Aforizmat, vlera që pasqyrojnë shpirtin e një kombi

Shënime rreth botimeve “Aforizma nga autorë shqiptare” të Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj
Nga Pëllumb Gorica

Çdokush që merr në duar një libër me vlerë, me të vërtetë ka marrë një thesar. Ndaj, gjithsecili prej nesh duhet të shprehet me fjalë shpirti për atë, ç’ka autorët u servirin lexuesve. Çdo lexues ka mënyrën e vet të të lexuarit dhe të zbërthimit të asaj çka lexon. Leximi i përciptë është i barabartë me asgjënë. Në rastin në fjalë përgjegjësia e leximit është shumë e madhe dhe mund të përkufizohet baraz me rikrijimin.
Jam i emocionuar teksa shfletoj “Aforizma nga autorë shqiptare” të Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj, të një botimi serioz dhe me vlera akademike. Sepse me këtë botim jemi përballë faktit, që evidentohet dhe mundohet të përçohet jo në rrugë mekanike, por nëpërmjet rileximit aktiv një botë e madhe shpirtërore dhe filozofike kryesisht nga autorë shqiptarë, mjeshtra të fjalës poetike dhe të prozës së gjatë, që i kanë dhënë letërsisë sonë dimensione interesante. Është një fushë e vështirë ku përmblidhen pikë-pikë sentenca dhe filozofi të caktuara, të shndërruara në urtësi. Botime të tilla në këtë drejtim janë të pakta, përveç disa dhe kjo prej vullnetit dhe ambicies së autorëve. Ajo që ia shton më tepër vlerat botimeve të tilla është se ato shprehin mendimin e latuar të gjithë sferave të jetës, të shqetësimit të përhershëm krijues, i cili rreh me pulsin e kohës. Me mundësinë e zgjedhjes dhe të seleksionimit më të mire e më të përshtatshëm të kësaj urtësie proverbiale, ato janë rreshtuar në 4 vëllimeve interesante, të cilat spikatin si vlera kombëtare dhe lartësojnë e i ngrejnë një kult mendimit krijues e filozofik të kombit tonë. Aforizmat janë mesazhe të cilat kanë dalë nga përballjet e herë pashtershme të njeriut me jetën. Janë rrethanat shoqërore të cilat kanë prodhuar e vazhdojnë të prodhojnë përvoja. Pra, grumbullimi i tyre nga individë të veçantë aq sa është e lehtë në pamje të parë, ka vështirësitë e saja. Mbledhësit e këtyre aforizmave në vetvete janë filozofë të vërtetë, njerëz të urtë, siç thotë populli ynë, njerëz me botë të pasur shpirtërore me principe dhe koncepte të gjëra. Ata, pasi kanë rënë në konkat me to, gjatë rrugës jetësore e kërkojnë urtësinë me këtë lloj komunikimi me bagazhin e pasur dhe këmbënguljen e bletave punëtore Thimi Mitkos dhe Fatos Mero Rapajt, janë munduar që këtë pasuri me vlera të ja shpërndajnë të tjerëve.
Në parathënien botuese autorët shprehen: “Aforizma ka ngjashmëri me fjalën e urtë popullore, por kjo duhet të ketë vlerë më të qëndrueshme, më shkencore dhe më të kapshme, pra shkalla mençurore e saj është mjaft e lartë” dhe se ato “nuk durojnë shprehjet e mendimeve ekstreme…”. Këto aforizma janë interesante dhe në çdonjërën duhet të ndalesh gjatë e të kuptosh thelbin e tyre, duke zbuluar thesare vlerash, Aforizmat tregojnë një rregull të jetës, një normë jetike, një të vërtetë të pamohueshme “… Janë dëshmi e përjetimeve, dëshirave, urtësisë, janë shpirti i një kombi”. Të mbledhësh, botosh aforizma, thënie e mendësi krijuese të ekstrakteve filozofike, do të thotë vlerë dhe shenjë mençurie, pasi përdorimi i tyre përbën një mënyrë të veçantë komunikimi, duke i dhënë një aftësi më të madhe shprehje dhe kolorit gjuhësor. Si pasojë përkufizimi i tyre në grup është shumë i vështirë se çdo aforizëm është një zbërthim filozofik si dhe një vëzhgim i gjatë i atyre dukurive dhe ngjarjeve që ndodhin brenda botëkuptimit tonë. Autorët, duke mundur t’i përshkallëzojnë ato kanë shpalosur edhe vlerat e autorëve, mendimin filozofik, të joshur nga kompleksiteti i notave shpirtërore. Pikërisht këtu qëndron dhe merita e tyre, të cilët jo vetëm i kanë qëmtuar ato në vite, siç nxirren nga fundi i detit perlat, me anë të shfletimit, nga bisedat e përditshme me miq, të njohur e të panjohur, por edhe i kanë paraqitur në një nënrenditje logjike, që lenë gjurmë te lexuesi e të bëjnë të meditosh për esencën e thënë. Në fakt është një qëmtim i hollë i së bukurës, ndjesores, të veçantës, logjikes, se aforizmat janë si diamantet që shkëlqejnë. Këto nënrenditje, që përjetohen me notat e vetë brendisë lexuesin e njohin, dhe e bëjnë pjesë të mendimit goditës, të drejtë, të paanshëm, depërtues të ndjenjës, duke e paisur atë me forcën e jashtëzakonshme, e për të zbuluar të bukurën atje ku është në të vërtetë. Gjithsesi secili veçon të bukurën nga e zakonshmja, të këndshmen nga e thjeshta.
Duke i shfletuar në detaje aforizmat e autorëve shqiptarë, arrijmë të takohemi në mënyrë artistike dhe të hyjmë në një lidhësi të mozaikut jetësor, ku perfetizohet mirëkuptimi, bekohet humanizmi e natyrisht ngrihen në obelisk vlerat e krijimeve. Arti, kur zbret brenda gjendjes shpirtërore të njeriut, le gjumë të pashlyeshme, por i shprehur në momente të caktuara lind vlera monumentale. Të jesh poet, shkrimtar, historian, mendimtar duhet të jesh patjetër shpirt dhe frymë e shkronjave, Ai që të prek në shpirt me fjalën e tij të thellë, edhe lotin e kalon nga shpirti dhe e bën të flasë. Të krijuara në çaste frymëzimi a gjendje pezmi nga realiteti i kohës, kërkimtare drejt së mirës, realizativ të dëshirës dhe vizionare të së ardhmes nga ana tjetër të bëjnë të reflektosh dhe të të mbesin në mëndje me shijen e mirë. Aforizmat janë të kapshme nga lexuesi dhe sintetizojnë në vetvete mesazhin ideo- tematik dhe ideo-estetik të qenit më shumë se aforizma, të mbledhura vetëm nga autorët shqiptarë, jo vetëm artistike, por edhe shkencore. Të pashembullta, origjinale e të patjetërsueshme në këndvështrimin moral janë këto aforizma edhe në këndvështrimin artistik. Simbolika e tyre aludon dhe perfomon një tendencë vizionare në qenien e njeriut, të cilin e imponon koha, por kjo simbolikë rigjeneron botëkuptimin dhe vullnetin e vetë qenies, duke e drejtuar atë në kërkim të mesazheve të mirësisë profetike. Jetojmë në një kohë mjegullore e të etur për mesazhe mirëkuptimi dhe secili nga ne, herët apo vonë, ballafaqohet me forcën që kanë ato. Temat psikologjike, të cilat janë shumë të domosdoshme për lexuesin, ndihmojnë të merren vendime të drejta në jetë dhe me pak fjalë me shumë këndvështrime pozitive për njerëzit, të cilët janë ose kanë qenë apo do të jenë pjesë e sfidave gjatë jetës së tyre. Në brendi të tyre ideja shprehet qartë dhe kuptueshëm, duke prekur qendrën e trurit. Lexuesi do të ketë rastin që gjatë leximit të tyre, të njihet me aspektet e jetës së përditshme, të rrok e prek të gjithë cepat e shpirtit njerëzor ku si bërthamë kanë dashurinë e respektin e tij. Duke hyrë në anët më intime të jetës njerëzore ato shprehin një vizion të mendimit të lartë e konkret shoqëror. Lexon në brendësi të çdo aforizmi elegancë dhe ndjeshmëri të lartë, shpresa të pafundme me koeficient nënshpirti të rrokullisura në logjikën e së përditshmes, por edhe mesazhe jetëdhënëse për të nesërmen, të shprehur në formë lakonike, duke shërbyer si dritare nga mund të thithet informacion dhe dije për gjithkund. Janë përvoja filozofike të një kombi me vlera përgjithësuese të cilat e kanë provuar veten e tyre në rrjedhen e shekujve.
-Kush ndëgjon vetëm një këmbonë ndëgjon vetëm një zë. Frang Bardhi
-Rrezja që s’sheh veten, por të gjithë i hijeshon! Jeronim De Rada
-Ajy, që është burrë s’e vret atë që ka zënë, as të falurit kurrë, s’i merr as shpirtin as gjënë. Naim Frashëri 
-Kur njeriu e ka zemrën plot me dashuri, shpirti i ushqehet me shpresa. Pashko Vasa
- Fol vetëm për ato gjëra që i njeh, për të tjerat hesht. Sami Frashëri
-Moti i ri mos të gjej vetëm një mot më plak, por edhe një mot më të mençur. Fan S. Noli
Nuk vlen jeta më për mua, kur të bëj atë që s’dua. Ali Asllani
-Se s’mëson vendi me nji mik, me sa rron sorra me’i fik. Gjergj Fishta
-Sa më tepër bylbyla cëcërisinin në terr të natës, aq më fort afrohet agimi i pritun. Ernest Koliqi
-E djeshmja ka ikur. E nesërmja s’ka ardhur. Nënë Tereza
-Atje ku ka më shumë dashuri, atje edhe dhembja është më e madhe. Rexhep Qosja
-Nuk flasin letrat as thashethemnajat, por vetëm punët. At Zef Pllumbi
-Gjithçka duket e bukur nga larg. Sa i afrohesh prishet. Ismail Kadare
-Arsyeja arsyeton, kurse vetëm zemra drejtpeshon. Adem Demçi
-Kushdo që te jesh, nuk mund të mjaftohesh me vetveten. Azem Shkreli
-Pushteti i fjalës është i veçantë, gatuan male dhe kakërdhi, me fjalën rrjedhin përrenj me mjalt, pikojnë çezma me helm të zi. Dritëro Agolli
-Dikush hyn nga dera, dikush nga dritarja a deriçka, dashuria nga të tria. Xhevahir Spahiu
-Pa nder nuk është ë bukura e bukur. Kasem Trebeshina
-Kurrë nuk është e gjatë rruga që të shpie drejt së vërtetës. Nasho Jorgaqi
- Paska thënë një i mbarë, rrena nuk do dëshmitar. Rifat Kukaj
-Të mos mund të jetosh, është më e lejueshme se të mos dish të jetosh. Zija Çela
- Ai që nuk ka pru asgjë në zgjua, nuk ka të drejtë të provojë mjaltin. Isuf Luzaj
-Koha kalon dhe nuk fal askënd. Len detyrime, vjedh lumturi. Brunilda Zllami
-Vetmia më shumë se të vret të shëmton. Flutura Açka
-Lufta është mallkim për shumë njerëz, por është shpetim për disa të tjerë. Ben Blushi
-Atij që mëndja i pjellë pa da /mendimi i dytë / të parin e ban me ra. Pashk Gjeçi
-Shumë njerëz as mbjellin, as korrin, por hambarin e kanë plot. Nonda Bulka
-Mbahu… në s’do të të mbajnë nëpër gojë. Jakov Xoxa
- Një vend pa moral e krenari i ngjan guackës boshe. Ali Podrimja
Mesazhi filozofik i autorëve, ndërkohë lartëson fokusimet e veprave cilësore me mbështjelljen shpirtërore, sepse përditë e më shumë sheh tituj librash të botuara vend e pa vend. Në lëmin artistik çdo krijim flet me ndjenjën e individit, ku jo në të gjitha rastet ai zotëron profesionalizëm dhe origjinalitet. Të botosh një libër në radhë të parë është përgjegjësi e madhe për autorin dhe pastaj për botuesin, i cili duhet të shoh përtej interesit cilësinë krijuese, vërtetësinë dhe vlerat e tyre, sidomos kur flitet për mendimet rreth artit universal shpirtëror. Sot në fakt botohen edhe vepra mediokre; romane, ku krijimi le shumë për të dëshiruar, apo vëllime poetike, që vetëm të tilla s’janë me vargëzime të copëzuara në rrokje fjalësh dhe pa frymë metaforike. Mendimet e shkruara dhe vargjet nga një autor bëhen pjesë e plagjiaturës së një autori tjetër. Kjo dukuri negative si në gjithë sferat e tjera edhe në fushën e krijimtarisë është e ndjeshme dhe një realitet shpirtëror i cli shitet e blihet, pasi sot për sot disa kanë mundësinë financiare, por s`kanë pasurinë shpirtërore. Paratë nuk kanë këmbë, por vrapojnë për të blerë gjithçka dhe inkurajojnë antivlerat, mediokritetin. Prodhohet kështu krijimtari nga të gjitha gjinitë me pompozitet fals. Ndaj është e rëndësishme për atë që shkruan të përfaqësohet denjësisht me vlerën origjinale të krijimit.
Botimet “Aforizma nga autorë shqiptare” i Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj, si një dëshmi e punës përkushtuese e me vlera të veçanta, duhet të lexohet nga ata të duhurit dhe të nxirret më e mira në art. Profesionaliteti dhe zotësia e autorëve në përzgjedhjen e vlerave, tregon bukurinë shpirtërore të tyre, njëkohësisht tregon prokupacionin, zgjuarsinë dhe dëshirën për t’i ardhur në ndihmë njerëzimit, por edhe inkurajimin pa cmirë të shpirtit krijues nën dritën e këndvështrimit evidentues e të mirëfilltë të artit. Sepse çdo kush duhet të bëj diçka që gjërat e bukura të vlerësohen. Shoqëria jonë vazhdimisht ka nevojë dhe nuk ngopet me botime të ndritura arti.
Le t’i mbyllim këto shënime modeste, duke u lënë mundësinë të tjerëve nga këndvështrime të ndryshme, të gjykojë dhe reflektojë mbi vlerat e këtij botimi. Urime autorëve për punën pasionante, çmuese, inkurajuese, që dëshmon për fisnikëri shpirtërore!

Google+ Followers