BILAL XHAFERRI,libri me poezi që iu kthye në karton

Prof. Dr. Adriatik Kallulli

Në mbyllje të vitit 1966 qarkulloi i vet mi libër i Bilal Xhaferrit, përmbledhja me dhjetë tregime, “Njerëz të rinj-tokë e lashtë”. Në të vërtetë ky nuk ishte titulli i sugjeruar nga autori. Ai kishte për zemër titullin e ndonjë tregimi të vëllimit, sidomos:”Errësirë e ndriçuar”, “U këput një yll” apo më fort “Përtej largësive” që ishte edhe një nga perlat e vëllimit. Por duke ditur rrethanat tejet të vështira biografike të autorit, ai pranoi titullin skematik “Njerëz të rinj-tokë e lashtë”, mjafton që vëllimi të kalonte në shtyp dhe të qarkullonte. Edhe pse kishte këtë titull që i ngjante më shumë një përmbledhjeje me reportazhe rozë, edhe pse kompozimi i kopertinës ishte i varfër, vëllimi në fjalë qarkulloi duke mos qëndruar në librari më shumë se një muaj. Me përjashtim të ndonjë recensioni të shkurtër dhe ndonjë përmbledhjeje në artikujt panoramikë nuk pat ndonjë jehonë të veçantë në shtypin e kohës. Por shkrimtarët dhe simpatizantët e shumtë të Bilalit e futën këtë vëllim në bibliotekat personale dhe e kristalizuan bindjen se prozës sonë po i vinte një talent shumë origjinal. “Edhe pse përjashta mund të fryjnë e të shfryjnë rrebeshe, brenda në tokë fara lëshon rrënjët delikate e të brishta dhe çel filizën e bimës së ardhme”. Këto fjalë kuptimplotë të personazhit kryesor të kryeveprës “Purporanti” i shkojnë fort për shtat edhe vetë Bilalit. Frynin e shfrynin rreth tij rrebeshe të rrepta, po brenda ndërgjegjes së tij krijuese, fara e shëndoshë lëshonte rrënjë vitale që do të çelnin dhe rrisnin filizën e bimës së ardhshme. I thjeshtë, tej mase modest, konsensual, por edhe tepër kategorik në çështjet principale që kishin të bënin me artin, ai po mendonte e projektonte më së paku dy vepra shumë serize. Një roman dyvëllimësh për epokën e Skënderbeut dhe një roman tjetër për Ilirinë e lashtë. Paradhënie e sigurt e këtij romani është pikërisht tregimi shumëfaqësh “Purpuranti”, ku përfshihen edhe fjalët lapidare të Batos:”Në na shkulshin me gjithë male, atëhere BILAL XHAFERRI, libri me poezi që iu kthye në karton Përse nuk qarkulloi vëllimi poetik “Lirishta e kuqe” vërtet na kanë mundur”. Ndërkohë që mendonte, studionte dhe përgatiste këto dy “luftanije të vërteta, ai trokiti sërish në redaksinë e letërsisë shqipe, me dorëshkrimin e poezive që do të përfshiheshin në vëllimin “Lirishta e kuqe”. Ka qenë saktësisht janari i vitit 1967, kur ia behu në redaksi së bashku em mikun e tij të ngushtë, Namik Mane, të cilit në vitin 1976 do t’i përkushtojë poezinë kuptimplotë “Lule të vona”. Namik Mane thotë të vërtetën në fragmentin e librit “Miku i të gjithëve”, botuar në gazetën “Drita” në numrin e datës 29 tetor 2006, f.4. Për hir të modestisë, ai ka lënë diçka tepër kuptimplotë pa përmendur:”Të lutem, Adriatik, më tha mënjanë, lëre redaktimin e vëllimit që kam paraqitur unë dhe merru vetëm me Bilalin se ky është ku e ku me ne të tjerët. Më bëri shumë përshtypje ky afirmim dhe ky qëndrim thellësisht altruist i Namikut dhe nisa me nxit punën me dorëshkrimin e paraqitur. Dorëshkimi kaloi nëpër procedurat përkatëse: recensime, redaktim, korrekturë letrare e teknike dhe përzgjedhja e miratimi përfundimtar. Bilali u pajtua me të gjitha sugjerimet e redaksisë, që për hir të së vërtetës, synonin pastërtisht mbrojtjen e personalitetit të tij, ende shumë të brishtë për rrethana biografike që tashmë dihen. Vëllimi me tridhjetë e shtatë poezi, njëra e sugjeruar nga redaksia kaloi në shtypshkronjë dhe u botua në një tirazh prej 3000 kopjesh. Bilali mori edhe honorarin shumë modest, për të cilin kishte shumë nevojë, si edhe një kopje të librit të botuar që normalisht duhet të qarkullonte. Ndërkohë Bilali e intensifikoi punën për të përfunduar pjesën e parë të romanit për Skënderbeun. Ndonëse ishte krijues thellësisht i lirë, pra, që respektonte frymëzimet e veta, ardhja e pesëqind vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e organizoi edhe atë që ta nxirrte romanin në kohë. Për këtë qëllim sublim, u shkëput disa muaj nga puna, u zhyt nëpër libra, biblioteka dhe si askush tjetër, vendosi që të kryente një eskursion nëpër të gjitha kështjellat, vendqëndrimet dhe vendluftimet e kryetrimit shqiptar. Me shumë dinjtet pranoi ndihmën ekonomike të dy-tre shokëve që e panë të udhës t’ia jepnin këtë ndihmë, sajoi disa ditë shërbimi nga gazeta “Zëri i Rinisë”, kundrejt dy-tri reportazheve që do të shkruante dhe u nis nëpër destinacionet e përcaktuara nga historianët tanë. Në trajsen e udhës kishte përherë librat përkatës të Marin Barletit dhe Fan S. Nolit. Për më shumë se dy muaj i ra pash më pash Shqipërisë, duke u ngulitur sidomos në Krujë, Kurbin, Laç, Lezhë, Peshkopi, Kukës, mandej në Petrelë, Prrenjas, Berat e gjetkë. Në kthim, në njërin nga këto udhëtime, mundta ta vizitoj dhe ta takoj, në hotelin më të keq të atyre viteve, diku aty ku aktualisht ndodhet Muzeu Historik Kombëtar. Nëpunësi i hopërtelit që s’mund ta dinte se cili ishte Bilal Xhaferri, e kishte “sekuestruar” në dhomë dhe nuk e linte të dilte ngaqë nuk i kishte paguar katër netë fjetje. E gjeta në një gjendje të rëndë, por ama mbi fletoret-dorëshkrime të romanit të ardhshëm “Krastakraus”. Si vajti udhëtimi, e pyeta.- A mblodhe diçka që të vlejti? Dhe m’u përgjigj fjalë pë rfjaël kështu:”Më beso se kam takuar Skënderbeun dhe bashkëkohësit e tij. Pa këto udhëtimi do të isha shumë i varfër. I ndritën sytë dhe pamja e fytyrës së tij mori një shprehje kaq kuptimplotë që mund ta vizatojnë vetëm portretistët psikologë. “Për maksimumi dy muaj, do ta kini romanin në redaksi,- pohoi dhe me të vërtetë e mbajti fjalën. Edhe për shkak të kremtimeve të pesëqindvjetorit, redaksia e përgatiti për shtyp në një kohë rekord. Ndërkohë ndodhi incidenti i padëshirueshëm i diskutimit të romanit “Dasma” dhe punët u rrokullisën keq e më keq. Romani i përgatitur për shtyp, u pezullua dhe u mbyll në arkivë, vëllimi poetik “Lirishta e kuqe”, i paketuar, u dërgua në fabrikën e kartonit në Lushnjë, ku brumatriçja kishte kthyer e do të kthente në lëndë kartoni edhe një sërë librash të tjerë të botuar,- si fjala vjen:”Një biografi të Mark Gurakuqit për Ndre Mjetën, vëllimet poetike të Halil Qëndrës, Petro Markos, Fatos Arapit, një përmbledhje dramash të Mirush Jeros, një dramë dhe një përmbledhje me tregime të Dritëro Agollit, romanin “Një emër në katër rrugë”, i Petro Markos, etj. Shpëtoi fatmirësisht pas disa vitesh ndalimi, vëllimi 9 i veprave të Ismail Kadaresë ku përfshiheshin perlat:”Pashallëqet e mëdha” (1978" dhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981) që qarkulloi më 1989. “Lirishta e kuqe” u destinua të bëhej karton jo për shkak të brendisë së poezive. Por siç u mundova të sqaroj për faktorë jashtëletrarë. Eshtë për të ardhur keq që në këto pesëmbëdhjetë- gjashtëmbëdhjetë vite të shtypit të lirë nuk është kryer asnjë ribotim integral i të gjitha krijimeve poetike që njihen deri më sot si krijime të Bilalit. E vetmja përmbledhje serioze është bërë nga shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë, me inisiativën dhe vështrimin kritik të Sabri Hamitit, më 1995, si pjesë integrale e trivëllimshit për Bilal Xhaferrin. Krijimet e mëposhtme që botohen për herë të parë, përmbëjnë një fakt të ri që na lejon të kuptojmë edhe më mirë personalitetin dhe individualitetin poetik të Bilal Xhaferrit. Ndonëse kanë kaluar plot dyzet vite nga krijimi i tyre ato dëshmojnë për gjerësinë dhe larminë e tij poetike, për individualitetin e stilit, për prirjen reflektive- lirike dhe qëndrimin realist, për universalitetin e ideve, për figuracionin e pasur dhe lëvizjen dinamike, për muzikalitetin e vargut dhe komunikimin shumë të qartë të kumteve të poetit. Ky vëllim poetik dhe këto poezi të reja na bindin se Bilali zotëronte një talent poetik të padiskutueshëm, se është vështirë të argumentosh në është më shumë poet apo prozator. Sepse cilësia në art nuk furnizohet nga sasia. “Vlera e këtij vëllimi (“Lirishta e kuqe” – nënvizimi im, A.K.) që s’e pa dritën e botimit, në mos për gjë tjetër, - pohon me të drejtë poeti Adem Isrefi, mbetet qoftë edhe te vjersha shkëlqimtare “Baladë çame” që do t’ia kishte zili çdo poet yni. Dhe dihet se poetët mbahet edhe me një vjershë... (“Rilindja” 16 shkurt, 1995). Kurse opusi poetik i Bilal Xhaferrit dëshmon bash mirë se ai ka një varg perlash poetike që e kanë dhënë tashmë sprovën e rreptë të kohës.

BIOGRAFI

I lindur me 2 nëntor 1935 në fshatin Ninat të Sarandës, Bilal Xhaferri pa ndërsa i iknin nga duart të dy prindërit e tij. Të pestë fëmijët mbetën jetimë. Nëna e tij, e cila vdiq shumë e re, e la Bilal Xhaferrin në moshën 8 vjeç dhe dy vite më pas i pushkatojnë babanë, cilësuar si përkrahës i fashistëve dhe tradhëtar i vendit. I rritur në një varfëri të tmerrshme, djaloshi provoi mbi supe peshën e familjes që kishte mbetur në mëshirë të fatit. Pasi mbaroi katër klasë fillore, të cilat i ka kryer për dy vjet njëherazi, të parën ditën, të dytën natën, të tretën ditën, të katërtën natën, gjezdiste për të punuar që të ushqente fëmijët e tjerë që ishin më të vegjël se ai. Kur ishte vetëm 12 vjeç filloi punë si shpërndarës letrash dhe gazetash në postën e Sarandës. Më pas, ai mbaroi edhe vitet e tjera të shkollës shtatëvjeçare dhe një shkollë dyvjeçare. Pas kësaj periudhe, vitet gjashtëdhjetë, atij i rrodhën duke u endur e duke kryer punë të rënda. Në këto kohë, deri në vitin 1968, kur Bilal Xhaferri doli hapur me kritikat e tij ndaj romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë, botoi një pjesë shumë të vogël të krijimtarisë si “Balada çame”, romanin “Krastakraus” dhe një vëllim me tregime. Ndërsa vëllimin me poezi “Njerëz të rinj, kohë e lashtë” ia pezulluan pas ngjarjes në LSHA, kur ai mori edhe vendimin për t´u arratisur fillimisht në Greqi, e më tej në Amerikë, ku jetoi deri më 14 tetor 1986. Disa prej bashkëkohësve që e njohën në Amerikë, mendojnë se atë e vranë (e helmuan) në një spital në Çikago. Pjesën më të madhe të krijimtarisë që ai shkroi në Amerikë ia dogjën bashkë me Agjencinë e revistës që drejtonte, vend që i shërbente edhe për të banuar. /milosao

KREDO 

Unë do të këndoj këngën time
Vetëm me zërin tim
Vetëm me timin
Në i patsha mushkëritë të fuqishme
Do ta ngre zërin si buçimë
Po edhe në më daltë nga kraharori veç një
mërmërimë
Prapë, ajo do jetë imja
Vetëm imja
Do të jetë tingulli i dalë nga mushkëritë e
mia.
Nuk vij si një shtëllungë tymi që del nga
oxhaku i fabrikës
Dhe tretet e humbet thellë hapësirës
Nuk vij të digjem si një kometë
Që s’i bën dritë askujt
Veç vetes së vet
Nuk vij të përplas trotuareve
Këmbët e mbushura me baltën e ugareve
Dhe nuk vij
Të shtoj në listpagesat e redaksive
Një emër të ri
Dhe nuk vij
Të shtoj në numrin e poetëve
Një numër të ri.
Secili vjen e sjell atë që ka
Unë sjell zemrën time vëlla.
Ndoshta s’do qe nevoja ta bëja këtë deklaratë
Këtë lloj kredoje, si i thonë
Po, prapë së prapë, më pëlqen
Më pëlqen të them
Më pëlqen të nënvizoj
Se unë nuk përdor njerinë
Si penel për të vizatuar ngjarjet dhe gjërat
Si mjet për të vënë në dukje ngjarjet dhe
gjërat
Por e thur poezinë
Duke patur në qendër të ngjarjeve dhe
gjërave
Në qendër të botës dhe kohës
N j e r i n ë.

DORËSHKRIMET 


Pas vitesh i gjeta përsëri fletoret e dorëshkrimeve
fletoret e dorëshkrimeve që i kujtoja të humbura
dhe kur i solla në shtëpi m’u mbush dhoma
me peizazhe
m’u mbush dhoma me diej e hënë
me muzgje dhe mëngjese të purpura.
Fletët e tyre, si copëza jete
ishin mbushur me kryqe
dhe më ngjanin si fillime rrugësh që mbaronin
në udhëkryqe.
O dorëshkrimet e mia të para!
O belbëzimet e mia të para!
Ju jeni fara
ku ruhen rrënjët e fjalëve të qarta e të kristalta
Ju jeni rrënja
ku pema shpërthen dhe hapet e mbushet
me degë
Ju jeni veza
ku del shpendi që rreh krahët drejt largësive
të kaltra.

SHUSHURIMË VARGJESH 


Si gjethet e pyjeve lartësive alpine
Shushurijnë mendimet brenda vjershës
sime
dhe në mes të vargjeve, si lirishtë e kuqe
hapet zemra ime.
Midis shtigje vargjesh
kalo ti dhe hajde
udhëtar i djersitur
udhëtar i vonuar
udhëtar i kapitur
nga rrugë e mërguar.

POEZI E HEKURT (POEZI E
GALERIVE) 


Përposh në galeritë e hekur-kromit
nuk ka qetësi
Me puls të shpejtë, nën llambat e karbitit
pistolat shkruajnë vargje në thellësi.
Këtu s’valëviten perdet në dritare
dhe s’duket horizonti blu përtej
nuk shndrisin si pasqyrë trotuaret
nuk murmurijnë burimet në zabel.
Këtu dëgjohen veç goditje me vare
dhe plasje minash
tendosen muskujt
djersët shkojnë rrëke
rënkojnë shinat.
Këtu veç ujëra rrjedhin e kullojnë
kudo errësirë,
veç lagështi.
Dhe, pandërprerë, vjen turni e turnin ndërron
Dhe, pandërprerë, pistolat shkruajnë vargje
nën dritën e karbitit
në thellësi.
Pastaj parakalojnë me radhë vagonët
si strofa poezie
të hekurta
të rënda
mbushur plot
me vargje minerale
me vargje larë nga djersa e minatorëve
me copa minerali
që i shkulen gjoksit nga zemra.



VARRIMI I SHOFERIT 

Pashë procesionin e përmortshëm
që përcillte në varr shoferin e ri
shoferin e vrarë në kufi
Ishte mbrëmje me borë
dimër
janar
mbi qytetin e moçëm malor
u var muzgu i zymtë
fytyrëvrarë.
Varg i gjatë njerëzish e kamionësh
marshe funebër motorësh
Në vend të temjanit
mbushte rrugën erë e karburantit.
Dhe ishte mbrëmje
Qyteti i moçëm shkëmbor
E vuri muzgun si shirit zije në kraharor.

ARBËRESHËT 


Kështjellat ranë të gjitha
me gjëmë.
E fundit Kruja
Më e fundit Shkodra.
Kanë mbetur në këmbë
Vetëm malet mbi kështjella.
Atdhe
Lamtumirë!
Nëpër fusha, rrotat e qerreve
lënë vraga në baltën e rrugëve
dhe zbresin rënkime drejt bregdeteve.
Mëmëdhe,
Lamtumirë!
Shtyn era e vjeshtës
fletët e këputura
fletët e arta
që shpërndahen si emigrante
shtyn era e mërgimit
drejt rrugëve të pafundme të botës
emigrantët, si fletë të këputura.
Atdheu mbeti
përtej brylit të rrjedhës së jetës
përtej mjegullave të vjeshtës
përtej fletëve dhe shirave që binin
përtej lotëve që rridhnin.
Shtegtuan zogjtë e arbrit
në vise të reja, të panjohura.
Ata që i futën dridhmën
më të fuqishmes perandori të rruzullimit
tani dridhen në lecka
në skelat e huaja
në pragun e dimrit.
Këtu s’bën punë shpata
Këtu s’bën punë trimëria
Si shqipe pa flatra
emigrantët vuajnë nga uria.
Po sytë e pashuar u lëshojnë shkëndija.

ÇAFKA 


Çafka si një copëz shumë e kaltër
hapësirave të detit ngrihet dhe rreh krahët
Nga bregu e shikoj dhe e shikoj përmes stuhive
të lirën bijë të valëve që endet kaltërsive.

VJESHTA 


Tej fashave të mjegullës, mbi shelgje
kuqëlon i vagëlluar horizonti
shigjetë dallëndyshja shket në lindje
Hapësirës enden re, të lehtëza vela
Në oborr të shkollës zilja tingëllon
Mbi plazhet lakuriqe dridhen fletra
Na erdhi vjeshta, veshur me najlon
Na erdhi llërëshpërveshur, gjizbuluar
Fustane mjegullash i ndërron për ditë
Në bahçet prehrin e mbush me fruta
Korijeve një këngë mërmërit
Po ah! Veriu mizor e vë përpara
Me vërshëllim kamxhikësh, si i marrë
mbi baltë e shelgje rend ajo e mjera
dhe në lot e mbytur ikën duke qarë.

POEMA E NJERIUT 


Kur mbi njërin oqean shuhet e tretet ngadalë
drita e ditës
dhe kaltërsitë e qiellit e të ujërave kridhen
në muzg
dhe agimi i kuq përkundet nëpër kreshtat e
valëve
që ndjekin njëratjetrën hapësirave pafund.
Kur mbi bronzin dhe granitin e kupolave
të qyteti verior
zbardh nata e bardhë boreale
dielli i jugut ndez mirazhe fantastike
në shkretëtirat e zhuritura tropikale.
Nga njëri pol në tjetrin, nga një gjerësi në
tjetrën
o sa i madh e i pakufishëm është dheu ynë!
S’e nxë dot muzgu agimin, s’e zë dot nata
ditën
Po trolli i tij i pakufishëm zvogëlohet si një
grimë
sikur ta shohësh nga largësitë e tmerrshme
të gjithësisë
mes diejve dhe yjve që humbasin hapësirash
pambarim
ku s’e zë dot bota botën, s’e zë dot drita
dritën
dhe kometa dot kometën s’e arrin.
*****
Jam bir i tokës që është bijë e gjithësisë
dhe ashtu siç është toka ime një grimcë në
rruzullim
ashtu jam unë në gjirin e saj një pikë vesë e
rimë
jam një bulëz vesë e agimeve tokësore
një bulëz vese e mbushur me dritën e diellit
një bulëz vese e mbushur me lëngun e
dheut
një bulëz vese e mbushur me kaltërsinë e
qiellit
jam në mes të tokës dhe gjithësisë një rruaz
vesë e kuqe
e kuqe që në fillim
që kur lindi njerëzimi
që në kohën e shpellave
që kur mbiu lisi
që në kohën e ushtave.
e kam marrë dritën nga zjarri i diellit
dhe ushqehem me zjarrin e tij
në përjetësi.
***
Unë jam fara që i dha lulëzim antikitetit
jam fara që çeli në poemat e Homerit
dhe në formulat e Pitagorës e të Arkimedit
fara që u korr me shpatë nëpër shekuj
që u gri nga breshëritë e mitralozave
dhe u varros në gropat e predhave
fara që çel sytha në studiot e shkencëtarëve
dhe që zbërthehet prej sinkrofazorëve
Unë e gjej veten në të gjitha kohët
e gjej veten në të gjitha elementët
Përkundem në agimet e kuq në hapësirat e
oqeaneve
dhe regëtij në kupolat e qyteteve në netët
polare.
*****
Unë jam ylberi që lidh me nyje gjaku të
gjitha racat
jam autostrada që largohet në thellësi të
rrafsheve të pasosura
dhe lidh shtetet dhe kontinentet e ndara
lidh qytetet dhe provincat e shpërndara
lidh kombet dhe qytetërimet e përçara
dhe jam piramida dhe hendeku dhe barrikada
ku ndahen në armiqësi të përjetshme klasat.
Unë jam kryengritja që nuk e ul kurrë flamurin
e saj
..........
dje lulëzoja nën hijen e ushtave
sot lulëzoj nën hijen e raketave
nesër do të lulëzoj nën dritën e plastmasë
të yjeve.
Unë jam pika e qumështit të kuq
shtrydhur nga gjinjtë e gjithësisë
unë jam gjaku,
jam njeriu,
jam fantazia dhe arsyeja
jam forca dhe liria
dhe i përmbledh në shpirtin tim të gjitha
të gjitha bukuritë
të gjitha fuqitë
të gjitha madhësitë

Google+ Followers