Ekrem Ajruli: Ec vertikalisht, ngase njëherë do të shtrihesh përjetësisht! (INTERVISTË)



Ekrem Ajruli është figurë e njohur krijuese, veçmas në fushën e poezisë satirike. Vazhdimisht është pritur mirënga lexuesi në hapësirat shqiptare të Maqedonisë dhe më gjerë. Poezia satirike e këtij autori zë vend të rëndësishëm në kulturën e hapësirave tona letrare, përmes së cilës plotësohet zbrazëtira e krijimtarisë letrare e këtij lloji. Me këtë i hapën rrugë të reja satirës në letërsinë tonë, edhe atë me një natyrë të hapur e të guximshme, duke e justifikuar me një humor sa të mençur dhe përqeshës, po aq edhe ironik. Ai din t’i ironizoj ata që thirren të mëdhenj,apo idhuj. Me delikatesë i zbulon anët e ulëta, të shëmtuara dhe ato qesharake.(Ejup Ajdini)

Një fëmijë ka këndvështrimin e tij për botën. Të gjithë e dimë se nga ai këndshikim bota është ndryshe ...

Fëmijët kanë këndvështrimin më të padjallëzuar dhe më të pastër për botën, dhe ai këndvështrim është shumë shumë më ndryshe nga këndshikimi siç e perceptojnë të rriturit e djallëzuar. Sot bota fëmijërore është përplot lojëra e lodra të nduarnduarta dhe këtë e bën të mundshme teknologjia, por e keqja është se kjo e kufizon imagjinatën tek fëmijët, pra sa është e dobishme po aq edhe e dëmshme. Për teknologjinë thuhet: “Teknologjia është e çuditshme-Në njërën dorë bart dhurata, në tjetrën thikën që do t’na e ngul pas shpine”.






Ju kujtohet si e konceptonit botën kur ishit fëmijë?

Si jo, për mua bota shtrihej deri në horizont, pra aty ku puqeshin qielli dhe majat e maleve, më tej nuk ekzistonte, shpeshherë ëndërroja veten me një palë krah dhe fluturoja mbi fushën e bukur të Pollogut e deri majë malit Rudoka, atje ku bora nuk shkrihet deri në fund të qershorit. Më vjen për të qeshur sa herë më kujtohet koncepti për botën tjetër, atë ku na pret LIRIA.
Sot ndalem dhe rikujtoj konceptin që kisha për të, mendoj se paskam pasur të drejtë. sa i thjeshtë ishte ai perceptim, por i sinqertë -i padjallëzuar.
Në dalje të fshatit Sëllarcë e Epërme janë varrezat, pranë tyre shtrihet sot magjistralja Tetovë-Gostivar, midis varrezave kishte një pus dhe një rrap të madh bri pusit dhe bri tyre kalonte një jaz i ndërtuar nga fshatarët për të ujitur arat që shtriheshin nën magjistralen e cila dikur ishte vetëm një rrugë automobilistike e ngushtë dykahëshe për dallim nga sot. Varrezat që ndaheshin nga jazi, për habi pjesa mbi jaz ishte më e madhe dhe përplot thera e driza, ndërsa ajo nën jaz ishte më e vogël dhe pa thera përplot lule të ndryshme dhe bari. E dini si e konceptoja këtë ndarje unë në atë kohë?!
-Vetëm mos qeshni. -Për pjesën mbi jaz mendoja se është FERRI, ndërsa ajo nënë jaz PARAJSA. Këtë nuk ia kam tregua askujt deri sot.




Sa vjet kanë kaluar nga botimi i shkrimit të parë?

Plot dy dekada, një shkrim në gazetën “Flaka” titulli: “Krra-krratë e korbave pa strehë në këtë ditë dhjetori” dhjetor 1992. Pastaj muzat m’i hapën dyert.




A ka ndikuar dikush, si një udhëheqës në rrugën tuaj drejt letërsisë?

Gjithsesi, LIBRI, udhërrëfyes i pazëvendësueshëm.

E nisët me “Marshin e demonëve”. Si është ky marsh?

Është përmbledhja ime e parë me këtë titull e botuar më vitin 1995, në ballinë shihet një kolonë e pafund fantazmash me kosë në dorë. Kjo kolonë fatkeqësisht çdo ditë e më shumë po shtohet.


Brohoritët “Rroftë e qoftë Lolestani”. Kohët e fundit lexova për një krahinë në Pakistan me emrin Qafiristan, për popullsinë e së cilës thuhet se ka ngjashmëri me shqiptarët. Po ku ndodhet Lolestani?

Jo, brohoritnin lolot gjatë fushatës blegtorale, më fal, elektorale duke deklaruar se kemi zor sa ta marrim në dorë, unë i kuptova ters andaj thash rroftë e qoftë lolestani.
Lolestani është shumë i gjerë e i gjatë, ndërsa kryeqendra është aty ku frymoj unë.




“Kur qesh doktor valuta”?

Kur mjekut pacienti i duket si valutë (500 euro). Kjo ndodh shpesh dhe sa vjen e shtohet, tani më klinikat  e spitalet shndërrohen në këmbimore.




Vazhduat me “Palopatriotët”. A kemi shumë? Si janë ata?

Taborre të tërë.


Qofshin në fenë e vet.





Ç’mendoni për humorin dhe satirën popullore? Sa ka ndikuar në poezinë Tuaj?

Ç’të mendoj?! Është lum i pashterrshëm, gjithmonë i kthjelltë e i freskët. Ndonjëherë kur hedhim ndonjë gur turbullohet, po t’mos turbullohet është moçal dhe jo lum.

Cila nga veprat tona satirike ju ka bërë më tepër përshtypje?

-“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”- D. Agolli; por “Fshati midis ujërave”-K. Jakova është për mua roman satirik më i arritur; -“Një nuse nga Evropa” dhe “Maratona e vdekjes” -Q. Buxheli dhe shumë vepra të tjera.



Nga autorët e huaj kush ju pëlqen më shumë?

George Orwell “Ferma e kafshëve”, Efraim Kishon.”Lezetet familjare”, Jevrem Brkoviq “Kad bogovi padaju sa drena-Kur perënditë bien nga thëna” etj.

Ç’mendoni për kritikën letrare?

As që e lodhi kokën për kritikën unë bëj punën time.



A jeni penduar për diçka që keni shkruar?

Jo. Tri herë mati një herë pres. Kam kujdes derisa nuk i kam publikuar, pastaj më nuk janë të miat, por të lexuesve.

“Kam të shkruara disa tregime të shkurtra, të botuara dhe të pabotuara nëpër revista, të cilat do të përmblidhen në një libër në të ardhmen.” – keni deklaruar në një intervistë. Kur do ndodh kjo?

Shpejt duhet të shoh dritën, momentalisht nuk lejon Me xhit(i).





Pyetje nga Pyetësori i Prustit: 
Çfarë është lumturia absolute për ju?

Mirëqenia në familje dhe rrethi ku frymoj, të jetoj nuk e di si duket.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Shpresa për një ditë më të mirë, më të suksesshme.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Më 9 qershor, në Prizren te Shatërvani me miqtë poet: Sadik Bejko, Agim Bajrami, Sh. Emërllahun Eva Kacanja dhe të tjerët.
Më 5-6 gusht në Prishtinë nga mbrëmja deri në mëngjes me poetët: Dan Ibrahimin, Miradie Maliqin, Silva Ternava dhe Brikena Qama. Natë e paharrueshme për mua

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Kokëmushkësia.

Defekti juaj kryesor?

Për një plesht e djeg jorganin.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerant?

Të atyre padashje, të rastësishëm.



Hera e fundit që u përlotët?

Në shpirt shpeshherë, në fytyrë shumë rrallë.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

Idol i kam: Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Enver Hoxhën.
kryereshti">

Udhëtimi juaj i preferuar?

Në Itali tek nipërit dhe mbesa.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Padyshim, Dritëro Agolli, Musa Ramadani, Sadik Bejko, Agim Bajrami, Mexhid Mehmeti, miku im Shaip Emërllahu-poet i mrekullueshëm, mbi të gjitha mik që të gjendet në çastet më të rënda, personalitet me taban të fortë kombëtar.



Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një burrë?

Fjalën e dhënë dhe sinqeritetin ndaj miqve.

Tek një grua?

Burrërinë.

Kompozitori juaj i preferuar?

Çesk Zadeja, Rauf Dhomi.

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Në rini, Hajredin Pashën;-vitet e fundit; Prej nji shpati t’i lëshova sytë (bëj shaka, në dush nuk fërshëllej).



Ngjyra juaj e preferuar?

Ngjyra e flamurit

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Edukimin e fëmijëve dhe librat e botuar deri më sot.




Pija juaj e preferuar?

Votka-dhallë

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Fjala që më ik nga goja, ngase bëhem rob i saj.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Servilizmin, Strucokratinë e miqve të cilëve për simbol do t’ua propozoja lulediellin.



Frika juaj më e madhe?

Koritja pas pesë dekadash jetë.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Vetëm kur të vijë thika në asht.

Keni dhënë ndonjë herë ryshfet?

Fatkeqësisht jo, nuk e kam shijua këtë privilegj:- fajtor nuk jam unë, por Mexhit(i).

Cila është motoja juaj?

Ec vertikalisht, ngase njëherë do të shtrihesh përjetësisht.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Si luftëtari në fushëbetejë.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit?

Zot, kij mëshirë për krijesat Tua.

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?


Vullkan para shpërthimit.

Intervistoi: Enver Neziri




Anastrofa ironike e poezisë së Ekrem Ajrulit
Nga Fatmir Terziu

Inversioni që vjen nga poezia e poetit shqiptar nga Maqedonia, Ekrem Ajruli, është jo thjesht e anasjellta (hyperbaton) që shquhet për rendin e kundërt me atë normal sintaksor të gjymtyrëve në fjali, por kuptimi që vjen nga ironia me mesazhin e vargut.
Ironia, kjo figurë e afërt me metonimitë e shumta që përdor poeti në vëllimin  e tij poetik “Palopatriotët”, na jep një mundësi të lehtë për të kuptuar fjalën si e kundërta e kuptimit të saj të parë. Në kuptimin që shpreh ironia e Ajrulit, është një tallje e hollë mes fjalëve që kanë karakter shpotitës: “Gjersa ti pas hyjnive/rend poshtë në Purgator/unë përleshem këtu/me çerber e kremator/kot zbrite në ferr/ti Dante Aligeri/këtu në cep t’Evropës/sundon Luçiferi” (Ferri), apo edhe qëmtues: “Atdhe i dashur/ç’të gjeti sot/fytyrën ty ta nxinë/emrin ta kanë ndot/ca turma hordhish/të sulen përmbi/të t’shndërrojnë në gërmadha/nga jugu në veri” (Atme). 
Siç shihet tek këta dy shembuj, figura e ironisë në krijimtarinë e Ekrem Ajrulit, shquhet për intonacionin e posaçëm. Ai plotëson kuptimin e vetë figurës. Në mjaft poezi të këtij autori kjo shihet si një figurë e zgjeruar. Ajo tek poezi të tilla si “Kush”; “Nis” etj., mund të japë mbizotërime të tonit ironik: “ta prish ëndrrën/ shpirtin ta bënë farmak/vetja të duket ujk/ty lepeçit plak/flet e shan përçartë/donë të lësh nam/seç të tradhton mendja/nis e vjell ballgam/po kërcëllove dhëmbët/të thyet dhëmballi/fjalët janë varfëri/angullimë çakalli” dhe tek poezia “Nis” “të shkruaj elegji/ngase borxh ia kam/ç’më tradhton varg i bekuar/për inat del epigram/lavdet e tij nuk kanë fund/as nuk kanë të sosur/i ndihmoftë Perëndia/truri i është dhjamosur”. Ka disa raste kur ironia merr një formë të ndjeshme, madje ashpërsia e saj kap ‘bishat’, jo thjesht si terma, ku tek poezia “Në jetë” merr formë të ashpër të pamëshirshme, që arrin deri në sarkazëm: “kam parë bisha/kam parë ujq dhe arinj/por kallpazan në këto vite/kam takua vetëm nji/nuk i druhem jetës/pa drojë i ngjitem malit/s’më spraps hungërimë e bishave/aq më pak aullimë e çakallit/më rastis të dëgjoj shpesh/edhe këngën e hutit/por kurrë bletën s’e kam parë/të shkoj pas erës të butit” (Në jetë). Të gjitha këto vargje ironike të pushtuara nga sarkazma kanë në detaje anën e kundërt të kuptimit.
Inversioni, përmbysja, e quajtur edhe anastrofa, në stilin letrar dhe të retorikës, vjen me një ndryshim sintaksor të rendit normal të fjalëve dhe frazave në vargun poetik të autorit. Vendosja e një mbiemri pas emrit që poezia e tij e modifikon në disa raste (“formë hyjnore”) , një folje para subjektit të saj (“erdhi agimi”), ose si emër i mësipërm për parafjalën e saj (“botëve në mes”). Përmbysja është më e përdorura në poezi tek të cilat ajo mund të kryeja të dyja funksionet njëherazi si për të kënaqur kërkesat e metrit dhe për të arritur theksin e duhur poetik. Por anastrofa në vargun e këtij poeti nuk është thjesht përmbysje, por aftësi letrare që vjen nga ndryshimi i rendit normal të fjalëve në një fjali ose frazave për të formuar konceptim dhe perceptim ndryshe. Përmbysja është përdorur, sepse autori dëshiron që të japë një risk ironik, jo thjesht duke lëvizur radhën apo fjalën rreth një mënyre, të njohur anastrofike, por t’i bëj që fjalët në fund të linjave të kenë një rimë më të lehtë kuptimore e përputhjeve për një sfidë me lexuesin.
Kjo e bën poezinë e tij të jetë disi e kapshme më lehtë. Në disa poezia përmbysja është përdorur për një efekt të caktuar. Poezia e tij “Krrokamë” na jep një mundësi për ta kuptuar më qartë: “Krrokamë sorrash në vjeshtë/krrokamë horrash në verë/zhurmë vertebrorësh që nuk hesht/krrokamë sorrash në mot me shi/krrokamë horrash në mot me diell/zhurmë bezdisëse që t’ngjallë/neveri”.
Në këtë rast kuptohen edhe dy përdorimet e ironisë në poezinë e këtij poeti. Ajo, pra ironia përdoret më tepër në rastet me funksion letrar humoristik dhe ato raste kur sarkazma anon me letërsinë satirike. Edhe pse nuk është e lehtë të ndahet kjo në mjaft krijime të këtij autori, po ashtu edhe tek vëllimi i tij poetik, “Palopatriotët”, ajo që bie në sy është se krijimtaria e tij duket e një udhe me lëvruesit e këtij lloj poezie, Çajupin, Nolin, Migjenin, Nonda Bulkën, Filip Shirokën, Dritëro Agollin etj. përdorimi me mjeshtëri i ironisë dhe sarkazmës është ndjerë në poezinë e këtij poeti edhe nga Ejup Ajdini që shton se “Ekrem Ajruli është figurë e njohur krijuese, veçmas në fushën e poezisë satirike... Poezia satirike e këtij autori zë vend të rëndësishëm në kulturën e hapësirave tona letrare, përmes të cilës plotësohet zbrazëtira e krijimtarisë letrare të këtij lloji”. Më tej sipas Ajdinit, “poezia e Ajrulit plotëson shumë standarde bashkëkohore. E veçanta është se, derisa në kohën e realizmit socialist, humori dhe satira ishin të papëlqyeshme si kategori estetike, tani në kohën e demokracisë, kjo poezi vjen si nevojë dhe si plotësim i asaj zbrazëtire të gjatë kohore”.
Si i tillë vëllimi i tij i parë në këndvështrim, por jo i shkëputur na jep edhe një arsye më shumë të dallojmë jetëudhën e poetit. Ekrem Ajruli u lind më 1 shkurt 1957, në fshatin Sëllarcë e Epërme-Tetovë. Punon në Kompaninë “Arbëria Design” - Tetovë, si udhëheqës i sektorit të botimeve. Në udhëjetën e tij krijuese letrare ka të botuar “Marshi i demonëve” (1995); “Rroftë e qoftë Lolestani” (2004); “Kur qesh doktor valuta” (2007). E ndërsa pajtohem me mendimin e Ajdinit ritheksoj se te të gjitha përmbledhjet poetike të këtij poeti, në thelb hasim, përveç theksit të fuqishëm satirik, në të njëjtën kohë ato mbajnë me vete edhe dhembjen e tragjikes jetësore që e përcjellin botën e kohës sonë, veçmas atë shqiptare. Herë-herë kjo poezi lexuesit i sjell edhe gëzime, sepse vetë jeta është e tillë, ka hapësirën, kohën dhe vendin e saj filozofik dhe vetë diskursi i gjërave pasohet nga nomenklatura vargore dhe struktura didaktike. Anateksti i anastrofës poetike tek poezia e tij tipologjike “Melhemfjalë” na jep pak aspektualitet jete dhe dashurie, që buron e ndjeshme, e zjarrtë si: “lavë vullkani ndjej n’thellësi/herë janë prush e herë thëllime/seç m’përcëllon diçka në gji/ah janë fjalë të MIKES sime/shpesh i nisi disa vargje/herë me hir e herë pahir/MIKJA vargjet i thadron/dhe m’i kthen xhevahir”.
Sidoqoftë ky libër që u financua nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, ka një arsye më shumë në lidhjen kulturore mes formave më të përkryera të komunikimit letrar, por ka edhe një ndjesi tjetër që e bën të mbetet një kënd nga ku vëzhgojmë dhe vërshojmë vizionaren mes memorjes dhe identitetit kulturor. Poeti meriton lexim dhe vëmendje, ai ka një diskurs të ndjeshëm artkulturor në shërbim të identitetit, sepse jo më kot Mason Cooley (1927, një aforist amerikan shprehej “Ironia shkrin ndjenjat, por herë pas here një mendim i tillë është mjaft i fortë për të shpërndarë ironinë në detaje identitare”.


Google+ Followers