Poezi nga Federico Garcia Lorca*


VALLJA NË KOPSHTINE PETENERËS 


Në natën e kopshtit
Gjashtë cigane kërcejnë,
Veshur me të bardha.

Në natën e kopshtit
Të kurorëzuar në erë,
Me trëndafila letre.

Në natën e kopshtit
Ciganet me dhëmbë sedefi
Copëtojnë hijen e djegur.

Në natën e kopështit
Hijet e ciganeve zgjaten
Në qiellin e manushaqtë!
***

VDEKJA E PETENERËS 


Në shtëpinë e bardhë
Njerëzit vdesin.

Njëqind kuaj në galop
Kanë njëqind kalorës të vdekur!

Nën shandanët e yjeve
Fustani i saj prej mëndafshi.

Fustani që dridhet
Mes kofshëve prej bakri!

Njëqind kuaj në galop
Kanë njëqind kalorës të vdekur!

Hije të mprehtë vijnë
Nga horizonti i errët.

Dhe teli bas
I kitarës këputet.

Njëqind kuaj në galop
Kanë njëqind kalorës të vdekur!
***

FUNERALI 


Ah, Petenera cigane
Ah, Petenera?

Sa vajza të bukura
Në funeralin tënd.

Vajza që flokët ja japin
Krishtit të vdekur!

Me shalle të bardha
Që nga panairet.

Funerali yt
Plot njerëz ogurzinj.

Njerëz
Me zemër në kokë.

Që ecin duke qarë
E klithur në rrugë.

Ah, Petenera cigane,
Ah, Petenera!
***

KËNGË 


Nënë,
Bëmë prej argjendi!

Bir,
Do të mërdhish!

Nënë,
Bëmë prej uji!

Bir,
Do të kesh shumë ftohtë!

Nënë,
Qëndismë në jastëkun tënd!

Bir,
Menjëherë, që tani!
***

HESHTJA 


Dëgjo heshtjen!

Një heshtje e dallgëzuar.
Një heshtje, ku rrëshqasin
Jehonat dhe luginat.

Dëgjo heshtjen!
Përkule ballin
Mbi tokë!
***

AGIMI 


E verbër dashuria
Dhe këngëtarët e verbër !

Me natën jeshile rrufetë
Lenë gjurmë të ngrohta zambaku.

Plori i Hënës çan retë
Mbajtëset e shigjetave mbushen me vesë.

E verbër dashuria
Dhe këngëtarët të verbër!
***

CIGANIA MURGESHË
Qetësi prej gëlqereje dhe mersine,
Ç mullaga mes gurit!
Qendis murgesha
Mbi pëlhurën ngjyrë kashte
Në lampadarin gri
Ka shtatë zogj të prizmit.
Nga larg zgërdhihet kisha
Si një ari
Shtrirë në shpinë !
Sa bukur që qendis !
Mbi pëlhurën ngjyrë kashtë.
Murgesha do lule
Të fantazisë së saj.
Luledielli dhe manjola,
Lule shafrani
Dhe shumë Hëna
Mbi mbulesën e meshës!
Pesë kedra
Nxjerrin aromë në kuzhinë.
Ja dhe pesë plagët
E Krishtit në Almeri!
Te sytë e murgeshës
Lëvizin dy kalorës
Befas një jehonë e shurdhët
I hap murgeshës këmishën
Gjoksi saj sheh retë
Dhe malet në shkretëtira
Dhe thyhet zemra e saj.
Oh, ç luginë atje feks
Me njëzetë Diej mbi majë!
Çlumenj dallon
Fantazia e saj
Nën këmbë !
Murgesha shikon
Lulet
Ndërsa drita luan
Me gurë shahu të grilës!

***

PËRLESHJA 


Oh, thikat e Albaçetit
Mes humnerës
Shkëlqejnë si peshq!

Një dritë prej letre bixhozi
Skicon
Kuaj të papërmbajtshëm
Dhe profile kalorësish!
Mbi një ulli qajnë
Dy gra plaka.

Demi kacafytjes
Kapërcen mbi muret.

Engjëj të zinj
Mbajnë në shamira
Ujë dëbore!

Engjëj
Me krahë viganë.

Nën thikat e Albaçetit
I vdekur bije
Huan Antonio i Montilias.

Trupi i tij plot zambakë
Dhe shegë të çara në tëmtha!

Pastaj kalon
Me një kryq flake
Drejt kalvarit të vdekjes!

Një gjykatës vjen
Me rojat e qytetit,
Qan gjaku i derdhur
Me këngë memece gjarpëri!

Gjykatësi thotë:
Këtu pati përleshje,
Janë vrarë katër romakë
Dhe pesë kartagjenas.

E çmendur është nata
Prej fiqve
Dhe zhurmave të nxehta.

Nata bije e zalisur
Mbi kuajt e plagosur.

Dhe ëngjëjt e zinj
Fluturojnë
Në erën e muzgut

Ëngjëjt
Me gërsheta të gjata
Dhe me zemra prej vaji ulliri.

*Përktheu Moikom Zeqo 

Google+ Followers