Liria e fshehun ndër vargje…

Martin Camaj

Në ciklin e pabotuar në shqip, Martin Camaj, me gjuhën më të ashpër dhe dëshpërues për fatin e poetit. Simbolika e diktaturës që lexohet në poezitë e mëposhtme japin kontrastet ashtu si edhe në kontekstin e titullit. Në kapitullin “Të pabotueme”, botuar për herë të parë në “Me pendlat e korbit të bardhë”, Wieser Verlag, Klagenfurt, 1999, përkthyes e botues Hans-Joachim Lanksch, këto poezi përfshihen bashkë me “Nji fyell ndër male”, “Kanga e vërrinit” si dhe dorëshkrime e variante, 2012

                      Shkushullim

Kush iu kujtue territ
Që bie në luginë mbas fikjes së yjeve
Para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip –bardhë
E gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

                 Skulpturë me sy krype

Mjekër –pakrehun plak
dhe i shkujdesun me qafë të vjedhun
atleti

shikon përmes dy kokrra krype
në largësi
dhe hana as dielli s’u ndalën
nji timtë, dy tri mijë vjet,
në shtegun e prendimit
me i ndritë.

            Fije mëndafshi

Fije mëndafshi n’ajër nxe
Nga dielli i mbasditës
Ndalen e rrijnë pezull

mandej ulen e lodrojnë
ndër veti mashkull e femën
nëpër sende që ndryshe
nuk bien askurr në sy

Në muzg kur ulet era
Pushojnë fjollza fjollza
Bardh, mbi thepa drizash
Krahas me lule.

                 Djega e vjeshtës së dytë

Në lulimin e mbramë
drandofillja ndrroi bulzën
prej saj zbërthyen fletë vezake

Njomza në vjeshtë, e shkurtë,
rrezja e fikun në sy të ligshtë
nuk ishin sendegja të trishta!

Djega lashtë, egoiste,
vesë mengjesi ndër gjethe t’zverdhuna
shkrihej me dyllin e tretun
dhe ulej ndër rranjë

              Vrasja e poetit

 Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrinin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq
andej kufijve të botës
njerëzore

Çdo hymje n’ishull u mbyll
spitali dyer hekuri u mbyll
e çmendorja për qen, pranë

Përmbas horizontit-heshtimi,
mes flokësh kaçurrela resh
zbardhen sy qeni
në suazën e veshëve lopata.

Banorët e ishullit enden
Shkushullueshëm
nëpër ishull sa nji qeth buke
në hartë
para qenit të sëmunë,
enden me vargoj qeni në dorë
dhe era u vjen djersë qeni.

Google+ Followers