Poezi nga Yehuda Amichai



Fëmija im lëshon paqe

Fëmija im lëshon paqe.
Kur përkulem mbi të,
S’vjen era veç sapun.

Gjithë njerëzit ishin fëmijë që lëshonin paqe.
(E në tërë këtë tokë, s’mbeti
Mokërr pa ndalur së vërtituri).

Oh, kjo tokë e shqyer si rrobe
Që s’mund të arnohen.
Etër të ashpër, të vetmuar edhe në Vatrën e Mbrame,
Heshtje pa fëmijë.

Fëmija im lëshon paqe.
Ani i së ëmës i premtoi
Atë që Zoti s’mund
Të na e premtojë ne.


Poezi e përkohshme për kohën time

Shkrimi në hebraishte e arabishte shkon nga lindja në perëndim,
Shkrimi në latinishte, nga perëndimi në lindje.
Gjuhët janë si macet:
S’duhen ledhatuar së prapthi.
Retë i sjell deti, të nxehtit, shkretëtira,
Pemët i përkul era,
E gurë fluturojnë nga çdo anë,
Në çdo anë. Gjuajnë gurë,
Gjuajnë këtë tokë, njërin me tjetrin,
Por toka përherë bie sërish në tokë.
Gjuajnë tokën, duan ta heqin qafe.
Me gurë, me dhe, por s’e heqin dot qafe.
Gjuajnë gurë, më gjuajnë gurë
Më 1936, 1938, 1948, 1988,
Semitët gjuhen me semitët, anti-semitët me anti-semitët,
Gjuhen të ligjtë, gjuhen të mirët,
Gjuhen mëkatarët, gjuhen djajtë,
Gjuhen gjeologët, gjuhen teologët,
Gjuhen arkeologët, gjuhen kryehuliganët,
Veshkat gjuhen gurë, gjuhen fshikëzat e tëmthit,
Gurë koke, gurë balli, zemra guri,
Gurë në trajtën e gojës që piskat,
Dhe gurë që të shkojnë me sytë
Si një palë syze,
E shkuara e gjuan gurë të ardhmen,
E ata të gjithë bien në të tashmen.
Gurë që qajnë, gurë zhavorri që qeshin,
Edhe Zoti në Bibël gjuajti gurë,
Edhe Dritën, Përkryerjen, i gjuajtën,
Por ato mbetën në parzmoren e drejtësisë,
Edhe Herodi gjuajti gurë e nga kjo u krijua një Tempull.

Oh, kënga e brengës së gurtë,
Oh, kënga e gjuajtur mbi gurë,
Oh, kënga e gurëve të gjuajtur.
A ka kjo tokë
Ndonjë gur që kurrë s’është gjuajtur,
Kurrë s’është ndërtuar, kurrë s’është rrënuar,
Kurrë s’është gjetur, kurrë s’është zbuluar,
Kurrë në mure s’ka klithur, kurrë në duar s’është përpëlitur,
Kurrë s’është vënë krye varrit, kurrë s’qëndroi poshtë të dashurit,
Dhe kurrë në themele s’ka përfunduar?

Ju lutem, mos gjuani më gurë,
Po e shkulni tokën,
Tokën e shenjtë, të plotë, të hapur,
Po e flakni në det,
Por deti s’ka nevojë për të,
Deti thotë, jo tek unë.

Ju lutem, gjuani gurë të vegjël,
Gjuani fosile kërmijsh, gjuani zhavorr,
Drejtësi ose padrejtësi nga guroret e Qyteteve të Rrënuara,
Gjuani gurë të butë, gjuani krepa të ëmbël,
Gjuani gurë gëlqerorë, gjuani argjilë,
Gjuani rërë bregdeti,
Gjuani pluhurin e shkretëtirës, gjuani ndryshk,
Gjuani dhe, gjuani erë,
Gjuani ajër, mos gjuani asgjë,
Derisa t’ju lodhen duart,
Derisa të lodhet lufta,
Edhe paqja do të lodhet, gjallë do të mbetet.


I shpejtë, i hidhur

Fundi ishte i shpejtë, i hidhur.
E ngadaltë, e ëmbël ishte koha mes meje e teje,
Të ngadalta, të ëmbla ishin netët
Kur duart e mia s’e preknin njëra-tjetrën të dëshpëruara, por të dashuruara
Me trupin tënd që zuri vend
Ndërmjet tyre.

E kur hyra te ti,
M’u duk se lumturia e madhe
Mund të matej me saktësinë
E dhimbjes therëse. E shpejtë, e hidhur.

Të ngadalta, të ëmbla ishin netët.
E tanishmja është e hidhur, të bluan si rëra –
“Të tregohemi të ndjeshëm”, dhe mallkime të ngjashme.

E kur arrakatemi matanë dashurie,
I shumëzojmë fjalët,
Fjalët dhe fjalitë fort të gjata, të përpikta.
Po të kishim qëndruar bashkë,
Mund të ishim përkthyer në heshtje.


Harrimi i tjetrit

Të harrosh tjetrin është si të harrosh të fikësh dritën
Në oborrin e pasmë e, kësisoj, ajo rri ndezur gjithë ditën në vijim,

Por pastaj vetë drita të detyron të kujtosh.


Qen pas dashurie

Pasi më le,
E lashë qenin të m’u merrte erë
Gjoksit e barkut. Sapo t’i ngopë hundët,
Ai do të sulet me të gjetë ku të mundet.

Besoj se të dashurit tënd
Do t’ia shqyejë vetet e këpusë aletet,
Ja, të paktën,
Do të m’i sjellë mbathjet e tua mbërthyer në dhëmbë.

Përktheu: Ukë Zenel Buçpapaj

Google+ Followers