Letërsia për fëmijë, në udhëkryqin e zhvillimit

Nga Sazan Goliku
Në mungesë të një kritike letrare serioze, që ndjek hap pas hapi krijimtarinë për fëmijë, e cila vlerëson e rivlerëson me përgjegjësi estetike dhe etike dukuritë, prirjet, cilësitë e dobësitë letrare, është e vështirë të japësh një mendim sadopak objektiv, edhe pse mund të kesh lexuar një pjesë të konsiderueshme librash të kësaj pjese të letërsisë sonë. Gjithsesi, jam i mendimit se në këta 20 e ca vite të tranzicionit, letërsia për fëmijë është lëvruar larg skemave tradicionale dogmatike. Kjo i ka dhënë më shumë liri fantazisë së krijuesve më të zëshëm të kësaj letërsie
Procesi i zhvillimit, ka ngritur dukshëm cilësinë artistike të veprave. Por gara midis disa krijuesve mediokër,ka bërë diferencimin midis vlerave të vërteta dhe antivlerave. Sot boton gjithkush, pavarësisht se sa i përgjigjen këto botime, qoftë dhe nivelit mesatar të letërsisë aktuale. Kjo “garë”, ka nxjerrë në pah disa paradokse. Dikush, që i ka mundësitë financiare për të botuar një seri me libra, i ka edhe mundësinë për reklamimin, promovimin dhe përpunimin e opinionit të rremë për mbivlerësimin dhe tregtimin e tyre. Ndërsa një tjetër,që nuk i ka këto mundësi,edhe pse krijon vepra me vlera,që i përgjigjen nivelit të letërsisë së huaj moderne për fëmijë, mbetet nën hije, si viktimë memecërisë së kritikës profesionale.
Mospërputhja mes pamjes së jashtme, teknikës së lartë të shtypit, nga njëra anë dhe vlerave artistike të librit,nga ana tjetër, është një fakt jashtëletrar,por që ndikon dukshëm në perceptimin e letërsisë për fëmijë. Dihet, që kjo lloj letërsie e ka të nevojshme ilustrimin figurativ, sidomos për moshat më të vogla. Është e veçanta e saj në rrafshin psikologjik e pedagogjik. Për fat të keq, po të bëjmë një përqasje të ilustrimeve të letërsisë së huaj për fëmijë dhe atyre të letërsisë sonë, vërehet dukshëm ndryshimi. Dhe kjo ka një sërë faktorësh që përcaktojnë këtë disnivel. Për të shpjeguar këtë dukuri negative,duhen analiza serioze profesionale e artistike, arsimore dhe edukative. Nuk mund të flitet për shpërdorim vetëm nga ana e botuesve, por edhe nga ana e piktorëve,të cilët i kopjojnë ilustrimet nga interneti, ose nga librat e huaja.
Ngritja e nivelit artistik nga vetë autorët për fëmijë kushtëzohet nga talenti, kultura, dijet e përgjegjësia e tyre krijuese. Ja pra ç’kërkohet. Nuk mund t’u ofrosh fëmijëve të sotëm vepra letrare po me ato dobësi e të meta si dikur, kur fëmijët donin s’donin gëlltisnin çfarë u servirej në shkollë e jashtë saj, sepse mungonin filmat, televizioni, interneti, si dhe botimet cilësore nga letërsia e huaj.
Sot, natyrisht, nuk mund shmangësh botimin e librave, që vuajnë nga mungesa e fantazisë, prozaizmi e varfëria e mjeteve shprehëse e stilistike, nga mungesa e një gjuhe të rrjedhshme e të këndshme, nga skematizmi dhe mungesa e origjinalitetit, por kritika letrare, media, prindërit, shkolla e institucionet përkatëse duhet t’i ndihmojnë fëmijët për të pasur në duar e në bibliotekat e tyre librat me vlera të vërteta artistike.
Po, edhe për sa kohë do të mbetemi te fjala “duhet”? Duke qenë se kritika letrare për letërsinë për fëmijë ka mbetur në nivele recensioni dhe është sporadike, kuptohet që ndikimi i saj është i mangët. Studiuesit tanë të njohur të kësaj pjese të letërsisë si Xhahid Bushati, Astrit Bishqemi, Agim Deva, Vangjush Saro, Faik Shkodra, Bardhosh Gaçe, Xhevat Syla, Milaim Nelaj etj., kanë dhënë ndihmesë edhe në kritikën korente. Problemi qëndron te mungesa e nxitjes morale e materiale për kritikën dhe te formimi i kritikëve të rinj, si nëpërmjet studimit universitar, ashtu dhe pasuniversitar.
Libri “Ekskurs në letërsinë për fëmijë” i kritikut të mirënjohur, Ramadan Musliu, është një shembull i seriozitetit, thellësisë e profesionalizmit të analizës kritike dhe i interpretimit origjinal edhe të letërsisë për fëmijë. Me të drejtë te libri “Tangjentet letrare”, ai arrin në përfundimin dialektik se “kritika dhe kriza e saj është pasqyrim i krizës që po ndodh brenda letërsisë, pas ndryshimeve të mëdha në shoqëri e me këtë edhe në vetë vetëdijen qytetare dhe kulturore të mjedisit”. (f.13)
Ka ardhur koha si imperativ për daljen e një reviste të specializuar për kritikën. Po kush mund e duhet ta marrë nismën, cilët do të jenë mbështetësit veç institucioneve përkatëse? Është turp ta themi, por bota e qytetëruar tregon kujdes e dashuri të madhe për letërsinë për fëmijë, kur te ne ka vite që nuk është bërë e mundur të shpallet një konkurs letrar, që bibliotekat e shkollave, të lagjeve e të fshatrave nuk pasurohen me përparësi nga shteti, që nuk botohen antologji me krijimet më të arrira, që shkrimtarët për fëmijë shikohen me syrin e njerkës së keqe dhe shpërblehen në mënyrë qesharake nga botuesit.
Le të mos shkojmë larg në Europë, po këtu,pranë kufijve tanë,në Kosovë, Maqedoni, Bullgari… dhe do të bindemi, se ku jemi..Patjetër që do të skuqemi vetvetiu edhe para kolegëve të “racës” sonë.
*Kryetari i shoqatës së shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë

Google+ Followers