Për ty që të dua - Koçi Petriti


Homazh poetit që u përcoll dje në banesën e fundit, Koçi Petritit. Ai hyri në letërsi me “Lirikat e majit”, një libër që qe i pari dhe për çudi mbeti i freskët ndër gjithë ç’shkroi e botoi më pas, një libër emblematik për poezinë e tij. Me këtë përcaktim poeti Sadik Bejko shënon mesazhin, si shenjë e gjurmë e poetit duke i takuar brezit të poetëve që erdhën pas viteve ‘60 si J. Bllaci, A. Mamaqi, Musa Vyshka “të cilët me librat e parë dëshmuan kërkesat për një art jopropagandistik, për një gjuhë të freskët jashtë shtampave, për një poezi të intimes, të ngjyrës, të natyrës dhe të humanitetit”. Mbijetesa e këtij brezi, thotë Bejko, në jetë dhe në art ka kërkuar shumë mund dhe shumë përkushtim, shumë talent dhe pak ose aspak mjedis mirëpritës.
  

Për ty që të dua

Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë

Unë emrin tënd s’e kam vënë në asnjë vjershë
E s’do ta shkruaj as në vargun më me bujë
Kjo do të thotë që gjërat me peshë
rrinë në thellësi dhe është zor t’i ngresh mbi ujë


Dashuri

Ish nje vajze e ish nje djale,
vajza e donte e djali e donte,
po Shkumbini i madh me vale
i kish ndare e s’i bashkonte.

Dhe therrisnin: O o o, te dua!
po kjo klithme e lashte fjalesh
u degjohej: Jooo, s’te dua!
neper thashetheme valesh.

E humbisnin te dy shpresen
e shpresonin prap me teper,
sic humbet dhe drita vesen
dhe e gjen mengjesin tjeter.

Ooo, te duuaa, nisej fjala,
Jooo, s’te duuaa, mberritne zallit,
vajza thosh: Me pifte vala!
Te perpifte! I vinte djalit.

Bot me buze, bot me duar
anes dallgeve nderkryer,
here per jete dashuruar,
here per vdekje te zhgenjyer.

Hidhnin fjalen ta kalonin,
shprishej porsi plisi i kumit,
hidhnin gurin te qellonin,
binte mu ne mes te lumit.

Nje cast lumi s’ish me lume
mes dy brigjeve te mallit
dhe u bind e ra ne gjume
dhe u hap e fjeti zallit.

Rendi vajza e rendi fjali
sa u ngrit nje ere e marre,
qe rrezoi shkembinj nga mali
e nje bresher qe s’ish pare.

Zgjaten duar, vune gure,
shtruan dhimbjet qe nuk thuhen
gjer mbi lume u bene ure,
te kalojne ata qe duhen.

***

S’rri dot me ty,
s’bëj dot pa ty,
nata ka vesh,
dita ka sy.

Fshehur po dal’
vjedhur po hyj,
nata ka vesh,
dita ka sy.

Nën qiell veç,
nën dhe të dy,
s’rri dot me ty,
s’bëj dot pa ty.



Ju kujtova te gjithave juve qe them se ju desha


Ju kujtova te gjithave juve qe them se ju desha
qe nga m’e hershmja
gjer tek e vona,
ate qe ish e paputhura,
ate qe ish virgjeresha,
ate qe ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.

Ate qe flijoi per tre grosh dashurizen e pare
ate qe briroi fill pas muajit te mjaltit nen mua
ate qe nguroi n’udhekryq djall a ëngjëll te marre
ate qe kuptoi qe s’e desha, qe sapo i thashe “Te dua”

Ja, po me ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve
te ndryshme, te shumta si ngjyrat, si zogjte
ju fluturuat mbi prushin epshor te pasioneve
donit te ngroheshit, pendet e bukura dogjte

Vjen perendisht edhe ti qe te desha se pari
pikez e arte, flurorja, si rreze e perthyer mbi lote
te shtrij e te shkoj permbi buze serish si dikur nje fill bari
ti nis kendon edhe qan: Dashuria ben xhiro ne bote!

Prap une u desha pa ty
ti prape u puthe pa mua
erdhen pas teje te tjera, shuan c’rindizet e digjet
erdhen, po s’hyri askush gjer ne pronat e tua
mes njeri tjetrit shkon lumi qe ndan e bashkon te dy brigjet

Zbriti dhe suta e Veriut
mbrriti edhe krrilla prej Jugut
une i pranova te gjitha, te gjitha,te gjitha
toka, grua beronje, palluar prej plugut
qan kur s’ngarkohet me peme
qesh kur mbulohet me drithra

Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
hirin henor te flijimit kalimthi ma shkundi
brymen e ikjes pa kthim me brymoi permbi vjersha

Une keshtu dimeroj gjer ne flirtet e vona
here i rishuar, here i rindezur, sa mund
jam gati cdonje ta ridua sikur t’ish vertet Dezdemona
pastaj ta harroj si nje liber qe s’mund ta lexosh gjer ne fund.


Baladë për Shahin Matrakun

Gur mbi gur me gurë gjaku
Shkolla e Vajzave u ngrit,
po ç’kërkon Shahin Matraku,
ç’bën këtu dhe ky komit?

Rri ai në prag të shkollës,
rri mbështetur mbi dyfek,
nën opingë e ngrënë e shollës
si thëngjill për udhë e djeg.

E thërret të dale prej dere
ta braktisë atë sokak,
Guri i Kamjes plot limere,
që ka mbetur pa kaçak.

E pret Gora shpellë pas shpelle,
kush për mbrojtje, kush për hall,
po mbi pale fustanelle
shkrimin shqip ai po shpall.

E nuk shkulet, jo, prej portës,
s’bën më prita mbi shkëmbinj,
se bastis dhespoti i Korçës
me sarafë e me myftinj.

E me helm e gjuhë zuzare,
dhelpra e zezë Mitropoli,
vjen t’u djegë abetaret
vajzave që mbron ai.

Mbledhur te ky prag së largu
shkronjat shqip këndojnë ato,
shkronjat që Shahin Matraku
nuk i njeh, po shumë i do.

Këngë për Isa Boletinin

Fush Kosova desh një mal
me Korabin tok të rrinin
dhe mbi djep të saj u ndal
rriti Isë Boletinin.

Dhe kur shkrep e bubullin
mbi Danub e mbi Ballkan,
ball’ i burrit Boletin
brof e bubullimat mban.

Baladë për Themistokli Gërmenjin

Trembëdhjetë Bilbilenjtë
vane vetë në litar
kush kërkoi krëhër të krihej,
kush të dridhte një cigar.

Kush kërkoi të hidhte valle,
kush mbi shkëmb si shkëmbi ngriu
rritej nga çdo vdekje e madhe
kapedan Themistokliu.

Dhe në prag të pushkatimit
shkreu tri thënie të mëdha,
tri rrufe të një gjëmimi,
sa për njëqind mijë dogra.

Dhe kërkoi t’ia zgjidhnin sytë,
sytë e lidhur me shami,
të vështronte drejt në tytë
sip o nisej vdekja e tij.

Dhe kërkoi të thosh një këngë,
shqiptarisht i veshur krejt,
dhe këndoi siç këndon rëndë
veç një burrë në njëqind vjet.

Dhe kërkoi së treti, i qetë,
që xhelatit pushkatar,
do t’ia jepte shënjën vetë,
vetë t’i bërtiste: “Zjarr!”

dhe u drodh njeriu dhe guri
nën tri shkrepjet e mëdha,
se gjëmimi i atij burri
ish sa njëqindmijë dogra…

Baladë për Sali Butkën

Gjëma e gjaktë që gjet shteg
e që dihet nga u nis
si dëborë e bërë ortek
mal më mal u rrokullis.

Mbi dy supe orteku u ndal,
mbi dy supe orteku u rrit,
njëri ish Gramozi mal,
tjetri ish Saliu komit.

Mali u ngrys e burri u mvrenjt,
kur atdheu mend u gremis,
mali burrit iu mbështet,
burri e mbajti me kurriz.

Pastaj brofën tok të dy
një me shkëmb, një me dogra,
njëri kish vetëm një sy,
tjetri kish vetëm një krah.

Dhe ky burrë ish Butkalliu,
një rrufe që shëmb çfarë gjen,
që përkrah Themistokliut
nxjerr djaloshin Bellkamen.

Petro Nini fjalëflamuri
e mëkoi me shqipet shkronja,
brenda gjoksit t’atij burri
rrahu krahët veç shqiponja.

Dhe shqiponja iu përgjak
po s’iu ndal e po s’iu step,
vjershat vjershëtorit plaak
gur më gur ia shkroi me sqep…

Kaq here hasmi rrezikzi
prej Tomorrit në Gramoz
sa e pa me thonjtë e tij
bëri varr dhe u varros…

Bëri varr e s’bëri zë,
u hap shkëmbi e përpiu
se do ish më keq për të
pot a zinte gjallë Saliu.

Zemrën thonë me kockë e kish,
siç ia deshte mëmëdheu,
edhe syrin që iu prish
pa ilaç në Evropë e krreu.

Që shënjestrën nëpër të
ta vështronte mirë Saliu,
të dy sytë i bëri një,
bebja përmbi thep i mbiu.

Kurrë, tha plaku Butkalli
dhembjen s’do ta mbyt me gjumë,
gjersa nënia Shqipëri
dhembje ka më shumë se unë.


Iku një Lirik i madh
In memoriam Koçi Petriti

(elegji)

Nga  Përparim  Hysi

Lajmi i beftë na goditi
Iku dhe Koçi Petriti!
Nga lirikët më liriku
Kë vallë lajmi nuk e piku?

Nuk shkroi pak: mbi 5 dekada
Qe lirik që shkroi balada.
Në fillim shkroi “Lirika maji”
Askurkush s’harron kollaj.

Ndër lirika bëhej tym
Si tek “Firma e popullit tim”
Ju kujtohet “Prush në shekuj”
Vdes të gjallë e ngjall të vdekur.

Nëpër vargje ia bën prima
Vetëtimë mbi vetëtima.
“…ky vend qeth lesh nga deshtë e tij
Dhe vesh me triko tri Greqi”
Ja, kështu, këndoi në vargje
Edhe mbushte përplot magje
Në lirika të dashurisë
Poezi që bëheshin “bizz”.

Në lirika duft Poeti
Aty mjalti dhe sherbeti
Jeta e tij në teh të shpatës
Sepse ditë s’i tha dot natës.

Jeta e tij njohu kalvar
Pas të lartës, shkoi ushtar *
Drejt e në repart të punës
I kish “borxhe” diktaturës.

Veç kur erdh demokracia
Zu poeti vendin e tija
Pedagog në fakultet
Dhe aty mbeti Poet!

Tash, sa iku! Para kohe
Kush s’lëshoi regëtima “ohe”
Ne, lexuesve, na dhemb shpirti
Jo. Nuk vdes Koçi Petriti!

Rron në vargje. Rron në zemra
Me lirikat aq të ëmbla.
Sa për vete, s’ndihem mirë:
Nuk them dot: Lamtumirë!

Tiranë, 20 prill 2014

Google+ Followers