Malli për të parrëfyerën

Nga Ali Aliu

1.Fshati i frymëzimit emblematik 



Dy vjet pas botimit të romanit “Lyp siqaret” (2011), Kim Mehmeti vjen me romanin më të ri, “Ngjyrat e këtij dheu” (2013). Do të thoshim, me këtë rast, ja një ritëm i rregullt , mbase shkrimtarësh produktivë në të shumtën e rasteve. Kimi, kur ndjen nevojën e prehjes, nevojën e rimbushjes artistike, arratiset fushave dhe diskurseve tjera, - eseistit, polemistit dhe publicistit ku tani më ka krijuar profilin e vet të papërsëritshëm edhe në këto fusha. Kësaj here me romanin më të ri, lexuesi do ta ketë të lehtë për ta qëlluar hapësirën dhe lëndën, frymëzimin, boshtin tematik që sugjerohet që në titullin e tij, - janë ngjyrat e këtij trolli, të këtij dheu, të kësaj toke, dhe kësaj bote. Shtegu kah i cili të ndjell të ecësh ai, të çon drejt kodrave shqiptare mbi Shkup, drejt fshatit tanimë emblematik të Kimit, (Suk), që shtrihet e ndërthuret gati në mbarë veprën letrare të tij, si fshati pa varreza, fshati i fëmijëve të mallkuar, shtëpia në fund të fshatit, fshati me kulla, fshati me urithë nëntokësorë, fshati me sorra dhe skifterë, me fate dhe Fatusha, fshati me fallxhore, me rrënjë dhe çrrënjosje, fshati me Shkupin e lakmuar dhe të mallkuar njëherësh, me të cilin komunikon rrugëve të dukshme dhe korridoreve të errëta, mbi të cilin hedh shikimin nga çardakët e kullave arbërore, të pastra, të shëndetshme, superiore, me shikim të ngarkuar droje dhe mekanizma mbrojtës nga e liga e tij… Është fshati dhe kodra metaforë që herë-herë shpërthen rrezet e ndriçimit të vet përtej e tej mbi hapësirën e etnisë, të universit…Këtu, në këtë ambient, që nga hapat e parë krijues të Kim Mehmetit zë fill embrioni i lëndës romanore, tregimtare dhe eseistike, zë fill frymëzimi, siç thashë në fillim, edhe pse termi frymëzim, të paktën me këtë rast, nuk e përkap saktë dhe përplotësisht procesin krijues të tij: është përqendrim total, do të thosha, është frymëzim-kërkim i imagjinatës që rrugës mbledh e merr ngarkesën e kërkimtarit plot kërshëri, të kërkimtarit ngarkuar mall, vizion dhe përgjërim fatesh të lënë pas apo ata të radhës, që si shenja dhe mbarsje diskrete, trokasin, çfarë është në gjendje ta dëgjojë vetëm veshi i shkrimtarit.
Shkrimtari Kim Mehmeti, pra, edhe kësaj here është brenda fshatit të vet, brenda botës së vet, të cilën e ndjen, me të cilën jeton në kontinuitet të pandërprerë prandaj çdo bëmë dhe karakter që del andej bëhet plotësisht bindës. Por, kësaj here Kim Mehmeti vjen edhe i ndryshëm në veshje diskursi. Narratori dhe personazhi qendror në romanin më të ri të Kim Mehmetit është piktor, (alteregoja e autorit), përfaqësues i artit që me këtë rast dhe në këtë rrëfim, përmes pikturës sjell botën shpirtërore të fshatit në pleksje, në kombinim me atë të fjalës, të poezisë (në kuptimin antik të saj), me një magji diskursi që është veçantia e parë e romanit. Është pikërisht dheu, balta të cilën piktori personazh dhe narrator e përdor në vend të ngjyrave, nuancat e pasura deri në pambarim të reflekseve që rrjedhin dhe shtrihen në pëlhurën e brendshme të krijuesit, janë çudibërësit më karakteristik të rrëfimit. Në sinkroni të përsosur do të përthuret dhe arti i tingullit, i këngës, që përhapet orfeike në horizont, në hapësirën e universit dhe në shtresimet më të nuancuara të shpirtit…
Këtij leximi të skutave më të thella të shpirtit, të ëndrrës, të gëzimit, të vuajtjes, të lumturisë dhe dëshpërimit, të klithjeve të brendshme, që me këtë rast më të fuqishme se fjala i përkap ngjyra e dheut dhe brusha e piktorit, i përkap edhe kënga e trollit, dhe që si shtrirje narrative i shkon më për shtat diskursi që preket nga nuancimi dhe variacioni eseistik, përkatësisht edhe nga një ngacmim lirik. 

Kim Mehmeti
2.Mbamendja si bosht rrëfyes 

E regjistruara në kujtesën e tij, ajo që ka mbetur e pashlyer duket se ia ka vlejtur të shndërrohet në art romanor. E kaluara, e regjistruar në kujtesë nga mosha e fëmijërisë së narratorit është burim i pare i rrjedhës së rrëfimit me këtë rast, të cilën, tani nga mosha e ngrysur, piktori-narrator e hedh, e rrëfen në pikturën e tij. Mbamendja e sjellë nga kjo perspektivë, del botë shpirtërore e begatë, me histori personazhesh dhe thellësi të cilave nuk u shihet gjithnjë fundi… Është fjala, edhe me rastin e këtij romani, për një dhunti të veçantë të këtij shkrimtari për të na e lënë ndjesinë se, me gjithë kërkimet drejt thellësive të mjegullta të botës, të shpirtit të pemës familjare dhe etnike, diç përherë mungon. Pikërisht ndjenja, përshtypja se malli ngasës i narratorit, sa për atë që zë ngoje, është edhe më i madh për të parrëfyerën, për të munguarën, ndiesi përmes së cilës arin për ta tërhequr lexuesin, pa ia kërkuar fare këtë, në drejtim të asaj që mbetet e pa rrëfyer, e pranishmja si e munguar, drejt së cilës fillon të persiasë dhe të kërkojë në vetveten e tij lexuesi. Është ndjesi që të nget drejt zgjimit të kujtesës, duke dëshmuar njëkohësisht lidhjet përherë rrugëve nga më të shumta e më komplekse të lexuesit me artin. Njësoj nxit mallin edhe për botën shpirtërore të pastër, botën e fshatit emblematik shqiptar mbi malësinë e Shkupit, duke e vendosur atë në rrethana dhe përditshmëri me hapësirë të ndotur në çdo kuptim.
Boshti narrativ në romanin “Ngjyrat e këtij dheu” të Kim Mehmetit nuk është strukturë sipas konvencave klasike, sipas së cilave do të ketë formë fabulare me fillim, mes e përfundim, brenda të cilit do të shtjellohet një histori e mbyllur, e përfunduar: tërë fuqia rrëfyese me këtë rast është derdhur në ndërtimin e personazheve dhe në vizatimin e atmosferës, të artikulimit emocional dhe estetik të brendshëm, te vizatimi i dridhjeve farfuritëse të ndjenjave dhe botës të kësaj hapësire. Prandaj, nuk ka brenda këtij rrëfimi befasira si kthesa të papritura, të paparashikueshme befasia me këtë rast vjen kënaqësi estetike, vjen e qetë, valë-valë deti të qetë, me fund rrëfimi të befasishëm.
I fuqishëm është shkrimtari Kim Mehmeti, sidomos në këtë roman, në vizatimin e personazheve, biles do të thoshim se me këtë rast ai shkëlqen në portretimin psikologjik dhe shpirtëror të tyre, në veçanti në artikulimin e nënës e të babait. Kjo anë e rrëfimit romanor zë hapësirën kryesore të harkut narrativ. Është lëvizje kryesore e ecjes përpara të ngjarjes, përkatësisht ngadalësim i zhvillimit të ngjarjes, që vjen natyrshëm, duke i hapur rrugë në plan të parë zbulimit të qetë dhe të ngeshëm të botës së personazheve. Çdo kënd i fshatit (Suk), gur a dru a krua, livadh e shkëmb e varr, çardak e kullë e kumbull, që lidhet me një histori, me një mit të regjistruar në mbamendjen e fëmijërisë së autorit, është vatërngasës i përhershëm i mundshëm, sa herë gjen shansin e vet të radhës në fantazinë krijuese të Kim Mehmetit. Dhe ky ambient, kjo frymë dhe shpirt i saj në romanin “Ngjyrat e kësaj toke” janë familja e narratorit. Është bota e shëndetshme, është pastërti bote që reflekton ambient në hapësirë dhe etni, që vjen dhe gjallërohet i tillë përmes rrëfimit më të ri të Kimit, në një përditshmëri të cilën e karakterizon mungesa e ndjeshmërisë dhe pastërtisë së tillë.

3.Shumësia e perspektivave rrëfyese Nga kjo perspektivë përplasëse, tunduese kërkon, artikulon rrënjën e ndjesive, të emocioneve, të bindjeve, të ëndrrave, të rrëfyera me shpërthime narrative të brendshme, mëkuar me lirizëm të hollë estetik. Janë të gjitha pra historitë e vogla dhe të mëdha që lidhen e pleksen dhe përbëjnë tërësinë e këtij romani. Fjala është kësaj here për varg rrëfimesh ku narratori orë e çast ndërron kënd dhe perspektivë perceptimi, duke sjellë tek çdo storie personazhin, protagonistin e vet, me dhunti për të rrezatuar ndjesinë tek lexuesi se me secilin nga ta ai komunikon drejtpërdrejt dhe pandërprerë në kohë, pa ndërprerë sjell varg çastesh gëzimi a dëshpërimi me ta, ai arrin ti mbajë pranë, por edhe të largohet dhe në distancë, për të sjellë të tjerë në studion e tij përherë të hapur për të gjithë.
Të cilësohet roman autobiografik “Ngjyrat e këtij dheu”, në fakt si bëhet autobiografia art? Do të thoshim atëherë kur të përjetuarën a të jetuarën e sheh nga brenda dhe e sheh atë që është vibrim i fijeve të shpirtit dhe mendjes së tjetrit, me këtë rast të nënës, atëherë kur sheh në sytë e saj që flasin, që rrezatojnë dashuri, dhembje, vuajtje, gëzim, mall, frikë, atëherë kur sheh admirimin e motrës për vëllanë, kur ndjen rrëfimin në vibrimin e këngës të saj, kur i sheh ndjesitë që përhapen dhe fluturojnë si bardhësi pëllumbash në hapësirë dhe i përkap, i gjallëron ato në pëlhurën me ngjyrat e dheut nga i cili është gatuar edhe vetë. Rrjedhimisht, rrëfimin me ngjyrim autobiografik shkrimtari e fillon nga karakteret: ata i shfaqen përpara, ata e vënë në ngasje dhe pastaj fillon dhe thuret koha, ambienti, idetë, rrethanat, realiteti, veprimet. Ngasësi i parë në vizion, pra prek personazhet, me të cilët e ka nisur mund të thuhet moti bisedën, dialogun, pajtimin e mospajtimin, veshjen, përplasjet.
Në veprën romanore më të re të Kim Mehmetit lexuesi pajtohet të mos kërkojë intrigë fabulare, as rrëfim klasik. Sado me prirje autobiografike, pak a shumë trend i kohës, që,të paktën pa rezervë, nuk mund të klasifikohet as i tillë, autor-narratori sa kthehet në jetëshkrimin, duke përzgjedhur me pincetë oaza të caktura të saj, për aq sa i hyjnë në funksion të konceptit tërësor, po aq shpesh dhe qartë largohet nga ai jetëshkrim, duke sjellë produkt të imagjinatës së ngjizur në trollin e vet real dhe konkret.
Boshti qendror rreth të cilit mbështetet rrëfimi i romanit “Ngjyrat e këtij dheu” pra është lidhja e narratorit me nënën, me babanë, me motrat… që rrezaton edhe përtej këtij dimensioni dhe që rrëfimi sillet rrathë-rrathë, gjithnjë duke sjellë nga thellësitë të dhëna të reja të shtresuara dhe që duken të pashtershme.
Në këtë orbitë kësaj here Kim Mehmeti ka përsiatur mjeshtërisht, një lidhje gjaku arbëror ndër shekuj, të cilën në të kaluarën e ka zënë në gojë fare kalimthi, shkëndijë e cila sado që mund të jetë dukur e rastit, ajo paskësh rënduar gjatë në dijen dhe ndërdijen e autorit, pra ajo e rrënjëve të mbetura në Rekën shqiptare të krishtere…Është njëri nga kapitujt kurorë ndoshta, kryekurora e romanit, storja e kësaj të kaluar, e që me këtë rast vjen metaforë e universit etnik shqiptar. E ndjen në thellësinë e vet, pas leximit të këtij kapitulli pasurinë e një shpirti tolerant, të hapur ndaj besimeve të ndryshme të kësaj etnie në hapësirën universale njerëzore.
Rrëfimi i këtij kapitulli në këtë roman vjen i përjetësuar në pikturën e narrator-personazhit qendror, në një tablo e cila në fund mban diçiturën “çerekhëna dhe kryqi”, ndërsa nuk shihet në të as kryqi as hëna. Shihet vetëm një cope re qiellore në sfond, brenda së cilës mezi sa shquhet kurmi i një katragjysheje të autorit të veprës, me emrin Lefka, e cila me dorën engjëllore, siç e komenton pikturën e vet autori, përkëdhel kokat e dy djemve të vet. Rrëfimi mbi katragjyshen Lefka, të mbetur gjallë brez pas brezi në mbamendjen e banorëve sukas të kodrave shqiptare mbi Shkup, dhe çasti kur ajo merr vendimin më të rëndë në jetë, atë për tia dorëzuar njërin bir besimit islam, janë rrethana, epoka kur Lefka nuk kishte vetëm brengën si ta mbronte vathën nga kaçakët, por edhe si ta mbronte besimin dhe gjuhën e saj, që nuk ngjasonte me atë të të derdhurve në këto troje si baltë ngjitëse dhe që kërkonin nga vendasit mos e ndërrojnë besimin por ta harrojnë gjuhën, pra në këto rrethana katragjyshe Lefka do të shtrojë dilemën: “O Atë, pse kurrë nuk u rehatuam e nuk na lanë ta ruajmë të qetë atë që na mbajtyi gjallë?” dhe vazhdon më tej rrëfimi mbi Lefkën “… të premteve paradite ajo pastronte xhaminë e fshatit e të shtunave kishën.. këto janë faltoret e djemve të mi, prandaj nuk mund ti ndaj me asgjë nga njëri-tjetri”. Dy djemtë e Lefkës do të vazhdojnë ashtu në përqafim të njëri-tjetrit në çastin e ndarjes të nënës së vet nga jeta dhe për ta përballuar dhembjen për të, do të vazhdojnë ta lënë trashëgim te pasardhësit e tyre testamentin e nënës: “jetoni si dy degë të të njëjtit trung, sepse njeriu mund ta ndërrojë fenë por jo edhe gjakun dhe gjuhën e qumështit që ka thithur”.
Në këtë rreth persiatës autori i romanit do të shtrojë shumë hamendësi, sprova rrugësh të ecura drejt dhe shtrembër, mirë dhe keq, mëkatare dhe virgjërore, vizionare dhe dritëshkurtra dhe që në storien magjistrale tërë rrjedhat të artikulohen kurorë: trungu i etnisë është ai që vazhdon ti ushqejë degët e veta e që ska si të mos manifestohet njëra dhe tjetra e hapur në përqafim, mirëkuptim, model për besimet e universit njerëzor.
Në nivel majash shquhet edhe kapitulli që thur raportin e narratorit-personazh dhe në këtë rast vëlla i motrave. Një dashuri më drithëronjëse, me një dhembje totale edhe në memorien e popullit dashuria dhe adhurimi i motrave që lumturohen nga lumturia e vëllait, -përkatësisht, lumturia e parë e saj është lumturimi i vëllait. Rrënjët e kësaj të vërtete dhe miti, lexuesi do ti gjejë në rrëfimin më të ri romanor të Kimit. Në shkallë artistike të kapitujve mbi flijimin e motrës dhe rrenjët shqiptare ortodokse të Rekës në Mavrovën e Gostivarit, janë realizuar të gjitha lidhjet brenda pemës familiare dhe etnike në romanin më të ri të Kim Mehmetit.


Google+ Followers