UNIVERSI SË PRAPTHI

Nga Moikom Zeqo



Tërë natën ranë shira të rrëmbyeshëm. Universi shungullonte, tronditej, luhatej nga spektakle bubullimash kapricioze dhe rrufesh të papërmbajtura.
Makabe Zaharias i doli gjumi dy orë mbas mesnatës. Pati ndjesinë se shirat kishin përlagur dhe shfytyruar edhe gjumin e tij të rëndë, të mundimshëm.
Ai me sytë e hapur shihte nga dritarja e studios, ku flinte, vizatimet e zjarrta të jashtësisë së pafundme. Ato ngjanin me një kod kriptologjik të paperceptueshëm dot deri në fund! Dukej sikur gjendja mendore e gjumit ishte tashmë përtej dritares.
Makabe Zaharia psherëtiu. Ah. Të flesh nuk do të thotë se humbet në hiç, në boshllëk. As të qetësohesh, qoftë edhe përkohësisht.
Kohët e fundit ai shikonte ëndrra “së prapthi”
Ai u zgjua duke ëndërruar një objekt leshator, në formën e një shpendi, gjarpri, apo peshku që i hynte në dhomë, por në mënyrë ndryshe, dmth të futet fjala vjen macja jo me pamje nga koka, por nga bishti i saj.
Mobiliet e dhomës ishin gjithashtu të kthyera mbrapsht në një efekt pasqyrë; ai e kishte venë re shpesh këtë kthim mbrapsht të objekteve në hapësirë dhe në kohë në një numër të madh ëndrrash.
Në një ëndërr kish parë një çift, burrë e grua, që i njihte duke ecur sëprapthi, nga dera hynë në garazh dhe i dhanë makinës sëprapthi poshtë në rrugicë; pastaj makina u rishfaq, hyri në garazh dhe çifti doli nga makina në mënyrë normale dhe hynë në shtëpi. Pra ëndrra qe si një film, i treguar fillimisht së prapthi dhe pastaj si duhet.
Në një tjetër ëndërr Makabe Zaharia pa disa burra që ecnin së prapthi, duke mbajtur një arkivol dhe një nga ata tha: “Për tu djegur mirë i mjaft dru një.
Kur u zgjua ai e kuptoi se edhe fjalia qe thënë së prapthi dhe në fakt duhet të kishte qenë: “Një dru mjaft i mirë për tu djegur.”
Kështu ai shihte në ëndrra gjëra të pakonceptueshme: një dhi me fytyrën e Mona Lizës, një anije me vela mes degëve të një pylli të pafund, dëgjonte Simfoninë IX të Bethovenit të orkestruar nga nota e fundit e partiturës drejt (së prapthi) notës së fillimit.
Pse ndodhte një gjë e tillë?
Ai e dinte se ëndrrat janë kuptime të hibridizuara, ose ekuivalente gjumore të shumë vegimeve, ose edhe të realiteteve. Ah.
Pa sërish drejt dritares.
Simbolet e rrufeve feksnin dhe shkarkoheshin. A ka ndonjë ligjësi kozmike në këto sinjale? Kush mund ta dijë këtë gjë? Kush mund të kuptojë diçka? Ah.
Makabe Zaharia i mbylli sytë.
Qe tepër e mundimshme për të fjetur...

***

Në orën 10 të mëngjesit kishte lënë një takim me gazetaren MRTC, një femër shumë e bukur dhe e re, që punonte si redaktore e rubrikës së kulturës në gazetën kryeqytetase “Eklexior”.
Takimi do të bëhej në lokalin “Albanopol”, anës lumit të Lanës, pranë parkut të lodrave të fëmijëve.
Makabe Zaharia, ndryshe nga nata e skëterrshme në ditën e re ndihej i qetë dhe i këndellur. Ju afrua lokalit. Por mbi të lexoi befas tabelën “Loponabla”.
U shtang i tmerruar. Por në çast u qetësua. Ishte leximi sëprapthi gjë kaq e rëndomtë në ëndrrat e tij. Dreqi e mori! Ah.
Ai u fut në lokal.
Pa orën e dorës: 9 e 53.
- Mirëmëngjes.
Ai dëgjoi zërin e Laertit, kamerierit. Ai kishte mbaruar studimet universitare për elektronikë, por duke mos gjetur punë qe bërë kamerier. Djalë simpatik dhe gazmor.
- Mirëmëngjes Laert!
- Kafe ekspres?
- Sigurisht.
Makabe Zaharia i ulur shikoi rreth e qark. Një riprodhim i “Guarnika-s” së Pikassosë në murin majtas befas ju duk akoma më çuditshëm, në një ripërtëritje konceptuale. Qe “së prapthi”. Po çmendem, mendoi.
E pa sërish. Piktura qe kthyer në çast në normalitet.
- Ja kafeja.
- Ai ngriti kokën dhe pa kamerierin.
Sa nuk klithi. Në vend të fytyrës rinore të Laertit pa një fytyrë të plakur, fytyrën e djaloshit si do të bëhej mbas 50 vitesh.
- Jeni mirë?
Zëri i Laertit qe i shqetësuar. Ai e kishte fituar sërish fytyrën e mrekullueshme rinore.
- Jam mirë. Shumë mirë. Faleminderit.
Erdhi MRTC. Bukuri e hajthme. Me lëvizje elegante.
U ul përballë Makabe Zaharisë.
- Kafe, apo çaj?
- Oh, jo. Një gotë xhin dhe ujë të gazuar.
- E solle përkthimin?
- Po. “Kronikat Marsiane”. Të Rei Bredbëri-t.
Ajo nxori nga një çantë gri lëkure që e kishte vendosur në karrigen e tretë bosh të tryezës prej mermeri një dosje plastike me letra A4 të kompjuterizuara.
Sytë i shkëlqenin.
Gishtat e saj sikur vallëzonin si të ndriçuara lehtë nga një dritë e pashpjegueshme.
Makabe Zaharia vuri syzet optike (plus 2 pikë 5).
Hapi dosjen Shfletoi fletët. Ah, Bredbëri. E adhuronte shkrimtarin amerikan.
- E njoh këtë libër, tha. E kam lexuar disa herë në gjuhën e origjinalit. Erdhi rasti ta lexoj edhe në shqip.
- Është pak ndryshe, tha ajo. Si të takosh dhe të njohësh një binjak të librit, që fillimisht s pati një të tillë.
- Po, një binjak. Bukur e the. Më vjen mirë që e ke përkthyer.
MRTC mori frymë thellë.
Ngjante sikur po rilindej.
Makabe Zaharia ra në një meditim të thellë dhe të shumëfishtë.
- E dashur MRTC, tha ai. Do ta lexoj përkthimin tënd. Rei Bredbëri është i veçantë. E dua dhe e çmoj Rei Bredbërin. Është shkrimtar i shkëlqyer.
- Me shumë imagjinatë!
- Sigurisht. Një kalorës i imagjinatës. Një Kolomb i imagjinatës. Një zbulues i madh! Kronikat Marsiane” janë një fantashkencë (scientifiction). Subjekti: pushtimi dhe kolonizimi nga tokësorët i planetit Mars.
Gjenia e Rei Bredbërit e shtjellon temën me tone elegjiakë. Marsianët, që në fillim të librit të fusin tmerrin, në momentin e disfatës dhe të zhdukjes së tyre të zgjojnë mëshirë të ankthshme. Tokësorët korrin fitore por shkrimtari nuk gëzohet.
Më shumë i trishtuar dhe madje i dëshpëruar ai paralajmëron ekspansionin e ardhshëm të tokësorëve në planetin e kuq -, që profecia e tij e zymtë na e zbulon si një shkretëtirë pa përmasa, me rërë në blu të turbullt, me gërmadha qytetesh të ngritura si kuti (peizazh kubist) pranë njëri tjetrit, me muzgje vjollcë dhe të portokalltë, me anije mekanike antike për të lëvizur në oqeanin rëror të frikshëm dhe armiqësor.
Bredbëri flet për vitin 2004 ne ndjejmë se profecia është e hiçtë, e pabesueshme, ndërsa jemi të renduar nga gravitacioni, lodhja, akumulimi i madh dhe i mjegulluar i së kaluarës luftarake “dark backward and abysm of Time”, të vargut të Shekspirit.
- Viti 2004! E pra tani jemi në vitin 2014. Pushtimi i Marsit ska ndodhur.
- As do të ndodhë! Çdo letërsi e madhe është simbolike. Udhëtimi në Mars është metafizik.
- Sigurisht metafizik!
- Në shekullin e dytë të erës sonë Lukiani nga Samosata shkroi një tekst mrekullish për Selenitët, të cilët tjerrin dhe endin metalet dhe qelqin, nxjerrin sytë nga vendi dhe i venë përsëri, pinë lëng prej esence ajri.
Në shekullin XVI Ariosti imagjinonte një kalorës që kish mbritur në Hënë dhe kish zbuluar atë që i kishte humbur në Tokë: lotët dhe psherëtimat e dashnoreve, kohën e harxhuar kot në kumar, projektet utopike dhe dëshirat e paplotësuara asnjëherë.
Në shekullin XVI Kepleri botoi “Gjumin Astronomik” (“Somnium Astronomicum”), që ngjan si transkriptimi i një libri të ëndrrave, ku flet për formimin dhe zakonet e gjarpërinjve në Hënë, madje dhe feksjen në trurët e këtyre zvarranikëve të shumë subjekteve letrare të huazuara misteriozisht nga Homeri, Servantesi dhe Shekspiri.
- E habitshme! Mizorisht e habitshme!
- Mos u habit. Shkrimtarit i lejohet çdo gjë. Misteri grish motivet.
- Misteri? Fetë lidhen me misterin. Shkenca e sulmon misterin Makabe.
- Por misteri nuk mposhtet. Teknologjia e sofistikuar hap para nesh shumësinë e papërballueshme të misterit.
Po të tregoj diçka që ngjan e makthshme në universin e pamatshëm të internetit. Ja ç ka ngjarë këto kohët e fundit. Filmime 11-sekondash me drejtkëndësha të ngjyrosur, me tinguj elektronikë. Në dukje nuk kanë kuptim, por kanë tërhequr edhe vëmendjen e BBC, që investigon. A ka një mesazh të fshehur?
A është një kod për spiunazhin? Një iniciativë e mençur marketingu? Apo një lojë në internet? Mos është shfryrja e ndonjë të çmenduri? Dikush ka ngarkuar për shtatë muaj me radhë në Youtube një video pas tjetrës me një format pothuajse identik: dhjetë pamje drejtkëndëshash ngjyrë të kuqe dhe blu, të cilët alternohen për 11 sekonda, me një muzikë në sfond që gjenerohet nga një kompjuter.
Çfarë do të thotë
Kush i ka prodhuar dhe përse?
Kur numri i këtyre videove arriti shifrën mbresëlënëse 80 mijë, publikuesi anonim i tyre u ndal. Stop. Fundi i transmetimeve. Heshtje. Por ndërkohë në internet kishin nisur tam-tamet për të zbuluar kush dhe çfarë fshihen prapa këtij misteri të vogël të rrjetit? Tani me të po merret edhe BBC, e cila ka ngarkuar një specialistin e vet për të investiguar. Dhe që ndoshta ka zbuluar, të paktën pjesërisht, vetë misterin.
Gjithçka nisi në 23 shtator të vitit 2013 në orën 14:45, kur dikush që shfaqej me emrin Webdriver Torso ngarkoi në Youtube videon e parë të serisë. Njëzetetetë minuta më vonë hodhi një tjetër, pothuajse të njëjtë. Një orë më vonë, një të tretë. Dhe vazhdoi kështu, ditë pas dite, për shtatë muaj me radhë, deri kur krejt papritur u ndal, pasi kishte ngarkuar në kanalin e tij plot 236 orë klipe 11 sekondash: 80 mijë filmat të shkurtër nga 11 sekonda secili.
E para që e pikasi fenomenin ishte e përmuajshmja amerikane “Wired”. Që atëherë, pyetja është vërtitur nëpër internet, mes blogjeve, postimeve në Facebook dhe Twitter: kush qëndron prapa kësaj sekuence të çuditshme drejtkëndëshash të kuq dhe blu? Cili është mesazhi i tyre, nëse ka një të tillë?
Një hipotezë është që mund të jetë një gjuhë e koduar, që u dërgohet spiunëve apo informatorëve.
Një tjetër thotë se bëhet fjalë për një testim për të zbuluar talente të rinj të kriptografisë.
Një burim i tretë thotë se është diçka banale, një nismë marketingu për një produkt por ende nuk është zbuluar se për çfarë produktesh bëhet fjalë. E përditshmja angleze The Guardian ka thënë se ndoshta është rezultat i një konference krijuesish të programeve kompjuterikë, një lloj loje mes inxhinierësh kibernetikë, dhe mendon që edhe kishte pikasur një të dyshuar, një shkencëtar me emrin Isaul Vargas i cili megjithatë ka mohuar që të ketë të bëjë me videot misterioze.
Dikush beson që është pasojë e një programi të kompjuterizuar që është “marrosur” (një lloj virusi) por efektet e të cilit nuk dihen ende.
Dikush tjetër, pak a shumë seriozisht, thotë që janë mesazhe të dërguar në tokë nga një specie aliene jashtëtokësorësh.
Spencer Kelly dhe Stephen Beckett, dy ekspertë të cilëve BBC u ka kërkuar të investigojnë kanë mbërritur ndoshta pak më pranë të vërtetës. Pikësëpari, duke ekzaminuar të 80 mijë videot, kanë zbuluar që Webdriver Torso ngarkonte të paktën 400 në ditë. Ditën e Krishtlindjeve ka ngarkuar madje një video në çdo dy minuta praktikisht pa bërë asgjë tjetër, dhe gjithashtu pa humbur kohë për të ngrënë apo për të fjetur.
Më tej, duke shmangur një paywall që ishte ngritur për të mbrojtur videon e parë që ishte ngarkuar zbuluan një klip të një filmi me kartona, “Aqua Teen Hunger Force”, në të cilin tre protagonistët nuk arrijnë të fitojnë një quiz në një klub nate. Në fund, në videon numër 1182, zbuluan një anomali të dytë në krahasim me të tjerat: filmuar nga një ballkon në Paris, një klip prej 6 sekondash i ndërtuar brenda sekuencës së zakonshme me drejtkëndësha të kuq dhe blu, tregon Kullën “Eiffel” të ndriçuar natën, si dhe për një çast pamjen e padallueshme qartë të një personi. A është ai Webdriver Torso? Ndoshta. Edhe sepse, poshtë asaj videoje, ai ka lënë një postim misterioz: “Matei është inteligjent”.
Çdo përpjekje për të kontaktuar autorin e komentit përmes adresës në Google nuk ka marrë përgjigje: “Një gjë është e sigurt”, konkludojnë dy investiguesit e BBC, “Ka shumë Francë brenda këtij misteri”, duke përfshirë ngjyrat e drejtkëndëshave, që janë ata të flamurit francez. Nëse është një specie aliene, që i ka ngarkuar filmimet në Youtube “shpresojmë që viennent en paix”. Ardhshin paqësisht!
- Nuk e di këtë gjë Makabe. Nuk jam e lidhur me internetin deri në këtë pikë. Vetëtimthi duke të dëgjuar mendova se ndonjë nga marsianet e librit të Rei Bredbërit hakmerret kibernetikisht me tokësorët rutinorë dhe të vetëkënaqur.
- Ndoshta MRTC.
- Çdo subjekt prodhon papushim, pulson, shpërndan realitete alternative.
- E kam menduar dhe unë.
- Kjo do të thotë se letërsia nuk mund të vdesë.
- Si mund të vdesë?
- Bisedat me ty Makabe janë gjithmonë ngacmuese!
- Oh, jo gjithmonë. Shpesh flas edhe marrëzira. Shpresoj vetëm të mos jem i mërzitshëm. Kjo ma shpif.
- Sje asnjëherë i mërzitshëm Makabe.
- Faleminderit. Më duket sikur më mëshiron. Ose më miklon.
- Jo.
- Një njeri i vetmuar si unë ka shumë përsiatje të kota. Me të sfidoj vetminë universale.
- Nuk je i vetmuar Makabe.
Zëri i MRTC qe i ngrohtë, gati ngashërues.
Makabe Zaharia u prek.
Ai e dinte se MRTC, ndonëse shumë e bukur qe pa fat në dashuri. Nuk e kishte gjetur kurrë shpirtin e saj binjak. Ah. Dashuria është një fatalitet.
Edhe Makabe Zaharia qe i ngjashëm. Po thinjej si një beqar legjendar. Pa me përqendrim disa nga fletët e përkthimit. Ndihej në formulimin e fjalive në shqip diçka e ndrojtur dhe e brishtë, si të thuash një stil femëror. Gjë e vetëkuptueshme, mendoi.
U zhyt në lexim.
Bota rreth e qark ju zhduk. Rëra përvëluese e Marsit. Gjiri detar i Currilave i tharë dhe i vdekur në Mars. Një marsian që quhej Milosao i vrarë në brigjet e një lumi pa ujëra. Përballë një deti pa ujëra. Befas shirat e mesnatës që përjetoi edhe në ëndrra në studion e tij u derdhën në planetin e përzhitur të Marsit. Ah. Vetëtimat e munguara. Drejtkëndësha dhe shirita të kuqe dhe blu. Heraldike fantazmagorike. Peizazhe së prapthi. Tinguj elektronike të kozmosit dhe të boshllëkut. Vrimat e Zeza. Sekuenca nga filmat e Kumbrikut dhe Kurosavës. Bomba atomike e Hiroshimës në Mars. Mutantë të Tokës që bëjnë seks me mutantë të Marsit. Perspektiva negative e objekteve si në ikonat bizantine mesjetare. Metaforat e futuristëve. Shkretërimi i simetrisë. Plogështia e pasioneve të humbura. Vdekja e ideologjive. Zemra elektrike që lëvizin pa trupa. Stalakmite marsiane nga djersët e hyjnive që s janë më. Heshtje nokturne. Perceptime të deformuara. Mungesa e erërave. Noktambulizmi i hapësirës. Koha me frikën e devijimit nga gjithçka.
Lexoi gjatë. Më shumë se sa subjektin disa subjekte të tjera të panjohura. Motive torturuese.
Për një çast Makabe Zaharia ngriti kokën dhe pa MRTC përballë. U tmerrua. Koka e saj qe zhvendosur mbrapsht dhe ai pa pjesën e pasme të flokëve. Si në tablotë e Rene Magrittit. Kjo zgjati 3 sekonda.
Pa sërish normalisht fytyrën botiçeliane të MRTC. Ah.
- Përkthimi më duket i rrjedhshëm. I qartë. Shumë mirë.
- Faleminderit Makabe. Më vjen mirë. Sidomos kur e thua ti qe je një skeptik i madh.
- Skeptik i tmerrshëm.
- Nuk e thashë këtë.
- Nuk ka ndonjë ndryshim të veçantë midis skeptikut të madh dhe skeptikut të tmerrshëm.
- Nuk e thashë në këtë kuptim Makabe.
- A e ke lexuar romanin e Rei Bredbërit “Vetmia është një qivur prej qelqi”?
- S më ka rënë në dorë Makabe.
- Bëhet fjalë për një njeri që e ka shpallur vdekjen e tij para 20 vjetësh, ndërkohë që pas një muri drejton një studio televizive të suksesshme dhe është truri i të tëra programeve. Shpalli vdekjen e tij për të mbijetuar ndryshe.
- Si ka mundësi?
- Është kaq e thjeshtë. Edhe shkrimtarët kështu janë. Vetmia e tyre është vetëshpallje e vdekjes publike.
- Jo të gjithë Makabe.
- Sflas për 90 përqind të shkrimtarëve që janë mediokër. Vetëm shkrimtarët e mëdhenj janë Të Vetmuarit. Por janë pak. Shumë pak. Sa janë gjallë sdihen se kush janë në të vërtetë. Qivuri prej qelqi i vetmisë së tyre është si një kostum kozmonauti.
- Edhe njerëzit e rëndomtë janë të vetmuar. Të jesh i vetmuar sështë privilegj Makabe. Është tirani. Moderniteti është vetmi.
- E drejtë MRTC shumë e drejtë. Jetojmë natën dimërore të kapitalizmit të mplakur, ku egoizmi i skajshëm dekreton Vdekjen e Njeriut.
- Apokalipsi i Njerëzimit?
- Njëfarësoj. Diçka arketipale. Si në romanin e Rei Bredbërit ku tokësorët i vranë marsianët duke projektuar kështu vetë vdekjen e tyre pa asnjë triumf… dhe të kotë.
- Tingëllon e zymtë Makabe!
- Por ende skanë vdekur shkrimtarët e vërtetë. Ata koncentrojnë dhe mbartin vetë Njerëzimin.
- Oh!
- Rei Bredbëri ka shkruar disa subjekte akoma më të guximshme për shkrimtarët e vdekur që i adhuronte.
- Ashtu? Sa interesante!
- Në një tekst të tij Çarls Dikensi banonte në pension të administruar nga gjyshja reale e Bredbërit. Në një tekst tjetër Bredbëri paraqitet si biri i Edgar Allen Po-së dhe i Emili Dikinsonit. Ai shkruan madje një poemë ku thotë: “Ku je nëna ime Emili Dikenson? Herman Melvili, mbrëmë kur flinte, përmendi në ëndërr emrin tuaj.” Ka shkruar histori dashurie midis dy njerëzve që nuk janë takuar, të lindur në shekuj të ndryshme dhe hapësira të largëta.
- Sa romantike Makabe!
- Një romantizëm që e dendëson, e qartëson realizmin. Një libër tjetër Bredbëri e transformon Bernard Shoun në një robot për të eksploruar hapësirat. Duket si paturpësi por është vetëm dashuri e pamatshme për shkrimtarin nga një i ngjashëm.
- Libra të tillë e mbajnë gjallë shpirtin njerëzor.
- Sigurisht MRTC. Sigurisht e bukura dhe e mençura MRTC. Në një subjekt tjetër të Bredbërit flitet për një proces katastrofik të djegies së librave. Deri sa nuk është djegur edhe libri më i fundit shpirtrat e shkrimtarëve ende ekzistojnë, ende janë kur digjet dhe ky libër ahere tërë shkrimtarët vdesin në çast.
Vdes në një vdekje të dytë Homeri, Dantja, James Joyce-i, Federico Garcia Lorka, Shekspiri dhe Migjeni, Eskili dhe De Rada. Vdes edhe fillestari i talentuar që ka shkruar vetëm poezinë e parë.
Mundet që biologjikisht të lindin sërish foshnjë, por në asnjë prej tyre nuk do të jetë shkrimtari më në jetë të jetëve!
Makabe Zaharia pa orën e dorës.
Kishin kaluar 3 orë plot.
- Do ta marrësh përkthimin për ta lexuar në qetësi Makabe.
- Padyshim.
- Është kënaqësi të rrish me ty Makabe.
- Kënaqësia është imja e dashur MRTC.
- Më duhet të ngrihem. Më duhet të marr pjesë në përurimin e një ekspozite pikturash në Galerinë “Zenit”.
- Shko MRTC! Po paguaj unë.
- Faleminderit. Do të telefonoj për të takuar sërish në javën e ardhshme.
MRTC u ngrit. Elegante. E magjishme.
U drejtua nga dalja e lokalit.
Makabe Zaharia pa shpatullat e saj, trupin e hajthëm, këmbët. E tmerrshme. Fytyra e saj qe sëprapthi me ecjen e saj. Sytë e saj të mëdhenj. Buzët e dridhshme. Për 3 sekonda sigurisht. Ai pa pozicionin normal të kokës drejtuar nga dalja në rrugë, pjesën e valëvitëshme të flokëve që i zbrisnin tek supet.
U zhduk.
Mbi tryezë ishin fletët e përkthimit. Substanca e së tashmes si mungesa e së ardhmes. Ah.
Sdua të fle më! Sdua të fle më! Kështu klithi pa zë brenda vetës Makabe Zaharia.
Mjaft jam qullur dhe mërdhirë nëpër ëndrrat fatale!

Tiranë, 23 maj 2014

Google+ Followers