Në kopshtin e Luksemburgut (Poezi nga Gérard de Nerval )



Gérard de Nerval 



























Gérard de Nerval, pseudonimi letrar i Gérard Labrunie, lindi në Paris më 1808. Ende i vogël mbetet jetim nga e ëma. I rritur në Mortefontaine, në pronën e xhaxhait të madh, ai zbulon Valois-në (kështjellë e Mortefontaine, pylli i Ermenonville-ës), që do të bëhet dekori i ëndërruar i veprave të tij (Vajzat e zjarrit, 1854). Në Kolegjin Charlemagne, ai lidh miqësi me Théophile Gautier-në. Në vitin 1828, për përkthimin që Nervali i bëri Faustit të Goethe-s, mori urimet më të mira nga shkrimtari i famshëm gjerman. Bie në dashuri me aktoren Jenny Colon (1834). I prekur nga turbullime mendore që nga viti 1841, Nervali udhëton shumë, në Europë, pastaj në Orient (1843), duke kërkuar tek ëndrra dhe ekzotizmi ilaçin e anktheve të veta (Udhëtim në Orient, 1851). Ndërkohë që jeton me disa punë të vogla në lëmin e botimit, krizat e çmendurisë e kapin sërish, çka e detyron të kryejë qëndrime të përsëritura në klinikën e Dr. Blanche në Passy. E gjejnë të varur te kangjellat e një rruge pariziane më 26 janar 1855, teksa nis botimi i novelës së tij të fundit, Aurelia.



FANTAZI 

Është një melodi për të cilën do jepja 
Krejt Rosinin, Moxartin edhe Veberin, 
Një melodi e përzishme, lënguese, e vjetër, 
Që veçse për mua ka sharme të fshehta. 

Por përherë më ndodh kur mbaron dëgjimi, 
Që shpirti më bëhet më i ri dyqind vjet: 
Më kthen në kohën e Luigjit Trembëdhjetë... 
Ku shoh një kodrinë që e zverdh perëndimi. 

Pastaj një kështjellë me kënde të gurtë, 
Me xhama të lyer me ngjyra të kuqe, 
Rrethuar nga parqe të gjerë, dhe një lumë 
Që themelet ia lag e rrjedh përmes lulesh. 

Pastaj shoh një zonjë, në dritaren e vjetër, 
Flokëverdhë e syzezë, me një fustan të rëndë... 
Që, ka shumë gjasa, në një jetë tjetër 
E kam parë tashmë – e që më vjen ndërmënd! 


NJOLLA E ZEZË 

Kushdo që ngultas diellin me sy ka vështruar 
I duket se ka parë si fluturon me ngulm 
Përreth tij, në ajër, një njollë e irnuar. 

Kështu dhe unë, i ri, edhe më guximtar, 
Një çast mbi lavdinë guxova sytë t’i ngul: 
Një njollë e zezë m’i ngeli shikimit lakmitar. 

Qysh aherë, mbi gjithçka, si shenjë ogurzezë, 
Në çdo vend ku syri më ndalet ndonjëherë, 
E shoh të qëndrojë dhe ajo, njollë e zezë! – 

Pa reshtur mes meje dhe lumturisë! Përherë? 
Oh! vetëm shqiponja – o kob, kobi ynë! – 
Sodit e pandëshkuar Diellin dhe Lavdinë. 

EL DESDICHADO 

Jam Terrani, - Vejani, - i Pangushëlluari, 
Princi i Akuitenës në Kullën e vithisur: 
Ylli i vetëm më vdiq, - dhe lahutë e yjëzuar 
Më sjell Diellin e zi të Melankolisë. 

Në natën e Varrit, Ti që m’ke ngushëlluar, 
Pozilipon dhe detin e Italisë më sill, 
Lulen që ma donte zem’r e dëshpëruar, 
Pjergullën ku lidhen Rrushi me Trëndafil. 

Jam Erosi a Febi?... Luzinjani a Bironi? 
Ballin e kam të kuq nga puthje e Mbretëreshës; 
Kam ëndërruar në Guvën ku noton Sirena... 

Dhe dy herë fitimtar përshkova Akeronin: 
Tek luaja në lirën e Orfeut, pas radhës, 
Psherëtimat e Shenjtores dhe klithmat e Zanës. 


NË KOPSHTIN E LUKSEMBURGUT 

E gjallë dhe e shkathët si një zog 
Në shteg të kopshtit shkoi një vajzë e re: 
Një lule të freskët mbante në dorë, 
Në buzë kishte një këngë të re. 

Ndoshta në botë ajo është e vetmja 
Me zemrën e së cilës do më puqej zemra, 
Që natën e thellë të shpirtit tim 
Do ma ndriçonte me një vështrim!... 

Por jo, - rinia ime tashmë ka mbaruar... 
Lamtumirë, o rreze e ëmbël që më ndrite, - 
O vajzë, o harmoni, o erëmime... 
Kalonte lumturia, - por rrezja ishte shuar. 

EPITAF 

Jetoi herë i gëzuar si zogu në pemishtë, 
I dashuruar, moskokëçarës, zemërndjerë, 
Herë i zymtë e ëndërrtar si Klitandër i trishtë. 
Një ditë prej ditësh i trokitën në derë. 

Ishte Vdekja! Atëherë ta priste pak iu lut 
Sa t’i vinte dhe pikën sonetit të fundit; 
Dhe pastaj pa u prekur, shkoi drejt e u fut 
N’arkëmortin e ftohtë ku i dridhej trupi. 

Gjithçka desh të dinte, por asgjë nuk njohu. 
Kishte qenë përtac, historitë me ç’thonë, 
Pendën në kallamar e ngjyente shumë rrallë. 

Dhe kur erdhi çasti, nga kjo jetë i lodhur, 
Që vdekja e rrëmbeu, një natë dimri të vonë, 
Iku duke thënë: “Pse kisha ardhur vallë?” 

Përktheu: Alket Çani

Google+ Followers