DY POEME NGA LIBRI QYTETI I LUTJEVE TE REXHEP SHAHUT



Një mijë vjet që pres

         (poemë)



Që kur ike ti
Qyteti në mbrëmje është i shkretë
Si në karantinë kolere.

***
Nga dritarja e botës në majë të Pikllimës
Shoh mos po vjen.

Ka një mijë vjet që pres në dritare.

Sa herë vishen xhamet e kohës me avull
Me gishtat e sosur vizatoj portretin tend.
                               
***
Retë që kanë marrë flakë atje në muzg
Ku po mbytet dielli
Janë flokët e tu.

***
Ai yll që po vjen fluturim drejt dritares time
Ta ka marrë ty dritën e syve për me pa udhën,
Me ardhë tek unë
Në këtë natë të zezë ku ëndërrat po çmenden.

Mos i çel sytë pa mbërri ai yll, mos,
Se ndryshe ylli ka me mbetë në terr,
Ka me ra në hon me gjithë dritë
E s’gjendet më i gjallë.

Mos i çel sytë pa ndjerë puthjen e tyre
Nga buzët e mia,
Se mbetesh pa dritën e syve
E s’ka kush mi bën dritë udhës
Time nëpër natë
Me mbërri tek ti.

***
E dëgjoj trishtimin e hapave tu
Kur kalon rrugës
Si vajtim i vjetër i zemrës së tokës,
E shoh qiellin e vrantë të ëndrrave tua
Dhe buzëqeshjen tënde që pi lotë.

E kuptoj çfarë thonë gjethet e rëna,
Që lëvizin me nderim për ty
Me të përshëndetë
Kur u kalon pranë.

***
Kam harruar si qan shiu në xhama,
Kam kohë që nuk di të lexoj
Çfarë shkruajnë a vizatojnë për fatin tim,
Pikat e tij tek rrjedhin me shqetësim
Dhe ngulmojnë të më thonë diçka për veten time të humbur.

Kam kohë që nuk ndalem pranë gjethes që loton,
As pranë gjethes së rënë e të shkelur që vajton fatin e saj
Dhe i fshihet erës të mos e trazojë,
Siç i fshihem unë vetes sime se nuk guxoj ta shoh në sy.

Kam harruar t’i gëzohem vallëzimit të shiut në liqen,
Kam harruar të vallëzoj nën ritmin e tij,
Kam harruar ta takoj veten time edhe pse kam shumë nevojë
Për të, qoftë edhe të vallëzoj një tango të sertë me veten.

Kam kohë pa trazuar muzgun e flokëve të tu,
Pa përkëdhelë gjinjtë e tu që fryhen kur i puth e shtërngoj,
Kam kohë pa provuar drithërimën e trupit tënd si gjeth
Në ujë, kur të puth dhe loz me gjuhë në qafën tënde.

Kam kohë pa qarë për një zog këmbëthyer,
Pa e ndihmuar për ta shëruar,
Kam harruar aromën e puthjes së tyre,
Të merrem me vetën time kam harruar.

***
Zbrit nga maja e dhimbjes së botës,
Kam hapë krahët e të pres me mall,
Zbrit e më ndihmo ta gjej veten time
Ta shoh veten, nëse është gjallë.

***
Ti je kaq e bukur
Ndërtuar me pasionet, përfytyrimet e mia të çmendura.
Në dejet e tua rrjedh gjaku i ëndrrave të mia,
Në sytë e tu, në të gjithën ty, është shpirti im i trazuar
Që ta dhashë ty, të jetoj unë.

Ti je kaq e bukur
Ndërtuar me të qeshurën dhe harenë time,
Me vrazhdësinë time lënduese dhe heshtjen,
Me nxitimin dhe ngutjen time të qortueshme,
Me padurimin tim me të pa çdo çast,
Me vuajtjen time të rëndë,
Pse çastet e mungesës tënde janë të gjata.

Ti je kaq e bukur,
Sa është shpresa e botës,
Sa shpresa e të verbërit për sy,
Sa shpresa e jetimit se do të takojë prindërit,
Sa shpresa e fëmijës se s’do t’i ndahen prindërit,
Sa shpresa e zogjve për t’ia dalë mbi det.

Je kaq e bukur,
Sa nuk e thotë fjala e gjuhës së njeriut,
Më e bukur se malli i fortë i nënës për djalin në luftë,
Më e fortë se malli i buzës për puthje,
Se malli i gruas për tu përqafuar e mbështetë në gji,
Se malli i gjethit për shi a tokës për ujë,
Se malli që tregon loti kur rrëshqet në sy.

Ti je kaq e bukur, o zot kaq e bukur,
Më e bukur se pritja,
Më e bukur se ardhja,
Je kaq e bukur sa të shiton me të pa.
 
***
Lejoje diellin zemër të derdhet në ty,
Të shihet në ty, të mburret me ty.
Mos u fshih në hije, mos u bëj hije,
Ti qesh me hare, lumturohet dielli si unë
Nga e qeshura jote prej dielli.
Le të lozin rrezet e tij me flokët e tua,
Le të ngatërrohen rrezet e diellit aty, 
Le të mbetet dielli balonë në qiell me litarët rreze,
Lidhur e ngatërruar në flokët e tu.

Lejoje shiun zemër të rrjedhë nëpër ty
Në fytyrën tënde, në qafë e në shpirt
Ku unë të puth, rrëzë veshit ku të pëshpëris
Se je më e bukur se mendimi i bukur.
Të rrjedhë nëpër gjinjtë e tu që kallen nxehtësisë
Prej mallit për duart e mia të mëdha.
Qesh sa mundesh në shi, lëshoja sytë qiellit
Bëja me dorë zotit, këndo nëse mundesh
Me melodinë e shiut, mbush grushtin me kristale,
Janë lot malli, beso, mall i qiellit për token,
Malli im për ty.

Lejoje erën të lozë me ty zemër,
Të t’i marrë flokët në hava,
Të t’i ngjeshë teshat për trupi,
Të knaqet me format e trupit tend,
Të knaqet te përkëdhelë gjinjtë e tu,
Të ta ngrejë fustanin lart mbi gju,
Ta mendosh se është përqafimi im i shpejtë,
Kur ti dëshiron të jetë i ngadaltë.
Lëre erën të këndojë këngën e saj,
Në mundsh vallëzo me të, fluturo,
Hip në krahët e saj dhe eja në mua.
Nga pritja jam bërë gur.
 
***************************************************

Më ka marrë malli  
          
           (poemë)

Më ka marrë malli për ty
Si për detin ku mbyten mendimet e mia,
Për valët e tij që lazdrohen në breg
Dhe shkruajnë ëndrra në rërë.
Dallgët nervoze godasin shkëmbin me ngulm
(sa herë më bije me grushte ijeve
më thoje i lig, i lig, se s’të lija të flije
e unë bija në tokë duke qeshë…)

Më ka marrë malli me qeshë e me heshtë,
Me paqtue botën në sytë e tu,
Me e vu kokën në supin tend,
Me heshtë aty me lot në sy,
Me e marrë dorën tënde në dorë,
Me u ngrohë, me marrë prej teje
Gjithë ç’i duhet zemrës time,
Me shpëtue prej zhurmave,
Me u mbushë me qetësi.

* * *
S’kam tjetër veç fjalës
Veç puthjes e heshtjes
Veç ngutjes.

***
U binda se të pëlqejnë dhe i mbron insektet e vogla,
Se nuk më le ta mbysja milingonën që ngjitej gotës time,
Tek digjnim me cigare dhe fjalë heshtjen fjalamane
Dhe shuanim zjarrin e ëndrrave që na digjte sytë.

Unë u binda se ti je diamant, jo gur që troshitesh lehtë
Në honet e mungesës që copton njerinë
Dhe një mijë copa të të bluajë deshpërimi
Ti prapë krenare lufton për lirinë.

Unë u binda se udha ty kurrë nuk të mund,
Nuk të lodh qëllimin fisnik ta mbërrish,
U binda nga ti për një të vërtetë të thjeshtë
Fitohet çdo betejë në jetë, qëllimin veç ta dish.

* * *
Nuk di ta spjegoj pse të dua, siç nuk di
Pse trëndafili ka aq petale sa ka,
Siç nuk di pse shiu ka aq shumë pika
Dhe derdhet në atë mënyrë nga qielli,
Siç s’di ku vlon loti që del i nxehtë,
Pse bora e ka lulen aq të bukur,
Siç nuk di pse ka ditë dhe natë,
Pse ditën nuk i shohim yjet,
Pse deti fle ndonjëherë dhe lumi s’fle kurrë.
Nuk di ta spjegoj pse të dua,
Siç nuk di pse ecim me këmbë e jo me duar,
Pse zogjtë fluturojnë në qiell dhe nuk ecin me këmbë atje,
Pse njerzit nuk fluturojnë edhe pse kanë krahë.

Lulet e fjalëve i merr era
Mos harro : të dua.
 
 ***
Malli për ty u bë si deti që pi lumenjtë e s’ngopet,
Si qielli i natës terr që s’i mjaftojnë yjet për dritë,
Si sytë e të verbërit që nuk ia di ngjyrën diellit,
Malli për ty u bë breg ku nxjerr dufin dallga,
Pritje që rri varë, gjeth që kalbet, udhë e braktisur
Që vajton mungesën e hapave e të hijeve
Buzë shkrumb për buzë si brigjet për urë.

Malli për ty më bën gjinkallë vere
Që plas prej këngës a vajit të vet.

 ***
Të dielën tek vrapoje nëpër det përmbi dallgë
Dridhesha nga frika e lumturohesha me ty.
Njëherë më bëheshe shpend i bardhë, njëherë i zi,
Pastaj bëheshe zemër, pastaj perendi.
Të pashë si i vije këmbët fluturake
Mbi supet e dallgëve te dallga tjetër,
Si nga njëri mal mbi malin tjetër,
Të pashë si kacavirreshe nëpër shpatet e thikta
Të dallgëve dhe s’bije në humnerën mes tyre,
Të pashë si lidheshe në rrezet e diellit,
Që përthyhej në supet dhe shpatet e maleve të dallgëve
Rrezet e diellit që laheshin në det, qeshnin bashkë me ty
Nga bregu më bëhej se rrezet dilnin prej syve të tu.
Të pashë që u kape fort në fijet e ëndrrave tona
U mbështolle me to dhe ma bëre me dorë që larg
Më thirre, më prit se mbërrita, më prit, mos ik
Ku të ikja unë, kur caku i ikjes dhe mbërritjes time je ti.

Zbërtheva brinjët në gjoks
Më lehtë se më zbërthen t’i kopsat e këmishës
Dhe prita plot ankth aty në breg të detit.
Duke qeshë hyre në vendin tënd në të majtë të tij
U nisa drejt fushës me ty në gji.

***
Si ta them verën sivjet,
si ta shkruaj verën pa ty?! 

 ***
Në gjithë ditët e heshtjes tënde 
Jam zgjua pa bletë, fole pa zogj,
Gëzhojë e ndryshkur predhe
Harruar në fushë nga lufta e fundit.

Buzët më mbetën në gojën tënde,
Duart në gjinjtë e tu kur më shkulën prej teje
Dhe më hodhën tej
Si zog pa krahë, pa gjoks, pa zemër.

***
Gjithë kohën që desha me të harrue,
U bëre mendimi im i çdo çasti.

Mungesa jote është e papërballueshme
Frika kur jam pa ty
Është fati i vetëm i keq që më ndjek.

* * *
Nuk e di çfarë shkruajnë sot rrezet e diellit në tokë,
Ç’mesazhe dielli lanë në fytyrën tënde e flokët e tu,
Ç’fjalë dielli sollën për ty.

* * *
Nuk e lexoj dot çfarë shkruhet në hapsirën bosh
Ku derdhet shikimi i syve tu,
Nuk di ta vizatoj veten në fushën e mungesës
Në shikimin tënd të turbullt,
Por di ta fotografoj çastin kur më le pa frymë,
Përfytyrimi se të kam pranë,
Çastin kur zgjat duart të më prekësh
Dhe shtangesh se nuk ke pranë as ajër…

* * *
Ti jë bërë ëndrra ime
A unë ëndrra jote, nuk di
Veç di se u bë kohë
Që s’ka ëndërr pa ty.
 
***
Mos më ler të fle,
Mos më ler të fle gjatë se kam frikë se nuk zgjohem më,
Dhe qaj e ulëras në ëndërr për ty,
Ulëras sa dridhet dheu kur s’të kam pranë,
Shpërthej si vullkan, bëj mal të ri
E jo më s’po hedh tej dy metër kub dhe që më hidhni përmbi,

Mos më ler të fle gjatë
Nuk mundem pa ty.

***
Gjithë ç’kisha për të thënë
I shkrova në diell.
Vështroje diellin në mundsh
Dhe lexoji në flakë fjalët e mia
Para se të bëhen shkrumb.

Fjalët që doja të thoja ty
I shkrova në qiell.
Retë e bardha a të murme janë njolla boje
I derdha nga idhnimi
Në letrën që ta shkrova ty,
Por ti plotësoji mendimet e mia,
Nëse s’ke harruar të jesh unë.

Gjithë ëndrrat që thura me ty
I derdha në pikat e shiut
E në flokët e borës
Të çelin lule në tokë,
Lotët i derdha në lumë
Për te deti i dhimbjes ku ti qesh,
Përqafon me deshpërim ujin mos jam aty,
Më sheh në pikat e ujit që mbeten në ty
Dhe kot më kërkon me sy nëpër det.

* * *
Ndërsa të pres në mëngjes
Me frymën e ngrohtë që ngrin sa e nxjerr,
Vizatoj fytyrën tënde në ajrin e ftohtë,
Vizatoj buzët, mjekrën, sytë.

E sa përkulem të vizatoj gushën
Sërish më duhet të t’i puth sytë.

***
Ëndrrat e mia i ruan qielli.
Një dorë e padukshme atje,
I shkruan në kujtesën e zogjve dhe yjeve.

Këtë ma thonë shpesh pikat e vjetra të shiut
Kur më bëjnë qull.
Ma thonë flokët e serta të borës
Dhe fishkëllima e erës kur statujën ma ngrijnë,
Udhëve të shkreta ku s’ka fëmijë të luajnë
Rreth njeriut prej bore të nxirë.

Ma thonë yjet e shuar                                      
Sa herë i vizitoj
Te varret.

Ëndrrat e mia një ditë
Do të çelin lule në tokë.

Por unë                                                                                                                                   
Do të jem bërë ëndrra jote.

*******************************************




Google+ Followers