Ëndërr egjiptiane

Nga Bozhin Pavlovski



Kush është Bozhin Pavlovski 

Autori Bozhin Pavlovski njihet si tregimtar dhe romancier . Ka lindur më 7 janar 1942 në Zhvan të Demirhisarit . Ka mbaruar Fakultetin e Filozofisë në Shkup . Ka shkruar librat : “Lojë dashurie, “Miladini nga Kina”, “Kthim në përrallat”, “Varre të lëvizshme” dhe shumë romane të tjera , skenarë filmash , tregime etj. Është drejtor i një shtëpie botuese në Shkup dhe në Melburn të Australisë. 


....Prej këtu deri te vendi ku Moisiu ka marrë Urdhrat e Zotit nuk është larg, me makinë është rreth tri orë, me autobus pak më shumë. Emona mban timonin dhe tregon për arsyen me të cilin redaktori përgjegjës i Al Akbarit e ka dërguar në Malin e Sinajit.
“Po pres një tregim të denjë për faqen e parë të gazetës. Njëfarë murg i ri, me emrin Nikodimos, nga manastiri Shën Ekaterina ka aderuar në lëvizjen amerikane për demistifikimin e Jezu Krishtit”, shpjegon Emona Amanur.
“ Në Amerikë u është dhënë publicitet shumë teorive të guximshme për Shpëtimtarin tonë. Demokraci, dialog të hapur për gjithçka”, them unë , duke ndjekur me sy karvanin e deveve tejet të ngarkuar.” Ska këtu ndonjë sensacion”, shtoj unë .
“ E di, e di . Është më ekstrem mendimi i tij se Jezu Krishti ka qenë homoseksual”, thotë Emona duke bërë një grimasë që tregon çudi dhe kërkon muzikë në radio.
“ Më duket se e njoh murgun”, them unë dhe kujtohem njëherësh për faqet e para të dorëshkrimit “ Polemikë me Zotin”.
Emona duket e kënaqur dhe thotë me gëzim: “Aq më mirë , do të më ndihmosh në bisedën me këtë njeri të guximshëm”.
“ Pse i guximshëm?”, pyes i habitur.
“Po ai ia ka dedikuar veten Perëndisë , nuk është njeri i thjeshtë, që të ketë vendosur të zbavisë pak botën. Prej këtej dalin dhe problemet e tij . Kam lexuar për profesora universiteti , që mendojnë kështu, apo ndryshe për Jezusin , por më duket se kjo është hera e parë kur një murg del kaq radikalisht kundër dogmave fetare”, përgjigjet Emona.
“Kanë për të dëbuar nga manastiri “, komentoj unë.
“Mbase edhe e vrasin “, shton zonjusha.
Marrim rrugën drejt oazit Faran, rrugët bëhen edhe më të vështira dhe të ngushta . Më në fund shohim para nesh manastirin “ Shën Ekaterina”, i mbrojtur rreth e përqark me mure të lartë .Tashmë rrugës takojmë grupe murgjesh , pastaj kalojmë dy deve të ngarkuara me mallra për manastirin. Ndihet lartësia, ajri është i pastër dhe i lehtë , ndiej një farë lehtësimi shpirtëror të cilin Tolstoj e quan qetësia e përjetshme. Përballë kemi malin e Moisiut, atje ku ai ka marrë Dhjetë Urdhrat e Perëndisë. Një emocion i fortë shkakton ethe në trupin tim.
Nuk mund të mos vihet re kureshtja e murgjve. Në një cep të këndshëm të konakut na sjellin çaj të ngrohtë. Tingujt e kambanave të pasdites janë për mua një emocion i ri edhe më i fortë, Emona nuk i vë re . “Qetësi hyjnore”- them unë i admiruar.
“ Po këto fjalë tha dhe baba im, kur shkuam në Mekë, dhe qëndruam para mureve të Kabas”, thotë Emona Amanur.
Pritja e zotit Domijanis, arqipeshkv i Sinajit, është shumë e përzemërt. Para se të hapet biseda për murgun Nikodimos, ai na flet për rregullat e manastirit , për numrin e murgjve në të, si dhe për ata që janë jashtë, nëpër shpellat e Sinajit. Nuk pyet për fenë e Emonës, me siguri është i informuar pas telefonatave nga Al Akbar, kur i kërkuan që të na presë. Flet për miqësinë tradicionale me beduinët nga fshatrat përreth, për ndihmesën reciproke me ta dhe për vëllazërimin. Ka një zë të fortë, të qëndrueshëm, shpesh në fytyrë i lodron një buzëqeshje e lehtë, me siguri mendon pyetjen që do të vijojë.
Përsëri servirin çaj.
Tashmë Emona ka nxjerrë bllokun e shënimeve dhe kamerën dixhitale . Zoti Domijanos i thotë me zë të ulët duke buzëqeshur : “Ktheje teknikën në vendin e saj”. Dhe ajo vepron pa fjalë.
“ Duke patur parasysh daljen serioze dhe publike të murgut cili do të jetë dënimi i tij ?”, pyet Emona dhe pret gjithë vëmendje përgjigjen gati për ta shkruar.
“ Praktikisht asnjë. Superiori i tij e ka këshilluar të hidhet nga ndonjë shkëmb. Dënimi im është human, ia hoqa emrin nga regjistri i murgjve dhe i kërkova të largohet nga manastiri. Le tu bashkohet mësuesve të tij amerikanë, deri sa nuk sheh ndonjë kërcënim nga një konflikt i brendshëm në shpirtin e tij. Jeta e tij rinore tashmë është në duart e tij”-dhe këtu arqipeshkvi bën një pauzë të madhe, me siguri pret një pyetje te re.
“Po çfarë po thonë këshilltarët tuaj?”- vazhdon të interesohet Emona.
Zoti Domijanosi bëhet i heshtur , sikur trupi i tij ka mbetur pa energji, pastaj prek me dorë mjekrën e tij dhe i drejtohet Emonës: “Pavarësisht se ata kërkojnë një dënim dragonian , unë nuk mund të zhduk një jetë të re. Kreu ynë më përkrah”, thotë me vendosmëri.
“ Si kanë vepruar paraardhësit tuaj në raste të tilla ?- pyet energjikisht Emona .
“ Nuk është regjistruar një rast të tillë”, përgjigjet arqipeshkvi.
“ A e rrezikon një fund tragjik murgun”, këmbëngul Emona .
“ Përsa kohë është nën mbrojtjen e këtij manastiri siguria e tij është e garantuar. Ska gjë se këtu shumë veta e humbën toruan dhe arsyen sa i përket qëndrimit ndaj djalit fatkeq. Këtu ku unë pyetem për gjithçka nuk ka rrezik. Kur del jashtë mureve tona , Zoti e ndihmoftë, le ta mbrojë ai nga fanatikët tanë “ , psherëtiu Domijanosi .
“ Ai beson në Zot?- vazhdon Emona me pyetjet e saj të mprehta.
“ Mendoj se beson. Ka lexuar shumë libra për Shpëtimtarin tonë. Është tepër i arsimuar për vitet që ka”- përgjigjet arqipeshkvi.
“ Dhe është i bindur, se ai prapë se prapë është homoseksual”- ngulmon Elona .
“Se di. Duhet të flasësh me të, sipas meje, nuk është e udhës të arsyetohet në këtë drejtim”, shpërthen Domijanosi .
“ Kur mund ta shoh?”- nxiton gazetarja .
“ Kur të largohet nga manastiri . Kur të jetë siguruar dhe vendi pa rrezik për nënën e tij”- përgjigjet Domijanosi .
“ Pse edhe ajo është e kërcënuar? “- pyet si me habi Emona.
“ Nuk do të jenë të paktë ata që do të duan të vendosin drejtësi në emër të Shpëtimtarit”- thërret Domijanosi dhe i ngre duart i pafuqishëm .
Plot me ide gazetareske dhe emocione të forta Emona largohet në dhomën e saj.
Unë mbetem me shoqëruesit e mi dy murgjit e moshuar Asanosi dhe Stefanosi . Përballë nesh Shkëmbinjtë e Moisiut më duken kërcënues ..
“ Ku është tani vëlla Nikodimosi ?” pyes me zë të ulët Stefanosin.
“ Vetëm Zoti e di” përgjigjet pa u përqendruar ai dhe largohet .
Mbetem vetëm në çardakun e konakut me sy nga horizonti, i cili u nxi dhe unë prisja shkreptima më kot prej andej ku Moisiu kishte marrë Urdhrat e Zotit. Nuk gjej qetësi nga mendimi se duhet të lidhem me Nikodimosin , i cili sonte do të zhvishet si murg dhe do të dëbohet nga manastiri. Nesër do të takoj një të ri rebel , të cilin e ndiej të afërt , mendoj unë para se të shtrihem të fle.

Përktheu nga origjinali Milena Selimi

Google+ Followers