Ajka e gjuhësisë shqiptare


I lidhur fort pas gjuhës shqipe, ai i ka sjellë kësaj gjuhe përmendoret më të mira, vepra themeltare me vlera të padiskutueshme. Prejardhja e gjuhës shqipe ishte obsesioni kryesor i tij, të cilën profesor Shaban Demiraj e lidh ngushtësisht me historinë dhe jetën e popullit shqiptar.

Shkruan: Qemal MURATI, Kërçovë 

Pak kohë më parë albanologjia shqiptare mbeti edhe pa bardin e saj të fundit. Më 30 gusht 2014 iku edhe albanologu dhe ballkanologu i shquar i radhëve të para, profesor Shaban Demiraj. U nda nga kjo jetë në moshën 94-vjeçare, si thuhet “me merakun për ndryshimet e shumëpërfolura në drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Mbi ndryshimet  shumë të diskutuara për gjuhën standarde shqipe, profesor Shaban Demirajt (në një intervistë dhënë për Top Channel në korrik të vitit 2012, atëherë kur sëmundja po rëndonte shëndetin e tij.), jepte këto fjalë porosi për Këshillin Ndërakademik për gjuhën shqipe: “Të ecet me mend në kokë, të bëhen ato ndryshime që prishin më pak punë, ky komision ka lëndë të punojë, megjithëse po punon ngadalë, po këto ndryshime në gjuhë nuk bëhen kështu, i teket njeriut ta shkruajë anëtar apo antar. Nuk bëhen këto me nisma teke, se atëherë krijohet një anarki”. Natyrisht, ky mësim i prof. Shaban Demirajt duhet të mbahet si vath në vesh nga të gjithë ata që kanë marrë kazmën rrënimtare kundër gjuhës shqipe, sepse vjen nga filologu më i ditur e më punëmbarë i shqipes, e jo të marrin turrin pseudofilologët e t’i vërsulen kodit drejtshkrimor të shqipes sikur ta kishin gjetur atë në zullum.  
Profesor Shaban Demiraj lindi në Vlorë (1921). Ai ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave në vitin 1992, ndërsa për 30 vjet drejtoi katedrën e Gjuhës Shqipe. Ka shkruar mjaft vepra për gjuhën shqipe, ndër të cila edhe 8 monografi, studime për fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën historike të gjuhës shqipe. Ishte një autoritet shkencor elitar, i pakontestueshëm, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai i solli shkencës gjuhësore shqiptare, por edhe ballkanike, vlera të mëdha përmes shumë veprave monumentale, ku veçohen: “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), “Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), “Morfologjia historike e gjuhës shqipe” (I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980), “Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989). “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (1996), “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1999). “Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj” (2003). Studime të tij me interes të veçantë janë ato për filologjinë e arbëreshëve.  Një libër të posaçëm (më 1990) i ka kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, prof. dr. Eqrem Çabej. Botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike” (1994). Ai është figurë e njohur për shkencën gjuhësore në Ballkan e Evropë dhe për kontributin e shquar, ka marrë titujt “Mësues i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. 
Veçanërisht është e dukshme ndihmesa e prof. Demirajt për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare shqipe. Për këtë gjë dëshmon edhe përfshirja aktive e tij në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por dhe përpjekjet e tij të mëpastajme. Ja çfarë thoshte ai kohë më parë, në një bisedë të tij, që mbetet aktuale edhe sot: “Të gjithë duhet të përpiqemi që ta përsosim vazhdimisht shqipen tonë letrare, e cila i ka përmbushur gjithnjë dhe më mirë kërkesat e një shoqërie me zhvillim të pandërprerë. Të gjithë duhet të përpiqemi ta zhvillojmë e ta pasurojmë atë dhe, njëkohësisht, ta ruajmë nga ndikimet e gjuhëve të tjera dhe sidomos nga vërshimi i fjalëve të huaja të panevojshme, dukuri kjo që kohët e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Dhe, me këtë rast, një punë të madhe mund dhe duhet të bëjnë sidomos arsimtarët, shkrimtarët dhe gazetarët, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi brezin e ri dhe mbi masat e gjëra të lexuesve”. E, kur binte puna të bënte një bilanc të përdorimit të shqipes së sotme letrare në prag të shekullit XXI, në 25 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, përkatësisht nëse vendosja e gjuhës letrare të përbashkët që kemi sot në përdorim, ka qenë një veprim i arsyeshëm apo jo, prof. Demiraj ngrinte dy pyetje të tilla: Si ka funksionuar kjo gjuhë e standardizuar deri sot dhe a do t’i qëndrojë dot kohës në të ardhmen? Për t’u dhënë vetë një përgjigje të argumentuar: Përvoja e këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit e bën të mundur që t’i jepet një përgjigje pohuese pyetjes nëse vendimi i vitit 1972 ishte i drejtë dhe i marrë në kohën e duhur. Edhe ata që patën shprehur rezerva ose kundërshtim për vendimin, tashmë duhet të jenë bindur se shqipja e sotme letrare, e cila në të vërtetë është fryt i punës së madhe të disa breza intelektualësh – shkrimtarë, gjuhëtarë dhe shkencëtarë të ndryshëm etj. – i ka plotësuar mirë kërkesat bashkëkohore të një gjuhe letrare. Natyrisht, nevoja për zhvillimin dhe përsosjen e saj të mëtejshme mbetet një kërkesë e vazhdueshme – përsiaste prof. Demiraj. Porse, zhvillim dhe përsosje nuk do të thotë që në gjuhë të mund të bëhen ndërhyrje arbitrare nga një tifozllëk krahinaist, siç po pretendohet këto dy dhjetëvjeçarët e fundit.  
I lidhur fort pas gjuhës shqipe
I lidhur fort pas gjuhës shqipe, ai i ka sjellë kësaj gjuhe përmendoret më të mira, vepra themeltare me vlera të padiskutueshme. Prejardhja e gjuhës shqipe ishte obsesioni kryesor i tij, të cilën profesor Shaban Demiraj e lidh ngushtësisht me historinë dhe jetën e popullit shqiptar. Në këtë çështje madhore, ai ka parashtruar pikëpamjet kryesore të studiuesve të huaj e vendas, të cilat herë kanë qenë të karakterit historik, herë gjuhësor e herë gjeografik, për të paraqitur më pas dhe pikëpamjet e veta të argumentuara në formë sintetizuese. Temat e trajtuara për historinë e shqiptarëve, nëpërmjet gjuhës shqipe, kanë si bosht kryesor tek ai objektivitetin shkencor. Për sa u takon përpjekjeve të disave për të sqaruar gjuhën e pellazgëve me anë të mbishkrimeve etruske dhe, këto të fundit, me anë të gjuhës shqipe, përpjekjet e tilla për prof. Demirajn janë të bëra shpesh me paragjykime joshkencore dhe nuk e kapërcejnë pragun e fantazisë ose të dëshirës për të mbrojtur një tezë të pambrojtur, duke bërë krahasime me fjalë të shqipes së sotme, pa marrë aspak parasysh se fjalët e shqipes së sotme, edhe kur janë të trashëguara, në kohën e pellazgëve apo të etruskëve kishin përbërje fonetike të ndryshme nga ato të shqipes së dokumentuar. Dhe, sjell si shembull për këtë mendimin e shprehur nga disa studiues shqiptarë se emri i Toscana-s në Itali lidhet me emrin toskë të Shqipërisë Jugore. Ndaj hamendësimeve të tilla prof. Shaban Demiraj mban qëndrim të fortë kritik dhe na jep modelin se si duhet të punohet në shkencë me argumente e jo me fjalë boshe e me etimologjizime qesharake, që nuk i hyjnë në punë askujt.
Në rrafshin e ndërndikimeve gjuhësore, një fushë po kështu e pëlqyer e tij, ai ka lënë postulate me vlerë për gjuhën shqipe: “Ndikimi gjuhësor, në shumicën e rasteve, kufizohet në fushën e fjalorit. Më pak të prekshme janë struktura gramatikore dhe sistemi fonologjik. Kur ndikimi i huaj prek thellë edhe këto dy fusha të një gjuhe, atëherë ajo merr rrugën e bastardimit e me kohë edhe mund të zhduket fare”. Si një autoritet shkencor dhe njeri gjithmonë i drejtpeshuar, me përgatitje filologjike par excellence, ai kërkonte që edhe ata që operojnë me gjuhën të jenë të drejtpeshuar, të merren me pasurimin, të mbajnë një qëndrim të përkorë ndaj huazimeve, e jo të merren me  çserbizimin, çmaqedonizimin, çromanizimin apo me çgreqizimin e saj, sepse kjo nuk do të ishte një gjë e dobishme: “Nuk mund dhe nuk duhet të nxirret përfundimi që gjuha e shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi duhet çserbizuar apo çmaqedonizuar, ashtu siç nuk është rasti të flitet për nevojën e çromanizimit apo të çgreqizimit të të folmeve të Shqipërisë. Përdorimi i termave të tillë jo vetëm që u jep shkas polemikave të panevojshme dhe të pabukë, por edhe nuk mbështetet nga gjendja e vërtetë e gjuhës shqipe, të folur e të shkruar përkëtej dhe përtej kufijve të shtetit shqiptar. Nuk është fjala për një qëndrim purist të tepruar, por për një qëndrim të drejtpeshuar”. 
Për evolucionin e shqipes dhe ndikimin që ka pësuar në rrjedhë të kohëve, argumenton me maturi kësisoj: “Për sa i takon gjuhës shqipe, e cila është zhvilluar nga evolucioni i njërës prej gjuhëve të lashta indo¬evro¬piane të Ballkanit, nuk është e tepërt të pohohet se është një nga “të papriturat” e historisë që ajo e ka ruajtur mëvetësinë e saj, me gjithë trysninë e fuqi¬shme, që është ushtruar mbi të në rrymë të shekujve. Këtu kam parasysh sidomos ndikimin e madh të latinishtes, të greqishtes, të gjuhëve sllave fqinje, të tur¬qishtes etj. Madje, serbishtja dhe maqe-donishtja e kanë vazhduar ndikimin e tyre mbi të folmet peri¬ferike të shqipes edhe gjatë shekullit XX. Si rrjedhim, shqipja mbahet me të drejtë si një ndër gjuhët më të ndikuara të Evropës”.
Në gjykimet e veta prof. Demiraj nuk është kurrë absolut, që është një cilësi tjetër e dijetarit të vërtetë, e për t’i mbështetur ato sjell edhe mendimin e ndonjë autoriteti tjetër shkencor, me referencën të kihet parasysh edhe pohimi i...: “Edhe ndryshimet fonetike midis dialekteve të gjuhës sonë nuk janë të tilla, që të mund të pengojnë përvetësimin e shpejtë të shqipes standarde edhe nga banorët e Veriut. Të kihet parasysh pohimi i Pedersenit rreth tetëdhjetë vjet më parë (shih “Ylli i Mëngjezit”, vol. 2, 31 tetor 1917, f. 235), që “Ndryshimi midis të dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël sesa ndryshimet dialektore, që vihen re në shumë gjuhë të tjera; nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi” (Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj, Tiranë, 2003, f. 288).
I mbetemi borxh për shumëçka
Gjuhëtarit dhe albanologut të çmuar, profesor Shaban Demirajt, të gjithë i mbetemi përjetësisht borxh për diçka. Brezat e shumtë të studentëve i mbeten borxh për leksionet e tij brilante me të cilat i ngriti e i formoi, studiuesit për veprat e tij themeltare shumëdimensionale, për metodën shkencore dhe të menduarit kritik, ku qëndroi i patundur në krye të shqipes e të studimeve shqiptare. Mjeshtri pasionant i gjuhës shqipe, Shaban Demiraj, gjuhëtar dhe njeri me dimensione të gjera, i ka ndenjur shqipes ndër këmbë e ndër krye. “Të gjithë ata që shqipen e quajnë gjuhë të tyre të nënës, të mos heqin dorë nga mbrojtja e saj” – përsiaste prof. Demiraj.
Vepra e profesor Sh. Demiraj, i gjithë kontributi i vëllimshëm prej 10.000 faqesh, që mban autorësinë e tij, shquhet për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm. Fakti që analizat dhe arsyetimet e këtij gjuhëtari të shquar qëndrojnë në bazë të punës së studiuesve të gjuhës shqipe, qofshin shqiptarë a të huaj, flet mbi të gjitha për objektivitetin shkencor të trajtimit të historisë së gjuhës shqipe (Mimoza Karagjozi Kore). 
Figura dhe ikja e tij është cilësuar me epitetet më të larta: Gjuha shqipe ka humbur pasionantin e saj më të madh. Shaban Demiraj, gjuhëtar i klasit të parë,  autoritet shkencor elitar, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kur njeriut i flet vepra,...  etj. E, kur njeriut i flet vepra, ai mbetet i pavdekshëm. Në shkollën e gjuhësisë shqiptare profesor Shaban Demiraj, bashkë me profesor Eqrem Çabejn, janë dy nga themelvënësit më të shquar të saj, që e mbajnë lart këtë ngrehinë. Ata mbeten ajka e gjuhësisë shqiptare.
Dua ta mbyll këtë shënim rasti për prof. Shaban Demiraj me thirrjen që ky bënte duke përkujtuar 25-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku u vendos përfundimisht përdorimi i një gjuhe letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët: “Të përpiqemi të gjithë për të shpëtuar nga rreziqet që po i kërcënohen gjuhës sonë të bukur, e cila është jo vetëm thesari më i çmuar që kemi trashëguar nga të parët tanë, por edhe shenja dalluese kryesore e kombit shqiptar”. 

Google+ Followers