Bujaria e deputetit (Nga publicistika e Petro Markos e vitit 1936)

Publicistikë/ Pjesët janë shkëputur nga publicistika e Petro Markos e vitit 1936, e shkruar pak kohë para zgjedhjeve parlamentare. Ato janë botuar në organet e shtypit “Arbëria” dhe “Vatra”. Marrë nga libri “Ditën që rrojta unë…”
 Petro Marko

 Një hallexhi erdhi në Tiranë. Kishte ardhur edhe herë të tjera, disa muaj më parë, por s’ia kishte vënë njeri veshin. Iu lut deputetëve të krahinës së vet që ta shoqëronin gjer në ministri, por ata, të zënë me plot punë të tjera, u mjaftuan duke i dhënë vetëm kartëvizita për kopistët e arkivistët. Këtë radhë, hallexhiu, s’kishte nevojë për njeri. Por të tjerët kishin nevojë për të. Kur ai po shkonte në ministri, i pari deputet i krahinës së vet që e takoi, desh ta shoqëronte:
-O, mirë se erdhe Mehmet Aga!
-Mirë se të gjeta, bej.
-Ku po shkon kështu?
-Ja gjer në ministrinë e…
-Po si bëhet, mor jahu, që nuk më ke thënë mua? Unë do të bëj ç’të mundem, për të të plotësuar dëshirën. Ti e di se sa jam kujdesur për popullin që përfaqësoj.
-Po, mor tungjatjeta. Të faleminderit, por mundem ta kryej vetë këtë punë.
-Jo, xhanëm, si do ta kryesh vetë? Duhet të kesh me vete një deputet, kur shkon te ministri. Përndryshe s’të dëgjohet fjala.
-Të faleminderit, por…
Katundari desh t’ia thoshte se s’kishte nevojë për të. Mirëpo deputeti nuk e la të mbaronte fjalën. E kapi për krahu që ta shoqëronte në ministri. Hallexhiu, s’kuptonte pse janë bërë kaq të mirë deputetët këto vitet e fundit… (Se afronte koha e votimit dhe deputetët kishin nevojë për votën e tij. Shënim i autorit).
Si do të priten deputetët
Më falni dhe mos e merrni për ters, mor jahu, se deputetët tanë s’priten kollaj. Fjalën e kam këtu, se qysh tani bëhen përgatitje të mëdha, për të pritur “baballarët” triumfonjës, se e plotësuan mirë detyrën e tyre.
-Nga t’ia mbajmë? I thoshte pardje një deputet sivëllait të afërt.
-Them t’iu bëj një telegram që të dalin dhe të më presin, se unë e di që ushqej simpati të madhe në popullin bujar të qytetit tim.
-Po, po, e kam marrë vesh. Unë mendoj se ku do ta shkoj verën, se që të vete në fshat nuk guxoj, vallahi të them. Dikush më shkroi se janë bërë gati të më presin me saze e gërneta. Unë s’vete se e di që do të më futin në valle… unë mezi lëviz e jo të kërcej. Dhe u mbetet hatri, kur s’kërcen me ta. Atëherë thonë: “Ky s’pranon”, dhe hajde në vjeshtë t’u marrësh ndonjë votë. Meazallah, se s’u bën qejfin, të lënë fare…
Prandaj, do të preferoj që të shkoj jashtë dhe të mos piqem fare me asnjë. Se dije, që të çmohesh shumë, mos para eja në kontakt me ta se të njohin. Se më duket, më dolli kripa më, mor katran.
-Kam marrë vesh, shtoi një tjetër, që kudo bëhen pritje të mëdha. Gjithë atdheu është në lëvizje.
-Mor mirë thua ti, ia priti tjetri, unë kam kohë që lloisem se ç’ këmbë do të hedhim të fundit atë ditë të zezë që do të dalim përgjithmonë nga kjo vatra jonë e shenjtë. E vras mendjen mor jahu…
-Jo, mor të vraftë. Për këto lloisesh ti? Po të hedhësh të djathtën, atëherë mot ishalla, do të jesh i partisë së djathtë, e po të hedhësh të mëngjrën, do të jesh i së mëngjrës.
-Ç’ janë këto që më thua. Kalama jam unë, apo rezervist që do të më bësh mua talim. Unë them që po të hedhësh këmbën e djathtë do të presin mirë mileti. E po të hedhësh të mëngjrën do të të nxjerrin avaze. Këtë e kam kënduar në “Kujtimet e Nastradinit”.
Ndërsa në Tiranë bëhen këto bisedime, ndër katunde dhe qytete përgatisin, pritje të mëdha. Ndër disa vende thonë se do të bëjnë “arco di trionfo” nga do të kalojnë baballarët e kombit, të cilët, në zgjedhjet e ardhshme do të emërohen jo gjyshërit, por stërgjyshërit e kombit.
Importimet tona dhe deputetët
Një deputet i ynë shkoi te një dyqan mobiliesh për të blerë një sallon. Këto mobilie bëhen këtu, janë të forta, të mira e të lira. Deputeti s’ kishte pëlqyer plaçkat që i dëftuan. Dyqanxhiu i kishte lavdëruar këto dhe i kishte thënë se në Shqipëri s’mund të bëhen më të mira se ato dhe fjalimi kishte vazhduar kështu:
Deputeti: – Pffff… S’ më pëlqejnë! Më mirë të sjell nga jashtë një sallon.
Dyqanxhiu: – Po ne me se të rrojmë, kur njerëzia të sjellë nga jashtë mobiliet?
Deputeti: – Po unë dua mall të mirë dhe me që s’ka këtu, do ta sjell nga Vjena.
Dyqanxhiu: – S’kini të drejtë, z. deputet. Me të vërtetë, malli i Vjenës është më i mirë se ai i Shqipërisë. Mirëpo, kjo mund të thuhet edhe për… deputetët. Edhe ne e dimë se deputeti i Anglisë ose i Zvicrës mund të jetë më i mirë se ai i Shqipërisë, por, megjithatë, deputetët nuk i biem nga ato vende dhe kënaqemi me ata që kemi këtu!..
Ata që duan ta marrin vesh se cili është deputeti në fjalë, le të drejtohen në zyrat e “Arbërisë”.




Eseistikë/Pjesë e shkëputur nga libri i Petro Markos “Intervistë me vetveten”
  
Pra ç’jemi ne? Shqiptarë!


Pra ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshet dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip? Siç duket që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qofte në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptare, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun.
Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e mbrendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banoret e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë.
Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. Tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputen lidhjet me Labërinë, me Dukatin.
Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodokse, janë greke; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurrë! Propoganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej. Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte me shumë kapedanë.
Delegatet e Ali pashë Tepelenës u thane mendimin dhe qëllimin e vizitës. Me plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:
- E falënderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhoit, po s’na dhanë ujë. Ne na dhentë Muhameti ujë, menjëherë brehemi myslimane. Kështu i thoni pashait.
Kur vajtën e ia thane pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:
- Eh kaurët e dreqit, do të ma paguajn ! – Pastaj, duke qeshur:
-Pizevenget, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, jane rrufjanë të mëdhenj !
Pak nga pak propoganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqisë. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje. Dhe paratë e mirëbërësve himarjote, që i kishin lënë në bankat greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke. Gjike Bixhili nga Dhermiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Peterburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjike Bixhilit. Gjike Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është sot e kësaj dite.
Ne kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë. Siç i la Gjike Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propogandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe silogu vorioepiriot, që merrej me çlirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte një…Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë (Megali Idheja: që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku janë ortodoksë).
Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie. Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua.
Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë të cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarese: as shqiptare, as greke!
Kishte hedhur rrënjë të thellë kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Krerët himarjote, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propogande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë. Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Lluke Zh. e të tjerë, që propogandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propogandës përdornin dhe këtë: Pse labëria u bë turke? E pse te mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi dhe
ne armiq të betuar të turkut.
Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njezët e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishte tetë priftërinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himariotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë. Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentine, në Australi, Kanada e gjetke. Kështu në dinim më mirë ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ja kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfusi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë.
Disa përçarës, vete regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendekuqet që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhet, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla. Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendekuqëve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë.
Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Markoja ishte vrarë për Greqinë, Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushuriri im Jani, i sikterisnin duke u thënë:
“Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin dite e natë në ballkon. Ne e dime gjakun tonë se nga buron”.


Google+ Followers