Poezi të zgjedhura dashurie


Andon Zako Çajupi

Dashuria

E mban mënd, moj Marë,
dashurin’ e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë te vegji.
Unë pa ty s’rrojë,
vij’ e të kërkojë;
ti pa mua s’rroje,
vij’ e me kërkoje.
Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr’ e grua
losnim nënë ftua.
Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:
U fshyem pa dukur
Cinë të besoj taninë,
perëndin’ a dashurinë?
Perëndi në këte jetë
është dashuria vetë.
———
Bukuria jote, leshërat e tua
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua,ballëtë si diell,
faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë,
mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!
——
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!


Migjeni

Dy buzë...

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

Lasgush Poradeci

Dëgjimi i Zemrës

Kur të më kujtosh,
Kur të vish të shkosh,
Kur të shkosh këtejza pranë
Që të çmallërosh

Ç’po dëgjon kur shkon?
Kur vjen e përgjon?
Ç’përgjon zemra në kët’anë
Fund në këtë hon?

Zemra jote sot,
Zemra jote mot,
sot e mot në ç’mallërime
Zemra që s’fle dot

Seç të ndjen këtaj,
Seç të ndjen pastaj,
Seç dëgjon ndaj vetes s’ime
(Si ndaj vet’e saj):

Mall e vrer që mbaj
Qaj, moj zemër, qaj.

Vrer e mall që flas
Plas, moj zemër, plas.

Mitrush Kuteli

Sime shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim...harrim...pushim...pushim...
Në prehjen e vërtetë.


Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.

Pa ty

Ti ike udhes se pafundme
Ku zverdhin druret gjetherenes
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i henes.
Lejleket iken.

Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajne toka, pylli, reja,
Me negativin e nje filmi.
Tani ne fusha shkoj menduar
Ku nis te fryje ere e ftohte,
Ku ca mullare te gjysmuar
Duken qe larg si Don Kishote.
C’te bej, po them me vehten time,
Ne kete ore te vone te muzgut,
Ku qerrja baltave ben shkrime.
Te lashta sa te Gjon Buzukut?
Do te shkoj te ulem permbi pellgjet,
Te pi ne gjunje duke rene,
Ne gryke e di qe do te me ngelet
I ftohte medalioni i henes.

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj unë dalëngadal
si vdes tek unë kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
një strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dine as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim.


Dritero Agolli

Këtu s’do jemKëtu s’do jem do jem larguar
Ne toke i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do te rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do më kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryjë erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe un do të zbres do t’vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshesh
Si një blerim pas një rrëkeje.

Letrat

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me bicikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.

Timo Flloko

Shën Valentini i fundshekullit

Ta kushtoj Ty
këtë Natë të Shën Valentinit
Të gjallët,
prej ankthit të vetmisë
ngërthehen fort,
tek njeri-tjetri shpresat varin...
Këtë natë të fundit të dashurisë,
në fundin e mijëvjeçarit!


Drita Çomo

Dashuri siberiane

Po bie shi...dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri... Në shpirt- kaq akull
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash
Të urrej dhe të dua njëkohësisht

Të urrej për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa grade nën zero paske lindur
Dashuria ime siberiane

Në të tërë qenien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je kaq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë!


Xhevahir Spahiu

Vajzë e bukur

Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
në kafe “Tirana” hyre,
ti e rralla si dëbora
që në Tirane bie.

Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar,
qofsh e dashuruar dhe prej meje,
prej syrit tënd
lulëzojnë dhe sendet.

Ekspresi gjallërohet
e gjithçka bëhet sy.

Në tavolinën e fundit
dy pleqve kafja po u ftohet.
Të shikojnë ty.


Rekuiem për orën 6...

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
qe s’ekziston

Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika!


Bardhyl Londo

Dashuri

Gjithçka si në ankthin e Noes
Si në rregullsinë pedante të një manastiri gjithçka;
Gjithçka e kristaltë, akull.
Gjithçka si krater vullkani
….rrëmujë
Kokën e ndezur të cigares shuaj në një gote ujë


Gratë e poetëve

Sytë e bukur mbyllin. Po gjumi
nuk e di ku është mërguar, nuk e di.
Njëra përsërit me vete një varg. Tjetra
një figure sjell ndër mend...
Si një lirikë dashurie
ledhaton pastaj jastëkun bosh në krahët e saj.

(...Vallë me ke u martuan burrat tanë,
me ne, apo me ty, poezi?...)

Një fjale, një rimë,
një lumë dashurie dhe pak xhelozi,
Mesnata e krijimit çapitet si plak i ngadalshëm.

Vonë. Sytë e bukur mbyllin.
dhe në ëndrra shohin vjershat e librave
të ardhshëm

Teodor Keko

E dashur

E dashur , erdha
E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.
Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!


Ali Podrimja

Dashuria

Koha është te duhemi
te kesh besim ne mua kur te them: Trime,
te kem besim ne ty kur me tha: Trim.
Por kokën time kryeneçe shume kurthe ngrite,
shume e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mije e një te zeza kurdise ku do ma zije priten.
E nen kulm banonim,
nga frëngjia me drite me peshove,
me dite lexoja Shekspirin ne hijen e Kullës,
se mos do te takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frike se ma therin syrin cubat e territ,
kam frike se me vrasin pas shpine te pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë
ujë te madh,
i huaj s’jam as vij nga toke e vdekshme.
Ne fund te livadhit te kositur a po sheh:
ai kali i bardhe është yni e tash përgjithmonë.
Me shikon drejt ne sy, leri zënkat, fjalët, sharjet,
Unë do te të sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën në Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoja dashurie me një grua të marrë,
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, s’menduam pak edhe për vete,
Koha është të duhemi.


Jorgo Bllaci

Netës

Kushtuar P.J.

Kaq e shtrenjte kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shëmbëllim!
Ah, moj Neta, sytë e tu te bukur
Çmendurisht i deshte miku im!

Nëse këtë çast i ngrysur mbeta
Duke të vështruar ty kështu
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta
Me kujtuan mikun sytë e tu

Sa dëshirë do te kisha sonte
T’ju vështroja bashke që të dy:
Vetëm ta dëgjoje te këndonte
Vargjet qe me zjarr t’ë thuri ty!

Ndoshta sot, qe vite pas la jeta,
Miku prapë ne shpirt te mban diku…
Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,
Aq sa ç’janë edhe dy sytë e tu.


Vath Koreshi

Shpesh ti s’di ç’bën

S’është e thjeshtë të dish të bësh.
Shpesh ti s’di se ç’bën e dashur!
Ç’doje që ishe ngritur si në ethe,
ç’doje që vije ashtu tek unë?
Kishe këputur ca lule në kopësht,
kishe ndërruar tualet e krehje flokësh,
kishe marrë me vete dy sy të shndritshëm plot mall.
Në jakën e xhaketës në vend të një luleje,
kishe vënë një sqep skifteri xanxar.
Ah, s’ishe as grua, as vajzë e vogël atë çast,
ishe një hutim plot ditë e gaz.
Ishe një shpirt i mbushur me frikë,
një zemër drithëruese me natë e me dritë.
Eja pra, të thashë, mbështetma kokën tani,
mbushmi supet me ujëvarën e flokëve,
dhe puthmë nëse erdhe për të më puthur,
dhe çelma shpirtin, nëse erdhe për të ma çelur.



Azem Shkreli

Sogje

Sonte ne të dy
jemi dy sy të kësaj sogje

Orët zgjuar
Do të rrinë, kambanat zgjuar

Sonte unë e ti
jemi ai zgjim i zekthët

Ujqit në këmbë
Do të jenë, Kosova në këmbë

Natë që s’more
Pushkë, as të mori pushka


Gezim Mekuli

Pa ty

Tokën prej kohësh e ka zën’ gjumi.
Konstelacionet jan’ ngatërruar.
Dielli ësht’ tretur si shkumë sapuni.
Hëna fytyrën ka dobësuar.

Toka s’po sillet më vërdallë.
Yje në qiell kan’ mbetur pak.
Dielli s’po bëhet më i gjallë.
Hëna ndriçon dyfish më larg.


Brixhilda Ndini

Largimi yt

Me sy ma bene avionet e ikjes
Por une nen pallton e kuqe
Me duart e verbra ,mbulova syte.
Nuk ishin te verbrit jo ,
Por sirenat ne bord,
Qe si stuardeza te dehura
Zvarriteshin nen kembet e te dashuruarve.

Të dashuruarit

Yjet dhe gjarperinjte s’te lene te afrohesh kaq shume.
Kurse ti ke rene permbys
Ne reren e shkrifet te trupit tim.
Ne mes te tavolines se autopsiese
Qendron i rrethuar me trendafile
Ne trup s’ke hala, as eshtra
Por penela qe te ngjyrosin,
Reklame e perbindshme dashurie !
Na duhet ti rritim floket,
Ose bejme sikur i zgjasim
mbi paruke perrenjsh,
te futur thelle ne toke,
e kur te jemi larg sa duhet per te mos folur,
te kemi dicka qe te na bashkoje.

Pa ty

Tokën prej kohësh e ka zën’ gjumi.
Konstelacionet jan’ ngatërruar.
Dielli ësht’ tretur si shkumë sapuni.
Hëna fytyrën ka dobësuar.

Toka s’po sillet më vërdallë.
Yje në qiell kan’ mbetur pak.
Dielli s’po bëhet më i gjallë.
Hëna ndriçon dyfish më larg.


Bashkim Metalia

Sakrilegj

Kemi në shpirt
Brenda kështjellës,
Tempullit të ëmbël
Të artë,
Tatëpjetës së shpejtë
Zgrip i mendjes ,
Lakuriqësinë e kafshatës
së thatë.
Dielli pa asnjë kordë,
Të të tremb hija
E errësimit.
Parvazit të portës
Gdhendur me modë,
Humbëtirë – endja
Para agimit.
Tempi i udhëve
Afsh dhimbjeje,
Religjion në mëvetësi,
Mbështillemi për motive klime
dhe pse s’e duam letargjinë.
Sikur kështella ime
Të më mbyllet ,
Sot – gjithëmonë
Engjejt le të më binden
Në përjetime…
Shpirti flet – dikush
Ta dëgjojë.
Ritmikisht
frymëmarrja rritet,
jo, s’e dua këtë mëshirë
ky oaz
kafshatë e frikës
mpleks gjetiu
një dëshirë.

Google+ Followers