Ben Blushi: Nuk ka letërsi kombëtare

Intervistë me Ben Blushin pas marrjes së Çmimit Europian për Letërsinë. Përshtypjet dhe pritshmëritë dhe pse sipas tij nuk ka letërsi kombëtare.

Një autor shqiptar ishte i përzgjedhuri i sivjetshëm i Çmimit Europian të Letërsisë. Ben Blushi, autori i katër librave: “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Shqipëria” dhe “Hëna e Shqipërisë”, mori këtë çmim mes 13 autorëve të tjerë, me librin e tij të dytë “Otello, Arapi i Vlorës”, botuar për herë të parë në vitin 2009 dhe ribotuar prej UET Press në bashkëpunim me MAPO Editions. Çmimi Europian i Letërsisë gëzon tashmë një traditë të gjatë në përzgjedhjen e autorëve europianë, për t’i integruar më pas ata në një treg publik më të gjerë dhe për t’u dhënë jehonë krijimeve të tyre edhe përtej kufijve. Michel Magnier, Drejtor  për kulturën dhe kreativitetin në Drejtorinë e Përgjithshme për Edukimin dhe Kulturën në Komisionin Europian, i dorëzoi çmimin z. Blushi më 8 tetor 2014, me motivacion “Për cilësinë dhe kreativitetin që shfaqet në veprën Otello, Arapi i Vlorës, botim i UET Press dhe Mapo Editions”. Ceremonia e dorëzimit u mbajt në sallën Agora, në mjediset e Panairit Ndërkombëtar të Librit që organizohet çdo vit në Frankfurt.
Çmimi me të cilin ju u nderuat është një mundësi e mirë (për ju) dhe letërsinë shqiptare. Si mund të krijohen ura cilësore me letërsinë europiane pas një çmimi të tillë?
Unë besoj që ky çmim mund të vlejë sadopak për t’i hapur një dritare tjetër letërsisë shqipe. Është hera e parë që çmimi jepet për një autor shqiptar. Do të duhen edhe të paktën 3 vjet ndoshta që një autor tjetër ta marrë. Kështu funksionon çmimi, pra jo çdo vit jepet për vendet që janë anëtare të këtij projekti. Besoj që Shqipëria sot ka autorë të mirë, të cilët meritojnë njohje ndërkombëtare. Për fat të keq, ekzistojnë kufij gjuhësorë që i pengojnë.
Çmimi Europian i Letërsisë e ka këtë qëllim, që t’u japë mundësi këtyre veprave që të mund të përkthehen në Perëndim. Në të shkuarën ka vlejtur kështu për shumë autorë maqedonas, serbë, bullgarë, grekë, si edhe të gjuhëve të tjera europiane të cilat e kanë më të vështirë të prekin tregun europian.
Diçka për librin “Otello, Arapi i Vlorës”. Ky është një libër i cili (që në titull) duket se mbart kontraste të forta. Si ka ardhur personazhi i Otellos në një sfond të ri historik? Si zhvendoset ai në kohë dhe hapësirë brenda ngjarjeve të librit?
Jam i kënaqur që ky çmim iu dedikua “Otello, Arapi i Vlorës”. Është një libër që e kam botuar në vitin 2009, jo shumë i ri, por as shumë i vjetër, të cilin e kam shkruar me shumë pasion. Fabula e tij më ka rrëmbyer gjatë kohës që e shkruaja. ‘Otello’ siç kuptohet edhe nga titulli, është një fabul e huazuar nga Shekspiri, pavarësisht se unë e kam ndryshuar. Pra, Otello i Vlorës nuk ka pothuajse fare lidhje me Otellon e Venedikut. Ky është një emigrant i varfër, që rastësisht përfundoi në Shqipëri pasi u tregtua në Venedik dhe pjesën më të hidhur të jetës e kaloi në Vlorë në rrethana dhe kushte relativisht të çuditshme dhe të papritura për të, por edhe për Vlorën e viteve 1300-1400. Imagjinoni një qytet shumë të izoluar dhe homogjen të Mesdheut, në të cilin një ditë zbret një qenie me ngjyrë të zezë. Edhe sot, në shumë vende të botës, për mos të thënë që edhe në fshatrat e Shqipërisë, të bashkëjetosh me një qenie me ngjyrë tjetër kërkon një teknikë më vete. Po të kthehemi 700 vjet përpara, mund të përfytyrohet që e gjithë kjo krijon një çudi në qytet dhe kjo ishte arsyeja që Otello u abuzua. Unë kam dashur të them sesi ne dhe europianët, këtu: venedikasit ballafaqohen me të ndryshmen, me një njeri me ngjyrë. Ky është një problem i cili në fakt vazhdon të jetë prezent në shoqëritë europiane, pse jo edhe tonën. Jam i bindur që, në qoftë se europianët po fillojnë të mësohen të bashkëjetojnë me qenie apo me kombe apo me raca të tjera, ne akoma s’e kemi kaluar këtë fazë. Në ditët tona është më e vlefshme se kurrë sepse ne siç jemi subjekte të racizmit, në rastin e emigrantëve, ashtu edhe mund të kthehemi në një të ardhme, nëse nuk do të dimë të bashkëjetojmë me kombe të tjera. Kjo është fabula e Otellos, e cila padyshim ka një subjekt lirik; ka një histori dashurie si ajo e Shekspirit, e cila përfundon tragjikisht.
Si përshkruhen në këtë libër turqit, venedikasit dhe shqiptarët? Pse sipas jush ishin shqiptarët ata që ua mësuan të parët intrigat popujve të tjerë?
Unë nuk besoj se shqiptarët kanë vese më shumë se të tjerët, por padyshim që nuk kanë as virtyte më shumë se të tjerët. Historia nuk ka qenë gjithmonë e drejtë me shqiptarët dhe shumicën e kohës ata kanë jetuar në mungesë lirie më të theksuar se një pjesë e madhe e popujve përreth nesh. Kjo mungesë lirie dhe shtypje, e cila ka ardhur në një pjesë të madhe nga të huajt por edhe nga shqiptarët mbi shqiptarët, sigurisht që ka lënë gjurmë sepse izolimi, trysnia, varfëria që shoqëron izolimin, mungesa e shtetit/ lirisë e pavarësisë, mungesa e një ekonomie të zhvilluar dhe mungesa historike e një klase të mesme apo të pasur kanë dhënë çrregullime të llojllojshme. Kështu që nuk besoj se bashkëjetesa jonë me popuj të tjerë në Ballkan dhe në rajon është ndikuar nga veset e shqiptarëve. Ajo është ndikuar më shumë nga rrethana historike apo nga kontekste të caktuara politike, gjeografike, të cilat nuk kemi ditur t’i shfrytëzojmë siç duhet edhe pse natyra është treguar e bollshme me ne. Në disa raste më shumë i kemi bërë ne keq vetes se ç’mund të na kenë bërë të tjerët, pavarësisht se kjo është e diskutueshme, meqë historia jonë është një tunel të cilin nuk e kemi përshkuar ende dot deri në fund.
A është në gjendje letërsia të sjellë ndryshime, të themi, në 100 vitet e ardhshme, në këtë epokë të trazuar që jetojmë? Si e parashikoni të ardhmen e letërsisë shqiptare pas një shekulli?
Letërsia ka shumë ndikim tek popujt. Për hit të së vërtetës ka pasur më shumë në të shkuarën sesa sot. Kjo sepse sot letërsia ka konkurrentë të fortë internetin, televizionet, mjetet e komunikimit masiv çdo ditë, të cilat janë vështirë të “përballohen”. Kjo, sigurisht vë në vështirësi ata që merren me letërsi dhe largon lexuesit nga librat. Megjithatë, letërsia ka fuqinë e vet dhe jo më kot ka lindur para shumë arteve të tjera. Mund të themi se ajo ka lindur bashkë me njeriun dhe në këtë kuptim do mbarojë bashkë me njeriun, sepse ekziston nevoja për të folur për veten, për vendin ku jeton, për të parashikuar në njëfarë mënyre. Nuk besoj se letërsia shqipe do bëjë përjashtim nga ky trend i letërsisë botërore. Shqiptarët kanë filluar vonë të shkruajnë letërsi dhe akoma më vonë letërsi të mirë, por sigurisht në procesin e integrimit në të cilin gjendemi edhe ne do shkruajmë letërsi shumë të mirë, siç edhe ka ndodhur. Unë nuk mund të parashikoj se si do të jetë letërsia shqipe për 100 vjet, por natyrisht që letërsia që nuk i ambientohet kohës kur prodhohet dhe kohës së shkrimtarëve që e shkruajnë atë si edhe rrethanave historike, politike e  shoqërore, bëhet e palexueshme. Kjo u ka ndodhur shumë autorëve të mëdhenj, jo vetëm shqiptarë por edhe botërorë, të cilët mund të kenë qenë shumë të dashur për lexuesit e kohës kur kanë jetuar, por më vonë e kanë humbur kontaktin me ta në vitet apo dekadat që kanë pasuar. Një letërsi e thatë, pa histori e pa mesazh, është e destinuar të mos lexohet shumë. Sa për rastin tonë, besoj se duke qenë më të lirë se kurrë dhe më të integruar se kurrë, shqiptarët kanë mundësi dhe patjetër që do të dinë ta shfrytëzojnë atë që të kenë një letërsi të integruar, çka nuk ka ndodhur gjithmonë në historinë tonë.
Cili do të jetë tash e tutje rrugëtimi i kësaj vepre?
Do më vinte mirë që ky çmim të zgjonte më shumë interes për letërsinë shqipe në tregjet e librave europianë, por në fund të fundit secili përfaqëson veten dhe unë nuk marr përsipër të shkoj në Europë për t’u gjetur treg autorëve të tjerë. Kjo është një punë individuale, e cila kur u vlen të gjithëve është mirë, por nuk besoj se ka shkrimtarë që shkojnë jashtë vendit dhe gjejnë shtëpi botuese për shokët apo kolegët e tyre. Letërsia është një art individual i cili nuk mund të bëhet në mënyrë kolektive dhe si e tillë, nuk mund të flitet për letërsi kombëtare, siç mund të jemi mësuar të mendojmë në disa raste. Unë nuk e shoh veten si kolektiv shkrimtarësh por si individ, dhe kjo nuk mund të jetë ndryshe./mapo

Google+ Followers