar realitetin e jetës së tyre me mitin joreal të dashurisë”.
Ide të tilla nuk janë të reja. Erih Fromi paralajmëronte që në vitin 1956 nga “pseudodashuria” dhe pasojat e saj fatale: “duke qenë se, si rregull, askush nuk mund t’i përmbushë për një kohë të gjatë pritshmëritë e një dashurie idhujtare, zhgënjimet janë të pashmangshme. Prandaj kërkohet,nganjëherë pafundësisht, një idhull i ri për ta kompensuar dhimbjen”. Fromi kishte parasysh filmat e Hollivudit të viteve ‘50 dhe viktimat e para të kultit modern të dashurisë. Gjysmë shekulli më vonë, miti i dashurisë, i ndezur nga një industri e pafrè zbavitjeje, është përhapur në të gjithë globin. Shifrat e divorceve rriten, monogamia seriale është kthyer në normë të jetës. Dashuria ka datë skadence. Problemi është se vuajtja psikike nuk fillon aspak me dështimin e asaj dashurie, e cila lindi shpresëplotë. Ajo fillon kohë para lidhjes së parë. Që në moshë të njomë, fëmijëve u ngulitet në tru se kuptimi i jetës lidhet me të rënit në dashuri. Të shumtë janë librat për fëmijë të moshës së kopshtit, që shpjegojnë se “fluturat në bark” janë shenjë e dashurisë së parë dhe një sëmbim në zemër tregon se ke rënë keqas në dashuri. Bile ka psikologë si Andreas Engel, të cilët janë të mendimit se kopshti është vendi i duhur për dashurinë e parë romantike: “fëmijët mund të bien tamam në dashuri. Ky fakt duhet pranuar pa kushte”. Si çdo religjion, edhe dashuria ka nevojë për profetë dhe predikues.
Gjëja më e rëndësishme në jetë: të gjesh të duhurin!
Atij/asaj që i ka kaluar fatkeqësisht mosha fëmijënore pa përjetuar ato “fluturat në bark”, do ta kuptojë deri nga fundi i shkollës tetëvjeçare se çfarë është e rëndësishme në jetë: të gjesh të duhurin! Nuk është e pazakontë që 10 apo 12 vjeçarë, të ulur në tryeza të rriturish, të pyeten prej tyre: “pa hë, ke gjetur tashmë ndonjë të dashur?”Nëna shpejton t’i vijë në ndihmë djalit të sikletosur duke thënë: “ka dhe pak kohë”. Nga kjo bisedë banale, djaloshi merr dy mesazhe të rëndësishme: 1. Pa një të dashur, njeriu është inferior dhe i paplotësuar dhe 2. Koha ikën shpejt.
Në këtë kuptim pra, tragjika e kultit të dashurisë nuk buron ekskluzivisht nga pritshmëritë e parealizueshme, me të cilat mbarset çdo lidhje. Jo! Tragjika fillon që më përpara, me kërkimin energjik, nganjëherë histerik, të lidhjes dashurore: “kërkimi i partnerit në kulturën tonë është ngjitur në stadin e një religjioni” – thotë filozofja Katharina Ohana. “ky kërkim obsesiv i partnerit (sidomos për gratë) i paraprin atij të suksesit. Ai është kthyer në kuptimin e vërtetë të jetës dhe lumturisë.” Ky perceptim filozofik konfirmohet edhe nga të dhënat e sondazheve. Në fillim të këtij shekulli shumica e gjermaneve i përgjigjet pyetjes se cili është kuptimi i jetës duke thënë: “lumturia”. Duke e detajuar pyetjen, se çfarë të bën të lumtur, në vend të parë renditen përgjigje të tipit: “dashuria, partneriteti”. Fëmijët, familja, miqtë, profesioni dhe suksesi vijnë më pas.
Nuk është për t’u habitur një rezultat i tillë po të kesh parasysh faktin se kultura pop nuk njeh temë tjetër veç asaj të dashurisë romantike. Nëse për një ditë të vetme, do hiqnim nga radiot çdo love song, nëse nga reklamat dhe filmat do hiqnim imazhet e të dashuruarve që bien në krahët e njëri-tjetrit, radiot do heshtnin dhe ekranet do errësoheshin. Edhe filmat policorë, filmat për fëmijë, komeditë apo emisionet e gatimit nuk lënë pa futur ndonjë përzierje dashurore brenda tyre. Albumi i suksesshëm muzikor i grupit gjerman “Frida Gold” përmbledh në mënyrë koncize atë që të gjithë e dinë prej kohësh: “Love is my religion”. Dashuria është feja ime.
Trupi si kapital vendimtar
Rrjedha e pandalshme e reklamave të industrisë zbavitëse, e cila e bombardon publikun 24 orë në ditë me mesazhe dashurie, rrallëherë e paraqet dashurinë si një duet të përditshëm, rrallëherë të dashuruarit paraqiten si shokë jete. Me dashuria e reklamës e nënkupton dashurinë përherë si përvetësim erotik, ndërsa realitetin si platformë e konkurrencës mes partnerësh potencialë. Dhe natyrisht:  fituesin e kësaj gare e pret dashuria e madhe.
Vetëkuptohet se në këtë rast doktrina e shpëtimit e këtij Zoti me emrin “dashuri” kapërthehet me interesa biznesi, pasi të shumtë janë ata që fitojnë nga amplifikimi i nevojshëm i cilësive konkurrenciale të dashurisë. Në këtë lojë, trupi përbën kapitalin vendimtar. Ai duhet të mbahet në formë me dieta, stërvitje, makiazhe, depilim, pa përjashtuar edhe kirurgjinë plastike. Po, tekefundja, a nuk ia ka vlejtur përpjekja, nëse i gjithë ky investim të ka ndihmuar ta gjesh dashurinë e madhe? Pse mos ta ndihmojmë paksa rastësinë me disa ndërhyrje nga jashtë? Kështu argumentojnë të gjithë ata që ofrojnë shërbime në favor të mbajtjes së trupit në formë apo ndërmjetësojnë gjetjen e partnerëve. Mesazhet që i jepen publikut janë në këtë rast të dyfishta dhe kontradiktore: nga njëra anë, dashuria është një përvojë mbinjerëzore e mbitokësore, shkëndija hyjnore në jetën e njeriut, por nga ana tjetër, ajo duhet planifikuar, rruga drejt lumturisë u duhet lënë në dorë profesionistëve, që nga zmadhimi i gjoksit e deri tek sigurimi i takimeve mes partnerëve. Rritja e jashtëzakonshme e ndërmjetësimeve on-line, tregon se organizmi gati-gati industrial i këtij biznesi është në lulëzim të plotë.
E gjitha kjo ka shumë pak të bëjë me realitetin e përditshëm. Ajo pjesë e realitetit që nuk i përshtatet imazhit, mbetet jashtë reklamave, filmave dhe këngëve. “Dritat fiken, para se të fillojnë historitë me fëmijët problematikë, me vdekjen e prindërve, me papunësinë, me rrudhat, me degradimin e trupit. Mirëpo jeta jonë – sidomos pas moshës 40 – përbëhet kryesisht nga këto probleme. Në këtë moment s’ka më pikë rëndësie se çfarë fustan nusërie ke veshur dikur”, – thotë filozofja Ohana.
Një religjion me dëme të shumta anësore
Pjesë e dëmeve anësore të dashurisë si formë imituese e religjionit janë ata njerëz të shumtë që janë vetëm. Jeta e tyre perceptohet si jetë defiçitare. Mendohet gjithmonë se ka diçka që nuk shkon me jetën apo me karakterin e tyre. Konsiderohet e pakuptueshme se  si dikush paska zgjedhur me dëshirë të ndjekë një rrugë të ndryshme nga rruga drejt partneritetit. Të mos gjesh partnerin e duhur konsiderohet si dështim personal. Njerëzve të tillë u duhet të presin në rastin më të mirë keqardhjen mëshiruese të ambientit ku jetojnë. Reagimi i kundërt ndodh ndaj atyre që thonë se, në veprimet e tyre, udhëhiqen nga dashuria dhe se ndjekin thjesht atë që u thotë zemra. Të tillë njerëz kanë mirëkuptimin e gjithkujt, edhe pse në emër të dashurisë së tyre, mund të shkatërrohen familje të tëra, si në rastet kur një burrë braktis gruan për një vajzë më të re apo kur martohet për të pestën herë. Kush i falet dashurisë, i është falur një fuqie supreme. Në këtë kontekst, është shumë domethënës është rasti i profesorit për teologji morale nga Augsburgu, Klaus Arntz. Në moshën 21-vjeçare teksa mbante meshën si prift katolik, deklaroi se kishte rënë në dashuri me një grua të martuar me dy fëmijë dhe se për këtë arsye do e braktiste detyrën e shenjtë. Deklarata e tij nuk e tronditi aspak komunitetin fetar, përkundrazi u prit me ovacione të mëdha. Kush i dedikohet Zotit “dashuri” ka gjithmonë të drejtë! Pse u martua 28-vjeçarja Meharit Kifle me milionerin 90- vjeçar Bruno Schubert? Çfarë e hodhi 56-vjeçarin Ole von Beust në krahët e gjimnazistes 18 vjeçare? Pse e sakrifikoi karrierën e tij politike kryetari i CDU së landit Schleswig Holstein për hir të një 16-vjeçareje? Sigurisht: Love, Love, Love!
Kush e kritikon kultin e dashurisë, konsiderohet si teknokrat i pashpirt
Kush kritikon fenë e ka të vështirë. Kush e ngre zërin kundër kultit thuajse religjioz të dashurisë, i ka punët keq. Ose konsiderohet si teknokrat i pashpirt, aspak romantik, pa ndjenja, ose presupozohet se, ngaqë nuk ka arritur të gjejë të Duhurën, ushqen zili ndaj raporteve të lumtura dashurore të personave përreth. Kush matet të thotë se dashuria është diçka ndryshe nga ajo dashuria kiç e në eksitim të vazhdueshëm që përcjell kultura pop, konsiderohet si apostull moralizues. Ose përballet me pyetjen njëqind-milionëshe: “a mos vallë nuk besoni tek dashuria e madhe?” Siç shihet, pra, edhe dashuria është çështje besimi!
Tek kritikët e religjionit “dashuri” bën pjesë Christiane Rösinger, e cila ka shkruar tekste këngësh dhe më pas edhe një libër mbi mbivlerësimin e dashurisë romantike. Ajo çka shkruan Roesinger është, në fakt, e rëndomtë, porse në rrethanat aktuale, tingëllon gati revolucionare: “dashuria paraqitet si kuptim dhënësja sublime e jetës dhe të bën ta besosh shpëtimin përmes çiftëzimit. Ajo të bën të besosh se mund të të ofrojë furnizimin bazë emocional. Ajo është ideologjia që qëndron pas idesë së çiftit, e cila bën që në shoqërinë tonë gjithçka të sillet e mbështillet rreth çiftit dhe krijon të vetmin status social  që vlen në këtë shoqëri: të jesh pjesë e një çifti.
Hyjnizimi i Tjetrit…dhe i Vetvetes
Mbetet akoma e hapur një pyetje: a nuk është i dobishëm ky miti i dashurisë të paktën për ta nxjerrë njeriun nga egoizmi i tij? A nuk është dëshira e zjarrtë për partneritet gjithsesi më e mirë se egoizmi? Përgjigja është: kjo lloj dashurie është veçse në dukje një kapërcim i kufijve vetjakë. Në të vërtetë bëhet fjalë për një vazhdim të egoizmit me mjete të tjera. Sepse, për të qenë të sinqertë, forca që shtyn përpara nuk është edhe aq dëshira për të dashuruar, sesa dëshira për t’u dashuruar. Hyjnizimi i Tjetrit ecën dora-dorës me hyjnizimin e vetvetes, e cila kërkon pa pushim të kujdeset dhe ta ruajë vlerën e saj në treg. Objekti i suksesshëm i dashurisë sime konfirmon edhe madhështinë time; dashuria jonë e lumtur, e ekspozuar ndaj të tjerëve, nuk përkëdhel askënd më shumë se veten time. Siç shkruan Erih Fromi: “dashuria erotike është forma më mashtruese e dashurisë. Kjo lloj dashurie është në realitet thjesht egoizëm në çift”. E kështu, sipas Fromit, nuk realizohet dot kapërcimi i narcizmit personal, kushti më i rëndësishëm paraprak për të mund të dashur një njeri tjetër.
*Përktheu: Gilman Bakalli

Google+ Followers