TRI BIJAT - Romeo Çollaku


Si ndonjë luftëtar i vjetër jataganin, Sose Arvanitja ngjeshi furkën në brez dhe, me boshtin nën sqetull, kapërceu, pas dy muajsh, pragun e portës së jashtme. I vlonte përbrenda një ndjenjë e tjetërsojtë, e pangjëruar kurrë më parë, diç si valë ngadhnjimi a hakmarrjeje, që i vërtitej andej-këndej nëpër kraharor, i ngjitej në fytyrë, derisa gjente kamaret e syve e së andejmi shpërthente përjashta. Madje edhe nga goja, sepse, tek çapitej me hapa të ngutur drejt shtëpisë së Spirëlës, nuk pushonte së mërmërituri nëpër dhëmbë dhe, ndërkaq, tundte kokën sa në të djathtë në të mëngjër, duke nxjerrë, siç duket, në këtë mënyrë, dufin. «Po ku humbe, moj motërmë?» i tha Spirëla, me ta parë në derë, «na thave sytë». Njëra nga të dyja ishte, sipas gjasave, plaka më e moçme e Arvanitit, një fshat i thellë mes maleve të Jugut, gjysmë dite me këmbë nga rruga automobilistike. Të parët e tyre ishin vendosur aty, para disa shekujsh, ngaqë nuk donin të kthenin fenë.
As ato vetë nuk e dinin cila ishte më e madhja. Përpiqeshin ndonjëherë, duke tjerrë leshin, të bënin hesap vitet e të kthjellonin kujtimet e fëmijërisë, por diku visoret sërishmi mjegulloheshin dhe, donin s’donin, ndërronin bisedë. Spirëla, në të vërtetë, ishte martuar shumë më herët, por kjo nuk dëshmonte asgjë, pasi Sosja, që ishte e fundit në nëntë motra, kishte qenë e shtrënguar, në përputhje me zakonin e atyre moteve, të mos e prishte radhën. Dhe, për arsye se motrës së katërt, Kasjanisë, e cila çalonte, e ndjera, nga njëra këmbë, nuk i kishte dalë fati në kohë, edhe pesë të tjerat, që vinin mbas saj, ishin martuar, detyrimisht, me vonesë. Edhe vetë natyra ishte kujdesur të mos e prishte radhën e nëntë vajzave: tani, Kasjania dergjej, krah pleqve, në Lëmin e Arvanitit, sikurse quhej, kurse shtatë të tjerat ishin shpërndarë nëpër «lëmenj» të ndryshëm të Shqipërisë. Sosja i ndërmendte dhe qante herë me zë e herë pa zë për Kasjaninë dhe për motrat e tjera, me të cilat ishte ndarë për së gjalli: kush ikte nga Arvaniti, nuk kthehej më atje. Qante edhe për Markon, të shoqin, veç për këtë më rrallë: ndonjëherë i dukej sikur ende i dhimbnin brinjët.
«Po ku humbe, moj motërmë? Na thave sytë». Bënte vapë; fshehur egërleve, cinxujt ia thoshin shtruar-shtruar këngës. Spirëla, që ishte ulur, si përditë në atë orë, tek shkallët e po tirrte, u ngrit ta mirëseardhte e ta puthte. Sose Arvanitja, atë çast, nuk u përmbajt dot më: «Pëlcit po deshe, nesër më vijnë fëmijët!» Tjetra në fillim mbeti e shtangur, pastaj u shkund, vuri paksa buzën në gaz dhe, si e zënë në faj, u ul prapë në vendin e saj, mbi lëkurçen e bardhë. Vetullangrysur si më parë, Sosja u ul dy shkallare më poshtë, mbi një lëkurçe tjetër. Edhe pse, prej vitesh, jetonte fill e vetme, Spirëla në shkallë mbante gjithmonë dy lëkurçe. «Mos më mbaj mëri, moj motërmë», i tha Spirëla, «Ja, tani që më dhe lajmin e mirë, m’u bë zemra mal». Sosja ngriti sytë dhe e hetoi me dyshim. «Besomë, moj motërmë, nuk jam ziliqare», shtoi Spirëla, «ashtu të duket ty».
Ishin grindur para dy muajsh. Ndodheshin, njëlloj si tani, tek shkallët duke tjerrë lesh e biseda të ndryshme dhe, një çast, Sosja i kishte kallëzuar ëndrrën që kishte parë ndaj të gdhirë. Sikur i kishin ardhur vajzat, me gjithë burra e fëmijë. Sikur të gjithë rrinin e bënin sehir njërin nga dhëndurët, tek therte qengjin motak. «Pe gjak?» e kishte ndërprerë Spirëla, «Po pe gjak, prishet ëndrra». Atëherë, Sose Arvanitja ishte ngritur e zemëruar, kishte ngjeshur furkën në brez dhe, pasi i kishte shfryrë një «Ziliqare!», i kishte kthyer shpinën. Plot dy muaj nuk doli nga shtëpia. Deri në çastin kur postieri i kishte lexuar tri herë telegramin: «Vijmë të dielën të gjithë Stop Edhe Tatjana Stop Marigoja dhe Parashqevia».
E nxorri nga gjiri, e shpalosi dhe ia zgjati fqinjës: «Do vijnë të tria. Këndoje vetë, po s’beson». Spirëla ngriti supet, pastaj qeshi përsëri: «Si ta këndoj, moj Sose? Ku di unë shkronja? Besoj! Pse mos të besoj? Besoj, moj motërmë, dhe më bëhet zemra mal. Ti nuk i beson të tjerët!» Sosja, duke e mbajtur telegramin para syve, a thua se e lexonte, shqiptoi shkoqur tekstin që e kishte mësuar përmendsh.
Kishte një vit e gjysmë pa i parë, që nga dasma e Parashqevisë. Parashqevia ishte e mesmja. Kohët kishin ndryshuar, zakonet ishin bjerrë nga stina në stinë; këto të rejat nuk e respektonin radhën. E kishte prishur Tatjana, që ishte rrëmbyer me një xhenier. Sose Arvanites ikja e Tatjanës i kishte copëtuar zemrën. Jo se e bëri me turp: e kishte kaluar gjithë jetën mes femrash dhe fjalët e botës nuk i bënin më përshtypje. Jo se prishi radhën: familjet e tjera të Arvanitit e kishin shkelur këtë zakon prej kohësh. Por, ashtu si ato trikot prej leshi, për ardhmërinë e bijave kishte thurur ëndrra të bukura e plot dritë dhe Tatjana ishte bërë shkak që t’i realizohej vetëm dy e treta e këtyre ëndrrave. Nuk e kishte dëgjuar. Dhe një natë nuk ishte kthyer në shtëpi. Sose Arvanitja nuk donte ta besonte. Bashkë me Parashqevinë, e kishte pritur deri në mëngjes, pa mbyllur sy. Pastaj ishte matur të dilte e ta kërkonte. Por, atëherë, Parashqevia i kishte thënë të vërtetën. Sosja as në vdekjen e të shoqit nuk ishte hidhëruar aq shumë. Një muaj më vonë i dërgoi fjalë se e falte dhe i uronte jetë të lumtur. Në të vërtetë, jetë të lumtur i uronte me gjithë forcën e zemrës, por, për ta falur, nuk e falte dot. Tatjana, bashkë me të shoqin e tre djemtë, shkoi në dasmën e Parashqevisë dhe qëndroi vetëm një natë. Burri i saj -xhenieri, në gjuhën e vjehrrës – kishte në fshatin e tij një vresht dhe ca koshere bletësh, larg të cilave nuk bënte dot.
Pasi mbeti e ve, Sose Arvanitja, paçka se e dinte që do t’i shihte rrallë e për mall e do mbetej qyqe mes asaj shtëpie të madhe, ishte betuar t’i martonte vajzat në Tiranë. I kishte të bukura e të ndershme dhe nuk do lejonte ta ngrysnin jetën, si ajo, në atë fshat të shkretë. «Shati edhe kërraba nuk janë për vajzat e mia», thoshte poshtë e përpjetë gjithë krenari. Kishte një nip në kryeqytet, djalin e motrës së madhe, i cili merrej me tregti dhe kishte njohje të shumta. «E kam vetë parasysh», i ishte përgjigjur ai në telefon. Nuk kishin kaluar as dy javë dhe i kishte dërguar telegram nusja e nipit: «Teze, dërgo ca ditë Marigonë». Brenda vitit, Marigoja u martua me njërin që sillte makina nga Italia. Kaluan plot gjashtë vjet derisa tërhoqi edhe Parashqevinë, por e tërhoqi ama. Kjo lindi më shpejt. Djalë: gjyshja fluturonte nga gëzimi (edhe për tre djemtë e Tatjanës nuk kishte gëzuar më pak). I kishin dërguar edhe fotografi. Sosja i kishte shpërndarë gjithandej nëpër shtëpi, mbi tryezë, në bufe. Njërën, atë ku kishin dalë me bashkëshortët, para dy makinave me dyer të hapura, e mbanjti, ca kohë, mbi oxhak. Më vonë e hoqi, që të mos e zverdhte tymi. Ndonjëherë i mblidhte të gjitha në një qese e ia tregonte Spirëlës; i tregonte me gisht fustanët shumëngjyrësh të të bijave dhe mobiljet e shtrenjta e perdet, që mezi shquheshin në sfond. «Dhëndurët e Tiranës», i mburrej fqinjes, «janë kolegë me shoshoq». Kurse vreshtarin, bletarin, «atë xhenierin», nuk para e zinte ngoje.
Tatjana i kishte hapur plagë të thellë në zemër. Spirëlës nuk i qahej kurrë për të, por edhe nuk ia përmendte si dy të tjerat. Vetëm ndonjëherë, netëve të dimrit, mblidhej një grusht ndanë zjarrit dhe zinte e fliste me vete: «Po të më kishte mbajtur vesh fjalën, do ishte rregulluar edhe ajo si motrat. Do ishte me to në Tiranë; do kishin njëra-tjetrën. Ta dija, qyqja, se do kishte këtë fat, më mirë ta kisha martuar shpejt e shpejt me djalin e Kondes. Të paktën, do ta kisha këtu, pranë vetes. Se, edhe kështu, nga fshat i humbur iku e në fshat të humbur shkoi. Nuk e rrita për xhenierin! Ah, pse s’më mbajte vesh, moj bijë? Pse s’më mbajte vesh? Po në dorën tënde ishte, moj bijë! Përse? Përse?»
Sose Arvanitja e futi prapë telegramin në gji dhe zunë të tirrnin. Por nuk i bënin duart. Donte vetëm të flisnin, të flisnin papushim, që koha të rridhte më shpejt dhe të vinte e diela. «Do m’i sjellësh një ditë për drekë», i tha Spirëla. «Do t’i sjell, do t’i sjell».

Dërgoi njerëz dhe i pritën me kafshë tek rruga automobilistike. Ndaj të gdhirë, kur zunë të këndonin gjelat, mbërritën në fshat. Sose Arvanitja kishte dalë tek shpella e, me zemrën që i rrihte, po vrojtonte shtegun. «Erdhën», tha me zë, kur shqoi dritat e fenerëve. Ata ishin. Të gjithë: Marigoja me të shoqin, Parashqevia me të shoqin dhe me djalin tremuajsh në duar, Tatjana me tre djemtë dhe me xhenierin. Në fillim, i zbuloi fytyrën Arvanitit më të ri dhe e puthi me kujdes e dashuri njëherësh. Në vazhdim, i puthi e i përqafoi të gjithë duke qarë, pastaj u kthye prapë e i puthi të gjithë nga e para. S’dinte kujt t’i gëzohej më parë, bijëve, nipërve apo dhëndurëve, se edhe këta djemtë e saj ishin. Me përjashtim të dhëndrit të vogël, atij kusarit që e kishte vrerosur në pleqëri.
Por tani nuk e kishte edhe aq mendjen tek ai. Iu mbush shtëpia. I vinte të mblidhte derë më derë gjithë plakat e fshatit e t’u thoshte: «Ja, fëmijët! Më erdhën fëmijët!» Dhe kishte menduar ta bënte një gjë të tillë, por të nesërmen a të pasnesërmen, pasi të ishte çmallur njëfarësoj me ta. Do t’i çonte dhe për drekë nga Spirëla.
Kur u ulën në odë, zuri t’i puthte përsëri një për një e t’i përqafonte. Rreth gjysmë ore, nuk bënte gjë tjetër, veçse i puthte, i përqafonte e i pyeste për shëndetin, për punët, për fëmijët, për krushqit e për krushkat. Për të mos lënduar Tatjanën -ç’të bënte?- puthte edhe dhëndrin e vogël. «Si i pini kafetë, se akoma nuk e kam mësuar», u tha pastaj. «Në fillim, do flemë nja dy orë, se kemi që dje pa gjumë dhe jemi të lodhur», i tha Marigoja. «Më rëntë pika, si më doli nga mendja!» ia bëri plaka dhe, pa e zgjatur, u ngjit në katin e sipërm, që të gatiste shtretërit. I shkoi pas edhe Tatjana, për ta ndihmuar. Teksa ndernin çarçafët, plaka e përgjonte të bijën tinëz nga duart, nga fytyra, nga trupi. Ishte hequr, lëkura i ishte nxirë; tregonte më e madhe se dy të tjerat. Edhe ato ishin hequr, por nuk i quaje dot të dobëta. Të brishta po, por jo të dobëta. U ishte nxirë edhe atyre lëkura, por kjo e Tatjanës ishte një nxirje tjetër, një nxirje e padëshiruar, e ashpër. «Apo mos më gënjejnë sytë, ngaqë më dhimbset më shumë»: diç dinte Sose Arvanitja nga psikologjia popullore.
U mbyll çdo çift në dhomën e vet dhe gjyshja mbeti në odë me tre nipërit e mëdhenj, me djemtë e Tatjanës. Ishin rritur goxha. Atyre nuk u vinte gjumë dhe ajo i falënderonte në heshtje, pse i jepnin kësisoj mundësinë që të çmallej në fillim me ta e, pastaj, me bijat e dhëndurët. E kuptoi menjëherë që edhe ata e donin, e dinin ç’ishte ajo për ta. «Gjyshe», i thoshnin, «gjyshe» dhe i rrinin në prehër. Dhe ajo, për t’ua shpërblyer, u dha fiq të thatë, por nuk i hëngrën. Deshi t’i nxirrte në oborr e t’u tregonte pemët, por nuk pranuan. Atëherë Sosja u kujtua që edhe ata ishin fshatarë dhe e dinin ç’ishte kumbulla, pjeshka, fiku e, veçanërisht, rrushi, ndaj dhe nuk kishin kureshtje të këtilla. Mes puthjeve e ledhatimeve, ajo gjente kohë të pyeste më të madhin, Markon, sesi ishte ai fshati i tyre, a kishte rrugë «atobolimistike» me asfalt, a shkonte makina, a kishte dyqane. «Jo, gjyshe, jo», i gjegjej fëmija dhe çdo «jo» e tij ishte si një gjilpërë në zemrën e saj. I shkulte, mandej, gjilpërat nga zemra, i harronte plagët e së shkuarës dhe nuhaste gjithë ëndje lëkurën e firomën e nipërve të vegjël. Një kundërmim i ëmbël e i ngrohtë, që i kujtonte rininë e saj, kohën kur ishte bërë nënë. Ëndrrat, ato ëndrra të bukura! «Ah, moj bijë», psherëtiu prapë një çast, «pse s’ma vure veshin?».
Kur zuri gjumi fëmijët, u zgjuan të rriturit. U ulën rreth tryezës në odë dhe ajo u çoi filxhanët me kafe, gotat dhe shishen e rakisë. Vajzat shikonin fotografitë, që ishin vendosur mes qelqurinave, nëpër raftet e bufesë. «Ti s’më dërgove ndonjë, moj bijë», iu drejtua Tatjanës, si për t’u shfajësuar. Pastaj, u kthye nga xhenieri: «Apo s’keni aparat?» Xhenieri qeshi pa të keq. Qeshën të gjithë. Sose Arvanitja nënqeshi. «Paske humor të hollë, moj vjehrrë», i tha dhëndri i dytë. I madhi e piu gotën e parë dhe mbushi tjetrën. U ulën edhe vajzat në tryezë dhe filluan ta pyesnin me radhë për Spirëlën e për njerëzit e tjerë të fshatit, për ata pak njerëz që kishin mbetur. «Ç’vrisni mendjen për Arvanitin», u tha në fund plaka, «fshati është i keq: varfëri, mundim. Të ha pak nga pak». I thanë, pastaj, se ishin nisur nga Tirana qysh një ditë më parë në mëngjes. Diku, nga mesi i rrugës, kishte dalë Tatjana me familjen. Dy makinat i kishin lënë në një parking (më kot u përpoqën t’i shpjegonin domethënien e kësaj fjale) dhe, në mbrëmje, kur kishte rënë disi vapa, ishin nisur me këmbë për në Arvanit. Ndërsa Marigoja i rrëfente gjithë këtë kalvar, burri i saj e kishte përgjysmuar shishen e rakisë, ndaj dhe po e mbulonin djersët. Kur u ulën për të ngrënë drekë, i tregoi Soses shishen e boshatisur. «Pi sa të duash, gjak e dhjamë», i tha plaka dhe u ngrit e solli shishen tjetër. «Ku e gjen këtë raki kaq të dashur, moj nënë», u hodh xhenieri, i cili pinte ngadalë e me masë, a thua se, si vreshtar që ishte, rrekej të përcaktonte kualitetin. Sose Arvanitja bëri sikur nuk dëgjoi. Dhëndri i vogël nuk e përsëriti më pyetjen. U kthye, sikur diç do t’i thoshte në vesh Tatjanës, por, në të vërtetë, e puthi, gjë që nuk i shpëtoi syrit të plakës, e cila u acarua së tepërmi. «Ma bën qëllimisht», tha me vete, megjithatë nuk hapi gojë. Po të njëjtin veprim vreshtari e përsëriti pas disa minutash, por Sosja u përmbajt edhe kësaj radhe. U mjaftua me një të kollitur domethënëse. Bletari nuk kuptoi gjë nga e kollitura dhe, tinëz, e puthi rishtazi të shoqen, por jo më para syve të vjehrrës, e cila ishte ngritur, ndërkaq, për t’i qerasur me dhallë.
«Bëhu gati», i tha pastaj njëra nga vajzat, «do shkojmë në varreza». Sose Arvanites nuk i pëlqeu ky nxitim: «Ditë ka dhe nesër», tha me zërin në të mekur. Vajzat panë njëra-tjetrën në sy; diç donin të thoshnin, por druheshin. Plaka e kuptoi, iu morën paksa mendtë dhe u ul në divan. U kujtua që dhëndri i vogël nuk bënte dot larg vreshtit e koshereve dhe ishte gati ta mallkonte. Prapë u përmbajt. Do ta kishte mallkuar pa të drejtë: kësaj radhe nuk ishte ai që ngutej, por dy të tjerët, të cilët, siç i shpjeguan vajzat, do shkonin të prisnin një anije në Durrës. «Nuk bëhet ndryshe», i thanë, «luhet parα e madhe, moj nënë». U dëshpërua sa s’ka më, por i dha kurajë vetes. Të paktën, t’i gëzonte ato pak orë me fëmijët.
Nipërit u zgjuan dhe të gjithë bashkë, në muzg, morën sokakun kryesor, që përfundonte në varreza. Pleqtë e plakat e fshatit -mes tyre edhe Spirëla- kishin dalë në pragje dhe i përshëndesnin, u puthnin duart, i qerasnin me llokume. Sose Arvanites i doli pothuajse krejtësisht nga mendja që të nesërmen do iknin dhe, ato çaste, sa nuk fluturonte nga gëzimi e krenaria. «Kush është Markoja?», pyesnin pleqtë dhe gjyshja u tregonte nipin duke i përkëdhelur shpinën. Atëherë, ata e merrnin fëmijën në duar, e hidhnin hopa në ajër dhe «Ta nderosh emrin e gjyshit», i thoshnin kur e lëshonin prapë në tokë. Pastaj, puthnin e përkëdhelnin dy të tjerët, plakat i zbulonin fytyrën Arvanitit më të vogël, që e mbante Parashqevia në duar, dhe ia bënin «Ptu! Ptu!»
Kur kaluan poshtë shtëpisë së Marjanës, Parashqevia ngriti kokën dhe pa ballkonin. Shtëpia e shoqes së saj të fëmijërisë ishte e mbyllur prej vitesh. Kishte ikur larg edhe ajo, si gjithë vajzat e reja të fshatit. Madje më parë se Parashqevia. Ç’të bënte tjetër? Pasi kishte humbur prindërit pleq, mbeti fill e vetme. Dikur ballkoni i saj kishte qenë më i lulëzuari i Arvanitit; plot me trëndafilë të kuq e të bardhë, borzilok, mendër, trumzë, zymbylë e lloj-lloj lulesh të tjera. Tashmë ishin vyshkur të gjitha, vetëm capak kërcej të hollë e të thatë kishin mbetur aty-këtu nëpër saksi. Pak kohë para se të martohej Parashqevia, ishin hapur fjalë sikur, netëve, nëpër atë shtëpi të braktisur vërtiteshin fantazma. Por fantazmat nuk i kishte parë askush. Parashqevia vuri buzën në gaz me atë prirjen e vjetër e të theksuar të bashkëfshatarëve të saj për të sajuar legjenda.
Mbërritën në varreza. Të djeshmen, Sosja e kishte larë e pastruar mermerin e të shoqit dhe kryqi shndrinte tani nën rrezet e tejme të diellit. Vazhdonte të bënte ende vapë; cingujt e kishin rralluar disi këngën, por as që bëhej fjalë se mund ta ndërprisnin. Gratë e veshura me ngjyra të errëta u përkulën, vendosën lulet mbi varr dhe, duke ledhatuar mermerin, zunë të qanin fillimisht nën zë e, në vazhdim, me ligje. Burrat ndenjën pak, pastaj u hoqën mënjanë dhe ndezën cigare. Asnjëri prej tyre nuk e kishte njohur vjehrrin. Nuset u kishin folur shpesh për të dhe, kush më të vagullt e kush më të qartë, ndoshta secili kishte krijuar njëfarë imazhi. Por vetëm kaq. Fëmijët, s’do mend që vaji i grave i kishte habitur disi. Pasi ndezën qirinjtë dhe u ngritën duke shkundur me shuplaka fundet e zinj, Sosja, të cilës, paçka se vështrimi i ishte terratisur prej vitesh, zor se mund t’i shpëtonte gjë, vuri re se dhëndri i vogël përpiqej të fshinte lotët me mëngën e këmishës. «Është i ndjeshëm», i pëshpëriti Tatjana në vesh, «preket shpejt». Dolën.
Në kthim, po të njëjtët rituale, po të njëjtët doke: përshëndetje, puthje, kurabie e karamele nga arvanitasit e moçëm. Si një fllad prej një kohe tjetër, si një fllad që ishte gati në të vdirë. I ndalonin çdo dhjetë hapa, i pyesnin për njerëz që i njihnin e s’i njihnin, i ftonin për një kafe, për një gotë raki, për drekë e për darkë. «Faleminderit», u thoshnin vajzat, «por do ikim nesër». Fjalë që Sose Arvanites i sëmbonin në gjoks. Por i jepte përsëri kurajë vetes. Të paktën, thoshte me vete, të gëzoj edhe këto pak orë që i kam këtu.
Tek porta e oborrit, kur u kthyen, gjetën varur një thes të përgjakur. Sose Arvanitja kishte porositur djalin e Kondes, bariun, që t’i therte qengjin motak. E shkuan në hell mu atje, në mes të oborrit. Ngaqë koha freskohej njëfarësoj mbrëmjeve, plaka ishte përgatitur që të darkonin brenda, por dhëndri i madh ngulte këmbë të hanin në natyrë, poshtë pjergullës. «Si njëherë e një kohë», thoshte ai dhe mbushte gotën e rakisë. Sosja nuk kuptonte për ç’kohë e kishte fjalën burri i Marigosë, por, megjithatë, u bind. Kurse i dyti, ai i Parashqevisë, iu duk Soses si pa qejf. Dhe syrit të mjegulluar të plakës, siç thamë, nuk i shpëtonte gjë prej gjëje. Donte të pyeste Parashqevinë, por ajo ishte ngjitur në katin e dytë, për të vënë në gjumë të voglin. «Nuk kam gjë», i tha dhëndri, në kohën kur u ulën në tryezë, dhe buzëqeshi. Ç’është e vërteta, buzëqeshja e tij vjehrrës nuk ia mbushi mendjen edhe aq. Por, tek kush ta kishte mendjen më parë plaka e shkretë? Sa u ulën për të ngrënë, fëmijët zunë të ankoheshin. Nuk ishin ngopur me gjumë, siç duket. U shtroi në odë dhe u këndoi ninulla, derisa fjetën. Teksa dilte, në mesore, dëgjoi tik-takun e sahatit të murit dhe u ligështua sërish.
«Po ulu, moj nënë, se u lodhe gjithë ditën», i tha vreshtari, kur doli në oborr. Ajo ia kishte inatin. Po të ishte edhe kësaj radhe ai shkaktari që nguteshin, nuk do t’ia kishte kursyer atë çast ndonjë të sharë. I thoshte dhe «nënë», pale!
i çokitën gotat fort dhe jehona u shpërnda në gjithë mëhallën. Sose Arvanitja gjeti forcë gjatë darkës, e harroi tik-takun e sahatit dhe kohën që rridhte në dëm të saj, nuk e çoi nëpër mend vetminë që do kthehej sërish të nesërmen për t’i mbushur shtëpinë cep më cep, gjeti forcë të lumturohej për ato pak çaste, se jeta, tekefundit, është vetëm pak çaste e asgjë më shumë dhe, në kohën që je duke i përjetuar ata, është mëkat të mendosh vdekjen, errësirën, vetminë, se, atëherë, do ishte njëlloj si të mos ishe shfaqur kurrë nën këtë qiell: diç dinte Sose Arvanitja nga psikologjia popullore. Mirëpo, mu aty ku, e shkujdesur, qeshte me gjithë zemër, erdhën e iu përplasën në fytyrë, përzier me duhmën e rakisë, fjalët e dhëndrit të madh, fjalë të thëna gjasme pa të keq e me të qeshur, por që ishin -Sose Arvanitja nuk do të kishte më vonë pikë mëdyshjeje- fjalët më të rënda që i ishin thënë ndonjëherë. Po i lëvdonin aftësitë e tij si tregtar, kur ai u mbështet mbi bërryl, i dha kokës para dhe, me një ton teatral, duke vështruar pjerrtazi të shoqen, tha: «Parα, sa për vete, kam nxjerrë, moj vjehrrë! Sa për këtë jetë dhe për dy të tjera si kjo! Edhe të kem më shumë, ç’i dua? Për kë? Ë, për kë?» Marigoja uli kokën. U bë heshtje, karriget kërcitën. Sose Arvanitja nuk dinte ç’të thoshte, nuk dinte ku t’i hidhte sytë. Kishte pandehur se nuk nxitoheshin të bënin fëmijë, se nuk donin vetë hë për hë. «Kështu e kanë çiftet e sotme», i kishte thënë edhe Spirëla, «në krye të dhjetë vjetëve bëjnë fëmijë. E kam dëgjuar në televizor, moj ti. Me veshët e mi. Është… si i thonë, vallë?… Modë! Modë!»
Dhëndri i vogël, vreshtari, u përpoq të ndërronte bisedë. Zuri të fliste për instiktet dhe zakonet e bletëve. E kuptoi që nuk ia vinte njeri veshin, por, megjithatë, u hodh tek sëmundjet e hardhive dhe tek shirat e pamëshirshëm të gushtit.
Kur po mblidhnin pjatat, Marigoja iu afrua të ëmës dhe i hodhi dorën në sup. «Mos u mërzit», i tha, «nuk fliste ai, fliste rakia». Plaka i puthi dorën dhe e vështroi drejt e në sy: «Ti të mos më mërzitesh, pa unë nuk mërzitem». Pastaj, u tha të bijave të shkonin e të flinin, se kishte kaluar mesnata dhe pas dy-tri orësh duhet të zgjoheshin e të niseshin për rrugë.
Shkoi edhe ajo e u shtri mes nipërve, në dyshemenë e odës, por nuk e zinte gjumi. Dëgjonte cinxujt. Jo ata që rrinin fshehur egërleve. Ata, të tjerët, që ishin zgjuar papritmas brenda kokës së saj. Do kishte shumë dëshirë të rrinin zgjuar, bashkë me të, edhe bijat; të fjaloseshin ato dy-tri orë, deri në agim, t’i pyeste, t’i pyeste për të gjitha. E kishin nënë dhe duhej t’i hapnin zemrën. Ishin për rrugë, vërtet, dhe të lodhura, por edhe ajo ku do gjente tjetër rast të fliste me to, të mësonte ç’halle kishin? Vendosi t’i zgjonte. Burrat kishin pirë dhe, mbase, nuk do ta ndjenin kur të hynte nëpër dhoma. Të zgjonte, të paktën, Marigonë.
U ngrit dhe, në majë të gishtave, ngjiti shkallët e drunjta, që të çonin në katin e sipërm. Ngjiti veshin tek porta e dhomës së Marigosë. Nuk kishin fjetur. Dëgjoi zëra, fjalë e fjali të qarta: «Nuk shtyhet më tej! Nuk do rri unë pa fëmijë për fajin tënd, dëgjon apo jo!» Dëgjoi edhe ngashërima: Marigoja po qante. Sose Arvanites iu ngrit një lëmsh nga mushkëritë e iu mblodh në grykë. Zuri të dridhej e gjitha dhe, ngaqë u trem mos rrëzohej, u ul, atje, në dysheme. «Gjithë moshatarët e mi janë bërë baballarë», vazhdonte zëri nga brenda. Vazhdonin edhe ngashërimat e gruas beronjë, gjithnjë e më të mprehta, gjithnjë e më të thekshme.
Plaka e mbajti veten, edhe pse i vinte të qante, ashtu si e bija, me ngashërim. U zvarrit deri tek porta e dhomës tjetër, e asaj ku flinte vajza e dytë, Parashqevia, me të shoqin dhe fëmijën. Edhe andej vinin zëra. Më saktë, dëgjohej vetëm një zë. Një zë i ulët, porse hakërryes: zëri i dhëndrit. Sose Arvanitja ishte gati t’ia jepte kujës, të çirrte faqet, të shkulte flokët. Prapë e mbajti veten: ishte grua e fortë, krenare. Ja me ç’fjalë i drejtohej Parashqevisë dhëndri i mesëm: «Mua nuk më hedh dot hi syve. Të pashë, rrugës për në varreza, sesi vështroje nga ai ballkoni me lule të vyshkura. Vështroje, apo jo? Thuajmë të vërtetën! Pashë edhe një hije në dritare, mbas perdeve. Ti kalove dorën në flokë; i bëre shenjë. Kush ishte mbas perdeve? Tregomë!» Parashqevia lëshoi një britmë, si atëherë kur ishte e vogël dhe grindej me Marigonë, duke kapur njëra-tjetrën prej flokësh. Foshnja u zgjua e trembur dhe zuri të qante me të madhe.
E tronditur, pothuajse e rrënuar, plaka u hoq zvarrë deri para dhomës së tretë dhe ngjiti veshin pas portës. As çifti i vogël nuk kishte fjetur. Por, atje, plaka nuk dëgjoi britma, të shara e dënesa. Dëgjoi puthje, pëshpërima të paqarta dhe rënkimin e shtratit të vjetër. Sose Arvanites i erdhi turp, e qortoi veten rëndë, por, prapëseprapë, nuk u ngrit të ikte. Ndenji edhe ca, si për të ndëshkuar pafajësinë e vetvetes me ndjenjën brerëse të turpit. Ndjenjë brerëse, vërtet, por që, çuditërisht, atë çast, i dukej e ëmbël, këndellëse, nanuritëse.
Në fund, u ngrit dhe, duke u kalamendur, mbërriti, me mund të madh, deri tek parmakët e shkallës së drunjtë. Për herë të parë, pas aq vitesh në atë shtëpi, pandehu se do ta mbyste kundërmimi i përkorë i naftalinës. Ndjehej e rraskapitur, sikur, brenda pak orësh, të kishte jetuar, me një shpejtësi të skëterrshme, dhjetë vjet a më shumë nga jeta e saj. Duke u mbajtur pas parmakëve, zbriti në mesore, ndërsa do donte që shkallaret të mos mbaronin atje, por të zbrisnin më poshtë. Deri në bodrum. Dhe më poshtë, akoma më poshtë. Tashmë ndjehej e pafuqishme e, njëherësh, e padobishme për këtë jetë. Prania e saj nuk mund të ndihmonte kurrëkund; kurrëkund nuk mund të vendoste më rregull. Nuk mund të meremetonte asgjë.
Megjithatë, mbasë gjithë asaj kapitjeje, e zuri gjumi. Teksa po përgatiste trastat që do t’u jepte me vete të bijave: ullinj, fiq të thatë, stafidhe, arra, bajame, raki, vaj ulliri, gjithë ç’kishte e ç’nuk kishte nëpër dollepë e sëndykë. Fjeti nja gjysmë ore, derisa këndoi gjeli i Kondes.
i përcolli deri tek shpella. «Bëhu e fortë», i thoshnin vajzat. Por ajo ishte e fortë: pikë lot nuk derdhi. I ndoqi fenerët me sy, derisa doli dielli. Pastaj u kthye në shtëpi dhe e mbylli portën e jashtme me çengel.
Në fillim nuk u përgjigj. «Sose! Moj Sose!» Megjithëse ia njihte zakonin, që, sa herë i mbetej hatri, nuk dilte nga pragu, Spirëlës, kësaj radhe, i shkoi mendja për keq, sepse, dy ditë, nuk e kishte parë as në oborr. «Po je brenda, përgjigjmu, moj motërmë, se jam bërë merak. Plaka jemi e nuk dimë ç’sjell sahati». Dhe godiste portën me bishtin e furkës.
Doli, më në fund, dhe e hapi. Spirëla e pa të vrenjtur dhe, në kësi rastesh, nuk guxonte t’i fliste. Si gjithmonë në verë, ndenjën tek shkallaret. Sosja kishte ulur kokën dhe, ngaqë nuk dinte ç’të thoshte, po shtrinte palat e futës me duart e rreshkura. Ngaqë edhe Spirëla nuk dinte ç’të thoshte, filloi të tirrte duke vërtitur boshtin në erë. Sosja hyri brenda dhe u kthye paspak me tabaka në dorë. Vetëm pasi pinë kafetë, Spirëla mori guximin e pyeti sesi ia kishte kaluar me fëmijët. Sosja psherëtiu thellë. «Mos u mërzit, se do vijnë prapë», e ngushëlloi fqinja. Mandej, shtoi: «Pa hajde, dëftomë tashti; ç’thoshnin vajzat?» Sose Arvanitja foli pa e ngritur kokën: «Ç’të të dëftoj, moj motërmë? M’u mbyll një plagë e m’u hapën dy». Dhe vendosi, për herë të parë në jetë, t’ia tregonte edhe Spirëlës plagët e saj. Të vjetrat dhe të rejat. Ta ndante brengën tok me të, se, mbase, në këtë mënyrë, lehtësohej njëfarësoj. Tekefundit, tanimë, në atë vend, Spirëla ishte njeriu i saj më i afërt.
 Nga libri me tregime “Për shtegtarë të pak metrave katrorë”

Google+ Followers