HISTORI&LETERSI / Djalli – Një “biografi” e paautorizuar


Pothuajse krejtësisht i munguar në Testamentin e Vjetër, Zotëria i errësirës u afirmua vetëm me kristianizmin. Por ka paraardhës mesopotamikë, persë dhe grekë
“Askush që nuk ka kuptuar të vërtetën mbi djallin dhe ëngjëjt e tij, apo që nuk e ka kuptuar se cili ishte ai përpara se të bëhej demon, dhe si u bë, nuk do të jetë ndonjëherë në gjendje që të njohë origjinën e të Keqes”. Me këto fjalë, të shkruajtura në një libret polemik të pothuajse 18 shekujve më parë, një filozof i krishterë me gjak grek, por i lindur në Egjipt teorizonte një dogmë besimi që me pak fjalë mund të përmblidhet kështu: djalli ekziston dhe kush nuk e beson është një idiot. Filozofi quhej Origjeni dhe libreti titullohej “Controo Celso”.
Origjeni (185-254) ishte një integralist në gjithçka (u trodh për të mos rënë pre i kënaqësive të mishit): ndoshta për këtë arsye ishte edhe kaq i ashpër ndaj djallit. E sigurtë është që përpara tij asnjë autor tjetër i kulturës hebraiko-kristiane nuk kish qenë kaq i pakundërshtueshëm, as edhe përhapësit e Biblës: Testamenti i Ri flet për demonë shumë herë, por pa bërë një dogmë; në Testamentin e Vjetër, paraardhësit e Satanait janë të rrallë. Dhe mungojnë krejtësisht në Pentaeukin, përmbledhjen me pesë librat më të lashtë, rrëfimet e të cilëve shkojnë nga Zanafilla deri tek epopeja e Moisiut.
I munguari i madh
Po si ka mundësi? Po mëkati fillestar, me djallin-gjarpër që i nxit Adamin dhe Evën që të mos i binden Zotit? Mund të habisë por, përkundër një besimi të përhapur, Bibla nuk thotë asnjëherë që gjarpëri joshës ishte Satanai: e përcakton vetëm si një kafshë “më e zgjuara e të gjithë kafshëve të egra që ka bërë Zoti”. Dhe shton se pas veprimeve të tij, nuk u dërgua aspak në ferr, por u dënua që të jetojë në tokë në mënyrë poshtëruese: “Me bark do të ecësh zvarrë e do të hash dhe për të gjithë ditët e jetës tënde”.
“Populli i Biblës nuk njihte djaj”, thotë Georges Minois, historian i Qendrës Ndërkombëtare të Kërkimeve dhe Studimeve Ndërdisiplinare (QNKSN) në Paris, autor i disa librave dhe studimeve mbi këtë temë. Në fakt, në hebraizmin më të lashtë, Jehovai ishte e vetmja qenie e jashtëzakonshme, origjinë e të Mirës ashtu sikurse të Keqes, i mrekullive mirëbërëse ashtu sikurse i ndëshkimeve të tmerrshëm. “Vetëm në kohën e profetëve”, saktëson Minois, “një reflektim i parë moral, i lidhur me mitet dhe legjendat e popujve fqinjë, çoi në tentativën për të ndarë të keqen nga Jehovai dhe për t’ia atribuar një tjetër kauze tjetër”.
Pra, Satanai do të lindte shumë kohës pas Adamit dhe Evës. Dhe është një kohë e gjatë ndërmjet. Për të gjetur gjurmët e para në Shkrimet e Shenjtë duhet të shkojmë tek Libri i Job. Që në rendin e Biblës së krishterë është i njëzetedyti. Dhe që ndoshta është shkruajtur në fillimin e shekullit V p.e.s. domethënë në një kohë kur të krishterët ishin dëbuar tashmë e kishin shkuar në Babiloni për 50 vite e më pas ishin rikthyer në zonën e influencës së Persisë. Dhe ndodh që, pikërisht në kulturën mesopotamike dhe në atë perse kishte gjysmëperëndi që kishin disa tipare të Satanait.
Paraardhësit
Madje, në Mesopotaminë e lashtë “të këqinjtë” ishin me bollëk dhe shtoheshin si kërpudhat. Asirët besonin tek një zog keqbërës me emrin Anzu (që më vonë do të shndërrohej në Pazuzu). Babilonianët e personifikonin të keqen tek Tiamat, mbretëresha e monstrave detare. Dhe më pas në kohë, sumerët kishin krijuar Huauan (më i njohur me emrin babilonian Humbaba), rivali i heroit Gilgamesh. Kush dëshiron të shohë fytyrën e demonit në fillimet më të hershëm duhet të shkojë në Muzeun Britanik të Londrës, që ka të ekspozuar një maskë të tij e cila është gjetur në Sippar, në Irak.
Edhe më shumë se sa Babilonia dhe rrethinat e saj, në historinë e djallit ka një vend të rëndësishëm Persia e lashtë. Aty ku në epokën e Bronzit një njeri i shenjtë me emrin Zoroastri (alias Zarathustra) kishte kodifikuar një fe dualistike, e quajtur mazdizëm, bazuar në antagonizmin mes të Mirës dhe të Keqes. Në fillesë të gjithçkaje ishte Ahura Mazda, një perëndi mirëbërës, që megjithatë kishte gjeneruar një shpirt keqbërës, Ahriman (apo Angra Mainyu) e që më vonë do të bëhej antiteza e tij. Vini re: historia e Luciferit-Satanait, engjëlli rebel sipas të krishterëve, nuk është aq e ndryshme.
Por le të kthehemi tek libri i Jobit, prezantimi i Satanait (në gjuhën hebraike Satan, domethënë “Kundërshtar”) në skenën biblike. Historia është e njohur: Jobi, një njeri i pasur dhe besimtar, goditet nga një seri fatkeqësish: në fillim disa grabitës i bastisin gjedhët e tij, më pas një zjarr i vret bagëtitë, grabitës të tjerë i marrin gamiljet, në fund shembja e një shtëpie i vret bijtë dhe një “sëmundje e keqe” i pushton trupin. Prapa gjithçkaje qëndron pikërisht Satanai, i cili dëshiron të shtyjë Jobin që të mallkojë Zotin. Por njeriu besimtar bën durim dhe në fund Jehovai e shpërblen.
Në rrëfim ka një të dhënë të çuditshme, që meriton vëmendje: përpara se të tundojë Jobin, Satanai bën marrëveshje me Zotin, i cili i jep lejën (madje pothuajse detyrën) që të veprojë duke i vendosur vetëm disa kufizime, sikur të shkruante një “letër rekrutimi” për një ushtar në mision. Pra me dy hapa. I pari thotë: “Zoti i tha Satanait: Shiko, çdo gjë që ka është nën pushtetin tënd, por mos vër dorë mbi të”. Dhe më pas: “Zoti i tha Satanait: Ja tek e ke në duart e tua! Vetëm kurseja jetën”.
Pra, në versionin e tij të parë, djalli hebraik nuk është antiteza e të gjithëpushtetshmit, por një lloj 007-e e tij, që bën hetime mbi njerëzit dhe i provokon drejt të keqes vetëm për të vërtetuar besnikërinë e tyre fetare. “Eshtë një besimtar shërbëtor i Jehovait, ekzekutor i punëve të pista”, sintetizon Minois. Dhe një tjetër demonolog i famshëm, amerikano veriori Jeffrey Burton Russell, historian në Universitetin e Kalifornisë shkon më në ekstrem: “Satanai është personifikimi i anës së errët të Zotit, i atij komponenti të Jehovait që na kundërvë me të Mirën”.
Kthesa
Kushdo mund të shohë se sa shumë rrugë është bërë mes këtij Satanai fillestar dhe djallit që njohim të gjithë, atij të teologjisë së krishterë, që është shndërruar në personifikimin e të Keqes absolute, antagonist i palodhur i Zotit dhe mbret i Ferrit. Po kur dhe si ndodhi kthesa? Përgjigja është: kur kristianizmi u shkëput nga hebraizmi. Minois saktëson: “Figura e Satanait, deri atëherë shumë diskrete dhe e mbajtur si në zinxhirë, ajo do të pushtonte skenën me një rol të dorës së parë: Testamenti i Ri e përmend 188 herë”.
Shfaqja më e famshme është ajo e tundimeve të Jezusit, të përmendur nga tre prej katër ungjijve (Mateu, Marku dhe Luka). Në këtë pjesë Satanai fut në kurth Jezusin, ndërkohë që ky po agjëron për 40 ditë në shkretëtirë, për plot tre herë: i sugjeron që të transferojë gurët në bukë (provokim të cilit Jezusi i përgjigjet menjëherë me frazën e famshme “Njeriu nuk jeton vetëm me bukë”); e fton që të hidhet nga maja e tempullit, që engjëjt të rendnin për ta shpëtuar; dhe në fund i premton të gjithë mbretëritë e botës në këmbim të adhurimit për të. Metafora këto, respektivisht, të kënaqësisë së trupit, të pushtetit dhe të autonomisë nga Zoti.
Por edhe Satanai i ungjijve nuk ishte një risi absolute: kishte precedentë në dy linja të kulturës hebraike, që i takojnë shekullit të fundit para Krishtit. Linja e parë përfaqësohet nga Esenët, një sekt hebraik heterodoks të cilit ndoshta i përkiste vetë Jezusi kur ishte i ri. Linja e dytë përbëhet nga “letërsia apokaliptike” judaike, që sot hebrejtë dhe të krishterët (përveç koptëve) e gjykojnë apokrife, por që një herë e një kohë pati ndikim mbi të dy besimet.
Apokaliptik
Esenët e konceptonin botën si një fushëbetejë mes “dritës” dhe “errësirës”. Në një tekst të tyre thuhej: “Nga engjëlli i errësirës buron çdo lloj lajthitjeje… shpirtërat si ai kanë qëllim që të bëjnë të rrëzohen bijtë e dritës”. Dhe duke qenë se Esenët besonin tek pavdekshmëria e shpirtit, ata formuluan të parët konceptin e Ferrit. Historiani Giuseppe Flavio shkruante për ta: “Shpirtërave të këqinj u rezervojnë një shpellë të errët, një vend torturash të pafundme”.
Precedenti tjetër është “letërsia apokaliptike”, dhe në mënyrë të veçantë Libri i Enokut, që padrejtësisht është thënë se është vepër e një patriarku homonim, gjysh i Noes, por që në të vërtetë është shkruajtur pak kohë përpara epokës kristiane. Ai tekst flet (për herë të parë në mjedis hebraik) për engjëj rebelë ndaj Zotit. Thotë se 200 prej tyre zbritën në Tokë, u mësuan njerëzve arte të fshehtë, patën raporte seksualë me shumë gra, krijuan trazira në botë dhe në fund u dënuan me burgosje deri në ditën e gjykimit. Shën Agustini (354-430), babai i Kishës, ishte ndër më të vendosurit në refuzimin e Librit të Enukut, duke e quajtur thjeshtë një teskt erotik, pjellë e fantazisë. Por të krishterë të tjerë, para tij, e kishin marrë atë tekst si flori të kulluar: polemisti Tertulliani (145-230), filozofi grek i sipërpërmendur Origjeni dhe filozofi Giustini, shenjt, martir, ndër baballarët i Kishës edhe ai. Një frazë e këtij të fundit është elokuente, sepse fotokopjon Enukun: “Engjëjt nuk iu bindën urdhërave të Zotit, u çiftuan me gra dhe bënë fëmijë, domethënë të ashtuquajturit demonë”.
Engjëll i rrëzuar
Kështu teologjia e krishterë, edhe kur refuzoi apokrifin, ruajti idenë që Satanai ishte ndoshta një ish engjëll. Dhe ripeshkoi një tekst biblik të shekullit VI para Krishtit që thoshte: “Ti, bartës i dritës, bir i aurorës, përse ke rënë nga qielli?” (Isaja 14:12) “Bartësi i dritës” u bë kështu Luciferi, engjëll i dënuar sepse u rebelua ndaj Zotit. Sot, megjithatë, shumë biblistë i japin një tjetër domethënie asaj fjalie: “Isaja nuk fliste për djallin por për ambicien e tepruar të një mbreti babilonian”, pohon studiuesi autoritar amerikan Luther Link, docent në Tokio.
Pasi u vendos ideja që e Keqja ishte ndoshta vepër e një ish engjëlli dhe e dënimit të tij, teologëve të krishterë u mbetej një problem i hapur: ku ishte vendqëndrimi i Satanait? Mbi apo në tokë? Ideja që ekzistonte një ferr i nëndheshëm, me vendndodhje në Mesdhe, për të krishterët e parë nuk ishte kaq e padiskutueshme. Në fakt në letrat e Shën Palit gjenden përmendje të “shpërtërave të së Keqes që banojnë në zonat qiellore”. Dhe pak më parë përmendje të një “princi të fuqive të ajrit, ajo frymë që tashmë beson tek njerëzit rebelë”.
Për të transferuar Satanain në ferr, më shumë se sa tekstet biblikë apo esenë, ishin mbi të gjitha prurjet kulturore greko-romake. “Vizioni përtejbotëror i grekëve”, shpjegon Francesco Bertolini, docent i letërsisë greke në Universitetin e Pavias, “parashikonte dy botë të përtejme: një të nëndheshme, Hadin, dhe një tjetër në skajin tjetër të Tokës, Elisin. Hadi, si vendqëndrim i shpirtërave të të vdekurve përshkon praktikisht të gjithë letërsinë klasike. Një tekst i rëndësishëm që e përmend është Fedoni i Platonit. Por përshkrimi më i famshëm është tek Odiseja, kur Uliksi zbret në Had për të takuar Tiresian.
Sigurisht që mes botës së përtejme pagane dhe ferrit të krishterë kishte disa dallime. “Mbi të gjitha”, vazhdon Bertolini, “Hadi nuk ishte domosdoshmërisht një vend ku jepeshin dënimet për një jetë me mëkate. Përkrah personazheve përgjegjës për faje shumë të rëndë – Tici, Tantali, Sizifi – të dënuar me ndëshkime ekzemplarë, kishte heronj protagonistë të bëmave të lavdishme, si Akili, Agamemnoni dhe Ajaksi”. Veç kësaj, në Had nuk mbretëronte një monstër e tmerrshme, por një perëndi vëlla i Zeusit, me një pamje tërheqëse dhe fizik atletik.
Mund të habisë por edhe djalli paleokristian kishte një pamje të mirë: feminist dhe joshës, ai ishte më shumë Lucifer se sa Satana. Pamja ndryshoi vetëm në Mesjetën e vonë, kur Kisha, tashmë antagoniste ndaj pushtetit të vendosur ishte shndërruar ajo vetë në pushtet absolut. Pikërisht atëherë ish “princi i ajrit” mori në imagjinatën kolektive figurën e njohur: i tmerrshëm, bishë, i frikshëm, siç shfaqet në disa afreske të famshëm të Giottos, dhe të Beato Angelicos apo në përshkrimin e paarritshëm që i bëri Dante tek Komedia Hyjnore.
Monstruoz
Rilexojmë pështjellimin e Aligierit kur takon “mbretin e të Keqes”: “Oh, sa mrekulli që më dukej mua / kur pashë tre fytyra në kokën e tij! Por tre fytyrat nuk mjaftonin për të kallur frikë. Për këtë arsye pak më vonë poeti e shtonte dozën. Cfarë kishte të përbashkët ai monstër me tre kokë, me krahë, me Zotin e pashëm Hadin? Asgjë, përveç vendbanimit nëntokësor. E njëjta gjë mund të thuhet për demonët me brirë të Giottos dhe Beato Angelicos.
Tiparet kafshërorë të djallit të sapolindur mesjetar sillnin në vëmendje të tjera perëndi pagane: keltin Cernumnos; etruskin Tukulka, hyjni e nëntokës toskane, me krahë dhe gjarpërinj në vend të flokëve; por mbi të gjitha perëndinë greke Pan, i egër dhe përdhunues, me brirë dhe këmbë cjapi. Pan ishte më jonormali mes hyjnive pagane: i shëmtuar (e ëma, nimfa Driopi e braktisi që në lindje, e terrorizuar nga pamja e tij), i egër (nuk jetonte në Olimp por në malet Arkadia), i tmerrshëm (edhe prej ulërimave me të cilat lajmëronte praninë e tij) dhe i dhënë pas kënaqësive të trupit (i dhënë pas masturbimit, biseksualitetit dhe dhunës seksuale). Mbi të gjitha prej tij u frymëzuan artistët e mesjetës kur pikturonin djallin.
Kjo zgjedhje u pasqyrua në një kthesë teologjike. Në vitin 1215, gjatë Këshilit IV, Kisha kishte nxjerrë një dokument-kyc (i njohur si Firmiter) ku rendiste disa parime doktrinorë. Një prej tyre thoshte: “Djalli dhe demonët e tjerë janë krijuar të mirë nga Zoti, por ata vetë janë transformuar në të këqinj. Më pas njeriu ka mëkatuar i joshur prej demonëve”. Ishte fitorja e Origjenit, pas vdekjes: kështu historia e Luciferit-Satanait u shndërrua në dogmë të fesë.
Focus
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Google+ Followers